Akuzat e Doshit / PD çon në Prokurori Tahirin dhe Didin: Ministri sillet si shok me të dyshuarit si porositës për vrasje

0
133

Arben_Ristani7mars

Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë kallëzohen për shpërdorim detyre, pengim të zbulimit të së vërtetës dhe e moskallëzim krimi

 

Partia Demokratike ka çuar në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për shpërdorim detyre dhe tentativë për fshehje të së vërtetës. Kallëzimi është dorëzuar dje në Prokurorinë e Përgjithshëm nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani. Partia Demokratike më parë ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, me arsyetimin se ai nuk ka vepruar, edhe pse ishte në dijeni të akuzave të bëra nga Doshi se Kryeparlamentari Meta kishte porositur vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Ristani akuzoi Tahirin se po sillet si shok me bandat kriminale. Ndërkohë, në reagimin e tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpreh se nuk e ka problem të përballet me kallëzimin.

 

Kallëzimi

Partia Demokratike dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për shpërdorim detyre, pengim të zbulimit të së vërtetës e moskallëzim krimi, të gjitha këto në lidhje me skenarin e porositjes së vrasjes së dy deputetëve, ngjarje për të cilën është akuzuar Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. Sipas Partisë Demokratike, “ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë vënë në dijeni për ngjarjen e rëndë dhe për 6 muaj me radhë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ligjor, madje e kanë mbajtur gjithçka të fshehtë. Në një prononcim sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, deklaroi se ministri i Brendshëm po sillet si shok me njerëz që janë të dyshuar se janë porositur për të kryer vrasjen e dy deputetëve. “Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin ndaj ministrit të Brendshëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe për një sërë veprash të tjera, si: pengimi për zbulimin e së vërtetës apo për moskallëzim të krimit. Një zhvillim shumë i shëmtuar me ngjarjen “Doshi” dhe patjetër është një ngjarje e denjë për këtë bandë që kemi në pushtet. Ju e dini që ministri i Brendshëm ka kryer veprimet jo si një shtetar dhe jo ashtu siç një shtetari i takonte të vepronte, por tamam si një shok i bandës, i cili ulet me njerëz me precedentë penalë, me njerëz që dyshohet se janë të porositur për të kryer vrasje, në ambiente zyrtare apo në ambiente jozyrtare. Më pas deklaron në mënyrë të përçartur se është ai që ka bërë hetimet, është ai që ka bërë edhe konkluzionin, është edhe ai që në fund fare jep edhe vendimin”, – deklaroi Ristani.

 

Hetimi

Ashtu si edhe më parë, Partia Demokratike, nëpërmjet Ristanit, u bën thirrje organeve të hetimit që çështjen “Doshi” ta hetojnë pa asnjë ndikim apo presion politik. Referuar kallëzimit, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, kërkon që Prokuroria të vërtetojë se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare. “Lidhur me kallëzimin që ne kemi bërë është e vërtetë që do punë dhe përpjekje, përkushtim dhe cilësi në hetim për të provuar nëse është e vërtetë që kreu i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Por është një hetim formal nga pikëpamja e procedurës që duhet ndjekur për të vazhduar e vërtetuar që ministri i Brendshëm ka shpërdoruar detyrën, ka penguar zbulimin e së vërtetës, nuk ka kallëzuar krimin sipas detyrimit që ka”, – deklaroi për mediat sekretari i përgjithshëm Arben Ristani, pasi kishte dorëzuar kallëzimin penal, duke inkurajuar Prokurorinë që të shmangë presionet politike. “Sigurisht që jo vetëm besojmë në hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje, por edhe e inkurajojmë Prokurorinë e Përgjithshme që të ngrihet në nivelin e duhur, ashtu siç i takon një prokurorie të një vendi demokratik, dhe të shmanget nga presioni, tensionet politike apo interesat politike. Unë besoj se mund ta shmangë”, – deklaroi sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani.

 

 

Thirrje për protestën e së enjtes

PD: Qeveria po luan me jetën e qytetarëve, 3 vetëflijime brenda javës nga padrejtësia‏

 

Partia Demokratike po shpeshton thirrjet për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e planifikuar të së enjtes, më 12 mars. Vendimi për protestën u mor pas akuzave të deputetit Tom Doshi se Kryeparlamentari Meta ka porositur vrasjen e deputetit socialist. Në këtë protestë do të kërkohet dorëheqja e Kryeparlamentarit, por në fokus do të jenë edhe probleme të tjera, që, sipas demokratëve, janë shkaktuar nga keqqeverisja e të majtëve. Partia Demokratike ditën e djeshme akuzoi qeverinë se është shkaktare për vetëflijimin e tre personave javës që kaloi. “Aktet e dëshpëruara të qytetarëve të braktisur nga qeveria janë një akuzë e drejtpërdrejtë për Edi Ramën e Ilir Metës, të cilët janë përfshirë në luftën për pushtet, për influencë, për territore e para. Atyre nuk u intereson jeta e vështirësitë që po hasin çdo ditë shqiptarët. Partia Demokratike dhe qytetarët do të jenë të enjten më 12 mars, e çdo ditë, aty ku duhet, në këmbë, në ballë të protestës, për ta ndalur të keqen”, – deklaroi sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma. “Albana Mataj u vetëvra, pasi u hoq nga puna pa motiv, mësuese prej shumë vitesh në Shkollën Tregtare në Vlorë. Gjovalin Lazri, 53 vjeç, kryefamiljar nga Lezha, u vetëvra, për shkak se nuk përballonte faturën abuzive të energjisë dhe errësirën ku e la qeveria. Dhurata Miho, kryefamiljare nga Novosela, u vetëflijua, sepse komuna e kishte lënë jashtë skemës së përfitimit, edhe pse ajo vuajti pasoja të tmerrshme nga përmbytjet. Për fat të mirë, Dhurata mbijetoi, falë ndërhyrjes së shpejtë të djemve të saj dhe sot po mjekohet në spital”, – tha Duma. Për këto ngjarje Partia Demokratike bën përgjegjës direkt dy drejtuesit e mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta. “Aktet e dëshpëruara të qytetarëve të braktisur nga qeveria, janë një akuzë e drejtpërdrejtë për Edi Ramën e Ilir Metës, të cilët janë përfshirë në luftën për pushtet, për influencë, për territore e para. Atyre nuk u intereson më jeta e vështirësitë që po hasin çdo ditë shqiptarët. Dëshmitë e familjarëve, janë një akuzë e drejtpërdrejtë për Edi Ramën e oligarkinë e tij, për arrogancën e pandjeshmërinë e tyre”, – u shpreh sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency