Biletë/ Projektligji për arsimin e lartë kufizon shumë edhe të drejtat e pedagogëve të universiteteve

0
102

Nga Artan Fuga

Artan FUGA Projektligji për arsimin e lartë keqtrajton edhe pedagogët, duke u mohuar të drejta ose duke i konceptuar ato në mënyrë të shtrembër.

– Pedagogët dhe studentët shqiptarë, si në të gjithë botën, duhet të gëzojnë të plotë të drejtën për autonominë dhe paprekshmërinë nga forcat e rendit të territoreve të Universiteteve, ashtu sikurse kjo e drejtë është qindravjeçare në botë. Askush nuk mund të hyjë atje, as forcat e rendit, pa lejen e autoriteteve universitare. Kjo e drejtë nuk mund të mohohet.

– Pedagogët e universiteteve kanë nevojë të trajtohen denjësisht në paga dhe shpërblime sepse ndërsa pagat e deputetëve, ministrave, etj., rriten me indekse të rëndësishme, pagat e profesoratit jo vetëm ulen, por sot e kësaj dite as nuk sigurohen dot për gjithë muajt e vitit. Nuk mund të plotësohen rrogat e pedagogëve me të ardhura që sigurojnë vetë universitetet, dhe të cilat janë të destinuara për të përmirësuar kushtet e punës shkencore dhe cilësinë e mësimit për studentët. Nuk duam të paguhemi me lekë që vijnë nga studentët dhe janë destinuar për objektiva të tjera.

– Një pjesë e madhe e punës të pedagogëve mbetet e papaguar dhe kërkohet arbitrarisht të mos paguhet dhe të jepet falas duke na vendosur në një gjendje prej skllavi. Mbështetje për institucionin nuk paguhet, kumtesat shkencore nuk paguhen, korrigjimet e provimeve, udhëheqjet e diplomave dhe të mikrotezave nuk paguhen, pjesëmarrjet në juritë e mbrojtjes të tezave nuk paguhen. Kush sot në botë pranon të punojë pa pagë???

– Pedagogët duhet të gëzojnë të drejtën për të pasur mundësi t’u mbulohen shpenzimet e pjesëmarrjeve në konferenca shkencore ndërkombëtare, të subvencionohen në botimet cilësore të “open acces”, të mbështeten financiarisht për kandidimin e tyre në projekte të përbashkëta shkencore me kolegë të huaj si edhe krijohet e drejta për të marrë pedagogë të huaj si kusht avancimi në cilësinë e mësimdhënies.

– E drejta e autorit të teksteve ndonëse parashikohet nga ligj, nuk gjen vend në projektligjin e arsimit të lartë. Sot dihet se e drejta e autorëve të teksteve merret nëpër këmbë nga fotokopjimet ilegale dhe nga përdorimet vjedhacake të veprave shkencore. Kjo vjen sepse dikasteri përkatës është i pazoti të mbrojë autorësinë e librave dhe teksteve. Po ashtu puna dhe kërkimi shkencor nuk konsiderohen si parametra matës të punës të profesoratit.

– Profesorati i universiteteve ka të drejtë t’i garantohet me ligj pavarësia absolute në kërkimin shkencor dhe në përmbajtjen e procesit mësimor jashtë çdo censure të mundshme sikurse e krijon rastin projektligji që po përgatitet nga një grup i vogël njerëzish. Si mund tê garantohet kjo kur programet e studimit dhe madje edhe ndryshimet e pjesshme në to projektligji kërkon që të aprovohen nga ministri i arsimit, çka nuk ndodh në asnjë vend të botës të lirë. Projektligji nuk merr mundimin as të shpalIë se përmbajtja e arsimit dhe e shkencës universitare drejtohet nga parimet e demokracisë, paqes dhe tolerancës, kundër ksenofobisë, racizmit, terrorizmit. Jemi apo nuk jemi më pjesë e kërkimit shkencor dhe e mësimdhënies universitare evropiane???

– Profesorati duhet të ketë të drejtën që i mohohet për t’u vlerësuar lidhur me marrjen e titujve dhe gradave shkencore nga kolegë të profesionit dhe jo nga komitete ad hoc të paspecializuara dhe që rrezikojnë ta shndërrojnë karrierën shkencore të pedagogëve në një kalvar servil dhe përulje para instancave arbitrare pa asnjë kompetencë shkencore. Komisionet e përhershme të kualifikimit pranë senateve nuk janë në gjendje të bëjnë vlerësimin e arritjeve shkencore të profesoratit.

– Dublimi i rektoratit dhe senateve nga bordet e emëruara me paketë kontrolluese nga ana e ministrisë të arsimit pengon dhe kufizon rëndë të drejtën e profesoratit për të vendosur në mënyrë autonome për programet e studimit sepse mbulimi i tyre me anën financiare nuk do të jetë më në dorën e asamblesë profesorale dhe të zgjedhurve të saj. Legjitimi që në borde të vijnë “të deleguar” nga ministria meqë shteti jep buxhete nuk ka vend të qëndrojë për universitetet sepse kështu edhe gjykatat, edhe presidenca, edhe organet e tjera, do të duhej që administrativisht të menaxhoheshin nga administrata e nëpunësve.

– Profesoratit nuk i njihet e drejta për të krijuar sindikata brenda universiteteve dhe shkollave të larta, sepse projektligji injoron krejtësisht çfarëdo sindikate për të marrë pjesë në administrimin e universiteteve ashtu sikurse është përcaktuar në botën e lirë universitare evropiane.

– Projektligji ende barazon në të drejta profesorët, doktorët dhe pedagogët pa tituj duke krijuar një amulli dhe barazitarizëm që sikurse ekziston tani, kërkon edhe ta thellojë edhe më shumë. Nuk përcaktohen cilësisht kategoritë orëve të mësimit që i rezervohen çdo pedagogu në funksion të kualifikimit të tij. Po ashtu ende vazhdon të ligjërohet marrja në punë e personave pa gradën “doktor” duke krijuar amulli nëpër shkollat e larta dhe universitetet sepse i bie që një pedagog pa gradën “doktor”, të jetë edhe pedagog, edhe koleg me profesorët e tjerë, por edhe “student postgraduate” i tyre.

– Profesorëve projektligji u heq të drejtën për të pasur zërin e tyre kolektiv institucional për drejtimin e fakulteteve duke i lënë këto të fundit pa drejtimin e tyre shkencor në dëm të cilësisë të mësimdhënies. Po ashtu duke ja akorduar e drejta e dhënies te titujve “profesor” universiteteve te veçanta, i hap dyer zhvleftësimit të këtij titulli shkencor dhe e bën praktikisht të pamundur vlerësimin e parametrave të akreditimit të universiteteve dhe shkollave të larta. Kjo u pengon profesorëve të drejtën e mobilitetit profesional duke mos i lejuar të transferohen nga nje universitet te një tjetër, dhe duke e shtangur karrierën e tyre brenda një gardhi të ngushtë.

– Projektligji u mohon pedagogëve marrjen e shpërblimit për punën e bërë në projektet e tyre shkencore dhe të shërbimit me të tretët, sepse shpërblimin e punës e përmbyll brenda shumës qesharake sa 90 për qind e pagës së tyre, ndonëse përfitimet ose kontributet mund të jenë shumë të mëdha, për shoqërinë, operatorët privatë dhe vetë universitetin. Kjo do e nxisë profesoratit të merret me punë të tjera jashtuniversitare meqë rruga për të kontribuar brenda universitetit përmbyllet në kufij shumë të ngushtë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency