Standard.al

Çfarë do të ndodhë sot/ Spaho: Protesta derisa Meta të japë dorëheqje nga kryesimi i Kuvendit

Erneta Shevroja

 edmond spahoNënkryetari: Nuk është në natyrën e forcës sonë politike të përdorë dhunën për të arritur qëllime politike apo të vijë në pushtet në aleancë me krimin

Partia Demokratike paralajmëron se nuk do të ndalë protestat derisa Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të japë dorëheqjen pas akuzave se ai është porositësi për vrasjen e dy deputetëve të Parlamentit Shqiptar. Në një intervistë për gazetën “Standard”, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Edmond Spaho, deklaron se disa e sotme nuk do të jetë e vetmja ditë proteste; kjo do të varet nga vendimet që do të marrë Kryeparlamentari Ilir Meta, i ndodhur nën akuzë drejtpërdrejt nga deputeti i përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, Ton Doshi. Spaho nënvizon se protesta e sotme pritet të jetë masive, por jo e dhunshme. Sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike, kreu i Kuvendit duhet të japë dorëheqjen, në mënyrë që organet e drejtësisë të hetojnë pa u ndikuar nga pushteti.

 

Më datë 12 mars, PD ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste. Çfarë pritshmërish keni ju nga kjo protestë? Referuar çfarë është thënë deri më tani rreth protestës, cili do të jetë synimi kryesor i saj?

I gjithë opinioni publik është informuar për akuzat që një deputet i rëndësishëm i mazhorancës i ka bërë Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për organizimin e vrasjes së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Këto akuza janë mjaft të rënda. Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti që ndërmjetësit dhe ekzekutorit u është bërë atentat me sa duket për t’u mbyllur gojën. Kjo ngjarje ka 6 muaj që mbahet e fshehtë nga drejtuesit më të lartë të shtetit, përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe ministrin e Brendshëm. Prokuroria tashmë ka hapur një hetim për të hedhur dritë mbi këto akuza. Do ishte krejt normale që Kryetari i Kuvendit t’i nënshtrohej hetimit duke mos pasur mbrojtjen që i jep funksioni i tij politik. Askush nuk mund të garantojë që hetimi nuk do të influencohet nga pushteti që Meta ushtron si Kryetar Kuvendi. Opozita i ka kërkuar atij që të japë dorëheqjen dhe të vihet në dispozicion të Prokurorisë si të gjithë qytetarët e tjerë, por kjo është refuzuar në mënyrë kategorike, madje mazhoranca përpiqet të deformojë ngjarjen, duke akuzuar përfaqësuesit e opozitës për të. Në këto kushte, rruga e vetme që na mbetet në luftën që kemi ndërmarrë për prerjen e lidhjeve të krimit me politikën është protesta qytetare. Presim që me dhjetëra mijëra njerëz të marrin pjesë në të dhe të kërkojnë dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit. Qytetarët kanë edhe shumë arsye të tjera për të protestuar kundër kësaj mazhorance që kanë të bëjnë me varfërinë ekstreme që po kalojnë, rënien ekonomike, mungesën e punësimit, gjendjen skandaloze të rendit publik, rritjen e çmimeve, mosmbajtjen e premtimeve elektorale dhe një sërë arsyesh të tjera të cilat do t’i bëjnë ata të dalin nesër në protestë.

 

A ka Partia Demokratike një skemë të qartë për zhvillimin e protestës në kuptimin organizativ të saj? Do të ketë bllokim të hyrjes së Kuvendit deri në dorëheqjen e Metës nga kryesimi i Kuvendit?

Partia Demokratike do të zhvillojë protestë me pjesëmarrje të gjerë popullore, në përputhje me të gjitha rregullat e një shoqërie demokratike dhe të civilizuar për të kërkuar në radhë të parë dorëheqjen e Kryetarit të Parlamentit për akuzat që i ka bërë atij një deputet nga radhët e mazhorancës. Këto përpjekje legjitime do t’i vazhdojmë derisa Kryetari i Kuvendit të dorëhiqet.

 

A ka rrezik që protesta e së enjtes të përshkallëzojë në dhunë, referuar edhe deklaratave se akuza ndaj Metës është më e rënda në 25 vitet e fundit? 

Nuk është në natyrën e forcës sonë politike të përdorë dhunën për të arritur qëllime politike apo të vijë në pushtet në aleancë me krimin dhe të gjithë llojet e qelbësirave. Asnjëherë nuk do përdorim mjete të tilla.

 

Protesta e sotme/ PD: Policia e Shtetit të mos reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta

Partia Demokratike ka parashikuar një pjesëmarrje të gjerë në protestën e sotme, fakt që, sipas selisë blu, i ka zënë në panik dy drejtuesit e mazhorancës, kreun e qeverisë Edi Rama dhe Kryeparlamentarin Ilir Meta. Sipas PD-së, njerëzit sot janë shumë të pakënaqur nga mënyra e qeverisjes së të majtëve dhe marshimin e sotëm nuk do ta ndalë askush. Në një prononcim, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, deklaroi: “I ka zënë paniku Edi Ramën, Ilir Metën dhe lolot e tyre, sepse janë ata shkaktarët e depresionit të madh ekonomik të vendit dhe inkriminimit masiv në çdo qelizë të shtetit, deri në kupolën më të lartë të tij. I ka zënë paniku, se në sytë e të gjithë shqiptarëve, Ilir Meta është sot i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, ndërsa Edi Rama është i akuzuar si bashkëpunëtor”. Sipas Ristanit, protesta ka për synim shkëputjen e krimit me pushtetin. “Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli”, – tha sekretari i përgjithshëm i PD-së. Partia Demokratike u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë arsye për të protestuar të dalin sot në sheshin “Skënderbej”, në orën 11:00. “Qindra mijë qytetarë do të bashkohen nesër në Tiranë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej” për të ngritur zërin e tyre kundër krimit në qeverisje, kundër pasigurisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit, kundër arrogancës së dyshes Rama-Meta”, – tha Ristani. Partia Demokratike iu drejtua me një thirrje edhe Policisë së Shtetit. “Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit të përmbahet brenda kufijve të ligjit, e të mos reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta”, – tha sekretari i përgjithshëm i PD-së, ndërsa theksoi se “asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm (sotëm)”.

 

Protesta e opozitës, Policia masa për të siguruar mbarëvajtjen

Paralelisht me marrjen e kërkesës nga Partia Demokratike për lejimin e protestës së paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit deklaron se do të jetë në këmbë për të siguruar mbarëvajtjen e saj dhe për të mos lejuar asnjë ngjarje të pakëndshme. Në një deklaratë për mediat, nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kontrollet dhe praninë e shtuar të forcave të rendit. Në fjalën e tij Qato u shpreh se tubimi i opozitës do të filloj në orën 11:00 dhe Policia e Shtetit do të garantojë mbarëvajtjen e tubimit për të siguruar rendin publik gjatë zhvillimit të tij. Më pas ai shtoi se e drejta kushtetuese për të protestuar është e garantuar, ndaj Policia e Shtetit do të marrë masat maksimale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. “Në këtë kontekst, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore në Tiranë dhe njëherazi u kujton të gjithë qytetarëve detyrimin për të qenë të pajisur me dokument identifikimi gjatë lëvizjes së tyre si dhe për t’ia vënë në dispozicion punonjësve të Policisë së Shtetit kur të kërkohet”, – tha nëndrejtori Qato. Strukturat e policisë gjithashtu do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha akset rrugore, kontrolle personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundërligjshme apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë zhvillimit të protestës. Më tej ai tha se Policia e Shtetit do të marrë masa të plota me synim parandalimin e çdo paligjshmërie dhe garantimin e plotë të së drejtës për të protestuar paqësisht. Në fund nëndrejtori Qato u kërkon qytetarëve mirëkuptimin për prezencën e shtuar të kontrolleve policore në të gjitha akset rrugore dhe mjediset publike, si dhe për masat e shtuara të sigurisë në të gjithë vendin.

 

Comments are closed.