Standard.al

Mesazhi para të rinjve/ Basha: Protesta, paqësore. Rama-Meta në panik, por kriminelët i kanë në gjirin e tyre

Erneta Shevroja

 lulzim basha 2“Do të ushtrojmë të drejtën për një protestë madhështore, paqësore. Paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit”

Mesazhin e fundit dhe ftesën për pjesëmarrje të gjerë sot në protestë, Basha e dha para të rinjve si “shpresa e së nesërmes”. Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë një pakënaqësi të dalin sot dhe të protestojnë ndaj qeverisë derisa ta çojnë në shtëpi. Kryedemokrati tha se protesta e sotme do të jetë paqësore dhe është pjesëmarrja ajo që i jep peshë këtij marshimi. “Ejani pra nesër (sot), të mblidhemi si asnjëherë më parë. Bashkohuni dhe me forcën e bashkimit, pa dhunë, nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi”, – bëri thirrje kreu i opozitës.

 

Protesta

Protesta e sotme më shumë do t’i ngjajë një marshimi paqësor, ndërsa zërat se ajo mund të jetë e dhunshme, sipas Bashës, është një pjesë nuk që i takon aspak Partisë Demokratike. Ai deklaroi se njerëzit do të dalin në protestë, duke kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme dhe as krimi e as kriminelët nuk ndodhen mes njerëzve, por në qeverisje. “Nesër do të ushtrojmë të drejtën tonë për një protestë madhështore, paqësore. Paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit”, – theksoi lideri i demokratëve. “Unë ju them sot, me autorizimin e shpirtrave tuaj të çiltër, me autorizimin e zemrave të pastra të rinisë shqiptare dhe të gjithë protestuesve shqiptarë nesër, se nuk do të ketë vend mes nesh për krimin dhe kriminelët. Krimin dhe kriminelët i keni në gjirin tuaj. Krimin dhe kriminelët i keni në qeverisje dhe ne do t’i largojmë me çdo çmim”, – vijoi kryedemokrati.

 

Qeverisja

Ngjarja e fundit ku përfshihen zyrtarët më të lartë të shtetit në porosi për vrasje, sipas Bashës, është më e rënda. Ngjarja, sipas tij, është e denjë për skenarë filmi që fatkeqësisht nuk është e tillë. Përfshirja e zyrtarëve në skema krimi ka shkaktuar tronditje në opinion shqiptar dhe atë evropian. “Si kemi ardhur në këtë orë të zezë për ekonominë e vendit, për sigurinë e vendit, për mirëqenien, për shanset për punësim?! Si kemi ardhur në këtë orë të zezë?! Kemi ardhur për shkak të një politike dhe qeverie të papërgjegjshme. Këtë e dimë të gjithë. Por ajo që kemi dëgjuar 10 ditët e fundit sfidon edhe fantazinë më të shfrenuar, të shqiptarëve dhe evropianëve. Kemi parë, kemi dëgjuar nga gjiri i mazhorancës për përpjekje për likuidime, jo me aktorë siç i pëlqen të thotë Kryeministri kloun, por me vrasës serialë, me vrasës të njohur, të skeduar. Me vrasës që kanë marrë pjesë në vrasjet më të bujshme. Herë për hesap të njërës anë e herë për hesap të anës tjetër, por gjithmonë për hesap të krimit”, – deklaroi kreu i opozitës. Sipas kryedemokratit, protesta e sotme ka shkaktuar panik tek dy drejtuesit e mazhorancës. “A e keni parë se si i ka zënë paniku? E keni parë si dridhen nga frika?! A e keni parë sa të stresuar janë? Pse kanë kaq frikë? Kanë frikë, sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran. Shqiptarët janë tronditur, shqiptarët po rënkojnë. Shumë prej tyre po kërkojnë rrugë të daljes. Rinia do t’ua japë këtë rrugë të daljes. Rinia është e tronditur gjithashtu. Por rinia është e vendosur që tronditjen të mos e kthejë në habi, tronditjen të mos e kthejë në dëshpërim, tronditjen të mos e kthejë në vetëflijim, por ta kthejë në forcë. Ta kthejë në forcë, ta kthejë në forcë për të tronditur në themele shkaktarët e kësaj gjendje”, – deklaroi kreu i opozitës, duke përsëritur edhe një herë thirrjen për pjesëmarrje të gjerë në protestën e sotme në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”.

 

Berisha: Të rrëzojmë murin e krimit në majat më të larta të pushtetit

Ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që sot të dalin në protestë për të rrëzuar krimin që, sipas tij, kap majat më të larta të pushtetit. Sipas Berishës e sotmja do të jetë protesta më e fuqishme kundër përfshirjes së zyrtarëve më të lartë të shtetit në skema kriminale. Ai tha se kjo do të jetë protesta që do të kërkojë dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, nga kryesimi i Kuvendit, institucionit më të lartë të një sistemi demokratik. “Nesër (sot) do mblidhemi të gjithë pa asnjë dallim në sheshin “Skënderbej” në protestën më të fuqishme për të rrëzuar murin e krimit që shtrihet në majat më të larta të pushtetit. Nesër (sot) shqiptarët do bashkohen të gjithë pa asnjë dallim partiak, nën moton: “të hedhim, të hedhim murin e krimit”! T’i hedhim, t’i hedhim, t’i hedhim qelbësirat!”, – shkroi dje ish-kryeministri Berisha në profilin e tij në “Facebook”. Sipas tij, sot shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar. “Ne protestojmë kundër tritolit, maskave, kokainës, vrasjeve e bandave të lidhura me pushtetin që bëjnë ligjin, marrin jetë njerëzish në çdo qoshe, në çdo rrugë, shesh apo bulevard të vendit dhe bëjnë të pasigurtë jetën tonë”, – deklaroi Berisha duke vijuar: “Protesta jonë më 12 mars është protestë, si asnjëherë më parë në histori, për jetën dhe sigurinë tonë dhe të fëmijëve tanë. Kjo është protestë kundër klikës në pushtet, të akuzuar me zë dhe me figurë nga deputeti Doshi dhe dorësi Bami, që me skenarin e vet ogurzi Ilir Meta deshi të vriste dy deputetë, të fajësojë opozitën dhe zhysë vendin në një konflikt civil të përmasave të paparashikuara dhe pasojave katastrofale për jetën e qytetareve shqiptarë”, – theksoi ish-kryeministri.

 

Të dorëhiqet Meta

Në protestën e sotme do të kërkohet dorëheqja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. “Ne protestojmë për dorëheqjen e Ilir Metës, i cili i akuzuar me zë dhe figurë 6 muaj më parë nga Tom Doshi dhe dorësi Durim Bami, u deklaron tani qytetarëve se Tom Doshi e ka akuzuar Metën vetëm pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PS-së, kurse para kësaj kohe, sipas tij, Doshi ka akuzuar Berishën dhe familjaret e tij. Sipas njeriut të mbytur që kërkon të kapet ku të mundet del se Meta – Rama – Tahiri kanë mbajtur 6 muaj të fshehtë akuzat e Doshit ndaj Sali Berishës për vrasjen e dy deputetëve dhe fshehur për llogari të tij krimin”, – shkroi Berisha dje në “Facebook”. Protesta e sotme, sipas ish-kryeministrit, do të bëhet edhe për të larguar Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si bashkëpunëtor, sipas tij, në skemën e përgatitur nga Kryeparlamentari Meta për të vrarë dy deputetët, Doshi nga radhët e PS-së dhe Fufi nga PD-ja. “Ne protestojmë kundër byrazerëve të krimit Rama – Meta – Tahiri, të cilët për të zhdukur gjurmët e skenarit të tyre ogurzi, përjashtuan për 6 muaj Prokurorinë nga hetimi dhe ngarkuan për hetimin e skenarit të eliminimit të dy deputetëve, kryetarin e PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri, i cili gjeti, ashtu siç u porosit, se skenari nuk ka ekzistuar”, – tha Berisha.

 

Comments are closed.