“Tom Doshi”/ Basha: Meta të dorëhiqet, Prokuroria dhe Policia të mos ndikohen nga ndërhyrje politike

0
113

Pas mbarimit të seancës së Kuvendit, Basha mbledh Kryesinë, deputetët dhe kryetarët e degëve

luliKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje se kreu i Kuvendit, Ilir Meta, duhet të japë dorëheqje nga posti i kryesimit të Parlamentit, në mënyrë që drejtësia të veprojë paanshmërisht dhe në mënyrë objektive për rastin “Doshi”, kjo është e disa deklaratë të kryeopozitarit, ku theksohet nevoja për dorëheqjen e Kryeparlamentarit si i përfshirë në një porosi për eliminimin fizik të dy deputetëve, socialisti Tom Doshi dhe demokrati Mhill Fufi. “Dorëheqja e Ilir Metës, ndjekja prej tij e procesit të hetimit nga karrigia e një deputeti të thjeshtë, është një parakusht për një hetim të drejtë dhe objektiv të skandalit, të pandikuar nga politika dhe faktorët kriminalë të përfshirë në këtë skandal të paprecedent”, – tha Basha nga selia blu. Ai ripërsëriti edhe një herë se në këtë ngjarje nuk është përfshirë vetëm kreu i Kuvendit, por edhe Kryeministri Rama. “Por siç po e shohin me sy, i madh e i vogël në Shqipëri, dy pushtetet, ekzekutivi i Ramës dhe legjislativi i Metës, e gjithë kupola nën akuzë, janë bërë bllok dhe janë përfshirë në një përpjekje të ethshme për ndikuar e devijuar hetimin dhe për të manipuluar ngjarjen sipas interesave të tyre”, – vijoi kryeopozitari.

 

Basha

Pas përfundimit të seancës plenare, në orët e pasdites kreu i Partisë Demokratike doli me një deklaratë për çështjen “Doshi”. Reagimi i tij u përqendrua në faktin se drejtuesit e mazhorancës me të gjitha mjetet po përpiqen të ndryshojnë ngjarjen. “Rama-Meta, të kapur në ankth nga denoncimi i superdeputetit dhe mikut të tyre për kokë, kanë vënë në lëvizje një makineri lajmesh të rreme dhe spekulimesh me një qëllim: të zhurmojnë dhe mjegullojnë të verbëtën, të frikësojnë organet e drejtësisë. Nuk dua të merrem me përpjekjet e tyre për ta paraqitur si mitoman shokun e ngushtë, deputetin e tyre që deri dje e mbanin si deputetin numër një në Veriun e Shqipërisë. Dua të merrem me fakte, të denoncoj turpet dhe gënjeshtrat e tyre që rrjedhin lumë sa herë hapin gojën. Nuk e kam takuar asnjëherë marrësin e porosisë për të vrarë dy deputetët, thotë drejtori i Policisë Didi. Ministri i Brendshëm e përgënjeshtron. Ka qenë në takim dhe ka mbajtur edhe shënime, pohon ministri”, – deklaroi kreu i opozitës. Kryedemokrati Basha u shpreh edhe për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Mësojmë se gjashtë muaj ka qenë Saimir Tahiri në krye të operacionit të mbajtjes së fshehtë të skenarit për vrasjen e dy deputetëve. Dhe vetëm kur ujërat më te zeza të aferës plasën sheshit, kur deputeti i mazhorancës foli dhe akuzoi në publik, ministri i Brendshëm u shfaq, duke lënë një precedent të turpshëm që do të mbahet mend në histori, si negociator dhe bashkëbisedues i palodhshëm me të akuzuarin për vrasës, me synim mbylljen e pakteve, pazareve dhe bizneseve mes palëve në pushtet”, – tha Basha duke vijuar “pasi është turpëruar publikisht dhe neveritur nga gjithë shqiptarët për rolin kriminal në këtë histori prej gjashtë muajsh, ministri i brendshëm merr certifikimin nga shefi i tij, nga kryeministri, se paska qenë në rregull. Paska qenë në rregull që ka fshehur një krim për gjashtë muaj, paska qenë në rregull që ka shkelur ligjin! Paskan qenë në rregull të dy bashkë që nuk kanë bërë hetime ligjore sapo janë njoftuar për vrasjen me pagesë, po mundohen deri në fund të manipulojnë faktet dhe dëshmitë për të mbrojtur pa skaj Ilir Metën”, – deklaroi Basha. Kreu i opozitës u shpreh se krerët e organeve të hetimit të prokurorisë dhe të policisë të mos ndikohen nga ndërhyrjet politike në procesin e hetimit. “Krerët e organeve të hetimit në Prokurori dhe në Polici kanë detyrimin të mbajnë qëndrim kundër rrjedhjes së paligjshme të informacionit, kundër interferimeve me sajime dhe kundër çdo ndërhyrjeje politike apo kriminale në procesin e hetimit”- tha Basha. Në këtë kontekst ai kërkoi dorëheqjen e kreu të Kuvendit, Ilir meta. “Dorëheqja e Ilir Metës, ndjekja prej tij e procesit të hetimit nga karrigia e një deputeti të thjeshtë, është një parakusht për një hetim të drejtë dhe objektiv të skandalit, të pandikuar nga politika dhe faktorët kriminalë të përfshirë në këtë skandal të paprecedent. Janë Rama dhe Meta autorët e filtrimit në media të informacioneve nga marrja në pyetje e Durim Bamit për këtë çështje. Informacione të tilla, në çfarëdo rrethane, në shtetin ligjor, janë pjesë e sekretit të hetimit, vërtetësia apo sajimi i të cilave mund të konfirmohen sipas ligjit vetëm nga organet e drejtësisë dhe në aulën e drejtësisë”.

 

Mbledhje urgjente/Të enjten opozita në protestë, do të kërkojë dorëheqjen e Metës

Që seanca e djeshme nuk do të ishte e vetmja ku kryefjala e opozitës do të ishte tentativa për vrasje të dy deputetëve e porositur nga Kryeparlamentari, ishte e pritshme. Dje, opozita ndoshta kishte planifikuar një qëndrim më të gjatë në seancën plenare ku kërkohej dorëheqja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, që ky i fundit e ndërpreu rreth orës 13:00, duke ndryshuar tërësisht kërkesat e deputetëve të krahut të opozitës dhe duke kaluar në votimin e disa projektligjeve. Pas mbylljes së seancës së tensionuar, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, ka thirrur në mbledhje urgjente Kryesinë e PD-së, deputetët demokratë dhe kryetarët e degëve të partisë. Në këtë mbledhje, burime të gazetës bënë me dije se u diskutua hapi pasardhës i kësaj seance, ku demokratët kishin planifikuar një qëndrim më të gjatë. Po të njëjtat burime thanë se në këtë mbledhje ishte vendosur që të enjten që vjen, ditë që zhvillohet seanca plenare, deputetët demokratët të mos marrin pjesë në punimet e Parlamentit, por të kërkojnë dorëheqjen e Kryeparlamentarit nëpërmjet protestave. Nisur nga dita e enjte, opozita do të dalë në protesta, ndërsa më shumë detaje do të priten të bëhen në ditët në vijim në mënyrë zyrtare. Gjatë seancës së djeshme demokratët shmangën mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit për të çuar më tej në votim mocionin për shkarkimin e Metës, duke këmbëngulur për dorëheqjen e tij, në kushtet kur nuk kanë 71 votat.

 

Topi: Opozita s’mund të kërkojë dorëheqje pa u verifikuar asnjë akuzë

Kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, ka komentuar ngjarjen e fundit e krijua pas akuzave të deputetit Tom Doshi që e ka akuzuar kreun e Kuvendit Meta si porositës i dy vrasjeve. Por ndryshe nga sa është shprehur opozita, Topi u shpreh se Kryeparlamentari Meta nuk duhet të japë dorëheqja derisa hetimi i kësaj çështje të përfundojë.

Kreu i FRD-së, Bamir Topi, gjatë fjalës së tij ka thënë se PD nuk ka asnjë të drejtë që të kërkojë dorëheqjen e Metës, për aq kohë sa ende nuk ka asnjë akuzë të vërtetuar. Po ashtu sipas ish-presidentit Topi sot Shqipëria ka Kuvendin më pak intelektual që ka pasur ndonjëherë. Ndërkohë, Topi ka akuzuar edhe Berishën, duke thënë se ai është personi më pak i përshtatshëm për të folur rreth pengimit të hetimeve, kur ai vetë ka penguar hetimet për Gërdecin dhe 21 Janarin. “Ky është Parlamenti më pak intelektual që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Vendi dhe qytetarët ndihen të pashpresë dhe të rrezikuar për jetën. Opozita nuk mund të kërkoje dorëheqje ende pa u verifikuar asnjë akuzë për çështjen në fjalë. Berisha sot bëri një autogol me deklaratat e tij. Nuk mund të flasë Berisha për pengim hetimesh kur ishte ai që pengoi hetimet për Gërdecin dhe 21 janarin. Ky është standardi i mendjeve kriminale që kanë sjellë dëmtimin e pushtetit,” – tha Topi. Këtë koment kreu i FRD-së, Topi, e bëri gjatë një aktiviteti zgjedhor në qytetin e Elbasanit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency