Standard.al

Deklarimet/ “Eliminimi” i Doshit, “Toni i Kombinatit” mohon ndërmjetësimin

fatjon skenderi toni i atentatit prokuroria e krimeve te renda (2)Merret në mbrojtje nga Policia e Shtetit. Për 5 orë përballë grupit të prokurorëve. Pranon njohjen me Metën dhe Durim Bamin. Mohon njohjen me kunatin e Berishës dhe Kuliçin

Erdhi nga Gjermania duke marrë sigurinë e plotë se nuk do të arrestohej. Fatjon Skënderi ose i njohur ndryshe si Toni i Kombinatit u paraqit dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku për pesë orë qëndroi përballë prokurorit Përparim Kulluri dhe oficerit të Policisë Gjyqësore. I është përgjigjur me hollësi çdo pyetjeje të drejtuar nga prokurori, por në të vërtetë detaje nuk jepen. Ishte një nga 16 personat e pyetur deri në këto momente si person që ka dijeni për ngjarjen lidhur me eliminimin fizik të deputetit Tom Doshi dhe Mhill Fufi gjashtë muaj më parë. Burime nga organi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëjnë me dije se Fatjon Skënderi ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje. Madje është shprehur se nuk ka marrë porosi nga askush. Por në të njëjtën kohë bëhet e ditur se ai ka pranuar se ka njohje me Kryeparlamentarin Ilir Meta, të dyshuarin e arrestuar tashmë me akuzën e “Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, Durim Bami.

 

Mbrojtja

Pas përfundimit të dëshmisë para prokurorëve, Fatjon Skënderi i shoqëruar nga punonjësit e policisë la ambientet për të shkuar në banesë. Burime të Policisë së Shtetit thanë se Skënderi është marrë në mbrojtje, ndërkohë që nuk dihet me saktësi se ndaj tij do të zhvillohet apo jo një seancë tjetër pyetjesh. Mësohet se Toni ka treguar se në vitin 2005 është takuar një herë me Ilir Metën në Kombinat. Por Tani këtë takim e ka quajtur thjeshtë elektoral, duke e shkëputur nga konteksti për të cilin edhe është atakuar. Fatjon Skenderaj mohoi edhe njohjen personale me Monika Kryemadhin. Por, para hetuesve ai pranoi se e njihte Durim Bamin. Ndërkohë mësohet se Skënderi është shprehur para prokurorëve se me Durim Bamin nuk është diskutuar asnjëherë ndonjë plan për vrasjen e deputetit të Shkodrës Tom Doshi. Nga ana tjetër Toni ka deklaruar se ka njohur edhe deputetin e Shkodrës Doshin përmes nipit të tij. I ardhuri nga Gjermani vetëm për të dhënë dëshminë e ti në prokurori pasi mori garancinë se nuk do të arrestohej, ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë, madje edhe për të bërë një ballafaqim me Durim Bamin. Skenderaj ka pranuar se është ortak me Ylli Xhekollarin në lokalin “Viva” në zonën e ish-bllokut, ku edhe është botuar fotografia e tij. Ai ka mohuar njohjen me Agron Kuliçajn apo persona të tjerë të përmendura në media. Me përfundimin e dëshmisë Skenderaj është larguar nga ndërtesa e prokurorisë me të njëjtën makinë dhe persona me të cilët ka ardhur në institucion. Sipas prokurorisë, dëshmia e tij është marr me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe i është ofruar mbrojtje për shkak për implikimit të tij në këtë ngjarje.

 

Akuza e Doshit

Sipas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar nga PS-ja, Tom Doshi, Fatjoni është personi që ka ndërmjetësuar atentatin duke gjetur vrasësin me pagesë Durim Bami. Fatjon Skënderi është kthyer nga Gjermani ku ndodhej pas një atentati të dështuar ndaj tij disa muaj më parë. “Toni” rezulton në një video të publikuar nga Doshi në tavolinën e lokalit “Viva” në zonën e ish-bllokut ku deputeti pretendon se planifikohej vrasja ndaj tij. Në tavolinë shfaqen dhe kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Agim Rama, dhe ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beci, i transferuar së fundi drejtues në Prokurorinë e Elbasanit. Sipas Doshi, Skënderi në emër të kreut të Kuvendit Ilir Meta ka kërkuar vrasjen e deputetit Doshi kundrejt 500 mijë eurove dhe ekzekutimin e Fufit kundrejt shumës prej 100 mijë euro.

 

Ylli Xhakollari mohon implikimin në ngjarje

Një tjetër person që i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë për t’u marrë në pyetje është edhe shtetasi Ylli Xhakollari, pronari i lokal “Viva” në Bllok, ku dyshohet se janë bërë të gjitha bisedat të cilat Tom Dopshi pretendon se kishin si qëllim zbatimin e një plani për eliminimin fizik të tij. Xhakollai është ortak në këtë biznes me shtetasin Fatjon Skënderi. Mësohet se Xhakollari ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje. Ai ka pranuar se ka miqësi me Agim Ramën kunatin e ish-kryeministrit Sali Berisha por në tavolinën ku është fotografuar ka mohuar se është diskutuar ndonjëherë për vrasje. Po të njëjtin version ka dhënë edhe Ymer Lala dhe shoferi i tij personal. Sipas prokurorisë, pjesë e grupit hetimor është bërë edhe oficeri Arian Muça, i cili ka hetuar video-skandalin Meta-Prifti. Ndërsa gjatë fundjavës pritet të pyetet edhe kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho e kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe persona të tjerë.

 

Prokuroria: Janë pyetur 16 persona, hetimet do të vazhdojnë

Prokuroria e Krimeve të Rënda prej rreth dhjetë ditësh ka marrë në pyetje 16 persona të cilët dyshohet se kanë dijeni për një skenar të mundshëm për eliminimin fizik të Tom Doshit gjashtë muaj më parë. Pas seancave të djeshme ku u pyet Fatjon Skënderi dhe pronari i lokalit në bllok ku janë filmuar personat e përmendur nga deputeti Doshi, Prokuroria shprehet se do të marrë në pyetje edhe persona të tjerë. Sipas saj hetimet janë në rrugën e duhur, ndërsa nuk bëhen të ditur element të hollësishëm lidhur me to. Deri tani ka dhënë deklarime si person që ka dijeni për ngjarjen, ish-kryeministri Sali Berisha, Kryeministri aktual Edi Rama, Kryeparlamentari Ilir Meta, emri i të cilit është përmendur nga deputeti Tom Doshi si njeriu që ka porositur eliminimin e tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputeti Mark Frroku dhe shumë persona të tjerë. Por deri në këto momente në pranga dhe me një masë arresti me burg caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda ndodhet vetëm shtetasi Durim Bami, personi i cili shfaqet në videon e publikuar nga Tom Doshi, duke rrëfyer historinë e atentatit, që sipas tij është planifikuar pikërisht në tavolinat e lokal “Viva”.

Comments are closed.