Rrëfimi i ministrit të Brendshëm/ Shtator 1943, Grushti i shtetit në Tiranë, si e morën qeverinë gjermanët

0

 Grushti i shtetit në Tiranë

Loading...

bundesarciv2Është një periudhë e errët në historinë shqiptare, e pazbardhur, e shpesh ka çuar në debatet më të ashpra midis historiografisë zyrtare e një realiteti të dokumentar përmes arkivave. Bëhet fjalë për vitet ’40-’44, kur kronologjia e kësaj kohe ka mbetur mes zërave kakofonikë, pavarësisht se dëshmitë, dokumentet dhe ngjarjet krijojnë mospërputhje. Për dëshmuesit konsiderohet si periudha më e rrezikuar për fatet e Shqipërisë, që në fakt u dëshmua me vendosjen e regjimit komunist. Ata që e kanë jetuar dhe ata që mbajnë duart larg spekulimeve e konsiderojnë periudhë e “vetëvrasjes së kombit”. Një nga këta dëshmues është Kol Bibë Mirakaj, pjesë e parisë së Pukës, nëpunës, ministër i Brendshëm në qeverinë Bushati më 1943.

Periudhën e jetuar prej tij, i angazhuar, e ka dëshmuar në botimin “Vetëvrasja e një kombi”, botimet “Fiorentina”, shoqëruar me parathënien nga vetë autori. “Vetëvrasje, pse, siç e tregon kronologjia e ngjarjeve, e që do ta provoj me fakte, ka kenë mundësia dhe rrethanat që Shqipnia, me shpëtue pa ra ndër kthetrat e bolshevizimit tiranik. Por, meqë fajin nuk e ka populli, po ata që e gënjyen, që naivisht, i dhanë bishtin spatës, kontribuon vendimtarisht për fitoren e komunizmit në një vend patriarkal, po, në tansinë e tij antikomunist për mënyrë kuptimi, morali dhe jetese e deri për instinkt”, – shkruan Mirakaj në parathënie. Mirakaj shkruan se ndiente nevojën të sillte kujtimet në këtë botim, që brezat të njohin historinë e të mos “gabojë propaganda e gënjeshtarëve që u intereson për të ardhmen”. Mirakaj, siç shkruan, nisi të merrte pjesë në ngjarjet kombëtare qysh në moshën 23 vjeç, me rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kushtetutës. Ka qenë mësues në Iballë, Pukë, vendi ku ka lindur. “E ndjejshëm misionin e mësuesit si mision të shejtë”, – shkruan, duke shpjeguar se si fati i jetës, e jo ndonjë paramendim, e bëri t’i hynte politikës, në vitin 1923. Pushtimi italian e gjeti me përgjegjësi politike, shtetërore. Ka ndershmëri të përkorë në rrëfimin e tij, ashtu dhe në mënyrën se si transmeton ngjarjet dhe kronikat e kohës, si histori dhe politikë. Këtë vëllim që i vjen lexuesit shqiptar në 2014, autori shkruan se e kishte dorëshkrim qysh në vitin 1950. “Ky vëllim nuk asht histori, por kronikë besnike e ngjarjeve për t’i shërbye mendimit të përgjithshëm shqiptar dhe historianëve të ardhshëm”, – shkruan Mirakaj. Ai punoi si ministër nga maj 1943-shtator 1943, pesë muaj. Në gusht të 1943-ës Kol Bibë Mirakaj dha urdhër që të gjithë hebrenjtë të pajiseshin me pasaporta, që të kishin mundësi strehimi në Italinë Jugore, për t’i shmangur nga pushtimi gjerman. Si ministër i Brendshëm në kohën e pushtimit italian, z. Kolë Bibë Mirakaj luftoi vullnetarisht për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe u plagos rëndë në të dyja këmbët. Kolë B. Mirakaj mori pjesë në administratën shtetërore-politike gjatë pushtimit gjerman. Ky moment pasqyrohet në pjesën e mëposhtme të marrë nga libri me dëshmi e kronika të kohës, duke kaluar në anën e rezistencës antikomuniste. Më vonë kaloi në Italia, dhe ishte anëtar i Bllokut Kombëtar Indipendent (BKI) në mërgim. Mirakaj u nda nga jeta në 17 mars të 1968, në Nju Jork. Më poshtë kemi shkëputur nga libri, pjesën ku dëshmohet rënia e Italisë dhe ardhja e gjermanëve dhe përballja e qeverisë shqiptare ku Mirakaj ishte një nga protagonistët për të shmangur gjakderdhjen në shtator të vitit 1943.

  1. M.

 

***

Grushti i shtetit në Tiranë

 Kolë Bibë Mirakaj

Në mbledhjen e mëngjesit të 9 shtatorit 1943, këshilli ministror nën kryesinë e Ekrem Libohovës (kryeministër) vendosi në mbasdrekën e asaj dite të mblidhej, prap, tue ftue të marrin pjesë të gjithë kryeministrat e ministrat e regjimit katërvjeçarë dhe disa personalitete të tjerë, bashkë me kryetarin e Dhomës Legjislative, për të shqyrtue situatën e krijuese e me marrë vendimet e rastit.

Ushtria gjermane kishin fillue të arrijë në Tiranë qyshë natën, ashtu edhe ndër qytete tjera, kuptohej nga kjo ardhje se mbas daljes s’Italisë nga lufta, do të vinte okupacioni ushtarak gjerman.

Ndër këto rrethana e përshtypje, në mbasdrekën e 9 shtatorit u mblodh përsëri Këshilli i i Ministrave me pjesëmarrjen e personaliteteve që u tha: ndër ta, edhe personalitete që nuk kishin marrë pjesë në regjimin katërvjeçar (e kujtoj mirë praninë e Fuat Dibrës, dhe urtësinë e tij ndër gjykime). Qeveria e bani mbledhjes ekspozenë e gjendjes, tue e vue në dijeni se asnjë njoftim nuk i kishte ardhë nga Roma, nëse ndër konditat e armëpushimit kishte hy edhe çështja e Shqipnisë e sigurimi për t’ardhmen, por, tue pas injorua qeveria italiane detyrën me vue në dijeni qeverinë shqiptare, mendohej se Shqipnia, ishte lanë në “fatin” e saj.

Në rastin e tillë, u shpreh mendimi i përgjithshëm: “Se Shqipnia automatikisht, zgjidhej nga vendimet juridike të bashkëpunimit personal me Italinë”, gjithashtu, qeveria do të zgjidhej me betimin ndaj Victor Emanuelit të III.

Qeveria shprehu unanimisht mendimin se situata e re kërkon njerzë të rijë, e prandaj, ishte e mendimit t’ua dorëzojë mandatin një Këshilli Kombëtar edhe ma të gjanë, ose atij Këshilli atypëraty, meqë n’atë gjendje nuk kishte mundësi të baheshin zgjedhje të përgjithshme për Asamble Kushtetuese. Qeveria e deklaroi se duhej të arrihej në marrëveshje me Ballin Kombëtar e përfaqësues të Legalitetit (me që ky i fundit akoma nuk ishte rikrijue), që pushteti të kalohej me Bashkim kombtar, e paqsisht në dorë të një qeverije koalicioni të rrymave nacionaliste e të regjimit.

U vëndos:

1) Personalitetët që ishin në qeveri e jashtë qeverisë, të përpiqeshin të arrinin një marrëveshje me dy partitë (Balli e Legaliteti).

2) Qeverija të vazhdonte funksionin e sajë derisa të arrihej marrëveshja.

3) Kryeministri Libohova të nisej për Romë, me i kërkue skjarime qeverisë Italiane mbi çeshtjen e Shqipnisë, në lidhje me armëpushimin.

Të nesërmën në mëngjes, Ekrem Libohova u nis për Romë, me aeroplan e mbeti i bllokuem në Bari, pa mujtë as me vazhdue udhëtimin as me komunikue me qeverinë e Tij.

Nder këto rrethana filloi menjëherë çarmatimi i ushtrisë italiane nga repartet e pakta gjermane dhe mori fund pa ngjarje. Disa reparte italiane u bashkuen me komunistët në Tiranë, si edhe në zona tjera. Krejtësisht divizjoni i komanduem nga gjeneralët Azzi e Picini, kaloi me komunistët… Kalimi i mjaftë ushtarëve italianë me ta fuqizoi komunistët, sidomos me armë të randa e teknikën e tyne.

Komandanti gjerman, gjenerali Charcaniko, më ftoi me anë të major Lekë Marashit, në mbramjen e datës 9 (parase të fillonte çarmatimi i italianëve) e më deklaroi tekstualisht sa vijon:

“Reich-u Gjerman njeh e respekton autoritetin Shqiptar, e nuk i përzihet qeverisë në punët e mbrëndshme. Njeh indipendencën e sovranitetin e Shqipnisë. Ushtrija gjermane ka ardhë këtu e shtërngueme nga situata e krijueme me tradhëtinë e Italisë, për të mbrojtë frontin e Adriatikut gjatë luftës. Dishrojmë të jemi miqë!”. E falenderova, për deklaratat në favor të Shqipnisë, i fola shkurtimisht mbi përpjekjën e qeverisë, për koalicionin që kam përmendë perpara, dhe mbi planin e luftës kundër komunizmit e armatimin, siç ishte përfundue me Musolinin marrveshja, tue i kërkue ndihmë për zbatim. Më premtoi përkrahje lgalisht. Major Lekë Marashi ishte tue më ndihmue në gjuhë, meqë gjermanishtën e zotnonte ma mirë se unë, dhe ishte shkaktar i atij takimi.

Mbas dy ditësh erdhi një tjetër komandant gjerman, e gjenerali Charcaniko e la Shqipninë. Edhe komandanti i ri gjerman, mori takim me nënkryeministrin Ilias Agushi, të cilit i bani të njajtat deklarata që më pat ba mue gjenerali Charcaniko.

Ngutsija kryesore që kishte qeverija ishte që të mund të arrihej së shpejti një marrëveshje me korrentet tjera nacionaliste që të paraqiteshin të bashkuem një mendimi (kompakt) para komandës gjermane, për të mujtë me marrë në dorzim dépôt e armatimeve italiane, së paku një pjesë të konsiderueshme, për të mundë me zbatue planin e mbrojtjes që asht përmendë. Këtë ma ‘pat premtue gjenerali Charcaniko kundrejt premtimit tim me sigurue qetsinë e mbrëndshme, që mos tu dalin trazime ushtrive gjermane. Por, si u tha, ky gjeneral u transferue nga Shqipnia e mësa kuptova nga zhvillimi i mandejshëm i marrëdhënjeve me gjermanët, shkaku i transferimit të tij kje marrëveshja që bani me mue.

Ministri Neubacher që ishte si Gauleiter i Hitlerit për Ballkanin, me qendër në Beograd, i shtymë nga njerzë t’interesuem e sidomos nga raportet e këshilltarit të Legatës Gjermane në Tiranë “Scheiger, kundër meje, ia behi e erdhi në Tiranë me 11 shtator -sebashku me gjeneralin që mori komandën ushtarake mbas gjeneralit Charcaniko, i vendosun me ndrrue qeverinë e me vue njerzë të besimit të tij, nën influencën e Xhafer Devës, të cilin e pruni me vete.

Mbas bisedimit që zëvëndës-kryeministri Ilias Agushi bani me komandantin e ri gjerman, me 11 shtatuer, u mblodh menjëherë përsëri Këshilli Ministror dhe vendosi që, po kje se, nuk arrihet marrëveshje me korrentet tjera politike, qeveria të mbetet në veprim derisa t’arrijë të plotësohet programi i maposhtëm:

1)         Të ftohen në Tiranë sa ma parë të gjitha personalitetet që kanë marrë pjesë në qeverimin e Shqipnisë, që prej vitit 1912 (e që janë akoma gjallë): Rregjenta, kryeministra e ministra, si edhe dhjetë ministrat e shtetit pa portofol.

Këta përsonalitete të përbajnë bashkë me ministrat në fuqi: KËSHILLIN E JASHTZAKONSHËM TË SHTETIT (Consiglio di emergenza).

2)         Ky Këshillë të marrë funksionin e Asamblesë Kushtetuese të përkohshme, për të promulgue një Statut të përkohshëm nder këto terma:

  1. a) Shkëputjën e marrëdhanjeve që rrjedhin nga “Bashkimi i Kunorave” me Italinë, meqë Italia, në rasën e armëpushimit i ka mungue detyrës ndaj Shqipnisë.
  2. b) Redaktimin e Statutit të përkohshëm ose këthymjën e përkohshme në Statutin e Lushnjes.
  3. c) Zgjedhjen e qeverisë së përkohshme që duhet të mbetet në fuqi derisa të jetë mundësia, e me ba zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese e Referendumin për Institutin e Naltë të Shtetit: Monarki ose Republikë.

3)         Qeverija e tanishme i dorzon mandatin KËSHILLIT TË JASHTZAKONSHËM, që në mbledhjen e parë.

4)         Ky vendim bashkë me një proklamë përkatëse, ti komunikohet popullit me anë të radios e të shtypit.

U përgatitë edhe proklama që skematikisht do ta përshkruej ma vonë. Ju njoftue ky vendim edhe komandës gjermane tue i kërkue lejen me e kumtue me radio, meqë radion e kishte marrë nën kontroll ushtria gjermane. Komandanti gjerman ishte tregue se e pëlqente mendimin e qeverisë, porse i duhej do kohë me e studjue para se t’epte autorizimin për publikimin me radio.

***

Po atë ditë, në mbramje ishte ba një mbledhje e fshehtë në Bashki të Tiranës, në të cilën merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë Orner Fortuzi, nga njerzë të Ballit Kombtar e të tjera rryma, kundërshtarë (të rastit) të qeverisë; njerzë të “1ugës në sahan”.

Kishin bisedue me e rrëzue qeverinë me forcë, atë qeveri që ishte deklarue e gatshme t’ ua dorzojë pushtetin paqsisht, natyrisht, jo kujt ti hudhej trilli sëparit e jo, njerzëve të papërgjegjshëm, po në bazë të një marrveshjes kombtare si asht thanë kjartë ma pare.

Lajmi m’ arrijti edhe mue mbasi ishte shpëmda mbledhja, njëherit u lajmova se prap një mbledhje e tillë, do të bahej të nesërmen në mëngjes në zyrën e kryetarit të Parlamentit, z. Fejzi Alizoti, me pëlqim të tij.

Fejzi Alizotin, e kishte mbajtë qeveria në dijeni për të gjitha vendimet e marruna e kishte marrë edhe Ai pjesë në Këshillin e gjanë të Ministrave, në mbledhjen e datës 9 shtator, që asht përmendë.

Menjëherë lajmërova zëvëndëskryeministrin tue e lutë të shkojë menjëherë tek komandanti gjerman, për tu skjarue se, a kishte gisht në këte manovër komanda gjermane?

Komandanti i deklaroi se nuk kishte dijeni n’atë çeshtje dhe e luti që qeveria të vazhdoi misjonin e vet për të plotsue programin e dijtun, e për të mbajtë rregullin. Mora këtë përgjegje të favorshme, dhe vendosëm që prap të nesërmën n’ora 9 të mblidhej Këshilli Ministror. Menduem se mbas bisedimit të fundit që Agushi pati me komandantin gjerman, ndoshta, mbledhja e dytë e “kundërshtarëve”(!) nuk do të bahej, por dishrueme të ishim të mbledhun për çdo rasë.

Përgjuesi i ngarkuem me vëzhgue ndertesën e Parlamentit, na lajmoi se shumë përsonalitete po shkojshin tek Fejzi beu, e vazhdojshin tue shkue papushim. Tashma, nuk patëm asnjë dyshim që mbas perdes ishte komanda gjermane, e këtë bindje e forcoi edhe prania e gjeneral Mirdatch n’atë mbledhje. Arrijti ora 10.00 (12 shtatuer 1943), kur kishin arrijtë të gjithë ata që ishin ftue n’ atë mbledhje. Ndërkaq bisedohej në Këshillin Ministror, çfarë qendrimi me marrë meqë shihej se manovrat po luheshin me pëlqim të komandës gjermane. Disa ndër Ministrat kjenë topitë dhe propozuen të largohemi në heshtje. Unë ngula kambë me shpëmda mbledhjen ilegale me të mirë ose me të keq. Në vëndimin tim u bashkue menjëherë ministri i drejtësisë, Anton Kosmaçi, me legalitetin e guximin që e karakterizonte e që kërkon burmija në rasa të vështira.

Ajo mbledhje kishte për qellim me e deklarue qeverinë të rrzueme dhe formimin e një Komiteti Ekzekutiv. Kosmaçi, n’arsyetimin e tij që përkrahte tezën time, tha: “Po t’ishte se, qeveria donte ta mbante pushtetin me çdo kusht edhe në këte situatë të re, do të kisha kenë i pari me dhanë dorëheqjen, po meqë qeveria asht tue u përpjekë me ba bashkim kombëtar, dhe në formën ma legale që lejojnë rrethanat me dorzue pushtetin, pranoj vdekjen ma perpara se dezertimin”. Mbasi unë përsëri u deklarova i gatshëm me marrë mbi vete të gjithë përgjegjësinë për aktin e çastit, u vendos atypëraty: “Qeveria ia dorzon pushtetin vetëm koalicionit kombtar, siç asht vendosë e askujt tjetër, pa gjak! Mund ta marrin pa gjak edhe ushtria gjermane tue imponue vullnetin e vet. Ministri i Punëve të Mbrëndshme merr përsipër shpërndamjën e ndalimin e çdo mbledhje ilegale, bashkë me té edhe përgjegjësinë e veprimit të tij”.

Dola nga kryeminstria, mora pesë djelmoça (malokë (!) si unë). Hyna në dhomën e mbledhjes pa i dhanë kohë rojes me lajmue, biseda e tyne u pre!

Zuna vënd në mes të tyne dhe iu drejtova Fejzi Alizotit, që ishte në krye të vendit tue kryesue mbledhjën:

–           Zotni kryetar! Kam ardhë – i thashë- jo si privât, e as si mik e bashkpuntor i derisotëm, po si Ministër i P. Mbrëndshme. U kërkoj shpjegimin se, pse jeni mbledhë dhe çfarë qellimi ka kjo mbledhje (Mbaj mend se ishin në mbledhje edhe Fuat Dibra, Bahri Omari, Omer Nishani, gjeneral Mirdatch, gjeneral Aqif Permeti, e shumë të tjerë që nuk po më kujtohën).

Fejzi Alizoti i turbulluem nga e paprituna, dhe mu përgjegjë se “ishte një mbledhje private patriotësh për të shkembye mendime mbi gjendjen e re, e pa qellim vendimesh”. Ua drejtova fjalën të gjithëve:

–           Jam në dijeni të mbledhjes së mbramëshme në Bashki – u thashë- po, dhe të qellimit që ka kjo mbledhje. Nuk mund të tham me siguri për ju të tjerët, por Kryetari i Dhomës asht mbajtë orë e çast në dijeni të qellimëve e të veprimeve të qeverisë, e ky qellim asht me ia kalue pushtetin legalisht një koalicioni kombtar.

Kryetari i Parlamentit ka marrë pjesë në Këshillin e Jashtzakonshëm të Ministrave, ku merrshin pjesë edhe shumë përsonalitete tjera e patriotë që nuk ishin pjestarë të qeverisë, dhe ka pa kjartë se qeveria dishron me u shkarkue nga barra menjëherë, për t’ua lanë vendin njerzëve të rijë për situatën e re. Ajo mbledhje i ka kërkue qeverisë, dhe ka vendosë të mbetemi në fuqi vetëm derisa t’arrihet një marrëveshje bashkpunimi kombtar me organizatat Balli Kombtar e Legaliteti, për të formue një qeveri koalicioni. Z. Fejzi Alizoti, asht vue në dijeni nga qeveria edhe se Këshilli Ministror ka vendosë që mbrënda dhjetë ditësh prej sotit, të ftohen në mbledhje të jashtzakonshme të gjitha përsonalitetet që kanë qeverisë në Shqipni prej 1912 e këndej, e që akoma rrojnë e kanë mundësinë të vijnë në Tiranë. Kemi përgatitë listën emnore të këtyne veteranëve e kemi gjetë 66 vetë, që mund të marrin pjesë, përveç ministrave të qeverisë në fuqi; ndër ta, edhe disa nga z. Juej. Qeveria e ka mendue se në këtë mënyrë mbledhja do të jetë “de facto”, Asambleja ma reprezentative që ka pasë ndonjëherë Populli Shqiptar.

Asaj Asambleje, qeverija do ti dorzojë mandatin e ajo duhet të emnojë qeverinë e re dhe të dekretojë një Statut të përkohshëm të Shtetit. Këtë program tonin, përsa na ka deklarue, e ka pëlqye edhe komanda ushtarake gjermane.

Ky asht programi i qeverisë!

Zotnijë! Tani jeni në dijeni të gjendjes. U deklaroj edhe njëherë, se qeveria nuk ka as ma të voglën dëshirë të mbajë barrën delikate të pushtetit as për një orë, por nuk mundet ti shmanget (desertojë) detyrës që i ngarkon çasti.

Disa ndër Ju, vërtetë u kam miqë të dashtun e dishëroj të mund tu kem miqë të gjithëve në kuptimin e interesit kombtar në këte kohë të vështirë. U ftoj të bashkëpunojmë të gjithë vllaznisht, për të plotsue programin e ngutshëm që ua tregova.

Mbledhja duhet të shpëmdahet menjëherë në praninë time, dhe mos të tentohet ma me u mbledhë fshehtas. Derën e qeverisë e keni të haptë ju, e kushdo, që ka vullnetin e mirë me zgjidhë problemin e çastit vllaznisht e në dobi të Atdheut. Po të vazhdohën mbledhje të tilla për komplote, qeveria do të marrë masat që kërkon rasti.

Fëtyrat e të pranishëmëve, u ndezën dhe u zbenë.

Heshtje për një çast.

Filloi Fuad Dibra: Zoti Minister, (la preu fjalën gjeneral Mirdach-i)

Gjen. Mirdach: “Ju zotni Ministër më njihni. E dini se jam gjeneral Mirdach, gjerman e mik i Shqipnisë. Unë nuk kam ardhë këtu vetëm me nisiativën time. Jam i ngarkuem nga Komanda gjermane me marrë pjesë në këtë mbledhje. Qendrimi i juej para këtij fakti asht i kotë!”

Unë: (Më kërœj trilli i malokut) “Zotni gjeneral! E dij se keni ma se njëzet vjet që ushqeheni me bukën e Popullit Shqiptar dhe se jeni oficer e nënshtetas shqiptar, prandej, nuk u njoh aspak si gjerman. Nuk u lejoj ma të çelni gojën me folë n’ emën të ushtrisë gjermane. Gjendja e juej juridike nuk ua premton, e mue m’ep të drejtën t’ ua ndaloj. Në rasë të kundërt, jam gati tu vé hekurat nder duer, ose plumb ballit.

Fjalët kanë mbarue! Ju urdhnoj, të shpëmdaheni menjëherë, pëmdryshe, unë veproj që tani!” (U ngrita në kambë, por një gjest miqsuer i fisnikisë së Tij, Fuat Dibra më qetsoi. Respekti i thellë që kam pasë përherë për atë patriot të kulluet më pushtoi. U ula të ndigjoj fjalën e Tij).

Fuad Dibra: “Nuk ishëm në dijeni të këtyne veprimeve të fundit të qeverisë. Nuk gjej zgjidhje ma të pëlqyeshme se atë që paska vendosë qeveria. Mbas këtij skjarimi që na dhatë, e quej të damshëm çdo veprim që të mos jetë në manëveshje me qeverinë. Unë jap fjalën të mos marr pjesë ma në të tilla mbledhje, e jam gati të marr pjesë në mbledhjen e madhe të Rregjentave e Ministrave, siç e paska projektue qeverija!”

Bahri Omari: “Jam krejtësisht solidarë me sa tha z. Fuad beu!”

Sejfi Vllamasi: “Zgjidhje më e mirë se ajo që paska vendosur qeveria, nuk mund të gjëndet”.

Omer Nishani: (i çapërdisun e i ndezun): “Zoti Ministër! (por nuk i la kohë Fuad Dibra, të shqyptojë tjetër fjalë…) Fuad Dibra: “Zoti Omer Nishani! Nuk asht nevoja të zgjatemi ma! Për çdo patriot që i thotë vetes i tillë, shpjegimet që na dha zoti Ministër, janë të mjaftueshme, prandaj, unë me ata që nuk dishrojnë të bëjnë ngatërresa në dam të çashtjes kombëtare, që prej këtij çasti jam përkrah qeverisë!” (dhe u ngrit në kambë për të lanë mbledhjen).

Mbledhja u shpëmda qetësisht.

Këtheva në Kryeministri, u referova gjithshka kolegëve.

Vendosëm ti dërgojmë Drejtorisë së Radios proklamën që kam përmendë, për ta kumtue n’ ora njëzetë, dhe një kopje për njoftim Komandës Ushtarake Gjermane, për të dhanë pëlqimin (nulla osta), me që radio, si tregova, ishte marrë nën kontroll nga ushtrija gjermane.

Iljaz Agushi u ngarkue të shkojë tek komandanti gjerman për ti dorzue kopjen e proklamës dhe me kërkue të autorizohej oficeri censorues me lejue kumtimin. Komandanti gjerman kishte premtue çka u kërkue.

Unë u ngarkova të bisedoj me ministrin fuqiplotë të Gjermanisë, shkëlqesën Martin von Schliep.

E vuna Ministrin Schliep në dijeni të gjendjes, të veprimeve të qeverisë, të komploteve, dhe t’incidentit që pata me gjeneralin Mirdatch. Ju luta, të ndërhyjë pranë Komandës Ushtarake, që të mos përzihet ma ai, me na qitë ngatrresa që patjetër mund të provokojnë gjakderdhje.

I deklarova me theks vendimtar, se qeveria asht e vendosun me e dorzue pushtetin paqsisht, vetëm në njenën nder këto dy kushte:

  1. a) Kuvendit Kombtar të Ministrave.
  2. b) Forcës madhore.

Forca madhore në kët rast asht ushtrija gjermane që ka okupue vendin. Nëse Ju, doni ta rrëzoni qeverinë, mjafton të na jepni zyrtarisht e me shkrim një urdhën se kujt doni t’ua dorzojnë, ose të dërgoni nga një ushtar për çdo ministri për ti pushtue. N’ atë urdhën, o ushtar, na shohim forcën madhore të Reich-ut III, e sigurisht, nuk i vëmë pushkën. Çdo tentativë tjetër përveç këtyne që u thashë, do të lahet me gjak!

Ministri më siguroi se nuk kishte dijeni që të ketë gisht Ushtrija Gjermane n’ ato manovrime, dhe zgjidhjen që kishte zgjedhë qeveria ynë e shihte krejt të drejtë e me vend, dhe se Ai, do ta skjaronte çeshtjen mbrënda dites me Komandën Ushtarake.

Kam edhe sot bindjen se Schliep, nuk kishte gisht as dijeni në ato manovra. Ishte Herr Scheiger, që luente gurtë, padije të Tij. Të njajtat sigurime që më dha mue Ministri, i kishte dhanë edhe Komandanti gjerman Agushit, po edhe fjalën me dhanë urdhën që të kumtohej proklama me anë të radios në ora njëzetë.

N’ ora njëzetë nuk u dha proklama ynë. Thirra z. Agushin në telefon ta pyes per shkakun, por as ai nuk e dinte. Ma vonë më thirri vetë z. Agushi në telefon e më tha : “Komanda gjermane më lajmoi telefonisht se i ka pushtue ministrinat me ushtarët e vet. Nesër paradreke duhet t’ua dorzojmë qeverinë Komitetit Ekzekutiv, qi asht formue nën kryesinë e Ibrahim Biçakut.

Prandej, ti mos del në zyrë pa të njoftue unë. Dorzimi do të bahet në Kryeministri “angrup”, dhe jo, dikaster për dikaster!”

***

Të nesërmën, kah ora dhjetë, ishim mbledhë urgjent në zyrën e Kryeministrit, Komiteti Ekzekutiv e antarët e qeverisë së deratëhershme, banë formalitetin e dorzimit. Ushtarët gjermanë na banë rojën e nderit!

E kështu, mori fund paqësisht “Grushti i Shtetit”.

I deklaruem Komitetit në dispozicion me e vue në dijeni per të gjitha çeshtjet që të kishte nevojë, dhe i ofruem bashkpunimin tonë sinqerisht, e pa asnjë kusht po pat nevojë. Komiteti nuk ndjeu nevojën as të kshillohet fare me né, e filloi veprimin ashtu si ai e kujtoi ma mirë.

Veprimi i parë i Komitetit Ekzekutiv kje: Lirimi i të burgosunëve e të internuemëve nga fushat e përqëndrimit, pa asnjë shoshitje. Kështu, afër 3000 komunistë nder ma aktivët përfituen nga kjo masë, e porsa u liruen morën malet, dhe me ta filloi organizimi i brigatave që deri asokohe ishte kufizue vetëm me briga tën emnore me numër të vogël të Mehmet Shehut, dhe disa çeta

aty-këtu. Lirimi u ba nën sugjerimin se gjoja, të burgosunit politik ishin të gjithë “nacionalistë” kundër okupatorit italian. Përgjegjësi i ri i Ministrisë së P. Mbrëndshme z. Xhafer Deva, vinte rishtas në Shqipni, dhe nuk e njihte gjendjen, u gënjye nga naiviteti i tij e intrigat e të tjerëve ndër të cilët, janë edhe nga “ata”, që sot akoma vazhdojnë të sabotojnë bashkimin antibolshevik të Shqiptarëve në mërgim.

Në të vërtetë, kishte endè një numer të vogël jo komunistë, nder fushat e përqëndrimit, njerzë që ishin zanë me prova subversive. Megjithkëte, me që programi i qeverisë ishte me qëllue vetëm komunistët, disa ditë para kapitullimit t’Italisë, ishte formue një komision i posaçëm pranë Ministrisë së P. Mbrëndshme, për të shoshitë emën për emën të gjithë t’internuemit, dhe ata që rezultojshin jo komunistë, do t’u lirojshin menjëherë. Kjo punë e I komisionit nuk kishte përfundue endè shqyrtimin e plotë individual per sejcilin person, kur ngjau ndryshimi i qeverisë, por kishte mbledhë të gjithë elementët për me cilsue edhe ata pakë vetë që ishin endè atje e mendoheshin për tu lirue, pra, jo ma tepër se 60-70 vetë.

 

Loading...