Standard.al

Masakra/ Kërkesa për divorc kthehet në tragjedi, burri vret gruan, vjehrrën dhe veten

emiljano-rustemiKrimi në familje ndodhi në sy të fëmijëve të mitur. Pas tragjedisë, fëmijët e mitur merren në kujdestari nga shteti. Çifti kishte kontradikta prej kohësh

 Dukej se tragjedia e ndodhur dje në një familje në Laprakë ishte paralajmëruar. Gruaja, tashmë e vrarë nga dora e burrit, kishte sinjalizuar organet kompetente për dhunën e vazhdueshme që bashkëshorti ushtronte ndaj saj. Por kjo nuk e zmbrapsi babain e tre fëmijëve, të dënuar në Greqi për vjedhje, të kryente një krim makabër. Krimi brenda familjes ka tronditur kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se bashkëshorti 32-vjeçar Emiljano Rustemi ka qëlluar për vdekje me automatik bashkëshorten e tij 28-vjeçare Izaura Rustemi dhe vjehrrën Engjëllushe Shaqiri, 65 vjeçe. Pasi ka qëlluar nënë e bijë për vdekje, 32-vjeçari ka qëlluar më pas edhe veten me armën tip automatik, duke i dhënë fund gjithçkaje, por duke lënë pas tre fëmijë jetimë. Sipas policisë dhe të afërmve të 28-vjeçares, ngjarja tragjike mësohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të dy bashkëshortëve, për shkak se Izaura kërkonte divorcin ndaj Emiljanos. Por, kjo kërkesë e saj nuk pranohej nga i riu, çka ka çuar edhe në këtë përfundim tragjik. Çifti Emiljano dhe Izaura Rustemi mësohet se së bashku kanë tre fëmijë të mitur, ku mësohet se fëmija më i madh është në moshë 9-vjeçare, të cilët të tre në momentin kur ka ndodhur ngjarja ndodheshin në vendin e krimit. Gjithçka e ndodhur në dhomë mësohet se është parë nga fëmijët, tashmë të mbetur jetim, pa nënë e babë. Gjithashtu, policia bën me dije se 32-vjeçari rezulton të jetë person me precedentë penale, ku ka kryer 1 vit burg në shtetin grek i akuzuar për vjedhje.

 

Ngjarja

Gjithçka është kryer rreth orës 5:50 të mëngjesit të djeshëm, si dhe në prani të tre fëmijëve të mitur. Sipas deklaratave të fqinjëve të viktimave, mësohet se Emiljano kishte ardhur në banesën e mamasë së Izaurës, ku kjo e fundit prej dy vitesh banonte aty me 3 fëmijët, me një thes me kanaçe në krah ku brenda tij mbante edhe armën që kreu krimin, automatik. Në momentin kur ka shkuar në banesë, i ka kërkuar Engjëllushes (e cila mbeti viktimë) se donte të fliste pak me bashkëshorten e tij. 65-vjeçarja e ka miratuar dhe më pas ka dalë jashtë për të pirë kafe. Ndërkohë, në dhomë 32-vjeçari debatonte ashpër me gruan e tij në sy të fëmijëve, duke i kërkuar Izaurës për të jetuar me të. Por kjo e fundit nuk ka pranuar të kthehet me të, pasi sipas familjarëve ai e keqtrajtonte dhe e nxirrte për të lypur në rrugët e Greqisë bashkë me fëmijët. Teksa 28-vjeçarja nuk ka pranuar të kthehet me bashkëshortin e saj, ky i fundit i pajisur me armë fillimisht e ka qëlluar të renë në këmbë, ndërsa është ndeshur më pas me ulërimat e fëmijëve dhe në atë moment ka hyre edhe viktima tjetër Engjëllushe, për t’i dalë në mbrojtje së bijës. Por, 32-vjeçari pa u menduar se kishte 3 fëmijë e pa iu dridhur syri ka qëlluar në zemër gruan e tij, më pas vjehrrën dhe pa u menduar fare ka qëlluar për vdekje edhe veten. E gjithë kjo skemë është parë nga fëmijët të cilët u mbuluan nga gjaku i prindërve të tyre. Fëmija i çiftit 9-vjeçar, është i vetmi që tregon çdo detaj të ngjarjes së rëndë të kryer nga babai i tij.

 

Komshia e 65-vjeçares

E para që ka shkuar e ka gjetur tre trupat e pajetë në mes të dhomës ku ndodhi ngjarja ka qenë komshia e quajtur Luçiana. Kjo e fundit tregon të gjitha ngjarje, duke u shprehur se ka shkuar menjëherë në banesën e 65-vjeçares pasi ka dëgjuar krismat e armës, ajo thekson se Izaura jetonte me mamanë e saj, pasi kishte ikur nga burri teksa ky e dhunonte dhe e përdorte për të lypur në Greqi. “Emiljano ka ardhur këtu me një thes me kanaçe dhe brenda kishte armën. Dëgjova krismën e armës dhe kur erdha këtu pashë tre trupat e shtrirë në tokë të vdekur dhe fëmijët e traumatizuar dhe të mbytur në gjak. Nuk di ç’të them, jemi të gjithë të traumatizuar pasi nuk pritej. Engjëllushja ishte njëri i mirë, shiste çanta në treg për të mbajtur nipërit e saj”, – është shprehur komshia e viktimave, Luçiana.

 

Vëllai i Engjëllushes: Izaura do të operohej sot nga gjuri, kishin probleme si çift

Në një prononcim për media, ka thënë se mbesa e tij Izaura do të operohej nga gjuri ditën e sotme, ndërsa ndodheshin në një gjendje të vështirë ekonomike. Gjithashtu ai ka deklaruar se çifti Rustemi kishte probleme dhe konflikte të hershme. “Ka një javë që ka dalë nga burgu Emiljano, kanë pas një sherr, nuk kanë shkuar mirë. Ka qenë në Greqi, edhe Izaura. Ai e kishte nxjerrë në Greqi për të lypur, edhe e keqtrajtonte si të ishte njeri i huaj dhe jo gruaja e tij. Ai më pas hyri në burg dhe u detyrua të ikte vajza, del nga burgu dhe vjen para një jave këtu. Na thotë motra që hajde këtu se ka ardhur Emiljano dhe po na kërcënon. Shkova në shtëpinë e motrës dhe i thash që punë për tu ndarë është e lehtë, por ka mundësi që ju të pajtoheni edhe të rrisni fëmijët. Ai donte të pajtohej por nuk donte vajza pasi ai e keqtrajtonte. Ikëm atë ditë pa ndodhur asgjë, por sot morëm vesh se çfarë kishte ndodhur duke lënë tre fëmijë jetimë që tani nuk ka se kush t’i ushqejë pasi ngelën pa nënë e pa babë”, – është shprehur Novruz Shaqiri, vëllai i viktimës Engjëllushe Shaqiri.

 

Operacioni/ Operacioni “Alba Nostra 2”, në pranga 2 persona të kërkuar

Policia e Shtetit ka marrë pjesë në një operacion të gjerë antitrafik të shtrirë në disa shtete, në kuadër të të cilit janë arrestuar në total 40 persona. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se ditën e djeshme, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Nostra 2”, ka arrestuar shtetasin Albert Qafa, 51 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në lagjen 14, Shkozet, Durrës dhe Gani Doku, 48 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Sallmone, Shijak, Durrës. Të njëjtat burime pohojnë se ky operacion është zhvilluar në Itali (qytetet Milano, Pavia, Maçerata, Asti), si dhe në Gjermani, Belgjikë, Rumani dhe Shqipëri. Dy shtetasit shqiptar të arrestuar ditën e djeshme në Durrës, ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma më 9 mars 2015. Sipas policisë, Gjykata e Pavias në Itali ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, ndaj dy të arrestuarve parashikuar nga neni 416, pika 1, 2, 3, dhe 5 të Kodit Penal Italian. Si rezultat i bashkëpunimit midis strukturave të Policisë së Shtetit me Policinë Italiane, si dhe koordinimit me Drejtoritë e Policisë Qarqeve, Durrës, Elbasan dhe Lezhë është bërë arrestimi i këtyre shtetasve në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Durrës, si dhe shpallja në kërkim e një personi të tretë. Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar janë arrestuar në total rreth 40 shtetas. Sipas autoriteteve italiane shtetasi Albert Qafa, arrestuar dje, është një ndër anëtarët kryesorë të këtij rrjeti kriminal.

 

Gjobëvënia/ Joshte ndërtuesit, Prokuroria: 9.4 vjet burg ish-gardianes e të dashurit të saj

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin në total me 9.4 vite burg për Ermal Mrrukun dhe Klodiana Drizën. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 5 vjet e 4 muaj burgim për të pandehurin Ermal Mrruku, 28 vjeç, dhe 4 vjet burgim për ish-efektiven e policisë së burgut të Vaqarrit Klodiana Driza, 28 vjeç, të dy të akuzuar për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, e kryer kjo në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë procesi gjyqësor ndaj këtyre dy personave u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa janë hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”. Ata akuzohen se nëpërmjet kanosjes u kanë marrë dy personave shuma të konsiderueshme parash. Sipas hetimeve të kryera, e provuar edhe në gjykim, rezulton se kallëzuesit ishin njohur në kohë të ndryshme me ish-efektiven Klodiana Driza dhe krijonin lidhje intime me njëri-tjetrin. Por, siç u provua edhe gjatë gjykimit, në momente të caktuara, të kallëzuarve u paraqitej i pandehuri tjetër, Ermal Mrruku, i cili prezantohej si bashkëshorti i Drizës dhe u kërkonte para për faktin se e kishin ofenduar duke krijuar lidhje intime me bashkëshorten e tij. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se nga hetimet rezultoi se dy të pandehurit u kanë marrë kallëzuesve, me anë të kanosjes, shuma parash që arrijnë në mijëra euro si edhe disa objekte të paluajtshme (apartamente), makina, celularë. Nga hetimet ka rezultuar se Ermal Mrruku ka përdorur si karrem Klodiana Drizën për të ndërhyrë tek persona të martuar dhe të krijonte lidhje me ta. Më pas ish-gardisti i shantazhonte me pretendimin se i kishin ngacmuar të dashurën e tij. Gjithashtu, burime nga prokuroria kanë bërë me dije se dy të rinjtë e ushtronin aktivitetin e tyre kryesisht në Tiranë, si dhe lëviznin në ambiente të ndryshme ma makina të ndryshme dhe të armatosur.

Comments are closed.