Standard.al

Çështja në Prokurori/ Doshi: Ekspertizë ndërkombëtare, si për rastin e Hajdarit. Hetimet për Metën, të dekonspiruara

Gëzim Saliu

doshi ne prokurori Doshi: Babai i Metës, 1 vit e gjysmë më parë thirri Çinarin në Gjirin e Lalzit dhe i kërkoi me porosi te Ilirit, qe të më vrasë

 “Fatjon Skënderi vjen në Tiranë me garanci nga shteti se nuk do arrestohet. Pse trajtohet ky person ndryshe nga Durim Bami? Toni i Metës e i Monikës ka bërë dhe porosi të tjera për vrasje

Pas dy dëshmive në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dje deputeti Tom Doshi reagoi publikisht lidhur me rrjedhën e ngjarjeve për çështjen e ngritur prej tij kundër Kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar hetim ndërkombëtar. Sipas deputetit të Shkodrës, hetimet po nxitohen me qëllim mbylljen e shpejtë të tyre dhe se, sipas burimeve të tij, ato po dekonspirohen nga njerëz të afërt të bashkëshortes së kryetarit të LSI-së. “Kam informacione se hetimet që po bëhen për akuzat e mia ndaj Metës janë të dekonspiruara. Një shoqe e Monikës raporton çdo ditë për ato që ndodhin aty. Pavarësisht se unë nuk i paragjykoj hetimet, konstatoj se ato po nxitohen me qëllim, për t’u mbyllur shpejt, pa arritur t’i bëhet një zbërthim shkencor çdo fakti. Do t’i kërkoj që nesër me shkrim prokurorit të Përgjithshëm që të kërkojë ekspertizë ndërkombëtare për hetimet. Në kushtet që prokurori i Përgjithshëm dhe ai i Krimeve të Renda kanë ngjallur dyshime për mua, se bashkëpunonin me të akuzuarit, rezultatet janë të kompromentuara. Akuza që unë kam bërë ndaj Ilir Metës është shumë e rëndë. Ajo duhet gjykuar nga një grup prokurorësh shqiptarë dhe të huaj, ashtu siç u hetua dosja e Azem Hajdarit, me evropianë e amerikanë, që kanë eksperiencë dhe neutralitet ndaj të hetuarve”, – shkruante dje Doshi në rrjetin social.

 

Akuzat ndaj Metës

Ndërkaq, në reagimin e tij, deputeti Tom Doshi, duke marrë për bazë të dhënat nga një i njohur i tij, bëri të ditur se dy ditë më parë në Prokurori kishte depozituar kallëzim penal me vullnet të lirë edhe Petrit Çinari. “Jam informuar nga një i njohuri im se në Prokurorinë e Krimeve të Renda dje është bërë një kallëzim penal nga Petrit Çinari, një ish-oficer nga Skrapari. Në këtë kallëzim është deklaruar se babai i Ilir Metës, rreth 1 vit e gjysme më parë, e ka thirrur Petritin në Gjirin e Lalzit dhe i ka kërkuar atij me porosi të Ilir Metës, që të vrasë Tom Doshin. Ky person paska punuar bashkë me Rrexhep Metën në ushtri dhe paska qenë qitës i shkëlqyer. Pas rikthimit të tij nga Amerika, babai i Ilirit e paska gjetur, ftuar në Gjirin e Lalzit dhe bërë ofertën makabre, e cila duket se nuk është pranuar nga Petriti. Ky person, me guximin e lavdërueshëm qytetar, ka shkuar me vullnetin e tij të lirë dhe ka denoncuar këtë porosi të re vrasjeje. Këtë informacion mund ta konfirmojë Prokuroria. Ky person menjëherë duhet mbrojtur si dëshmitar i drejtësisë”, – theksoi ai.

 

Ardhja e Fatjon Skënderit

Në lidhje me Fatjon Skënderin, i cili pritet të dëshmojë sot në Prokurori, Doshi tha se erdhi në Shqipëri me garanci nga shteti për të mos u arrestuar. Në këtë kontekst deputeti shkodran ngriti pikëpyetjet se pse në të tillë rast shteti nuk vepron në të njëjtën formë si me Durim Bamin. “Cili shtet jep një garanci të tillë? Pse trajtohet ky person ndryshe nga Durim Bami? Mos ka ndikuar Ilir Meta që drejtësia t’i ofrojë këtij garanci? Media ka fshehur qëllimisht historinë kriminale të Tonit. Nga informacionet që më ka sjellë sot një deputet i mazhorancës në Kuvend, rezulton se Fatjon Skënderi është i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga gjykata shqiptare. Shkalla e Parë dhe Apeli i kane dhënë 13 vjet burg për të vuajtur 9 vjet, meqë e kishte pranuar akuzën. Ky person është dënuar në Shkallë të Parë dhe nga Gjykata Italiane me 17 vjet burg para pak kohësh dhe çështja është akoma në Apel. Ilir Meta ka mohuar njohjen me këtë person, por mua ma ka pranuar njohjen dhe takimin tek lokali “Viva”. Toni i Metës dhe i Monikës ka bërë edhe porosi të tjera për vrasje, të cilat fatkeqësisht janë finalizuar në krim. Së shpejti ai duhet të sqarojë se kush ka qenë porositësi i vrasjeve të tjera. Njerëzit po e vrasin frikën dhe kanë filluar të tregojnë më shumë sesa dimë deri tani”, – përfundoi Doshi.

 

LSI, Rama: Doshi të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke dorëzuar provat

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje përmes sekretarit të përgjithshëm, Luan Rama, ndaj deklaratave të deputetit të Shkodrës, Tom Doshi. Për LSI-në akuzat e Doshit janë pjesë e kauzës së dështuar të Sali Berishës, ndërkohë që i bën thirrje deputetit që të bashkëpunojë dhe të dorëzojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të gjitha provat që ai pretendon se ka. LSI kërkon që drejtësia të zbardhë sa më parë dhe në mënyrë të paanshme akuzat e Doshit. “Prokuroria të zbardhë sa më parë akuzat e Tom Doshit, ndërsa Tom Doshi të bashkëpunojë me drejtësinë për një hetim i shpejtë dhe të paanshëm të akuzave duke dorëzuar çdo provë”, – thuhej në deklaratën e Luan Ramës.

 

Zv.presidenti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut/ PE: Për çështjen “Doshi”, komision ndërkombëtar për të hetuar akuzat dhe zbardhur të vërtetën

Zëvendëspresidenti i nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin Evropian, Cristian Dan Preda, deklaroi dje për çështjen “Doshi” duhet një hetim me komision ndërkombëtar, në mënyrë që të zbardhet e vërteta. “Me arritjen e marrëveshjes së dhjetorit, u krijua një perceptim pozitiv për vendin. Ndërkohë, pas akuzave që janë bërë aktualisht në politikën shqiptare, rrezikohet sërish reflektimi i një imazh negativ për vendin. Ndaj mendoj, se është urgjente që të krijohet një komision pse jo ndërkombëtar që të hetojë plotësisht këto akuza, për t’i shpjeguar publikut dhe qytetarëve shqiptarë se ç’farë ka ndodhur në vend dhe ç’po ndodh në Shqipëri. Pa këtë qartësim, nuk mund të konceptohet progres i vendit”, – tha ai për “ABC News”.

 

Akuzat e Doshit, Monika Kryemadhi përballë prokurorëve për të dëshmuar

Akuzat publike të Tom Doshit dhe dyshimet se ndaj tij është organizuar një skemë e mirëfilltë me qëllim eliminimin fizik kanë zgjeruar numrin e personave që janë duke u pyetur nga organi i Prokurorisë. Në listën e personave që kanë dijeni për ngjarjen është shënuar dhe emri i bashkëshortes së Kryeparlamentarit Ilir Meta, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit është thirrur gjatë ditës së djeshme për të dhënë deklarimet e saj në Prokurori. Ftesës i është përgjigjur menjëherë. Kryemadhi mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të rënda rreth orës 19:30 minuta. Monika Kryemadhi dëshmoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me akuzat e deputetit Tom Doshi se Ilir Meta ka urdhëruar vrasjen e tij. Grupi hetimor duket se është i vëmendshëm edhe ndaj deklaratave që Tom Doshi poston në faqen e tij në “Facebook”. Kështu ndodhi edhe gjatë ditës së djeshme. Prokuroria thirri Monika Kryemadhin për të dëshmuar fill pas publikimit të një statusi të Doshit në “Facebook”, ku ai thoshte se bashkëshortja e Metës ka pasur dijeni për gjithçka dhe në të njëjtën kohë ka takuar edhe Tonin, njeriun që dyshohet se ka porositur vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Në deklaratën e tij të fundit, Doshi shprehet: “Toni i Metës dhe i Monikës ka bërë edhe porosi të tjera për vrasje, të cilat fatkeqësisht janë finalizuar në krim. Së shpejti ai duhet të sqarojë se kush ka qenë porositësi i vrasjeve të tjera. Njerëzit po e vrasin frikën dhe kanë filluar të tregojnë më shumë sesa dimë deri tani”.

 

 Grupi i miqësisë Shqipëri-Amerikë/ Anulimi i takimit, Ambasada e SHBA-së: Pasojë e situatës politikë, PD s’merr pjesë

Ambasada e SHBA-së në Tiranë reagoi dje pas këmbënguljes së vazhdueshme të medias dhe komenteve të shumta për anulimin e takimit mes grupit të miqësisë Shqipëri-Amerikë. Sipas Ambasadës, kjo shtyrje nuk ka ardhur falë kërkesës së SHBA-së kundër disa emrave pjesëmarrës të këtij komisioni, porse për shkak të situatës politike. “Në përgjigje të pyetjeve të shumta që kemi marrë nga mediat sot, Ambasada deklaron sa më poshtë: Mbledhja inauguruese e grupit të miqësisë amerikano-shqiptare u shty, për shkak të klimës politike aktuale në Parlament dhe mungesës së vullnetit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në mbledhje”. Dy ditë më parë u fol se një ndër arsyet kryesore për anulimin kishte të bënte me shqetësimin e shprehur nga SHBA-ja për elementë të inkriminuar në përbërje të grupit të miqësisë.

 

Comments are closed.