Standard.al

FMN: Shqipëria dhe Ballkani po mbeten prapa vendeve të ish-kampit komunist

Ervin Kaduku

 mbledhje qeverie–  Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor në kohën e krizës globale financiare ishte më shumë rezultat i likuiditetit të gjerë global dhe hyrjeve të paqëndrueshme të kapitaleve, sesa i progresit të vërtetë në reformën ekonomike

Një raport analitik i posaçëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar nxjerr në pah si problematikën kryesore të ekonomive të vendeve të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, mungesën e reformave, të paktën për 10 vitet e fundit. Raporti vlerëson se pas viteve ‘90 vendet e Ballkanit ndërmorën një proces transformimi tërësor. Megjithatë, në mesin e viteve 2000, FMN evidenton se procesi i transformimit strukturor filloi të ngadalësohej, për arsye që nga ky institucion vlerësohen si “interesa personale” apo “lodhje”.

Raporti i ri po diskutohet në një konferencë të nivelit të lartë në Vjenë që ka mbledhur zyrtarë të lartë nga të shtatë vendet dhe ekspertë nga disa organizata ndërkombëtare për të diskutuar sfidat e politikës së Ballkanit Perëndimor dhe zgjidhje duke shkuar përpara. Ngjarja është bashkorganizuar nga Banka Kombëtare e Austrisë dhe Instituti i Përbashkët të Vjenës.

 

Nxitja e rritjes, nga jashtë

Raporti evidenton gjithashtu se ritmet pozitive të rritjes ekonomike kanë qenë më së shumti falë ndikimeve të jashtme sesa falë politikave të brendshme të shteteve të Ballkanit. “Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor në kohën e krizës globale financiare ishte më shumë rezultat i likuiditetit të gjerë global dhe hyrjeve të paqëndrueshme të kapitaleve, se i progresit të vërtetë në reformën ekonomike. Provë e qartë e dobësisë së modelit ekonomik rajonal mund të jetë niveli tejet i lartë i papunësisë, që në shumë vende, madje edhe në kulmin e bumit të parakrizës ishte në masën mbi 20 për qind. Rritja ekonomike gjatë periudhës së paskrizës në vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë e dobët.

Mjedisi i jashtëm ka qenë i pafavorshëm, mirëpo është pikërisht procesi i papërfunduar i reformave që po frenon arritjen e niveleve të të ardhurave të ekonomive më të pasura të Bashkimit Evropian”, ­ thekson Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Europian në FMN duke cituar raportin.

 

Rekomandimet

Raporti jep gjithashtu një serë sugjerimesh për vendet e Ballkanit, ku bën pjesë Shqipëria. Një rekomandim parësor është vijimi i procesit të transformimit strukturor të ekonomisë, duke vijuar reformat e duke thelluar nivelin e privatizimeve. “Rigjallërimi i fuqishëm i ritmit të reformave do të jetë faktor thelbësor në përmirësimin e standardeve të jetesës dhe në rigjallërimin e konvergjencës në të ardhurat” vijon raporti. Sfida kryesore me të cilën rajoni do të ballafaqohet në të ardhmen është përfundimi i procesit të transformimit strukturor që ka filluar dy dekada më parë. Në këto kushte, procesi i anëtarësimit të Bashkimin Evropian, konsiderohet si katalizatori kryesor për reformat te Shtetet e Reja Anëtare por që deri më tani duket se nuk ka dhënë efektin e kërkuar. Ndaj, në fund të raportit, FMN evidenton nevojën e një “shtyse të guximshme” për reformat. Përtej asaj çfarë ky raport analizon e sugjeron, vendet e Ballkanit janë përfshirë në një proces të ri mbështetje nga Bashkimi Evropian. Në samitin e Berlinit vendeve të Ballkanit perëndimor iu kërkua që të paraqesin projekte të përbashkëta që do të kenë mbështetjen e kërkuar financiare dhe pritet të jetë samiti i radhës në Vjenë ai që do të përcaktojë sesa do të jetë kjo mbështetje.

Gjithsesi, mbështetja financiare e premtuar për projektet e Ballkanit bën që Bashkimi Evropian të jetë jo vetëm një rrugëtim tërheqës për vendet e Ballkanit por njëkohësisht mund të shërbejë edhe si shtysa e guximshme që kërkohet nga FMN për realizimin e reformave.

 

Varësia e borxhit nga bankat

Muajt e fundit financat janë hasur me vështirësi në financimin e borxhit për shkak të tërheqjes së bankave nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë. Kjo ka sjellë një rritje të kostos së borxhit, me yield-in e bonove njëvjeçare që i ka kaluar 3.5%, nga nën 3%, që ishte një vit më parë, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në 2% aktualisht. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, bankat blejnë 70% të borxhit të brendshëm të qeverisë. Borxhi publik në total arriti në 71.6% të PBB në fund të 2014-ës.

 

Banka e Shqipërisë planifikon instrumente të reja të politikës monetare

Për të pasur një efikasitet më të lartë të politikës monetare Banka e Shqipërisë ka planifikuar të përdorë instrumente të reja këtë vit. Në Dokumentin e ri të Politikës Monetare i vlefshëm për këtë vit thuhet se, Banka do të komunikojë kursin e ardhshëm të politikës, çka do të thotë se, agjentët ekonomikë do të dinë se çfarë normë interesi do të mbajë Banka e Shqipërisë për monedhën vendase për një periudhë të caktuar kohe.

“Në varësi të kushteve të tregut financiar shqiptar dhe të nevojave të politikës monetare, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të rishikojë në vazhdimësi instrumentet e saj të politikës monetare. Këto rishikime do të bëhen me synim rritjen e eficiencës në përdorimin e tyre”, – thuhet në dokumentin e ri të politikës.

Duke u nisur nga natyra e tyre, ato gjejnë përdorim vetëm në raste të veçanta, sipas gjykimit të Bankës së Shqipërisë. “Komunikimi i kursit të ardhshëm të politikës monetare është një instrument i tillë. Angazhimi në publik i Bankës së Shqipërisë për të ndjekur një politikë të caktuar monetare në të ardhmen, i shërben uljes së pasigurisë në tregjet financiare dhe rritjes së efektivitetit të politikës monetare”, – referon më tej Banka e Shqipërisë.

Objektivi operacional i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është orientimi i normave afatshkurtra të interesit të tregut ndërbankar pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë, të vendosur nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe kufizimi i luhatjeve të tyre. Orientimi i normave afatshkurtra të interesit të tregut ndërbankar pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë rrit efektivitetin dhe transparencën e politikës monetare, duke ndihmuar në një kontroll më të mirë të normave afatgjata të interesit në ekonomi.

 

Periudhë e vështirë për prodhimin e energjisë

Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i përfundon afati këtë vit për shlyerjen e 26 miliardë lekëve të marra kredi në banka dhe të garantuara nga qeveria e Shqipërisë.

Sipas treguesve përmbyllës të ecurisë së borxhit shtetëror në fund të vitit 2014 kredia e garantuar i kalon të 185 milionë eurot dhe duhet të shlyhet e gjitha deri në fund të nëntorit të këtij viti. Ndërkohë që financat e Korporatës gjenden të rënduara edhe këtë vit për të përballuar koston e tyre duket se, barra i bie qeverisë.

Megjithatë burimet në Ministrinë e Energjetikës bënë me dije se, KESH, qeveria dhe bankat do të përfshihen në negociata për ristrukturimin e kredive. Ekspozimin më të madh KESH i ka ndaj Raiffeisen Bank me rreth 16.8 miliardë lekë dhe BKT me 3.1 miliardë lekë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar për të ulur ekspozimin e borxhit të qeverisë ndaj problemeve të sektorit të energjisë ka ulur kufirin e lëshimit të garancive qeveritare ndaj KESH në vitet në vijim.

Ministria e Energjisë nga ana tjetër detyrohet të raportojë çdo të tre muaj për situacionin e detyrimeve të sektorit të energjisë në Ministrinë e e Financave dhe në FMN.

 

Tregu me Kosovën

Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, gjatë një vizite me homologun e tij dje në Kosovë, kanë zhvilluar bisedime për krijimin e një tregu të përbashkët energjie mes dy vendeve.

Si kryefjalë e bisedimeve ishte zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve për krijimin e një zone të vetme tregtare.

Gjiknuri dhe homologu Stavileci thanë se studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë, kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm, është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.

Në këtë komitet të drejtë vote do të ketë ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE së Kosovës, kryesuesi i Bordit të ERE së Shqipërisë, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT të Kosovës dhe administratori i OST të Shqipërisë.

Gjiknuri kryesonte delegacionin, në përbërje të të cilit ishte edhe kryetari i Entit Rregullator, Petrit Ahmeti, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, administratori i OST-së Engjell Zeqo dhe administratori i KESH-it, Agron Hetoja, etj.

 

Azerët do të kryejnë studimin e gazifikimit të Shqipërisë

Kompania energjetike azere SOCAR planifikon të shpallë një tender për të gjetur një kompani që të kryejë një studim paraprak mbi planin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të Evropës për të reduktuar varësinë nga gazi nga Rusia.

Shqipëria dhe Azerbajxhani nënshkruan një marrëveshje paraprake në dhjetor për të bashkëpunuar në zhvillimin e një rrjetit të gazit në Shqipëri, ku vendi ynë do të kryesojë në ndërtimin e seksionit evropian të projektit, për të sjellë gazin azerbajxhanas në Evropë, nga fusha e Shah Deniz II në Detin Kaspik.

I ashtuquajturi “Korridori jugor” do të sjellë gazin në Turqi dhe Greqi, si edhe në Itali nëpërmjet Shqipërisë dhe detit Adriatik.

“SOCAR do të njoftojë këtë tender në tre muajt e ardhshëm”, – tha Murad Heydarov, këshilltar i presidentit të SOCAR për “Reuters”.

“Ne duhet të hartojmë studimin e fizibilitetit para fundit të 2015, e në qoftë se ky projekt konsiderohet efektiv, projekti i gazifikimit të Shqipërisë do të fillojë në mars të vitit të ardhshëm”.

Heydarov ka vlerësuar koston e projektit në “disa qindra milionë dollarë”.

Gazi azer do të mund të arrijë Evropën jugore deri në fund të kësaj dekade, përmes Trans Adriatik Pipeline dhe tubacionit Trans-Anatolian.

Këto tubacione do të transportojnë miliarda metra kub gaz në vit, nga Shah Deniz II, një nga fushat më të mëdha botërore të gazit, e cila është zhvilluar nga një konsorcium të udhëhequr nga BP.

 

Ulen importet e karburanteve në janar

Importet e karburanteve në muajin janar shënuan nivelin më të ulët që nga 2005 dhe me një rënie 32 për qind në krahasim me janarin 2014. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në muajin janar u zhdoganuan 18,608 tonë karburante nga 27,7 tonë në janarin e 2014.

Burimet nga Ministria e Financave shpjegojnë se, kjo rënie ndodhi për arsye logjistike, furnizimi i programuar i janarit është vonuar për shkak të mbërritjes së vonë të anijeve, duke lënë të kuptohet se në muajin shkurt do të kemi një vlerë më të lartë zhdoganimesh. Por tregtarët konfirmojnë se, paqëndrueshmëria e çmimeve të naftës po vepron mbi planet e bizneseve për të importuar sasi të mëdha.

Pikat e pakicës pohojnë se, ka një rënie të volumeve të tregtimit pasi konsumatorët e mëdhenj të tillë, si mjetet e rënda të transportit të mallrave dhe të njerëzve furnizohen në Maqedoni, Malin e Zi dhe Kosovë për shkak të çmimeve më të ula duke ndikuar kështu në uljen e konsumit vendas.

Nga ana tjetër çmimet e naftës në tregun vendas në 5 javët e fundit janë rritur me 10 për qind, duke reflektuar një pjesë të rritjes së çmimit në bursa dhe efektin e taksave të rritura të fillim janarit 2015.

 

Eurogrupi: Greqia po shpërdoron kohën

Evropa po bëhet e paduruar me Greqinë, duke i bërë thirrje të mos humbasë më kohë mbi reformat. Lufta e deklaratave mes dy palëve vazhdon të intensifikohet. Eurogrupi u mblodh sërish në Bruksel për të ridiskutuar propozimin e Athinës për implementimin e reformave. Menjëherë pas mbledhjes, kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, u shpreh se është humbur shumë kohë deri më tani vetëm për të diskutuar çështje formale të cilat nuk i hyjnë askujt në punë. “Tashmë kemi vetëm 4 muaj në dispozicion, dhe le t`i mbarojmë detyrat”, ­ theksoi Dijsselbloem.

Ditën e mërkurë pritet të nisin negociatat e radhës mes Greqisë dhe Trojkës, pikërisht mbi reformat, të cilat shihen si emergjente nga kjo e fundit, në mënyrë që vendi të përfitojë ndihmat financiare nga jashtë. Faktikisht, ashtu siç u shpreh edhe kreu i Eurogrupit, deri më tani koha është hedhur dëm. Kulmi i debatit gjatë ditëve të fundit është fokusuar mbi lokalitetin se ku do të zhvilloheshin këto negociata. Qeveria greke kërkonte, që ato të zhvilloheshin në Athinë, por mesa duket, Brukseli do të jetë sërish epiqendra e çdo problemi evropian. Nga ana tjetër, ministri grek i financave vazhdon t`i mëshojë faktit se koha kur trojka imponon fatin e një vendi ka kaluar, dhe se Greqia nuk do implementojë një program i cili ka dështuar një herë. Gjithsesi, Athina ka nevojë emergjente për financime, dhe diçka e tillë do të jetë e pamundur nëse nuk implementon reformat e kërkuara. Diçka të tillë e ka pohuar vetë kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, duke konfirmuar edhe njëherë largësinë që ekziston mes dy palëve.

 

Comments are closed.