Standard.al

Të drejta për nxënësit dhe studentët!

Artan Fuga

Artan FUGAI përmbahem idesë se në thelbin e tyre, të drejtat politike dhe sociale për qytetarin shqiptar kanë mbetur prapa kohës, janë ato që u fituan në fillim të viteve ’90, liritë politike themelore, dhe qysh atëherë janë mykur disi.

Sistemi i të drejtave politike dhe shoqërore është shumë pas kohës së sotme dhe çfarë gëzojnë qytetarët evropianë.

Kjo prek edhe nxënësit edhe studentët, pra rininë sotme, dhe kjo shfaqet trishtueshëm edhe në tekstin e projektligjit për arsimin e lartë që po bëhet gati të shkojë në Kuvend.

Kush ka pasur dhe kush ka drojë t’u japë rinisë të drejtat që kanë shokët e shoqet e tyre në të gjithë botën demokratike?

Pse i mbajmë pas gjoja disa të drejtave formale të thinjura e plakura nga koha?

Për studentët, projektligji vetëm sa lan gojën me ca të drejta ku ngatërrohen opinioni studentor me kampione sondazhesh, a thua se ky opinion nuk vlen veçse si tërësi të anketuarish.

Trishtim i madh!

Hapeni thesin e të drejtave për studentët dhe nxënësit dhe mos tallemi me ta!

Studentët duhet të kenë të drejtë të ndërtojnë kurrikulën e tyre mësimore me pjesëmarrjen e tyre, duke përzgjedhur dhe zgjedhur ata vetë lëndët që do të kryejnë dhe drejtimin që do të marrin në diplomim. Kush u lejon këtë tani studentëve dhe nxënësve me ndonjë përjashtim të rrallë??? Askush. Shumë shumë pak.

Në shkollat private dhe publike studentët duhet të dinë fije e për transparencën e harxhimit të fondeve, rrogat, fitimet, gjithçka financiare sepse si te privati ashtu edhe te publiku, paratë janë të nxënësve dhe studentëve, as të drejtorit, as të shefit, as të qeverisë, as të pronarit. Le të mos lejojmë plaçkitje dhe grabitje fondesh askund duke e nxjerrë gjithçka në dritë.

Studentët dhe nxënësit duhet të kenë të drejtë të regjistrohen në të gjitha universitetet mbarëshqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, pa asnjë pengesë dhe pa kërkuar kritere shtesë për ata kudo që ndodhen. Shumica e degëve dhe e fakulteteve duhet të bëhet me hyrje të lirë, pa kaluar nëpër burokracitë e të ashtuquajturave meritë-zgjedhje. Është tërësisht e mundur.

Studentët dhe nxënësit kanë të drejtë të kërkojnë që shkolla të hapet drejt Internetit dhe informatikës, drejt njohurive numerike, planetare, dhe të mos vazhdojë të jetë si kurse kundër analfabetizmit, pa laboratorë, pa kabinete informatike, pa mundësi qarkullimi pedagogjik të informacionit numerik drejt e në procesin mësimor.

Studentët duhet të kenë të drejtë të regjistrohen jo vetëm pranë një fakulteti dhe të qëndrojnë mbyllur aty si në një kazermë, por të kenë të drejtë të regjistrohen pranë çdo pedagogu pavarësisht fakultetit ku ai është punësuar, në të gjitha universitetet publike, mjaft që lënda e tij të njihet si pjesë e kurrikulës. Ne duhet të heqim dorë nga kurrikulat e tipit të rregulloreve kazermë, si dukur librat e artit luftarak popullor, apo libri i kuq i Maos.

Studentët dhe nxënësit duhet të kenë të drejta shtesë jashtë institucioneve arsimore duke përfituar tarifa të ulëta në muzeume, stadiume, kinema, librari, teatro, autobusë e kudo.

Projektligji i arsimit të lartë është arkaik dhe censuron të drejtat e studentëve. Hartuesit e tij kanë pasur frikë prej tyre, por unë besoj se qeveria dhe Kuvendi do ta shkelmojnë këtë gardh që pengon rininë të ketë të drejtat e veta si gjithkund në botë.

Studentët dhe nxënësit duhet të kenë të drejtë të kenë mensa me çmime të arsyeshme në shkolla e fakultete, të kenë patjetër biblioteka të pasura, qendra dokumentacioni, revistat e tyre, kabinete mjekësore e ndihmë dhe mbështetje psikologjike për ta.

Ata duhet të kenë të drejtë të këshillohen me specialistë tê paguar për karrierën e tyre akademike si edhe atë profesionale qysh në bangat e shkollës. Shkolla shqiptare ende nuk ka as librat udhërrëfyese të studimeve sepse ministria nuk i kërkon si kritere akreditimi.

Diplomat studentore nuk duhet të përcaktojnë vetëm profilin e dijes, por edhe profesionet praktike ku ajo diplomë të çon sipas librit të profesioneve që Shqipërisë ende i mungon. Përndryshe papunësia e të rinjve do të jetë pasoja e mungesave në të drejta që ata duhet të kenë në shkollë. Të mos ketë diplomë pa përcaktuar profesionet ku ajo hap rrugë.

Çfarë kredie për studimet e nxënësve dhe studentëve që na propozon projektligji!!! A thua se sistemi bankar privat i jep kreditë me urdhra!!! Kush do ta zhysë rininë në borxhe që në djep? Nuk është e drejtë, e drejta për të marrë kredi. Me çfarë të drejte ministria do të bëhet garant për studentin që do kredi për studimet??? Kjo e çoi sistemin bankar në falimentim në Perëndim nga kreditë e këqija me mbështetje shtetërore. Kush do ta hapi këtë gropë financiare që do të na përpijë të gjithëve???

A janë në terezi propozuesit! Njësoj si na çuan te vjedhja në Bankën Kombëtare! Përmbahu or mik!

Studentët në vështirësi ekonomike duhet të kenë të drejtë të mbështeten nga shteti a universitetet a shkollat për t’i bërë studimet falas. Aty ku kursi është me 100 studentë gjenden mundësi edhe për 10 të tjerë që kanë nevojë për solidaritet.

Të drejtat për rininë shqiptare universitare dhe shkollore!

Kjo është kërkesa me sinqeritet dhe bonsens për qeverinë dhe Kuvendin, duke mos hyrë në qorrsokak nga teksti i një projektligji të trishtuar dhe jashtë kohe.

Comments are closed.