Standard.al

Çështja “Doshi”, Prifti në Prokurori: Nuk trembem si Frroku, tregova të vërtetën

dritan prifti ne prokurorine e krimeve te renda lsa mars 2015Ish-deputeti Dritan Prifti lëshoi një deklaratë të fortë dje pas përfundimit të dëshmisë. Ai pranoi se ka pasur një tentativë për të eliminuar fizikisht deputetin Doshi

Kishte premtuar se do të paraqitej në organin e Prokurorisë për të dhënë dëshminë e tij lidhur me gjithçka dinte për çështjen “Doshi”. Dritan Prifti, ish-deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe dha deklarimet e tij në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, për gati 2 orë e 30 minuta. Dëshmia e dhënë nga Prifti duket se u ka dhënë një kthesë të fortë hetimeve. Deri dje asnjë nga personat e paraqitur për të dëshmuar nuk ka treguar drejtpërdrejt se çfarë kishte të vërtetë në këtë histori. Prifti e konsideroi deputetin Mark Frroku frikacak dhe të nënshtruar nga presioni. Sipas Priftit, Frroku është kërcënuar nga Ilir Meta dhe kjo gjë ka bërë që ai të mos mbajë fjalën e duhur para organit të Prokurorisë. Meta, sipas Priftit, ka ndikuar tek Frroku që ai të shtrembëronte të vërtetën, një e vërtetë që, sipas tij, tashmë dihet nga të gjithë. Në të njëjtën kohë Prifti tha se ka sinjalizuar për çdo gjë grupin e prokurorëve, për të cilët ishte i bindur se do të bënin zbardhjen e së vërtetës. “Unë nuk jam Mark Frroku, unë erdha dhe kam deklaruar plotësisht të vërtetën, të gjitha gjërat që kam pasur dijeni dhe i di. Nuk më tremb asnjë lloj kërcënimi, presioni dhe denoncimi që mund të bëjë Ilir Meta apo njerëzit pranë tij për të shtrembëruar të vërtetën. Nëse Mark Frroku ka halle të tjera dhe për shkak të këtyre halleve dëshiron të mos tregojë të vërtetën, unë nuk kam të tilla halle”, – tha ish-deputeti Dritan Prifti.

 

Prifti

“Unë kam ardhur sot në Prokurori, sepse zoti Meta më ka përmendur në një nga deponimet e tij, kjo ishte arsyeja pse më thirrën prokurorët për të dhënë sqarimet e mia. Sigurisht që nga koha që unë vija për të denoncuar korrupsionin dhe deri sot që vij për të denoncuar një vrasje politike ndaj dy deputetëve kemi ecur shumë mbrapa. Qeveritarët tanë jo vetëm vjedhin, abuzojnë me taksat dhe fondet e njerëzve, por tashmë kanë marrë përsipër të vrasin dhe asgjësojnë deputetë. Ilir Meta është përpjekur shumë kohët e fundit të më përfshijë në këtë histori, pavarësisht se unë jam informuar për këtë histori nga muaji tetor, shumë kohë më pas se ai kishte informuar autoritetet e shtetit. Është përpjekur të përmendë aktivitetet e mia në biznesin privat, jo pularia e krimit, vezë e krimit; janë manovra për të drejtuar vëmendjen e opinionit në histori të tjera dhe jo tek një histori e frikshme që ky ka porositur vrasjen. Nëse Meta kërkon dhe vazhdon të më implikojë, unë kam dy vjet që, në fakt, nuk jam aktiv në jetën politike, por, me sa duket, po vjen koha që të rikthehem sërish në politikë, sepse në këtë vend po ndodhin gjëra të çuditshme”. Ndërkohë, dje ka dhënë dëshminë e tij dhe shoferi i deputetit Frroku si person që ka dijeni për ngjarjen.

 

 Prifti: Nuk kam video të Shkëlzenit

Ka pasur një komplot ndaj deputetit Tom Doshi për vrasje?

Ka pasur një komplot, një skenar të mirëmenduar për të vrarë deputetin Tom Doshi dhe unë kam bindjen që ky grup prokurorësh është një grup shumë serioz prokurorësh me njerëz me eksperiencë dhe kam bindjen se kjo tentativë për vrasje do të zbardhet.

 

Keni fakte zoti Prifti?

Unë nuk jam Mark Frroku, unë erdha dhe kam deklaruar plotësisht të vërtetën, të gjitha gjërat që kam pasur dijeni dhe i di nuk më tremb asnjë lloj kërcënimi, presioni dhe denoncimi që mund të bëjë Ilir Meta apo njerëzit pranë tij për të shtrembëruar të vërtetën. Nëse Mark Frroku ka halle të tjera dhe për shkak të këtyre halleve dëshiron të mos tregojë të vërtetën, unë nuk kam të tilla halle. Unë kam dëshmuar për të gjitha takimet që ka bërë Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durimi, i penduari i kësaj ngjarjeje të madhe, dhe shumë gjëra të tjera, me informacionet që kam unë kam besimin se kjo çështje do të zbardhet.

 

Cila është arsyeja e këtij atentati?

Arsyeja e atentatit është një urrejtje që ka pasur Meta ndaj meje dhe Tom Doshit për publikimin e videos së korrupsionit ndaj Ilir Metës.

 

Keni video për Shkëlzen Berishën?

Nuk kam video për Shkëlzenin. Këto janë taktika për të shtrembëruar drejtësinë, që nuk çojnë drejt zbulimit të vërtetës dhe janë taktika që edhe pulat e mia në Koplik i kuptojnë, jo më shqiptarët.

 

Kthehet nga Gjermania Toni, dyshohet se porositi eliminimin, kërkon garanci

Gjatë mesditës së djeshme, Fatjon Skënderi, njeriu që nga të dhënat e çështjes “Doshi” njihet si Toni, është kthyer nga Gjermania, shtet ku ishte rezident prej disa kohësh. Fatjon Skënderi u përmend si emër nga Tom Doshi, si një prej personave që ka porositur vrasjen e tij e të Mhill Fufit dhe porosinë e ka marrë nga Ilir Meta. Në kulmin e hetimit të kësaj çështjeje, kur para prokurorëve është pyetur kupola e politikës dhe një pjesë e personave të tjerë që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen, Toni papritur shfaqet duke u kthyer nga Gjermania e duke iu përgjigjur ftesës së organit të akuzës për t’u marrë në pyetje. Mësohet se Toni, para se të nisej nga Gjermania, ka kërkuar garanci nga policia dhe Prokuroria për të mos rënë në pranga. Fakti që është kthyer, tregon se ka arritur të marrë garancinë e kërkuar. Sipas akuzës, pritet që mëngjesin e së mërkurës Fatjon Skënderi të paraqitet pranë zyrës së prokurorëve të çështjes dhe grupit hetimor. Mësohet se Tom Doshi, referuar deklaratave të Durim Bamit, u ka thënë hetuesve se Toni, i identifikuar si Fatjon Skënderi, në emër të kreut të Kuvendit Ilir Meta ka kërkuar vrasjen e deputetit Doshi kundrejt 500 mijë eurove dhe ekzekutimin e Fufit kundrejt shumës prej 100 mijë eurosh.

 

Veprimtaria

Emri i Fatjon Skënderit është përmendur shumë ditët e fundit, pra që nga momenti që Doshi bëri deklaratën e tij publike dhe tha se është pikërisht ky personi që ka porositur vrasjen e tij në emër të Ilir Metës. Sipas materialeve të policisë, Fatjon Skënderi ka punuar shofer pranë Partisë Republikane nga viti 1990 deri në vitin 1993, kur edhe është larguar. Pas kësaj kohe, mendohet se Skënderi është larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë, ku ka jetuar për shumë vite. Më pas, rezulton se është kthyer në Shqipëri, ku ka hapur një magazinë dhe një pikë servisi të njohur me emrin “Truck-Servis” që ndodhej në km e 20-të të autostradës Tiranë – Durrës së bashku me vëllain. Ky investim, sipas dosjes së Gjykatës, është bërë gjatë viteve 2001-2004 dhe është ndërtuar me kursimet e familjes dhe me ndihmën e dy miqve, një person nga Fieri dhe futbollistit Altin Lala, që në atë kohë ka dëshmuar pranë Gjykatës për borxhin e dhënë familjes Skenderi. Në vitin 2006, Fatjon Skënderi, është arrestuar së bashku me një person tjetër, Gj. Dervishi, për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Arrestimi i tyre, sipas dosjes, erdhi pas një operacioni ndërkombëtar të koduar me emrin “Malësori”, ku u kryen arrestime në Itali, Gjermani, Turqi, Spanjë dhe Bullgari. Dervishi dhe Skënderi, sipas akuzës, janë organizatorët e trafikut të heroinës, pasi përdornin korrierë që drejtonin kamionët e firmës së Gj. Dervishit, të cilët transportonin hidrosanitare dhe modifikoheshin në servisin e Skënderit për të fshehur lëndën narkotike. Por pas një kalvari të gjatë procesesh gjyqësore, Fatjon Skënderi është dënuar në tetor 2007 me 6 vjet burg vetëm për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.

Comments are closed.