Standard.al

Çështja “Doshi” në Strasburg/ Basha, takim me eurodeputetët: Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në BE

Erneta Shevroja

lulzim basha konference europiane Kjo klimë e penetrimit të krimit deri në kupolën e shtetit është shumë shqetësuese. Por nga ana tjetër, është një mundësi e madhe për të bërë një pastrim me rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin

 Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në një konferencë në Strasburg me ftesë të Grupit Panevropian të Parlamentit Evropian me temë mbi standardet demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë konferencë, Basha ka marrë edhe një herë mbështetje të plotë mbi iniciativën e dekriminalizimit të politikës, ndërsa biseda është përqendruar më shumë mbi ngjarjen e 10 ditëve të fundit. Pas përfundimit të konferencës, kryedemokrati Basha ka folur për mediat duke theksuar se akuzat që i janë adresuar kreut të Kuvendit, Ilir Meta, si porositës për vrasjen e dy deputetëve të Parlamentit ishte çështja ku u përqendrua biseda me deputetët e Parlamentit Evropian. “Vëmendja e bashkëbiseduesve, e të gjithë europarlamentarëve dhe institucioneve të tjera, përfaqësues të tjerë të institucioneve të larta të Bashkimit Evropian që kam takuar, është përqendruar thuajse tërësisht në zhvillimet dramatike në Shqipëri në 10 ditët e fundit”, – ka thënë Basha për mediat në Strasburg.

 

Reagimi i eurodeputetëve

Sipas Bashës, rrjedha e ngjarjes që pasi zyrtarët më të lartë mësuan nga vetë deputeti i përjashtuar nga PS-ja, Tom Doshi, se ndaj tij dhe Mhill Fufi ishte porositur kryerja e vrasjes nga Kryeparlamentari Meta, shkaktoi tronditje të thellë te përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian. “Plasja e skandalit brenda mazhorancës, sipas të cilit prej gjashtë muajsh, Kryetari i Kuvendit është i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve me pagesë, ndërsa Kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë përpjekur ta fshehin, ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga procesi i duhur ligjor, është një tronditje e thellë, dhe ka shkaktuar një tronditje të thellë në institucionet e Bashkimit Evropian, tek europarlamentarët, tek përfaqësuesit e këtyre institucioneve”, – është shprehur Basha. Po sipas njoftimit zyrtar mbi zhvillimin e konferencës nga selia blu, ngjarja e fundit i ka dhënë edhe më shumë mbështetje iniciativës së demokratëve për dekriminalizimin e politikës shqiptare. “Është Parlamenti Evropian që u angazhua në fund të vitit të kaluar për dekriminalizimin dhe sot, këtu në Strasburg, në prani të këtyre institucioneve është theksuar nga bashkëfolësit e mi se nevoja për dekriminalizimin e politikës shqiptare është më akute se kurrë më parë. Kjo klimë, e paprecedentë, e penetrimit të krimit deri në kupolën e shtetit është shumë shqetësuese. Por nga ana tjetër është një mundësi e madhe, kanë theksuar bashkëfolësit në takimet që kam pasur me ta, bashkëbiseduesit, për të bërë një pastrim me rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin”, – theksoi Basha. Për Bashën, mbështetja e madhe e marrë nga eurodeputetët është një mesazh “i fortë ndaj qeverisjes Rama-Meta se kështu nuk ecet më përpara, duke mbyllur hetimet shpejt e shpejt”.

 

 Gara për Tiranën/ PD, testim të kandidatëve, Basha më i preferuari, Bregu e pason

Gara për Bashkinë e Tiranës duket se është më e vështira. Ndërsa nga selia rozë është pothuajse e vendosur, do të jetë një grua ajo që do të pretendojë të marrë Bashkinë më të rëndësishme, nga Partia Demokratike janë përfolur disa emra, të cilët i kanë kaluar fazës së testimit brenda bazës. Në listë është edhe kreu aktual i Bashkisë së Tiranës dhe i PD-së njëkohësisht, Lulzim Basha. Emra të tjerë janë Majlinda Bregu, Eduard Selami dhe Enno Bozdo. Burime për gazetën konfirmuan se nga testimi ka rezultuar më i preferuari nga baza është Lulzim Basha, i cili pasohet nga ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Po ashtu edhe Eduard Selami është një tjetër kandidat i mundshëm dhe i preferuara nga struktura se PD-së në Tiranë. Selami në zgjedhjet e strukturave të PD-së, ishte kandidat për sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, që doli i treti më i votuar, pas Arben Ristanit dhe Enkelejd Alibeajt, tashmë i larguar nga strukturat e PD-së. Kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës është edhe Enno Bozdo, aktualisht nënkryetar i Bashkisë. Ndërkaq, kryesitë e Partisë Demokratike në rrethe janë drejt përfundimit të fazës së përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar të bashkive më 21 qershor. Deri më datë 15 mars pritet që Kryesia e PD-së të vendosë se cilët prej të propozuarve do të përzgjedhë si kandidatët më potencialë për të fituar bashkitë që janë 61 me ndarjen e re administrative. Nga kryetarët e degëve, sipas udhëzimit të Bashës, kërkohet që së bashku me emrat duhet të paraqesin edhe një analizë për mundësitë e secilit prej të propozuarve ka mundësi më të mëdha për fitore përballë kundërshtarëve në zona.

 

 Çështja “Doshi”/ Bode: Krimi dhe pushteti bashkëpunojnë, protestojmë për gjakftohtësinë e qeverisë ndaj akuzave

Deputetët e opozitës braktisën edhe dje mbledhjet e komisioneve në Kryesinë e Kuvendit. Ashtu si edhe të hënën, braktisja e mbledhjeve u bë me arsyetimin se nuk mund të zhvillohet mbledhje normale kur Kryetari i Kuvendit, Meta, ndodhet nën akuzë për porositje për vrasjen e dy deputetëve. Sipas ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, i pranishëm dje në Komisionin e Ekonomisë, opozita nuk mund të jetë indiferente ndaj gjakftohtësisë që tregon qeveria për ngjarjen, sipas tij, më të rëndë të 25 viteve të fundit. “Kemi një bashkëpunim të gjerë të pushtetit me botën e krimit për çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve por me sigurinë e përfitimeve personale, kemi akuza publike nga deputetë për porosi për vrasje të dy deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ku dhe opinioni është përqendruar në këtë debat, ndërkohë që ne vazhdojmë të diskutojmë për koncesione që çojnë më tej ushqim për thellimin e krimit më tej në degradimin e situatës së përgjithshme. Për këtë arsye nuk mbështetim të tilla nisma dhe jemi në pritje të një reagimi për të filluar ndëshkimin e krimit që lind nga politika dhe që zbret tek familjet. Sot në mëngjes 3 vetë janë vrarë në Laprakë. Pra, ne nuk biem dakord dhe në shenjë proteste për këtë gjakftohtësi tuajën dhe për ndjesitë tuaj ndaj situatës së përgjithshme dhe nga zhvillimet në Parlament ne si opozitë do të largohemi nga mbledhja e sotme”, – deklaroi Bode, i cili u shpreh dhe kundër ligjit për sistemin e mbetjeve me argumentin se qeveria përdor një marifet të ri për të vendosur taksa të reja dhe për të krijuar tendera në favor të aktorëve pranë qeverisë.

 

Comments are closed.