Dokument-manifest: “Shqipëria, vend strategjik i ISIS-it”

0

Alba Kepi

Loading...

vend strategjik i ISIS-itNjë dokument-manifest i ISIS-it, i zbuluar pak ditë më parë në Itali, i redaktuar në një italishte të përkryer, konfirmon Shqipërinë si pika nevralgjike e terrorizmit islamik në Evropën Lindore. Para të dërguara me dokumente false nga qendra “Western Union” e qytetit të Breshas drejt Shqipërisë, financojnë rekrutimin, adresimin e nisjen e luftëtarëve drejt Sirisë, Libisë e Irakut.

“ISIS zotëron qendra aktive rekrutimesh si në Shqipëri ashtu dhe në Itali!” Ky është pohimi zyrtar i ditëve të fundit, dalë nga prokurori i Përgjithshëm i qytetit të Breshas në Itali, Luigi Maria Dell’Orso. Në një intervistë të publikuar këtë të mërkurë në të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, ai konfirmoi se Shqipëria është pika strategjike e aktivitetit të ISIS-it në Evropë, vendi ku bëhet propagandë, rekrutohen e adresohen persona që më pas nisen për të luftuar në Siri, Irak e Libi. Hetimet janë në rrugë e sipër e supozohet të jenë përfshirë qindra militantë, mes të cilëve me dhjetëra veprojnë në Veriun e Italisë, me kontakte të drejtpërdrejta me qendra në Shqipëri.

Shumë herë është folur për ekzistencën e individëve, të dyshuar si bashkëpunëtorë të ISIS-it, që veprojnë mes Shqipërisë e Italisë, por kësaj here ky konfirmim ka prova të qarta e bindëse. Shkak është gjetja e pak ditëve më parë të një dokumenti-manifest të ISIS-it, redaktuar në një gjuhë italiane të përkryer.

“Ekziston një lidhje, një segment bashkëpunimi mes disa personave, ndaj të cilëve po hetojmë, – shprehet prokurori Dell’Orso. – Kemi verifikuar e po kryejmë hetime të reja duke gjetur lidhjet mes elementëve të dyshuar në të kaluarën e ambienteve të Evropës Lindore e veçanërisht në Shqipëri. Kemi mundur të zbardhim një numër të konsiderueshëm subjektesh të zgjedhur nga kjo propagandë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nisur drejt vendeve ku luftohet”.

Prokurori i Breshas ka siguruar se hetimet po vazhdojnë duke ndjekur nga afër individë të përfshirë në terrorizmin islamik e në lidhje me ambientet shqiptare. Ai konfirmon se Shqipëria është individualizuar si baza e rekrutimeve, adresimeve, organizimeve e integrimin me mënyra të ndryshme të subjekteve në kontakt me personazhe që jetojnë në provincën e Breshas e përreth. “Prokuroria antiterrorrizëm e Breshas, – pohon Dell’Orso, – po punon në mënyrë intensive me autoritetet shqiptare, të cilat konfirmojnë se ekzistojnë rreth 100 persona që merren me rekrutimin, adestrimin e luftëtarëve të ISIS-it, të cilët janë pika referimi për këtë formë fanatizmi fetar. Mjaft kontakte konfirmojnë dyshimet tona e për këtë qëllim hetimet i drejton Prokuroria e Breshas me bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare”.

E pra, jo pa qëllim në mbledhjen e fundit institucionale të mbajtur në Romë për veprimtarinë dhe rrezikshmërinë e kërcënimit nga terrorizmi islamik, koordinator i saj qe pikërisht prokurori Luigi Maria Dell’Orso. Sipas tij, financimi i këtij aktivitetit terrorist kryhet me anë të agjencisë qendrore të “Western Union” të Breshas.

Individualizimi i personave të lidhur me ISIS-in si italianë e shqiptarë është arritur falë dëshmive të bashkëkombësve e qytetarëve të tyre, por dhe falë investigimit klasik të operacioneve financiare të dyshuara.

“Sipas hetimeve tona, – përfundon prokurori i Përgjithshëm, – pjesa më e madhe e operacioneve financiare janë kryer me dokumente false. Lufta kushton shtrenjtë e financimi i saj realizohet përmes riciklimit të parasë e aktivitetit të paligjshëm, e pra për të evidentuar këtë dukuri duhet nisur pikërisht nga këta elementë”.

Dokumenti-manifest i ISIS-it në Itali – “Shteti Islamik, një realitet që ju komunikon”

Në një nga website-t online të xhihadistëve është zbuluar pak ditë më parë një dokument-manifest redaktuar në një italishte të përkryer me titullin “Shteti Islamik, një realitet që ju komunikon”.

Në 64 faqe të këtij dokumenti, ISIS flet në gjuhën italiane e u drejtohet të gjithë qytetarëve të këtij shteti. Janë 13 kapitujt që flasim për tematika të njohura nga propaganda xhihadiste. “Objektivat më të rëndësishme për t’u arritur nga politika e Shtetit Islamik, – lexohet në të, – janë propaganda e koshiencës islamike, korrigjimi i kuptimit të njerëzve mbi fenë islame, sqarimi i së vërtetës”.

Propaganda e këtij dokumenti synon të evidentojë faktin se në vendet dhe territoret e administruara nga ISIS-i, siguria e jetës është mjaft e lartë, falë zbatimit të Sheriatit e rregullave të vendosura nga Allahu. Manifesti këmbëngul në faktin se në këto zona kriminaliteti është ulur në 90%. Gjithashtu nënvizohen fushatat antiduhan, antialkool e “benzinë falas për të gjithë personat në nevojë”.

Me anë të një harte shfaqen të gjitha vendet nën kontrollin direkt të ISIS-it: Algjeria, Nigeria, Çadi, Libia, Egjipti, Arabia Saudite, Jemeni. I pasur në fotografi, grafikë, me intervista të “krerëve të policisë islamike të ISIS-it”, të drejtuesve të bizneseve të rëndësishme si prodhimi i bukës apo kreut të mbrojtjes së konsumatorëve, ky dokument firmoset “vëllai juaj në Allah Mehdi”.

Duke thirrur nën armë të gjithë qytetarët italianë ky dokument shkruan: “Nxitoni myslimanë, me lejen e Allahut ky është Kalifati Islamik që do të pushtojë Kostandinopojën e Romën, siç Muhamedi ka profetizuar… Nxitoni të mbështesni Kalifatin Islamik!”

Dokumenti-manifest është tashmë nën studimin e inteligjencës italiane, të cilët janë të bindur për strategjinë e sofistikuar të propagandës he komunikimit të ISIS-it e me dyshimin e plotë se ky tekst mund të jetë hartuar nga italianë të shndërruar në luftëtarë të Luftës së Shenjtë.

Loading...