Takimi në Kryeministri/ Rama mbledh deputetët e 3 qarqeve. Durrësi s’ka dyshime, kandidatët në Vlorë e Gjirokastër

0
143

Gëzim Saliu

 rama ne gjykaten e larte foto161834Fushata e PS-së për zgjedhjet vendore zbret në Kryeministri, kreu i qeverisë diskuton me deputetët për përgatitjen

Fushata për zgjedhjet vendore të 21 qershorit zbret në Kryeministri, ku kreu i qeverisë Rama mblodhi dje deputetët socialistë të tri qarqeve të vendit. Përkatësisht në takimin pa media, kreu i qeverisë zhvilloi konsulta me deputetët e qarqeve Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës, ku në emër të koalicionit të majtë pritet të kandidojnë emra të përzgjedhur nga Partia Socialiste. Mësohet se në qendër të takimit të Kryeministrit Rama me deputetët e këtyre qarqeve, në të cilin ishte i pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, ka qenë përgatitja për zgjedhjet vendore. Ndonëse burime nga Kryeministria bën të ditur se në këtë takim nuk janë përfolur nga palët emra të kandidatëve për këto tre qarqe, mësohet se kreu i qeverisë ka bërë të ditur me deputetët e Durrësit se kandidatura më e vlefshme për Durrësin mbetet ajo e Vangjush Dakos, kryetarit aktual bashkiak. Ndërkaq, në takimet me deputetët e qarqeve të Vlorës dhe Gjirokastrës, ku edhe në bazë kanë lindur debatet e para lidhur me emrat e mundshëm të kandidatëve, Rama mësohet se ka vënë theksin tek rëndësia e parapërgatitjes për një rezultat sa më pozitiv në 21 qershor. Por ndonëse nuk ka emra zyrtarë, deri më tani për bashkinë e Gjirokastrës janë përfolur si kandidatë të mundshëm emrat e Artan Gjokës dhe Zamira Ramit. Ndërkohë në Vlorë, Bashki e cila ka një ndjesi të veçantë edhe nga ana e Kryeministrit Rama, jo vetëm se është deputet i zonës, por edhe për shkak të problemeve të lindura me kreun aktual, socialistin Shpëtim Gjika, mësohet se gara brenda PS-së është edhe më e vështirë. Por pavarësisht nga ky fakt, emrat më të përfolur deri më tani nga baza socialiste e Vlorës, por edhe në korridoret e selisë së purpurt në Tiranë janë ato të Sadrit Danajt, Dritan Lelit dhe Eltjona Hoxhës. Pas takimeve të djeshme Rama prite të vazhdojë konsultat me deputetët e qarkut të Beratit.

 

Negociatat PS-LSI

Grupi negociator mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është thuajse në mbyllje të marrëveshjes paraelektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit lidhur me emrat e kandidatëve të përbashkët që do të përfaqësojnë koalicionin e majtë në 61 bashki të vendit. Ndonëse ka ende disa mosmarrëveshje si ajo për Bashkinë e Fierit, dy partitë kryesore kanë ndarë tashmë mes tyre se cilat nga bashkitë do t’i takojë. Kështu LSI-ja do të ketë kandidatët e saj në 15 bashki, tre prej të cilave të nivelit të parë: Kukësi, Berati dhe Lezha. Ndërsa si bashki të nivelit të dytë, LSI ka zgjedhur për të garuar në Pogradec, Skrapar, Patos, Selenicë, Memaliaj, Pukë, Bulqizë, Vorë, Krujë, Cërrik, Përrenjas e ndërsa për Lushnjën palët ende nuk janë ndarë se kujt do t’i takojë kandidati. Ndërkohë, Partia Socialiste do të ketë kandidatin e saj në 9 bashki të nivelit të parë dhe, së bashku me bashkitë e tjera, do të ketë kandidatët e saj në 46 bashki gjithsej. PS pritet të ketë kandidatin në Tiranë, Bashkinë më të madhe të vendit, në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë e Gjirokastër. Ndërsa si bashki të kategorisë së dytë, ku PS do të ketë kandidatët e saj janë: Malësia e Madhe, Hasi, Tropoja, Fushë-Arrëzi, Vau i Dejës, Mirdita, Dibra, Mati, Kurbini, Klosi, Shijaku, Kamza, Kavaja, Rrogozhina, Peqini, Belshi, Divjaka, Kuçova, Ura Vajgurore, Roskoveci, Poliçani, Gramshi, Maliqi, Devolli, Himara, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Kolonja, Libohova, Dropulli, Delvina, Livadhjaja, Konispoli.

 

Kandidatët e PS-së për tri bashkitë

Bashkia Durrës – Vangjush Dako

Bashkia Gjirokastër – Artan Gjoka dhe Zamira Rami

Bashkia Vlorë – Sadrit Danaj, Dritan Leli dhe Eltjona Hoxha

 

 Ndryshimet në Kodin Rrugor/ Ndihma e shpejtë nga organizata e huaj, debat mes PS-së dhe LSI-së. Ndreu: Sjell klientelizëm

Ndryshimet e Kodit Rrugor sjellin debate mes mazhorancës. Në diskutimin e djeshëm në Komisionin e Sigurisë të propozimit për ta pasur një organizatë e huaj ndihmën e shpejtë në raste aksidentesh dhe jo më kryqi i kuq, deputeti socialist Pjerin Ndreu shprehu kundërshti, duke theksuar se kjo mund të lë vend për klientelizëm. Ligjvënësi i PS-së ka debatuar me kryetarin e Komisionit, Spartak Braho, pasi, sipas tij, ndryshimet e propozuara për dhënien e ndihmës së shpejtë nga një organizatë e huaj do të thotë diskriminim për ato shqiptare. “Dhënia e ndihmës nuk është ndonjë filozofi e madhe që nuk e realizojmë dot ne. Pse duhet të cilësohet domosdoshmërisht agjenci ndërkombëtare. Lë shteg për të paragjykuar. Nuk mund të vëmë kufizime, nuk mund të ndajmë me ligji të huaj apo shqiptare. E rëndësishme është që të jetë e njohur nga ministria e Shëndetësisë. Ky diskriminim lë shteg për klientelizëm”, – tha Ndreu. Ndërkaq, më herët opozita u largua nga punimet e Komisionit, duke theksuar se çështja parësore duhet të jetë dorëheqja e Kryetarit të Kuvendit.

 

 Studimi i USAID-it/ SHBA “rrëzon” ministrin Beqaj: Mbi 50% e qendrave shëndetësore, pa mjete e pa ilaçe

Më shumë se gjysma e qendrave shëndetësore në vend nuk kanë pajisjet e duhura për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor ndaj qytetarëve. Ambasadori amerikan Donald Lu bëri publike dje të dhënat e një vëzhgimi të kryer në 550 qendra shëndetësore në vend, në tetor të vitit 2014, nga një projekt i mbështetur nga USAID-i. “Vetëm 57% e klinikave kishin pajisjet e duhura, vetëm 54% kishin ilaçet e sakta, vetëm 32% e rasteve të sëmundjeve brenda familjes ishin dokumentuar siç duhet”, deklaroi ambasadori. Duke uruar shqiptarët që të mos sëmuren pasi me këto kushte shërbimi është shumë i vështirë, ambasadori amerikan kërkoi më shumë angazhim nga qeveria dhe ministria përkatëse e drejtuar nga Ilir Beqaj. “Ministri duhet t’i përkthejë këto shifra në punë konkrete për përmirësim”, – tha ai. Ndërkaq Ministri i Shëndetësisë si tepër të rëndësishëm jo vetëm furnizimin e Qendrave Shëndetësore me pajisjet e duhura, por dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në sistemin shëndetësor. Po ashtu Beqaj deklaroi se sigurimet shëndetësore nuk janë efektive. “Praktikisht, të paktën gjysmën e popullsisë në moshë pune e kemi pa këto sigurime, dhe për pasojë nuk përfiton nga sistemi i kujdesit shëndetësor, përveç rasteve të urgjencës mjekësore, apo rasteve të përcaktuara në ligj”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency