Shqipëri-Armeni/ Duka: Ndeshja ndaj Armenisë, më e rëndësishmja për Euro 2016

0
122

DukaPresidenti i Federatës u shpreh se ndeshja ndaj armenëve është edhe më e rëndësishmja, pasi përcakton rrugëtimin e kuqezinjve drejt misionit me emër Francë

Shqipëria do të ketë brenda këtij viti ose vitin tjetër një miqësore me Turqinë. Ndeshjen e luksit për kuqezinjtë e trajnerit De Biazi e paralajmëron ambasadori turk në vendin tonë, Hidejet Bajraktar, pas një vizite kortezie që zhvilloi në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Zoti Bajraktar zhvilloi fillimisht një takim të shkurtër me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe më pas vizitoi muzeun e institucionit më të lartë të futbollit shqiptar. Në një intervistë të dhënë ambasadori u ndal fillimisht te qëllimi i këtij takimi, duke konfirmuar se gjatë muajve të ardhshëm, Shqipëria mund të presë në një ndeshje miqësore Turqinë në vendin tonë. “Ekipi i futbollit shqiptar këto ndeshjet e fundit është paraqitur shumë mirë dhe ka pasur rezultate pozitive. Sigurisht qëllimi i vizitës sime ishte forcimi i bashkëpunimit ekzistues mes dy federatave tona. Unë e mirëprita kërkesën e presidentit të Federatës Shqiptare për organizimin e një ndeshjeje miqësore këtu në Shqipëri, sivjet ose vitin tjetër. Urojmë që kjo të realizohet”. Në vijim, ai vuri theksin te arritjet e futbollit shqiptar dhe kombëtares kuqezi, duke nënvizuar se ai do të jetë tifozi më i ri i kombëtares shqiptare në çdo ndeshje që skuadra do të luajë në vendin tonë. “Si i ftuar i presidentit të FSHF-së, edhe si futbolldashës do të jem i pranishëm në ndeshjet e kombëtares shqiptare dhe sigurisht që do të bëj tifo për Shqipërinë”. Ndërkohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, u përqendrua te ndeshja eliminatore e radhës në fund të këtij muaji kundër Armenisë, duke e pranuar se ky 90-minutësh ka një rëndësi të madhe për ecurinë e mëtejshme. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme e edicionit për mbarëvajtjen e ekipit tonë. Futbollistët tanë janë në formën maksimale dhe uroj që të ketë kështu deri në datën 29 për të dalë me rezultat pozitiv. Kemi vetëm një alternativë, fitoren”. Në fund, Duka u ndal edhe te problematika që ka krijuar çështja e derbit të kryeqytetit, duke konfirmuar se Tirana dhe Partizani do të zbresin në fushë të premten. “Për ne dhe për klubet derbi duhet të luhej të enjten, por për arsye sigurie policia ka kërkuar që ndeshja të shtyhej 24 orë dhe ne e kemi pranuar kërkesën e Policisë së Shtetit”.

 

Botërori në Katar fillon në 1 nëntor

Ndryshe nga të gjitha kampionatet botërore deri më sot, ai në Katar te zhvillohet në dimë. Në Katar eventi më i madh i planetit do të zhvillohet në fund të vjeshtës dhe fillim të dimrit. Klubet e mëdha janë kundër këtij vendimi, i cili pritet të miratohet këto ditë. Ndërkohë, FIFA kërkon t’i joshë me euro, duke trefishuar shumën. Janë përcaktuar tashmë datat e këtij eventi nga FIFA për vitin 2022 që do të zhvillohet në Katar, edhe pse ato nuk janë miratuar ende nga Komiteti Ekzekutiv i qeverisë botëror të futbollit, por vetëm këto ditë pritet të miratohen. Kampionati Botëror i vitit 2022 do të shkruajë një histori, sepse do të zhvillohet në dimër. Shkak janë temperaturat shumë të larta që regjistrohen gjatë verës në Katar. Kompeticioni, sipas të gjitha gjasave, do të nisë në datën 18 nëntor dhe do të përfundojë në 18 dhjetor të vitit 2022. Ky afat kohor i zhvillimit i prek të gjitha kompeticionet që zhvillohen në nivel klubesh. Kështu, për Katar 2022 të gjitha kampionatet kombëtare do të ndërpriten për një periudhë 2-mujore. Kjo ka shkaktuar një sërë ankesash nga klubet e mëdha evropiane të cilat e shohin si një dëm ekonomik të madh zhvillim në një kohë te papërshtatshme. Grumbullimet e skuadrave përfaqësuese do të bëhen në datën 1 nëntor, pra 18 ditë përpara startit të Botërorit. Por që diçka të tillë të ndodhë, FIFA duhet të bindë klubet për të lënë të lirë futbollistët e tyre për rreth dy muaj. FIFA do të derdhë në arkat e klubeve si dëmshpërblim trefishin e shumës që u akordoi atyre për Botërorin e Brazilit. Pra, për të blerë të drejtat e futbollistëve për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Katar, qeveria botërore e futbollit do t’u paguajë klubeve 185 milionë euro, ndërkohë që për Botërorin e Brazilit u mjaftua me vetëm 63 milionë euro.

 

Çalhanoglu refuzon Barcelonën

Hakan Çalhanoglu është ndër mesfushorët më të mirë në Bundesligë. Turku po kalon një formë të jashtëzakonshme me skuadrën e tij Bajer Leverkusen dhe kjo ka bërë që pas tij të vihen skuadrat e mëdha evropiane. E falë paraqitjeve të tij të mira, interesim për të ka shprehur edhe gjiganti katalanas Barcelona, por si duket kjo nuk i ka bërë shumë përshtypje mesfushorit sulmues. Sipas medieve gjermane, katalanasit mendonin të ofronin rreth 30 milionë për kartonin e lojtarit, mirëpo ky i fundit i ka refuzuar ata duke thënë se ndihet mirë në Bundesligë te Leverkuseni. Kjo duket e pabesueshme që një lojtar të refuzojë Barcelonën, por është e vërtetë, Çalhanoglu dëshiron të bëjë karrierë në Gjermani.

 

 Daniel Alvesh shkon te Paris Sent Zhermeni

Daniel Alvesh shkon në Paris. Jo për pushime, por te Paris Sent Zhermeni. Braziliani zgjodhi të ardhmen e tij, duke vendosur të vazhdojë karrierën në Paris, pasi katalanasit dhe klubi francez arriti këtë të martë një marrëveshje mes tyre. Futbollisti i Selesaos do të firmosi një kontratë trevjeçare me kampionët e Francës, nga e cila do të përfitojë 9 milionë euro në sezon. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja “Marca”, sipas së cilës mbrojtësi do të udhëtojë në ditët e ardhshme për në kryeqytetin francez për të zyrtarizuar dhe marrëveshjen me klubin parisien. Largimi i Alveshit ishte bërë i ditur që në përfundim të sezonit të kaluar, madje lojtari u mendua se do të largohej që në verë, por Barcelona nuk gjeti një klub të gatshëm për të paguar për të. Alvesh largohet nga Barcelona pas 7 vitesh. Ai u transferua në “Camp Nou” në vitin 2008 nga Sevilja. Në “Parc de Princes” ai do të luajë bashkë me bashkëkombasit e tij, David Luiz, Markinjos, Maksuell dhe Tiago Silva.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency