U operua nga dy mjekë irlandezë / Vdekja e fëmijës Alimadhi gjatë operacionit, kërkohen 6 vite burg për mjekët

0
153

3b77d3f73b59742412f393cd0d264b14_L

Prokuroria kërkoi nga Gjykata nga 3 vjet burg për dy mjekët irlandezë që operuan Denis Alimadhin. Nuk morën masa paraprake për sigurimin e ilaçit. Kallëzimi, nga familjarët

 

Prokuroria e Tiranës kërkoi nga togat e zeza që dy mjekët irlandezë që operuan 11-vjeçarin Denis Alimadhi, të dënohen me nga tri vite burgim. Prokurori Kol Hysenaj, gjatë leximit të rreth 30 faqeve të konkluzioneve përfundimtare, i cilësoi fajtorë dy mjekët irlandezë Gerald Fahy dhe Kevin Clarkson për akuzën e “Mjekimit të pakujdesshëm”, si dhe kërkoi dënimin e tyre me nga tre vjet burg secilin. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë me dije se dy mjekët nuk morën masat paraprake për sigurimin e ilaçit “Dentrolen”, i cili do të parandalonte ngritjen e temperaturës që për pasojë solli atakun në zemër të 11-vjeçarit Alimadhi gjatë operimit. Për këtë fakt dhe prova të tjera të siguruara nga Prokuroria u kërkua nga gjyqtari i çështjes, Petrit Çomo, dënimi i dy mjekëve në total me 6 vjet burg. Denis Alimadhi ndërroi jetë në sallën e operacionit, gjatë një ndërhyrjeje të rregullimit të qepallave të syve në Spitalin Francez brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në nëntor të vitit 2012.

 

Ngjarja

Vogëlushi Denis Alimadhi ka gjetur vdekjen si pasojë e tetë arresteve kardiake që ka pësuar gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në qepallat e syve. Kështu thuhet në raportin e Mjekësisë Ligjore të nxjerrë atë kohë për vdekjen e 11-vjeçarit Denis Alimadhi, i cili humbi jetën në sallën e operacionit gjatë një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin francez në QSUT. Denis Almadhi, humbi jetën në muajin nëntor të viti 2012, teksa po kryente një operacion estetik në qepallat e syve. Fëmija kishte anomali të lindura dhe u ishte nënshtruar edhe dy ndërhyrjeve estetike të mëparshme. Vogëlushi nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim përpara se të futej në sallën e operacionit, por sipas mjekëve pas injektimit të anestezisë i janë shfaqur edhe komplikacione. Temperatura e tij trupore ditën e operacionit mësohet se është rritur deri në 43 gradë celsius dhe ai ka pësuar disa arreste kardiake njëra pas tjetrës. Familjarët janë njoftuar disa orë më vonë për humbjen e djalit. Ata kanë denoncuar menjëherë në polici ngjarjen dhe akuzojnë se djali ka humbur jetën nga neglizhenca e mjekëve ose nga mbidoza e anestezisë.

 

Sëmundja

11-vjeçari vuante nga ptosis palpebral, që në gjuhë popullore njihet si varje e qepallave të syrit. Familjarët kanë denoncuar në polici ngjarjen, ku sipas tyre, djali ka humbur jetën nga neglizhenca e mjekëve ose nga mbidoza e anestezisë. Ndërkohë, gjatë asaj kohe mjekët e akuzuar nga prindërit e vogëlushit se shkaktuan vdekjen e djalit pohuan se vuante nga një sëmundje jo shumë e njohur nga masa, hipertemia malinje, e cila në kontakt me anestezinë ka protokoll të caktuar mbrojtjeje, pasi shkakton vdekje të menjëhershme. Mjeku irlandez, Gerald Fahy, mësohet se është marrë i pandehur nga prokuroria për vdekjen e fëmijës Denis Alimadhi si dhe mësohet se marrë në pyetje nga policia, disa ditë pas operacionit. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, Denis Alimadhi ka gjetur vdekjen si pasojë e mungesës së ilaçit të “Dantrolenit”. Nëse mjekët do ta dispononin këtë medikament, gjatë kohës që 11-vjeçari ka qenë duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në qepallat e syve, tek QSUT-ja, atëherë vogëlushi do të kishte pasur mundësi që të shpëtonte. Ky është konkluzioni përfundimtar i ekspertëve, të cilët e kanë dorëzuar raportin në Prokurorinë e Tiranës.

 

 

Studenti harron çantën në stol, alarm i rremë për bombë, ndalohet 20-vjeçari

 

Tashmë është kthyer si lojë. Persona të paidentifikuar në shumicën e rasteve vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe ekspertët xhenierë për të spastruar zonën ku lajmërohet se është vendosur eksploziv. Dhe kjo vetëm në një mënyrë. Lihen çanta në vende publike dhe qytetarë të rastësishëm nga frika e shpërthimeve njoftojnë policinë, e cila rrethon zonën dhe për orë të tëra, derisa të sigurohet se nuk ka asgjë serioze, nuk lejohet lëvizja e qytetarëve. Sërish një alarm i rremë për bombë. Përreth një orë e gjysmë kryeqyteti qëndroi nën ankthin e një alarmi të mundshëm për bombë, pas gjetjes së një çante sportive të dyshimtë të braktisur në një stol në parkun “Rinia”, me mbishkrimin “Mos prek”. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se pas shpërthimit të kontrolluar nga forcat xheniere rezultoi se në çantë nuk kishte lëndë eksplozive. Ndërsa policia shoqëroi në komisariatin numër 3 personin që kishte harruar çantën, Bruno Pëllumin nga Lezha, student i vitit të dytë në Fakultetin e Gjeologji-Minierës. Të njëjtat burime thanë se në çantë kishte objekte plastike dhe një libër i shkencave gjeologjike. Fillimisht policia bëri ekzaminimin me infrared për të kuptuar se çfarë kishte në brendësi të çantës sportive të braktisur, ndërsa më tej u bë shpërthimi i kontrolluar i saj. Uniformat blu të policisë së kryeqytetit kanë bërë me dije se kanë qenë qytetarët të cilët telefonuan policinë për të sinjalizuar se një çantë sportive ishte braktisur në një nga stolat e parkut “Rinia”. Menjëherë struktura të shumta të uniformave blu rrethuan me një perimetër të konsiderueshëm sigurie të gjithë zonën përreth çantës. Të gjithë qytetarët u ndaluan të lëvizin në këtë perimetër, ndërsa mësohet se alarmi për bombë u dha rreth orës 8:30 të mëngjesit, një orar kur lëvizja e kalimtarëve është e lartë për shkak të punës ose konsumimit të kafes së mëngjesit. Ndërsa precedentët e mëparshëm kanë vërtetuar në të tilla situata se alarmet kanë qenë të rreme, në këtë rast rreziku i mundshëm ishte më i lartë për shkak të shënimit të vendosur mbi çantë “Mos prek”. Ndërkohë, një ditë më parë, në zonën e njohur si “Bërryli”, po në kryeqytet, policia çaktivizoi një sasi tritoli me fitil zjarrpërcjellës 2.5 metra të gjatë, të gjetur pranë qepenit të një biznesi, në katin e parë të një pallati. Forcat xheniere, pasi kryen verifikimet, konstatuan se bëhej fjalë për lëndë eksplozive të llojit tritol. Ekspertët e njësisë antieksploziv e çaktivizuan sasinë e tritolit, që sipas policisë, ishte rreth 200 gramë. Biznesi shërbente si pikë interneti dhe mësohet se pronari i dyqanit nuk ndodhet në Shqipëri. Sipas policisë, ai ka bërë para dy javësh një kallëzim për kërcënim dhe dyshohet se bëhet fjalë për një hakmarrje, pasi ky person ka pasur konflikte në kohën kur ndodhej në Holandë.

 

 

Plagos kunatin me thikë pas grindjes, kapet shqiptari në Itali

 

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një shtetas shqiptar nën akuzë për tentativë vrasjeje të kunatit të tij. Policia italiane ka bërë me dije se ngjarja u shënua mbrëmjen e djeshme në zonën e Santa Maria Kapua Veteres. Armant Budini, 33 vjeç, u arrestua pasi kishte goditur me thikë kunatin e tij, shtetasin me iniciale M. S. Ishte ky i fundit i cili njoftoi policinë për konfliktin që kishte ndodhur mes tyre. Media italiane “Il Mattino”, bën me dije se ngjarja kishte ndodhur pas një grindje për motive të dobëta dhe për një hatërmbetje të kaluar. Dy shqiptarët mësohet se jetonin në të njëjtin pallat, por në kate të ndryshme. I plagosuri u transportua në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia gjeti edhe armën me të cilën ndodhi krimi, një thitë e cila kishte thyer në dy pjesë. Kunati i Armant Budini, mësohet se ka marrë plagë të rëndë në krahun e majtë, pasi thika i kishte hyrë rreth 2 cm. Ndërkohë 33-vjeçari shqiptar akuzohet për tentativë vrasje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency