Standard.al

Vendimi/ Vrasja e katërfishtë, 35 vite burg për Xhuvanin, i shpëton burgut përjetë

Kostandin XhuvaniGjykata dënon më 35 vjet burg Kostandin Xhuvanin, cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Nuk lejohet të kërkojë lirim me kusht

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për të pandehurin Kostandin Xhuvanin ditën e djeshme, duke e dënuar me 35 vjet burgim me heqje lirie. 26-vjeçari akuzohet për vrasjen e katërfishtë, e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit të vitit të kaluar. Gjatë seancës së zhvilluar ditën e djeshme, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke e dënuar Xhuvanin me burgim të përjetshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e dënimit me 1/3, ku vendimi përfundimtar për të ishte dënimi me 35-vjet burgim. Ndërkohë, i pandehuri akuzohet edhe për mbajtje pa leje të armëve luftarake, çka për këtë vepër Gjykata e dënoi me 15 vite burg, duke ia bashkangjitur me dënimin përfundimtar, 35 vite burg. Po ashtu, Gjykata theksoi se i pandehuri 26-vjeçar, i dënuar tashmë me 35 vite burg, cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për shkak të kryerjes së veprave të rrezikshme të cilat ai i ka kryer. Duke vlerësuar këtë rrezikshmëri të të pandehurit, Gjykata bëri me dije se Xhuvani duhet ta kryejë dënimin e tij në një nga burgjet e sigurisë së lartë, pasi përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndërkohë, sipas Gjykatës, i pandehuri, pasi ka kryer këto vepra penale, dënimi ndaj tij është dhënë me kusht që të mos pranohet asnjë rrethanë cilësuese për Xhuvanin duke theksuar se dënimi duhet të kryhet i plotë nga ana e Xhuvanit. Një ditë më parë, në seancën për mbrojtjen e tij, Kostandin Xhuvani kërkoi që të mos gjykohet si kriminel, por si një person i cili ka kryer një veprim të papërgjegjshëm në rrethana të caktuara. Kostandin Xhuvani, i biri i Luiza dhe Gjergj Xhuvani akuzohet për vrasjen e katër personave të ndodhur më 4 nëntor të vitit të kaluar në Rrugën e Elbasanit, në një lokal nate të quajtur “Ante Grand”.

 

Përmbledhje e ngjarjes

Më 4 nëntor të vitit 2014, Kostandin Xhuvani, i biri i regjisorit Gjergji Xhuvanit dhe aktores e njëkohësisht ish-deputetes Luiza Xhuvanit, vrau me armë shokun e tij Arbër Demiraj, si dhe Edison Jahon, Enea Xhajin dhe shtetasin italian Giampaolo Azzolo. Sipas burimeve nga policia mësohet se vrasja e katë personave ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit, pas një konflikti të çastit ndërmjet Xhuvanit me Edison Jahon dhe Enea Xhajin në ambientet e lokalit të natës në Rrugën e Elbasanit. Nga të shtënat do të humbiste jetën edhe shoku i Xhuvanit, Arbër Demiraj, djali i ish-Prokurorit Skënder Demiraj dhe shtetasi italian Giampaolo Azzolo. Pasi kreu të gjitha këto veprime, 26-vjeçari tentoi edhe të arratisej nga vendi i ngjarje, gjë që nuk mundi ta realizonte. Madje gjatë arrestimit të tij, Kostandin Xhuvani teksa u mundua të largohej nga vendi i ngjarjes, duke bërë edhe kundërshtim me armë ndaj forcave të policisë u premtoi aty ta linin të ikte në këmbim të dhënies së parave. Vrasja tronditi opinionin publik, çka do të sillte edhe dorëheqjen nga posti i deputetes së Luiza Xhuvanit. 26-vjeçari i gjykua me gjykim të shkurtuar duke pranuar vrasjen e katër personave dhe të gjitha akteve që ndodheshin në dosje ndaj tij, por duke i sjellë atij një përfitim duke mos marrë dënimin e burgimit të përjetshëm. Kjo kërkesë, u pranua u pa e arsyeshme nga gjykata e cila e pranoi me një vendim të ndërmjetëm.

 

Vdekja e pacientes gjatë operacionit, kërkohen  8 vite burg për mjekët italianë

Prokuroria e Tiranë kërkoi deklarim fajtorë të dy mjekëve italianë dhe dënimin e tyre në total me 8 vite burg, pasi pas një mjekimi të pakujdesshëm shkaktuan vdekjen e një të riu italian në një nga spitalet private në kryeqytet në viti 2012. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë me dije se u kërkua 5 vite burg për mjekun italian Tullio Simoncini si dhe t’i hiqet për 5 vite e drejta e ushtrimit të profesionit. Mjeku është nën akuzë për mjekim të pakujdesshëm ndaj të riut italian Luca Olivotto, i cili ndërroi jetë në tetor të vitit 2012 gjatë një ndërhyrje kirurgjikale për kurimin e kancerit me sodën e bukës. Ndërkohë, për mjekun tjetër italian Roberto Gandini, i cili siguroi djalin se gjithçka do të shkonte mirë, prokuroria kërkoi 3 vite burg si dhe 5 vjet heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit. Ndërkaq, Gjykata e Tiranës pritet të japë vendimin përfundimtar ndaj dy mjekëve italianë gjatë javës së ardhshme. Prindërit e Lucës mësohet se kishin paguar 32 mijë euro për ndërhyrjen kirurgjikale të djalit të tyre që vuante nga një sëmundje e rëndë tumoriale. Operacioni ndaj të riut italian u zhvillua në një spital privat në Tiranë të mbyllur, ku mjekët italianë ushtronin profesionin. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se nga hetimet e kryera ndaj dy mjekëve italianë, më datë 15 nëntor 2012, në një spital privat në kryeqytet në Rrugën e Kavajës, ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale shtetasi italian Luca Olivotto.

 

 Sarandë/ Sekuestrohet arsenal armësh pranë varrezave, në kërkim autorët

 Policia e Sarandës ka mundur të sekuestrojë ditën e djeshme një arsenal armësh pranë varrezave në lagjen “Baba Rexhep”, në Sarandë. Burime zyrtare nga Policia e Sarandës kanë bërë me dije se pranë varrezave në këtë lagje janë gjetur dhe sekuestruara 24 granata dore, 6 kallëpe dinamit, 2 arka me fishekë. Gjithashtu sipas uniformave blu të qytetit bregdetar mësohet se janë gjetur edhe 30 fishekë kundërajrorë. Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe më pas arrestimin e autorëve që kanë fshehur arsenalin e armëve, mbi të cilët rëndon akuza për veprën penale të mbajtjes pa leje të municioneve. Nga të njëjtat burime mësohet se arsenali i gjetur pranë varrezave të lagja “Baba Rexhep”, Sarandë, mbahej i fshehur aty nga disa perona ende të paidentifikuar nga autoritet e Policisë së Sarandës. Policia e Sarandës thekson se materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

 Lushnjë, gjendet i vdekur 56-vjeçari, dyshohet nga një aksident

Policia e Lushnjës ka gjetur një 56-vjeçar të pajetë mëngjesin e djeshëm në anë të rrugës në qytetin e Lushnjës. Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës kanë bërë me dije se ngjarja është shënuar në afërsi të fshatit Gradisht pranë mbikalimit të trenit. Të njëjtat burime ka saktësuar se trupi i pajetë i gjetur në anë të rrugës i përket 56-vjeçarit Petra Kina, i cili është gjetur nga kalimtarët e rastit të cilët më pas kanë njoftuar policinë e qytetit të Lushnjës. Policia bën me dije se viktima ka qenë duke ecur me biçikletë në anë të rrugës, ndërsa dyshohet se është përplasur nga ndonjë automjet që kalonte aty pranë. Po ashtu mendohet se viktima është banor në fshatrat e Gradishtit, ndërsa policia ka filluar hetimin e ofiçinave dhe serviseve të makinave të zonës përreth për kapjen e autorit. Materialet në ngarkim të kësaj ngjarje, policia bën me dije se i kaluan Prokurorisë së Lushnjës për hetime të mëtejshme, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes.

 

Shkarkohet përgjegjësi i ZVRPP, u kap duke marrë ryshfet

Artan Tushe, me detyrë Përgjegjës i Zonës Numër 1, të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, mësohet se është shkarkuar nga detyra gjatë ditës së djeshme. Mësohet se shkarkimi i Përgjegjësit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë pas një denoncimi në media ku Tushe u filmua teksa merrte ryshfet një qytetari për të ofruar një shërbim. Vendimi për shkarkimin e përgjegjësit Artan Tushe është marrë ditën e djeshme nga Kryeregjistruesi Ilirjan Muho, i cili gjithashtu bën me dije se ka kërkuar nga organi i akuzës që të nisë menjëherë hetimet lidhur me këtë ngjarje. Po ashtu, Kryeregjistruesi Muho, mësohet se është shprehur që autorët të vihen para përgjegjësisë penale, si dhe të hetohet në lidhje për përfshirje të personave të tjerë në këtë aferë korruptive. Pas denoncimit të këtij rasti në media, erdhi edhe shkarkimi i menjëhershëm i Përgjegjësit të ZVRPP në kryeqytet, i cili tashmë akuzohet për korrupsion.

 

Comments are closed.