Mbyllja e shkollave doktorale – goditje ndaj Universitetit publik !

0
148

Nga Artan FUGA

Artan FUGAKa dy vjet që ministria e arsimit dhe e sporteve, nuk jep për shkollat doktorale të Universitetit të Tiranës vende për rregjistrim kandidatësh.

Praktikisht, prej dy vjetësh, ajo i ka pezulluar, për mua, mbyllur, këto shkolla doktorale, duke i sjellë dëme të pallogaritshme arsimit publik universitar, kulturës kombëtare, kërkimit shkencor në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën mbarë shqiptare. Thuhet se kanë të meta. Por, mekanizmi i rregullimt të të metave nuk është mbyllja paranojake e institucionit, sepse me këtë logjikë do të kishim mbyllur edhe spitalet, Kuvendin, edhe vetë ministritë!

Dhe dëmet janë të pallogaritshme e duhet t’u bëhen me dije vendimarrësve, kushdoqofshin ata, por unë nuk kam se kujt tjetër t’ia kërkoj përgjegjësinë veçse ministres së arsimit dhe sporteve, zonjës Lindita Nikolla. Është zonja ministre që pastaj e di vetë, dhe ka kompetencën ta drejtojë përgjegjësinë atje ku ajo mendon. Personalisht shpresoj dashamirësisht dhe sinqerisht t’i jap Asaj argumente që ndofta i duhen për t’i dëgjuar, argumenta që nuk vijnë vetëm nga arsyeja, por edhe në respekt të punës të kolegëve të mi, të doktorantëve, produkti i të cilëve u shemb si të ishte një statujë e hedhur në erë me dinamit.

Dëme të pallogaritshme në planin financiar, në planin shkencor dhe në atë moral na keni shkaktuar. Unë nuk e di se kush do t’i zhdëmtojë këto dëme.

Nuk do të nisem nga argumente të përgjithshme, as marr mundimin të mbroj shkolla doktorale të tjera, sepse kolegët dhe drejtuesit e tyre, e bëjnë vetë ata më mirë sesa unë këtë gjë. Unë flas për atë që njoh dhe që është shkolla doktorale në shkencat e komunikimit dhe informacionit masiv, pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës që unë drejtoj për pesë a gjashtë  vjet.

Ka dy vjet që kjo shkollë doktorale nuk funksionon në aktivitetin e saj bazë të formimit teorik dhe ka ardhur drejt shuarjes për shkak se ministria e arsimit nuk na jep kuotat për rregjistrim. Duke menduar se një doktoratë normalisht kryhet për tre vjet, kuptohet se mosardhja e kuotave për dy vitet e fundit po e çon shkollën doktorale drejt humbjes dhe mbylljes, sepse tashmë shkatërrimi dhe degradimi ka ndodhur. Më vjen turp e zor, kur të interesuarve, gazetarë të rinj, studentë që kanë përfunduar studimet për shkenca komunikimi, nga Shqipëria dhe zonat mbarëshqiptare përreth kufijve tanë, që pyesin për hapjen e kuotave, t’u them se rregjistrime nuk ka pëderisa nuk ka kuota të miratuara. Nga Kosova, mali i Zi, Maqedonia, dëshira e kandidatëve për t’u doktoruar në Shqipëri është e fuqishme, por rrugët e arsimit dhe kualifikimit doktoral janë mbyllur.

Shkolla doktorale në shkencat e komunikimit sikurse edhe shkollat e tjera doktorale janë hapur me vendim të këshillit të ministrave. A ka të drejtë që një urdhër ministror të dalë kundër një vendimi të këshillit të ministrave !!! Do të ishte e papranueshme juridikisht dhe sipas meje përbën një shkelje juridike. Dikush do të mbrohet duke thënë se kjo nuk është mbyllje, por vetëm « nuk u jepen përkohësisht kuotat », mirëpo edhe ky argument nuk do të qendronte sepse ministria e ka për detyrë ligjore t’i japë ato kuota çdo vit dhe nuk mund të mos veprojë sipas detyrimit normativ, sepse edhe mosveprimi është poaq i dëmshëm sa edhe veprimi.

Kam parë dikur filmin që nderonte aktin e mësuesit Ndrec Ndue Gjoka, i cili në vitet e para pas Luftës të Dyte botërore ndërmorri aksionin për hapjen e shkollave në Mirditë e në mbarë malësinë. Kurrë më shumë sesa këto dy vite nuk e kam kujtuar veprën e tij dhe ndjerë me shpirt dhe dhimbje sakrifikimin e tij. Po, në kushtet e mbylljes faktike të shkollës doktorale, e them me plot bindje se ne na duhet një Ndrec Ndue Gjoka i ri për t’i hapur këto shkolla kundër vullnetit të ministrisë dhe vendimit të drejtuesve të saj.

Ndjehem i fyer, i poshtëruar, dhe i përdhosur personalisht!

Kërkoj një Ndrec Ndue Gjokë për të hapur shkollat doktorale.

Puna paraqitet shumë serioze, dy vjet duruar, edhe durimi ka një kufi. Nuk mund të bëhesh shok e mik në prishje. Përgjegjësia nuk është vetëm e ministrisë, por edhe jona si pedagogë e drejtues. Kush pajtohet bëhet bashkëpërgjegjës.

Serioze sepse është njësoj sikur një shkolle fillore apo një gjimnazi mos i lejosh të bëjë rregjistrime për dy vjet. Po të ndodhte kjo do të ishte bërë skandak mediatik, social, përgjegjësit e drejtorisë arsimore do të kishin dhënë dorëheqjen, pushuar nga puna, dhe do të ishte quajtur një akt ligjërisht i dënueshëm. Ja, për një shkollë fillore, kështu do të ndodhte, por për shkollat doktorale askush nuk ndihet dhe ne flemë, vuajmë, rënkojmë, poshtërohemi, nën thundrën e një arbitrarizmi autoritar të pashpjegueshëm, të paparë, sorrollatemi si të alienuar pa kuptuar dot se cila është arsyeja ligjore dhe morale e kësaj sjelljeje administrative antishkollë nga agjencia që është pikërisht përgjegjëse për zhvillimin e arsimit.

Unë nuk e di shkresën, numrin e protokollit, datën e vendimit me shkrim për pezullimin e rregjistrimeve në shkollat doktorale. Nuk më ka ardhur gjë në zyrë sikurse do ta kishte kërkuar hierarkia administrative e një shteti të rregullt. Prandaj nuk i di argumentet shkresore. Atë që di e kam dëgjuar në deklarime publike, në folklorin që zbret nga lart poshtë dhe në hamendje që mbështeten në thashethemnaja dhe në akte të paprovuara në rrugë ligjore. Thuhet se shkollat doktorale kanë rregjistruar me qindra doktorë, se këto vite janë doktoruar qindra persona, se doktoraturat jepen fare kot, pa cilësi, se ësshtë bërë deti kos dhe me lugë në brez të gjithë po bëhen doktorë.

Ja këto dëgjojmë. Unë nuk e di nëse sa më sipër janë të vërteta ose jo për shkollat e tjera doktorale. Kam bindjet e mia, por ndërgjegja shkencore dhe përgjegjësia qytetare nuk më lejon as t’i aprovoj e as t’i mohoj. Ajo që dua të di unë është nëse janë bërë akte kontrolli në shkollat doktorale që janë bllokuar prej dy vitesh nga mungesa e rregjistrimeve ? A kanë dalë aktet e kontrollit ? A u janë paraqitur të interesuarve ? A u janë lënë detyra për të rregulluar të metat ? Sepse fuqia publike nuk vepron as me opinione as me konstatime jo shkresore, por vetëm mbi bazën e akteve administrative të mbështetura në ligj.

Unë nuk e di se çfarë bëhet me shkollat e tjera doktorale, përsa i përket shkollës doktorale në shkencat e komunikimit të Universit të Tiranës, di që asnjë nga këto kritika folklorike nuk qendrojnë, dhe prandaj, pa mbështetje administrative, i konsideroj si shpifje që cënojnë interest dhe imazhin e kësaj agjencie publike dhe për ta mbrojtur atë jam gati të drejtohem atje ku duhet.

Le ta njoh pak publikun me disa të dhëna.

Kjo shkollë doktorale është themeluar në vitin 2009. Për herë të parë ajo punoi me paradigmën shkencore se shkencat e komunikimit janë pjesë e shkencave albanologjike. Pa dyshim vështirësitë dhe të metat e rritjes kanë qenë të pathëna, por falë punës të kolegëve dhe të gjithë doktorantëve u krijua një komunitet i përbashkët kërkuesish shkencorë prej 60 – 70 vetësh që jetoi si një organiziëm i gjallë për gjashtë vite dhe tani po vdes. U shkatërrua nga pozicioni i ministrisë. Ministria na preu në besë, na la të vepronim sa ishim të dobët e të pafuqishëm, dhe sapo u forcuam dhe nxorrëm kokën mbi ujë, na e preu.

Janë shqyer dyert e shkollave doktorale ???

Për ne nuk është e vërtetë. Cdo vit ka pasur jo më shumë sesa 15 a 16 kandidatë të rregjistruar zyrtarisht. Janë zgjedhur me pikatore dhe me një proçes seleksionimi shumë të fortë. Ku është këtu shqyerja e dyerve?

Prej gjashtë vitesh janë doktoruar vetëm 9 persona, pra jo më shumë se një e gjysëm doktoranti në vit. Ku janë këtu doktorët me kile dhe me tonelata?

Cdo drejtuesi i kanë takuar afro tre a katër doktorantë realisht për të udhëhequr cdo vit. Ku janë këtu dhjetra doktorantët në udhëheqje për profesorë që “grrihen në parà”

Pothuajse të gjitha doktoraturat janë kthyer menjëherë në libra ku dalloj atë të kolegëve Sami Neza mbi mekanizmat financiarë të përballimit të krizës në media , Zylyftar Bregu mbi komunikimin në institucionet e mbyllura, Belina Budini mbi imazhin e Shqipërisë në revistat perëndimore, Jonila Godole mbi statusin socio-profesional të gazetarëve shqiptarë, e të tjerë, punime cilësore të panjohura më pare, që monitorojnë nga afër procesin e industrisë të medias dhe të informacionit duke dhënë një kontribut shumë të mire në shkencën shqiptare. Për të mos harruar gjashtë numrat e revistës shkencore, botimet kolektive, projektet shkencore me njohje ndërkombëtare, etj.

Kush erdhi e bëri këtë analizë për të na ngjitur pastaj ashtu si thashethemnajë argumentet që sollën bllokimin arbitrar të rregjistrimeve?

Mundet që ministria e arsimit ka të dhëna për parametra të tjerë të përkeqësuar në shkolla të tjera doktorale. Nuk më interesojnë fare. Shteti ligjor nuk pranon ndëshkime kolektive. Bllokimi i rregjistrimeve në një shkollë fillore, tetëvjeçare, të mesme, universitare ose doktorale i pambështetur në një ekspertizë konkrete është njësoj sikur të gjesh shkelje në një shkollë të mesme në Lushnjë dhe për këtë arsye të mbyllësh edhe një shkollë të mesme në Kukës. Nuk ka logjikë as ligjore dhe as administrative.

Unë pres që shpirti i Ndrec Ndue Gjokës të rilindë për të rihapur e rigjallëruar shkollën doktorale të shkencave të komunikimit në Universitetin e Tiranës. Na është shkaktuar një dëm moral, shkencor, financiar, i jashtëzakonshëm që kërkon zhdëmtim.

Edhe financiar, po se po. 15 deri 20 kandidatë në vit për të mbrojtur doktoraturën, me tarifat shumë logjike që aplikojmë, për rreth 2 milionë lekë të vjetra për tre vite studimi, japin deri në 60 milonë lekë në vit. Ky është dëmi që na është bërë. Po ta kthejmë në vlera material i bie që na janë hequr arbitrarisht, në rrugë joligjore, dy laboratore shumë të mire për studentët tanë çdo vit. Dy vjet pa rregjistrime flitet për një dëm financiar prej rreth 120 milionë lekë të vjetra vetëm për shkollën doktorale në fushën e komunikimit. Por mos harrojmë se fakulteti ka pesë a gjashtë shkolla doktorale, cka na çon te një shifër prej 600 milionë lekë të vjetra dëme vetëm Brenda një fakulteti. Po më tutje është llogaritur dëmi financiar???

Ndërkaq, kemi edhe dëmin në zhvillimin e mësimdhënies jo vetëm brenda shkollës doktorale, por në të gjithë nivelin e studimeve universitare. Eshtë pikërisht ky vendim i ministrisë që na e ka dëmtuar rëndë. Pse? Por, sepse mungesa e rregjistrimeve në shkollën doktorale than prurjet e kërkuesve të rinj shkencorë, për rrjedhojë bllokon krijimtarinë shkencore, than botimet që deritani janë bërë vetëm me shpenzimet e doktorëve të rinj, varfëron bibliografinë studimore mbi bazën e së cilës mund të zhvillohet procesi mësimor për të gjithë studentët. Në ngarkim të kujt duhet t’i vendosim këto dëme me pasoja të pallogaritshme që minojnë cilësinë e mësimit? Po investimet intelektuale që kanë bërë profesorët në shkollën doktorale duke përgatitur leksionet e tyre dhe që mbesin të pa aplikuara në vitin e formimit teorik brenda kësaj shkolle, kush i llogarit si të humbura? Askush, mund e djersë e shkuar kot, investim financiar i shkuar kot.

Unë shpresoj të kem shpjeguar qartë se përse vendimi i ministrisë të arsimit për të bllokuar rregjistrimet në shkollat doktorale të publikut është joligjor, kundravajtje administrative dhe ligjore, me pasojash dëmesh financiare, materiale, shkencore, çka duhet bërë objekt reflektimi. Nëse nuk e kanë ndërgjegjen e këtij dëmi, nuk e dine sesa keq e ka gjykuar opinion universitar këtë akt të pashembullt, mos dëgjojnë heshtjen institucionale, por ftoj zonjën ministre Lindita Nikolla të vijë në shkollën doktorale dhe të dëgjojë se çfarë do t’i thonë 65 doktorantët, që vijnë nga gazetaria, media, komunikimi, si edhe profesorati i mërzitur, trishtuar, poshtëruar.

Dhe nëse na thonë se është ligji i ri për arsimin universitar që do ta rregullojë këtë gjendje atëhere këtu bëhet për të zënë kokën me dy duart, jo vetëm se projekt-ligji është krejt sëprapthi dhe ndërtuar në mënyrë anakronike dhe primitive, por edhe sepse duke pritur një kuadër të ri ligjor askush nuk legjitimohet për të mos u nështruar ndaj ligjit që është në fuqi. Përndryshe nuk do të kishim shtet, por sikurse thoshte Maks Weberi, do të kishim vetë hordhi barbarësh.

Unë për veten time vazhdoj të shoh shpirtin e Ndrec Ndue Gjokës që vërtitet rreth kokave tona dhe na thërret : Nuk keni turp që nuk reagoni publikisht !

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency