Standard.al

Tension tek e majta para protestës/ PS sulmon Berishën: Po nxit dhunë. LSI: Meta nuk dorëhiqet, sot nxjerrim fakte tronditëse

Gëzim Saliu

 ballaTë majtët kalojnë tek “skenari mjekësor” i paralajmëruar nga Meta. Balla: Nismë për verifikimin e gjendjes psikike të Berishës. Rama i LSI-së: Petrit Çinari me kartelë, po përdoret nga Doshi

Dy forcat kryesore të koalicionit të majtë kanë përcjellë dukshëm tension dje në reagimet publike nga selitë përkatëse në kuadër të protestës së sotme të opozitës. Në deklaratat e PS-së dhe LSI-së u vu re një sulm i hapur ndaj opozitës, duke etiketuar ndërkohë personazhe të hetimit për çështjen “Doshi” si të sëmurë mendorë, gjë kjo që vjen si rrjedhë logjike e deklaratave të mëparshme të kreut të LSI-së, Meta, që ka pohuar se hetimi mund të mbyllet nga drejtësia apo mjekësia. Sipas Partisë Socialiste, ish-kryeministri Berisha po nxit dhunë përmes deklaratave të tij e në këto kushte partia kryesore në vend i kërkoi Prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet. Në deklaratën e tij nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, theksoi se thirrjet e opozitës janë të dënueshme. “Thirrjet e Sali Berishës dhe të oficerëve të SHQUP-it nxisin dhunën ndaj institucioneve, duke përdorur si shkak një manipulim skandaloz për gjoja vrasjen e dy deputetëve dhe, madje, duke përfshirë në këtë teatër edhe një të sëmurë mendor. Fakti është se kjo nuk është vetëm një orvatje kriminale për të destabilizuar jetën e vendit përmes një manipulimi serial, po edhe një përpjekje e dëshpëruar për të delegjitimuar hetimin që po kryen Prokuroria e Krimeve të Rënda. Unë i bëj thirrje Prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet për Sali Berishën dhe të gjithë nxitësit e tjerë politikë të dhunës, sepse: Sali Berisha përsëri nuk po kërkon zbatimin e ligjit, por imponimin me forcë të një skenari kriminal që dëmton seriozisht Shqipërinë”, – tha ai. Më tej, socialisti Balla deklaroi se do të ndërmarrë një nismë për të verifikuar në rrugë mjekësore gjendjen psikike të ish-kryeministrit. “Ndërkohë, unë do të ndërmarr sot nismën për të verifikuar në rrugë mjekësore gjendjen psikike të Sali Berishës dhe për të kërkuar mbylljen në çmendinë, nëse komisioni mjekoligjor vërteton se Sali Berisha është klinikisht i papërgjegjshëm. Për sa kohë nuk është shpallur zyrtarisht i papërgjegjshëm klinikisht, duhet të përgjigjet për krimet, duke nisur nga përhapja e panikut”.

 

Reagimi i LSI-së

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi dje se Kryeparlamentari Ilir Meta nuk mund të japë dorëheqje për llogari të krimit të organizuar, siç, sipas tij, e kërkon opozita. Ndërkaq, duke mos dhënë asnjë detaj, Vasili njoftoi se në 24 orët në vazhdim do të publikohen fakte tronditëse për çështjen “Doshi”. “Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nuk do të japë kurrsesi dorëheqjen për llogari të krimit të organizuar. Ju konfirmoj edhe një herë qartë e prerë se lufta e mazhorancës kundër krimit të organizuar do të jetë e rreptë. Fakte të reja tronditëse do të bëhen publike gjatë 24 orëve në vazhdim”, – tha ai. Ndërkaq, në një dalje të dytë, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha se personi që, sipas Doshit, është paguar për të vrarë dy deputetët, rezulton të jetë një i sëmurë mendor. “Këtu është dhe kartela klinike e vrasësit të radhës. Meqenëse jemi përballë edhe një shkeljeje të ligjit, është e rëndësishme që organi i akuzës ta bëjë edhe këtë element pjesë të hetimit të vet, duke e thelluar hetimin edhe tek manipulimi dhe keqpërdorimi i të sëmurëve”, – tha ai. I pyetur lidhur me protestën e opozitës, Rama paralajmëroi se çdo tentativë për të provokuar dhunë do të marrë përgjigjen e organeve të shtetit. “Çdo aludim, përpjekje për të stimuluar apo krijuar dhunë është jo vetëm e dënueshme, por do të gjejë përballë reagimin e vendosur të organeve të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Nuk besoj se Doktori do të mund t’i kundërvihet vullnetit të qytetarëve për të lejuar në protestën e nesërme apo çdo dite në vijim krijimin e terrenit për dhunë. Në të tilla kushte pastaj do të gjendeshim përballë veprimit me forcë të shtetit për të ndëshkuar ligjërisht cilindo kriminel, keqbërës, shkelës të ligjit apo politikan që shfaqet si i tillë”.

 

 LSI mbledh kryesinë/ Meta diskuton për skenarët e protestës së opozitës. Militantët: Jemi të përgatitur

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mblodhi dje kryesinë e forcës që drejton, ku temë kryesore e diskutimit ishte protesta e sotme e opozitës. Në kohën kur situata duket e tensionuar mes palëve politike, në mbledhjen e djeshme mësohet se kreu i LSI-së i ka bërë të ditur kryesisë disa nga informacionet për skenarët e protestës, duke dhënë edhe porosi lidhur me sjelljen politike për ditën e sotme. Po ashtu mësohet se pjesë e diskutimit të djeshëm në kryesi ishte edhe taktika që pritet të ndiqet sot në Parlament, duke iu referuar edhe deklaratës së kreut të grupit, Vasili, sipas së cilës gjatë 24 orëve në vazhdim do të bëhen publike fakte të reja tronditëse. Ndërkaq, me dhjetëra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së pritën dje në hyrje të selisë kreun e kësaj force, Ilir Metën. Simpatizantët u shprehën se do të mbrojnë shtetin si dhe janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm.

 

 Protesta e opozitës/ Rama takohet me Metën në Kuvend, i bashkohet edhe Tahiri

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim në Kryesinë e Kuvendit me kreun e tij, Ilir Meta. Mësohet se temë kryesore e takimit mes tyre ka qenë akuzat e Doshit ndaj Kryeparlamentarit, kërkesa e opozitës për dorëheqjen e tij si edhe protesta e ditës së sotme. Pikërisht lidhur me zhvillimet e pritshme të kësaj të fundit, takimit mes dy liderëve të së majtës iu bashkua dje edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Gjatë takimit mësohet se Rama, Meta dhe Tahiri diskutuan lidhur me marrjen e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e protestës. Kohët e fundit takimet mes Kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Meta, kanë qenë të shpeshta, kjo për shkak të situatës së krijuar nga akuzat e Tom Doshit për një skenar vrasjeje, pas të cilave Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet kryesisht, ndërsa u morën në pyetje zyrtarë të lartë të shtetit. Por këto takime vijnë edhe në kohën kur diskutohet përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit, në të cilat është deklaruar se PS-LSI dalin me kandidatë të përbashkët.

Comments are closed.