Atentati/ Rikthehet tritoli në kryeqytet, 200 gr në derën e lokalit

0
108

200 gr tritol në derën e lokalit policiaGjendet tritol i pashpërthyer në prag të derës së qendrës së internetit te “Bërryli”, dyshohet për kërcënim ndaj pronarit. Dy javë më parë bëri kallëzim në polici se ndihej i kërcënuar

Rikthehet tritoli në kryeqytet. Dje paradite është gjetur një kallëp tritoli rreth 200 gramë dhe me 2.5 metra fitil zjarrpërcjellës, gati për të shpërthyer në derën e një qendre internet-kafeje në zonën e “Bërrylit”, në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja ndodhi në rrugën “Sitki Çiço”, përballë maternitetit të ri në zonën e “Bërrylit”, ku lënda eksplozive ishte e vendosur në qendrën e internetit në pronësi të Afrim Domit. Policia bën me dije se alarmi për gjetjen e kësaj bombe është dhënë nga disa kalimtarë të rastit në zonë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe forcat xheniere, të cilat bënë të mundur çaktivizimin e lëndës shpërthyese si dhe nisjen e hetimeve. Burime nga policia bëjnë me dije se vendosja e lëndës eksplozive në derën e internet-kafes është vendosur me qëllim kërcënimin e pronarit të kësaj qendre interneti, Afrim Domit.

 

Ngjarja

Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, në sallën operative të Policisë së Shtetit është lajmëruar se në derën e një internet-kafeje në rrugën “Sitki Çiço”, tek “Bërryli”, është lënë një kallëp tritoli gati për të shpërthyer. Menjëherë pas marrjes së kësaj telefonate në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie dhe xheniere të cilët bënë të mundur evakuimin e njerëzve që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes. Policia e Tiranës ka bërë me dije se në derën e qendrës së internetit është gjetur një kallëp tritoli rreth 200 gramë me 2.5 metër fitil zjarrpërcjellës. Kallëpi është gjetur tek dera, në pjesën e jashtme, në hyrje të qendrës së internetit, në katin e parë të një shtëpie dykatëshe në këtë rrugicë, e cila ndodhet përballë maternitetit të ri. Policia e Tiranës përmes një njoftimi të shkurtër sqaron momentalisht se dyqani është në pronësi të shtetasit Alfred Domi dhe se kallëpi i tritolit me kapsollë detonatori dhe fitil zjarrpërcjellës me gjatësi 2.5 metra ishte lënë në tokë. Forcat antieksploziv të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse dhe më pas kjo e fundit është dërguar në laborator për veprime të mëtejshme hetimore.

 

Hetimet

Hetimet paraprake të policisë dyshojnë se lënda eksplozive është përdorur nga autorët vetëm si kërcënim për Alfred Domin dhe jo për të shpërthyer e për të krijuar dëme materiale apo të lënduar në njerëz, teksa është bllokuar rruga kryesore për qarkullimin e automjeteve. Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka mbledhur të gjitha provat materiale që mund të kenë lënë autorët në vendngjarje, ndërsa pista kryesore që ekspertëve të kriminalistikës është veprimtaria e dyshimtë që mund të ketë pasur jashtë vendit 40-vjeçari Domi. Nga të dhënat e para të hetimeve bëhet e ditur se ka qenë një sasi prej rreth 200 gram lëndë eksplozive me një fitil zjarr përcjellës me gjatësi 2.5 metra. Po të njëjtat burime theksojnë se Domi, i cili ndodhet në Itali, dy javë më parë ka bërë kallëzim në polici pasi ka marrë kërcënime nga njerëz të ndryshëm për hakmarrje. Po ashtu pista hetimore e policisë është e përqendruar edhe tek hakmarrja, për shkak të problemeve në të kaluarën të Alfred Domit në Holandë.

 

Vjedhja e BSH, Bitraj dhe Bruzia kërkojnë gjykim të shkurtuar

 Pranojnë akuzat dhe kërkojnë gjykim të shkurtuar. Në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e djeshme, tre të pandehurit, të cilët akuzohen për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj, nipi i tij Kleves Bejtja dhe e pandehura Mimoza Bruzia, janë paraqitur në Gjykatë, duke shprehur edhe kërkesat e tyre ndaj Gjykatës. Seancën e djeshme u paraqit për herë të parë edhe e pandehura Mimoza Bruzia, duke kërkuar nga Gjykata gjykim të shkurtuar për të vazhduar gjykimin në çështjen që janë aktet në dosje dhe veçim të çështjes së saj nga dy të pandehurit e tjerë. Ndërkohë, edhe dy të pandehurit e tjerë kanë shprehur kërkesat e tyre para trupit gjykues. I pandehuri Ardian Bitraj ashtu si dhe Bruzia kanë kërkuar nga Gjykata që gjykimi i tij të zhvillohet me gjykim të shkurtuar, duke pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, si edhe veçim të çështjes nga dy të pandehurit e tjerë. Ndërsa, nipi i Bitrajt, Kleves Bejtja, ka paraqitur kërkesën në Gjykatë, duke kërkuar që gjykimi i tij të zhvillohej i veçuar nga të pandehurit e tjerë, si dhe duke mos kërkuar gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, nuk ishin të vetmit tre të pandehurit që paraqitën kërkesat e tyre në Gjykatë, por Avokatura e Shtetit dhe dy përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë, të cilët kanë kërkuar nga Gjykata e Tiranës shqyrtimin e padisë civile që ata dorëzuan dy javë më parë ndaj tre të pandehurve. Dy përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësuesi i Avokaturës së Shtetit me padinë civile të dërguar dy javë më parë trupit gjykues, kërkojnë kthimin e shumës së parave të vjedhura në bankë nga tre të pandehurit. Në lidhje me kërkesat e tre të pandehurve dhe përfaqësuesve të Bankës së Shqipërisë, Gjykata e Tiranës se do të shprehet me një vendim seancën e radhë e cila do të zhvillohet më 19 mars. Mimoza Bruzia, Ardian Bitraj dhe nipi i tij Kleves Bejtja akuzohet për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, e cila u zbulua vetëm në muajin korrik të vitit të kaluar.

 

Bllokohen 16 tonë miell i skaduar, arrestohet administratori i firmës

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga ditën e djeshme një 51-vjeçar me detyrë administrator i një kompanie që tregtonte miell, ndërsa mësohet se janë sekuestruar 16 tonë miell i skaduar. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “Ambalazhimi”, është arrestuar Ferit Mana, 51 vjeç, banues në Përrenjas të Elbasanit dhe me detyrë administrator i kompanisë “Mana Fabio”. Sipas policisë arrestimi i tij është kryer pasi gjatë hetimit të kryer ka rezultuar se 51-vjeçari tregtonte produkte me etiketa të dyshuara të falsifikuara. Nga kontrolli i ushtruar në kompaninë “Mana Fabio”, në Përrenjas ku 51-vjeçari ishte administrator u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 tonë miell, i cili dyshohet se është e skaduar. Materialet në ngarkim të 51-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale, fshehja e te ardhurave dhe falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency