Biletë / Si kam fyer një njeri

0
112

artan-fuga-INFOCIP1-1Artan Fuga

Nga blloku i kujtimeve

————————–

Ai erdhi në zyrën time.

Ishte i këputur. Me mjekër të rritur. Fytyra e zeshkët nga puna dhe rrahja e diellit. I thinjur. Me trup të ngjeshur, të fortë dhe disi të lakuar. Fizikisht i fuqishëm. Duart e forta si ganxha. Kishte qenë minator, diku në Veri.

I kishin thënë të shkretit se kompetencën për t’ia transferuar vajzën nga një degë tjetër te ne e kisha unë.

E kishin gënjyer ose gabimisht e besonte këtë, kujtonte se diçka në dorë do të kisha edhe unë përderisa “lehja” gjithë ditën nëpër media.

Sipas tij një njeri që del në publik diku do të kishte një mbështetje, në ajër s’mund të qëndronte.

I kisha thënë disa herë të mos merrej me mua se nuk kisha gjë në dorë, por kujt t’i mbushje mendjen se?

A je ti Artan Fuga?

Po, unë jam.

Ça thu mor burrë po e deshe e ti e ban! Më kan thënë do njerëz mu!

Më vinte keq.

Erdhi në zyrë një ditë, futi kokën me ndroje, dhe më tha: E kam një llaf me ty!

Po thuaje o burrë!

Futi duart në xhepin e xhaketës gjithë rrudha dhe shumë të vjetër dhe nxori shuk disa dhjetëra bileta njëmijëlekëshe dhe i hodhi mbi tavolinë.

Ja sa për një kafe! – tha.

Nuk u nxeha, lotë të nxehtë për pak më ranë nga sytë. Ai çfarë nuk do bënte për vajzën e tij.

Mblidhi këto – thashë – sepse me mua nuk ecin.

Por, për një drekë – tha – e di që unë s’kam fytyrë me dreku me ty, por thirr ndonjë mik e haje atë drekë për mu.

Or, mik, futi lekët në xhep, nuk kam në gjë në dorë unë.

Të lutem, baje për mu, kam punu gjithë jetën!

Mirë mblidhi njëherë këto lekët dhe pastaj të sqaroj se përse nuk duhet të shpresosh te unë.

Ec, o burrë, – tha – jam malsor unë – po e bëra diçka nuk e kthej mbrapsht, je tuj më fy.

Mirë – u përgjigja – por kështu po merr edhe gocën në qafë, harroje pas kësaj se e them një fjalë të mirë për ty.

Më pa në sy.

Bëj çfarë të dush – tha – unë nuk koritem.

Më vinte ta përqafoj si mik. Por, nuk e jepja veten.

Mendova atëherë variantin e fundit.

E fyeva. I tregova epërsi, kryelartësi, lartësi.

Ai e kuptoi këtë gjuhë, që në fakt e kisha thjesht artificë.

Shiko, i thash, mblidhi këto se më fyen. Janë shumë pak, unë kam aq shumë lekë sa të blej ty me gjithçka ke, a kupton, nuk më hyjnë në sy fare, unë të blej, a merr vesh. Aq sa ke hedh aty nuk denjoj t’i prek.

Nuk shpresoja se do të kishte efekt, por u gabova.

Reagoi menjëherë.

Më fal – tha – nuk desha me t’fy, por s’kam më tepër. Më fal o burrë, njerëz të thjeshtë ne.

Dhe i mblodhi lekët e i futi në xhep me dhimbje në fytyrë.

Doli jashtë. Dola edhe unë, i hodha dorën në sup dhe e përqafova. Pse nuk duron o burrë? – thashë. Vajza jote ka arsye për t’u pranuar kërkesa e saj. Pse bredh nëpër zyra?

Ai më shikonte me mosbesim. As nuk i cikte në tru se nëpër zyra mund ta pranonin pa një mbështetje financiare. E kishte si pjesë të vetën.

Nuk e di përse.

Kishte qenë i persekutuar.

Kishte qenë minator.

Ishte baba i një vajze.

Ishte malësor.

Jeta e kishte mësuar ndoshta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency