Fuqia morale e lirisë!

0
135

Premiera e filmit dokumentar “Marramendje”

freedomShqiptarët e sotëm përballë lirisë?! Me shqetësimet e përditshmërisë, që ngjisin sjelljet dhe drejtojnë jetën sociale të shqiptarëve, Donika Mustafaj vjen në realizmin e ri të një filmi dokumentar. Bëhet fjalë për “Marramendje”, prodhim i Radio-Televizionit Shqiptar, që mban sot premierën. Autorja, për ta zhvilluar qasjen e saj artistike ndaj temës, zgjedh qëllimisht ato elemente që kanë munguar tërësisht në jetën e shqiptarëve para vitit 1990 dhe që sot janë tregues thelbësore të mirëqenies.

Në filmin e mëparshëm “Autografi”, Mustafaj ndërmend se çfarë rëndësie kishte fituar autovetura në përditshmërinë e shqiptarit, marrëdhëniet me të, jo dhe aq harmonike.    Ndërsa tek “Marramendje”, thotë se duke iu përmbajtur gjithnjë metodikës së saj për të zbërthyer sa janë shqiptarët të përgatitur kulturalisht për ta ndërtuar dhe administruar mirëqenien që sjell liria, i drejtohet mirëfilli parasë si një simbol dhe si një realitet.

“Ardhja e lirisë i dha fund njëherë e mirë barazitizmit poshtërues, në të cilin kishin jetuar shqiptarët për afro gjysmë shekulli. Njerëzit nuk e kishin njohur magjinë e parasë, për arsyen se vetë puna nuk ishte e shpërblyer. Shqiptarët kishin nëpër duar aq para sa për të plotësuar ditë pas dite nevojat e tyre minimale jetike. Siç u pa më pas, ky barazitizëm në varfëri kishte shkaktuar frustracione të thella në mbarë shoqërinë. Paraja u bë shumë shpejt mishërim i përmbajtjes së vetë lirisë”. Kështu, nga kjo arsye, Mustafaj në “Marramendje” u drejtohet firmave piramidale, që lulëzuan dhe u gremisën në mënyrë dramatike në Shqipërinë e mesit të viteve `90. Autorja nuk merr përsipër të analizojë dobësitë e sistemit politik e financiar, që lejuan ekzistencën e këtyre piramidave dhe as profilin e atyre që njihen tashmë si “bosët e piramidave”. Në të kundërtën, ajo shtron pyetjen çfarë ndodhi në psikikën e shqiptarëve, si e mundi ëndrra e pamundur për pasurim logjikën njerëzore në atë masë, sa ky njeri të dorëzonte me vullnetin e tij të lirë të gjitha kursimet e veta. «Shmang me kujdes të madh rolin e gjykueses për atë që ka ndodhur, duke respektuar dhimbjen e humbësve dhe madje justifikoj atë nga ana njerëzore. Ishte një brez i paduruar për të fituar kohën e humbur dhe që gaboi në zgjedhjen e rrugës për ta fituar këtë kohë të humbur në ndërtimin e mirëqenies për vetë dhe për familjen e vet».

Kjo dramë vjen pas 20 vitesh, duke zbuluar tek personazhet e saj fuqinë e re morale dhe kulturore që ata kanë fituar, në atë masë sa tani janë të aftë të hedhin një vështrim plot humor mbi këtë periudhë të jetës së tyre. «Humori është treguesi më i qartë i pjekurisë se ata kanë fituar, për ta kapërcyer zymtësinë që do të duhej të ngjallte një zhgënjim i madh».

Re. Ku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency