Velloja e 8 marsit

0

Alba Kepi

Loading...

Alba KepiNjë grua është grua, pavarësisht nga besimi dhe etnia e saj. Gra të moshave të ndryshme, të përkatësive të ndryshme gjeografike, kulturore e fetare kanë një histori të tyren e mbajnë mbi supe një copëz bote. Gra të suksesshme në vlera, në familje, në profesion. Gra me ideale e besime. Gra laike, të krishtera, budiste, myslimane. Por për këto të fundit rrallëherë flitet pozitivisht. Gruaja është grua e dhuna është dhunë. Nuk ka kufi për to e i gjen kudo.

Mediat mprehin penat e tyre vetëm për ato steriotipe grash myslimane të dhunuara nga mesazhi i Islamit, pa e njohur atë. E shumë herë e vërteta gjendet diku tjetër e larg. Korruptohet barazia humane, të drejtat e gruas dhe evidentohen diferencat kulturore pa lexuar asnjëherë Kuranin. Por koncepti i Islamit për të urdhëruar të mirën e për të ndaluar të keqen nuk ka ndryshim nga idealet e tyre perëndimore, është i njëjtë si për burrat ashtu dhe për gratë, siç mëson surja 9:71:

“Besimtarët e besimtaret janë aleatë të njëri-tjetrit. Ata urdhërojnë të mirën e ndalojnë të keqen. Kryejnë namazin, ndihmojnë të varfrit e respektojnë Allahun e të dërguarin e tij. Këta do të gëzojnë mëshirën e Allahut të plotfuqishëm e të drejtë”.

Vlerat njerëzore, virtytet, pastërtia morale, vetëdija njerëzore, veprimet pozitive si tek burri dhe tek gruaja nuk diferencohen në Perëndim sipas gjinive, por nuk kanë dallim as në Islam. Mediat nënvizojnë të keqen që i ka gjetur gratë me vello, pa hulumtuar kurrë në librin e shenjtë të Kuranit, i cili i drejtohet barazisht për çdo mësim si burrave dhe grave, ashtu siç bën dhe Bibla. U mëshirohet velloja, duke iu fyer kuptimi i saj, duke i dhunuar besimin moral e fetar. Mbi dyqind thënie të Kuranit i kushtohen statusit, rolit e përgjegjësisë së gruas në aspektin social, individual e familjar, nuk vë diferenca mes burrit e gruas në fushën e së drejtës, ruan ekuilibrin pa u lënë hapësirë diskriminimeve seksuale. Mjaft të meditosh suren 33:35 të Kuranit:

“Në të vërtetë burrat myslimanë e myslimanet, besimtarët e besimtaret, të devotshmit e të devotshmet, besnikët e besniket, këmbëngulësit e këmbëngulëset, të durueshmit e të durueshmet, ata që kërkojnë lëmoshë e ato që kërkojnë lëmoshë, argjëruesit e argjërueset, të dëlirët e të dëlirat, ata që shpesh kujtojnë Allahun e ato që shpesh kujtojnë Allahun, janë ata për të cilët Allahu ka përgatitur faljen e shpërblimin”.

Faqe mediatike që dënojnë dhunën ndaj grave e që i mëshojnë fort denoncimit të saj, por edhe rreshta të papërgjegjshëm që kryejnë një tjetër dhunë, atë së së drejtës për të besuar. Gruaja është grua e dhuna është dhunë. Nuk ka kufi për to e i gjen kudo. Nuk është Islami që dekreton diskriminimin, por është instrumentalizimi politik i fesë që negocion me të keqen.

Media denoncon dhunën ndaj grave. E bën me pasion, me shqetësim, me zemërim. E bën mirë! Media tregon për gra me vello që Perëndimi u pengon punësimin. E bën rrallë e butësisht. Por a nuk është edhe kjo dhunë?

Në Evropë, 5.8% e popullsisë janë të besimit mysliman e një pjesë e madhe e kësaj përqindjeje janë gra, vajza të shkolluara, të diplomuara në universitetet më të mira të këtij kontinenti. Por sa prej tyre ushtrojnë profesionin e tyre në banka, në postë, në gjykata, në polici, në arsim…? Sa prej tyre janë ministre, zëvendësministre, drejtuese institucionesh publike në shtete të Evropës, ku shumica zotëruese e popullsisë është e fesë islame? Shteti është laik e ky fakt është i ligjshëm, ashtu siç është e ligjshme e drejta e çdo gruaje për t’u punësuar, stimuluar e vlerësuar, pavarësisht nga besimi i saj fetar.

Pak kohë më parë, një vajzë myslimane në një kryeqytet perëndimor u paraqit në një intervistë për vend pune pa vellon e saj. Pasi e fitoi atë, nis ditën e parë të punës e mbuluar ashtu siç praktikonte zakonisht në veshjen e saj. Brenda pak orësh pushohet pa asnjë justifikim. Sa e sa të tilla prezantohen në intervista pune pa e fshehur vellon? Sa prej tyre nuk u është lexuar kurrikulumi, duke u ndalur në fotografinë e një gruaje me flokë të mbuluar? Sa prej tyre u është mohuar e drejta për t’u punësuar?

Të dhënat e fundit të UNESCO-s tregojnë se gratë myslimane të diplomuara shpesh kapërcejnë gratë e Perëndimit, sidomos në fushën e shkencës. Velloja e tyre e dukshme fizike nuk i ka penguar të kërkojnë arsimin, studimin, profesionin, suksesin, ndërsa Perëndimi mban shtresa vellosh të padukshme mbi kostumet firmato.

Ekziston një vlerë e rrënjosur mirë në çdo mysliman, pavarësisht mashkull o femër qoftë, është vlera që kërkon njohurinë, njohurinë për të vërtetën e Zotit, duke studiuar e hulumtuar botën përreth. Këmbëngulja e kërkimit të njohurisë ka qenë përherë pjesë e botës së grave myslimane. Kurani është mjaft i qartë e nuk lë asnjë vend për interpretime të gabuara. “Gruaja duhet të marrë pjesë në të gjitha nivelet e shkollimit dhe është detyra e prindërve të garantojnë edukimin e shkollimin e fëmijëve si djem ashtu dhe vajza e qysh në një moshë të hershme”. Profeti Muhamed proklamon se “kërkesa e dijes është detyrim për çdo mysliman e myslimane” e pas vdekjes së tij e dokumentuar historikisht është ekzistenca e një elite dijetarësh prej 8000 personash, 1000 prej të cilëve ishin femra. Emancipimi i Islamit njihte qysh në çerekun e parë të shekullit raportin 1/8 të intelektualizmit të gruas. E nuk mbaron me kaq, Universiteti i parë i hapur në tokën e Islamit, Al-Qarawiyyin a Fes, në shekullin IX, është vepër e një gruaje të quajtur Fatima al-Fihiriya e konsiderohet nga më antikët e botës myslimane. Universiteti i Egjiptit “Al-Azhar” u ndërtua po nga një grua, Al-Khanzida, që historikisht ndërtoi në këtë qytet edhe një spital, një xhami e një jetimore. Ja dy shembuj figurash femërore ndaj jetës së të cilave dihet shumë pak, por që falë tyre lindën dy universitetet fetare nga më të rëndësishmet të botës myslimane. Një mishërim i vërtetë i shkollimit të hershëm e të suksesshëm të gruas myslimane është padyshim Aishja, gruaja e Profetit. Ajo qe themeluesja e shkollës juridike islamike e krijuesja e mjaft brezave të shkolluar myslimane.

Penat islamofobike justifikojnë rastet e dhunës së grave në botën islamike me nivelin e ulët të arsimit e me tipologjinë e besimit fetar që praktikojnë. Por statistikat e shifrat hedhin poshtë fjalët e tyre. Në Turqi, Katar, Liban, Bahrejn, Burnei, Kurgistan, femrat e diplomuara në fushat shkencore kapërcejnë në përqindje disa herë kuotat e femrave në SHBA. Në Tunizi, ku 98% e popullsisë është myslimane, femrat studente kapërcejnë me 5% meshkujt e regjistruar në arsimin e lartë. Aty ku ekziston varfëria ekstreme e për rrjedhojë mungesa e arsimit ka një shkak më të fortë që e ka provokuar. Është lufta e terrorizmi. Nuk është Islami! Analfabetizmi e besimi mysliman nuk kanë kurrfarë lidhjeje me njëri-tjetrin.

Gra myslimane që Perëndimi u dhunon vellon, duke u mohuar punësimin, stimën, vlerësimin ka plot. Flitet pak për to, edhe pse këmbëngulja e tyre tregon krejt të kundërtën. Shkollohen në Perëndim e pas dyerve të mbyllura në fytyrë, konfirmojnë suksesin atje larg në Lindjen e Mesme, ku punëdhënësi nuk i komenton vellon, por aftësitë profesionale. Perëndimi denoncon dhunën e justifikon mohimet e tij, duke dhunuar besimin fetar.

Kundër çdo dhune e forme të saj, Gëzuar 8 Marsin gra myslimane, gra me vello e pa vello, laike o besimtare, të gjitha ju që kur e denonconi atë, rendisni vlerat njerëzore e vetëdijen njerëzore, kërkoni e zbuloni shkaqet, pavarësisht nga etnia e përkatësia fetare.

 

100 gratë më të fuqishme arabe

Pak ditë më parë, revista “Arabian Bussines” publikoi listën e grave më të fuqishme në botën arabe. Renditen në të politikane, sipërmarrëse, profesioniste, gazetare, aktiviste. Për të pestin vit radhazi mban vendin e parë Sheikha Lubna al Qasimi, ministre e Bashkëpunimit e Zhvillimit Ndërkombëtar në Emiratet e Bashkuara. Ndikimi i saj shtrihet jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën, duke promovuar rolin e donatores ndërkombëtare e si një “player globale” e vendeve Emirate. Sheikha Lubna al Qasimi është gjithashtu në krye të bordit të Korporatës së Energjisë Bërthamore të Emirateve të Bashkuara si dhe avokate aktive në fushën e të drejtave të grave.

Në vend të tretë renditet Loujain al Hathloul, aktivistja feministe saudite, simbol i së drejtës së mohuar të gruas për të përdorur makinën në Arabinë Saudite. Një vend poshtë saj është Lubna Olayan, sipërmarrësja e suksesshme e Olayan Financing Company, grup financiar i themeluar qysh më 1947 nga babai i saj e që aktualisht deklaron një kapital prej 10 bilion dollarësh.

A do të kishit menduar ndonjëherë se do të gjenit të renditur në listën e femrave më të fuqishme në Perëndim një grua pilote? E pra, në 100 gratë më të fuqishme arabe gjendet e pozicionuar në vendin e gjashtë Mariam al Mansouri, pilotja e forcave ushtarake të Emirateve të Bashkuara, 35-vjeçare që drejton avionët F-16 në misionet në Siri. Sot është kthyer në simbol të luftës kundër ekstremizmit e terrorizmit të ISIS-it. Popullariteti i saj u rrit shumë, sidomos pas kritikave të Perëndimit, kur dy gazetarët e “Fox News Chanel”, Eric Bolling dhe Greg Gutfeld, i vunë epitetin “Boobs on the Ground”.

Po ky Perëndim, nga lista e 100 grave më të fuqishme arabe, u ekzaltua deri në delir vetëm nga renditja në vendin e dytë të Amal Alamuddin-Clooney, bashkëshortja e George Clooney.

Loading...