Standard.al

Dëshmia te Krimet e Rënda/ Meta: Gati të përballem me Doshin e Berishën. Rama: Shëmtia merr fund, nëse akuza bën detyrën

Gëzim Saliu

Meta pas deshmise Kryeparlamentari: Videon e Tomës si provë e merr vetëm Berisha. Tahiri: Publiku është ngarkuar me këtë rrëmujë, por është koha për të lënë institucionin që të flasë

Në të paktat raste kur drejtuesit më të lartë të shtetit përballen me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka ndodhur dje dhe kjo ka ardhur falë akuzave të deputetit Tom Doshi ndaj Kryeparlamentarit Meta. Në Prokurori u thirrën dje për të dhënë dëshminë Kryeministri Rama, Kryetari i Kuvendit Meta, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputeti Mark Frroku. Për 6 orë gjithsej ata u morën në pyetje lidhur me denoncimin e deputetit Doshi, ku në përfundim të seancës si Meta, Rama ashtu edhe Tahiri e cilësuan çështjen si një farsë. Kryeparlamentari u akuzua drejtpërdrejt nga deputeti Doshi si porositës i vrasjes së tij, u shpreh i gatshëm të ballafaqohej jo vetëm me këtë të fundit, por edhe akuzuesin tjetër të tij, Sali Berisha. “Kam shprehur gatishmërinë time, në rast se Prokuroria do ta çmojë të arsyeshme, të bëj ballafaqim në Prokurori me të dy akuzuesit e mi, me z. Doshi dhe me z. Berisha dhe me të dy së bashku dhe me cilindo tjetër që pretendon se ka prova që mund të implikojnë Ilir Metën në këtë çështje”, – tha Meta. Më tej, kreu i Kuvendit theksoi se videon e Doshit për provë mund ta marrë vetëm ish-kryeministri Berisha e ndërsa vetë deputetin akuzues e cilësoi si antiprovë. “Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm “Doktori” mund ta marrë. Ndërsa Tomën si person besoj se të gjithë e kemi të qartë që përbën më shumë një antiprovë se një provë juridike. Megjithatë, unë jam këtu për të respektuar shtetin ligjor, jam këtu për të dëshmuar gjithçka që di dhe për t’iu nënshtruar hetimit në mënyrën më transparente. Ua kam theksuar disa herë prokurorëve se jam i gatshëm për çdo ballafaqim në Prokurori”. I pyetur lidhur me marrëdhëniet me Tom Doshin pas akuzave të ngritura nga ky i fundit, Meta theksoi: “Nuk kam asnjë raport dhe asnjë shqetësim. Z. Doshi do të respektohet si një në 140 deputetët nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Pastaj, problemet e tij janë problemet e tij me drejtësinë, janë problemet e tij me politikën, këto janë çështje të tjera”. Ndërkaq, lidhur me arsyen se pse artikulohen këto akuza, Meta tha se tashmë ato drejtohen nga ish-kryeministri dhe jo nga Doshi. “Akuzat vijnë nga “Doktori” tani, nuk vijnë më nga Toma, pasi Toma kaloi me “Doktorin”; sepse ju e dini shumë mirë se para një jave kishte problemin e dy drejtoreshave dhe të disa ministrave. Pasi grupi socialist mori vendimin që nuk pranoi shantazhin e tij për drejtoreshat dhe për ministrat, dolën akuzat kundër Ilir Metës dhe tani në krye të këtyre akuzave qëndron “Doktori”, i cili sidoqoftë vazhdon të mbetet i preferuari im”, – pohoi Meta.

 

Rama dhe Tahiri

Ndërkaq, pas marrjes në pyetje nga Prokuroria, Kryeministri Rama tha se kjo histori nuk mund të mbarojë si një film, duke theksuar se organi i akuzës duhet të tregojë vullnet për të zbardhur çështjen. “Uroj që ftesa për të ardhur sot këtu të jetë shprehje e vullnetit të Prokurorisë për ta zbardhur plotësisht të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar. Vetëm hetimi i plotë dhe nxjerrja e përgjegjësive ligjore të kujtdo qoftë mund ta çlirojnë edhe publikun, por edhe politikën. Unë besoj se e gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën, nëse organi akuzës bën me vullnet të plotë detyrën dhe nxjerr fajtorët që duhet të përgjigjen ligjërisht. Kjo histori e shëmtuar nuk mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve s’mund të vazhdojë më tutje nga filmi në film”, – tha Kryeministri. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, i cili qëndroi më shumë se të gjithë në Prokurori gjatë dhënies së dëshmisë, pohoi pas përfundimit të saj se kishte dhënë të gjithë variantin e bërë publik tashmë. “Ia thashë prokurorëve duke shpresuar që kjo që bëj unë, kjo që bëjmë ne të gjithë është ndihma më e madhe, për t’i dhënë kohën dhe mundësinë e duhur prokurorisë të bëjë hetime të plota, dhe të zbardhë gjithçka lidhur me ngjarjen. Mua më vjen shumë keq që publiku është ngarkuar me këtë rrëmujë, por është koha për të lënë institucionin që të flasë”, – deklaroi ministri.

 

 Deklarata e Berishës/ “S’mund të ketë hetim sa Meta të jetë Kryeparlamentar. Sot qesharaku e harroi Shkëlzenin”

Ish-kryeministri i vendit, Berisha, deklaroi dje se ata që dëshmuan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë ata që, sipas tij, fshehën krimin për 6 muaj. Duke theksuar se hetimi nuk mund të ketë shanse për zbardhjen e së vërtetës, nëse Meta nuk jep dorëheqjen, Berisha pohoi se në deklarimin e djeshëm Kryeparlamentari nuk e përmendi më djalin e ish-kryeministrit, për të cilin foli dy ditë më parë në seancën parlamentare. “Sot u paraqitën në Prokurori ata që fshehën dhe bllokuan hetimin për 6 muaj. Paraqitja tek prokurori i Përgjithshëm i të akuzuarit kryesor Ilir Meta në cilësinë e kryetari të Parlamentit dëshmon papërgjegjshmërinë e tij të lartë dhe frikën e tij të tmerrshme nga skenari që ka gatuar dhe përdor postin e rëndësisë së njeriut të dytë më të rëndësishëm të shtetit për të mbrojtur aktet makabre që ka projektuar. Pasi u tha mbrëmë shqiptarëve se nuk a hetim se atë e mbylli Saimir Tahiri, Rama shkoi t’u komunikonte prokurorëve vendimin se Tahiri ka mbyllur hetimin e ju nuk keni ç’të hetoni. Ilir Meta dje harroi Shkëlzenin për të cilin tha se filmoi videon e Dritan Priftit. I thanë mos thuaj më, se e tepruam me këtë gjë. Sot vazhdoi marrëzinë e tij. Ky dritëshkurtër e qesharak beson se do bindë njerëzit se Doshi është konvertuar në demokrat”, – deklaroi Berisha. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se nuk ka asnjë thirrje nga Prokuroria dhe se është i gatshëm të japë dëshminë e tij në çdo kohë. “Berisha nuk është thirrur, nga Prokuroria nuk ka asnjë ftesë. Në çdo rast që Prokuroria ta kërkojë, unë do të paraqitem”. I pyetur nëse do të rrëzohet përmes protestave Kryetari i Kuvendit, Berisha shprehu besim tek mbështetja popullore. “Qytetarët nuk do ta kapërdijnë kurrë këtë. Nëse Ilir Meta paraqitet si Kryetar i Kuvendit, hetimi nuk ka shanse. Opozita nuk kërkon gjë tjetër, veç dorëheqjen, se ai është i akuzuari kryesor”.

 

 Rritet presioni te LSI/ Kërkesa për dorëheqje ndaj kreut të Kuvendit, pas Metës edhe Vasili në sulm ndaj Bashës

Në kushtet kur opozita po këmbëngul që kreu i Kuvendit, Ilir Meta, të japë dorëheqjen nga ky post për t’i dhënë liri hetimit të akuzave të deputetit Tom Doshi, Lëvizja Socialiste për Integrim ka rritur nivelin e sulmeve ndaj kryetarit të PD-së. Duke marrë parasysh edhe protestën që pritet të zhvillohet më 12 mars në shesh kundër Kryeparlamentarit Meta, LSI ka përdorur si strategji sulmin ndaj kryedemokratit. Pas akuzave të Metës pas daljes nga Prokuroria, përmes një konference për shtyp kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, foli dje lidhur me rrugën Durrës-Kukës, duke e cilësuar si një aferë. Vasili i kërkoi Bashës të tërheqë kërkesën për dorëheqje të Metës, sepse, sipas Vasilit, kryetari i opozitës është shembulli më negativ i një politikani në raport me ligjin. “Edhe sot e kësaj dite kreu i PD-së vazhdon të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi dhe si i tillë vazhdon të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin”, – tha Vasili. Duket se aksioni opozitar ndaj Kryeparlamentarit Meta ka rritur së tepërmi tensionin brenda LSI-së, e cila deri më tani është paraqitur në publik si një forcë që kërkon konsensusin mes palëve.

 

Comments are closed.