Holandezët e suksesshëm dhe dështakë të Milanit

0
117

Holandezët e suksesshëm dhe dështakë të MilanitMilani ka një histori që lidhet shumë me lojtarët holandezë. Disa kanë qenë të famshëm që kanë bërë epokë me skuadrën e “djajve”. Kanë qenë pjesë thelbësore në sukseset që ka arritur Milani i Berluskonit në 20 vitet e fundit, por jo të gjithë kanë qenë të suksesshëm. Ka pasur edhe nga ata që kanë dështuar. Bëhet fjalë për lojtarët e ardhur nga Holanda, që tek Milani nuk kanë qenë të paktë, duke filluar nga treshja e mrekullueshme Gulit-Van Basten-Rajkard, tek zhgënjyesi Klajvert, për të ardhur tek blerja më e fundit e kuqezinjve, Klas-Jan Huntelar, nga i cili pritej shumë, por që nuk ka dha asgjë. Më poshtë vjen edhe renditja e 10 holandezëve, që kanë veshur fanellën e “djallit”. Më i fundit është Sedorf, që tashmë është në rolin e trajnerit dhe që ka ardhur në krye për të shpëtuar anijen milaneze.

 

10) Sedrik Sedorf

Që në fillim duhet thënë se Sedriku asnjëherë nuk arriti në lartësinë e vëllait më të madh, të famshmit Klarens. Shpesh, duke ndjekur Klarensin në akademitë e të rinjve tek Reali dhe Interi, ai u bashkua me Klarensin përsëri në 2006-ën, kësaj here tek Milani. Sidoqoftë, kuqezinjtë nuk i ofruan asnjë favor, pasi Sedrikut i mungonin cilësitë e domosdoshme për të luajtur me një skuadër të madhe. Kështu, ai u huazua tek Savoja 74, që luante për Kampionatin Kombëtar dhe Monza në kategori të ulëta të futbollit italian.

 

9) Uinston Bogard

Nuk është e habitshme se shumë e kanë harruar, madje që ka luajtur ndonjëherë për Milanin. Mbrojtësi qëndroi vetëm gjashtë muaj dhe nuk arriti as një mesatare një ndeshje në muaj, duke u aktivizuar vetëm në tri ndeshje. Kjo performancë e dobët për tashmë 38-vjeçarin, kishte nisur të mjegullohej tek Barcelona dhe Çelsi para se të linte futbollin.

 

8) Edgar Davids

“Pitbulli” u transferua tek Milani, pasi kishte qenë një pjesë e asaj skuadre mbresëlënëse të Ajaksit, dy herë finaliste e Ligës së Kampioneve. Në vitin e parë në Itali ai dështoi, pavarësisht të gjitha premtimeve dhe cilësive të tij. Blerja e dështuar e Milanit kaloi tek Juventusi, duke u kthyer në një sukses atje: për disa vite, tashmë bardhezi, ai u bë një prej mesfushorëve mbrojtës më të mirë të Serisë A.

 

7) Patrik Klajvert

Kaq shumë dhe kaq shpejt: kështu mund të përshkruhet karriera e këtij holandezi. Një tjetër anëtar i skuadrës së Ajaksit të famshëm, në një sezon për Milanin shënoi vetëm gjashtë gola, duke u larguar tek Barcelona për një ecuri më të mirë. Të paktë janë ata që në San Siro ende e kujtojnë emrin e tij. Një dështim i paapelueshëm në Itali.

 

6) Majkëll Rajciger

Si disa prej të tjerëve në këtë listë ai erdhi tek kuqezinjtë nga “Amsterdam Arena” më 1996, por u largua shumë shpejt së andejmi. Dhjetë ndeshje, kaq mundi të jepte ai gjatë një sezoni të mbushur me dëmtime, para se të ribashkohej me ish-trajnerin e tij të dikurshëm tek Ajaksi, Luis van Gal, në krye të Barcelonës, një vit më vonë.

 

5) Jap Stam

Një prej mbrojtësve më të vlerësuar të kohës së tij, Stami pati sukses tek PSV, Mançester Junajtid, Lacio, para se të vinte tek Milani. Qendërmbrojtësi kaloi dy sezone të mira atje, por nuk mundi të ndalte fitoren e Liverpulit në atë finale të dhembshme të Ligës së Kampioneve për kuqezinjtë, më 2005. Mbrojtësi shtatlartë atëherë u rikthye në Eredivisie – kampionati holandez – duke e mbyllur karrierën me Ajaksin.

 

4) Klarens Sedorf

Emri i tij tashmë është i ndërthurur me historinë e klubit kuqezi. Qëkurse erdhi atje nga rivalët bashkëqytetas të Interit, më 2002, ish-organizatori i Realit Madridit dha ndihmesë të madhe për fitimin e titullit kampion të Italisë, dy UEFA Superkupë, një Superkupë të Italisë dhe dy titujve në Ligën e Kampioneve. Këto të fundit i dhanë atij një rekord të veçantë: Sedorfi është i vetmi futbollist që e ka fituar Ligën e Kampioneve me tri skuadra të ndryshme: Ajaksi, Real Madridi dhe Milani. Në moshën 33-vjeçare ai ende ishte një prej futbollistëve bazë të Milanit. Ai ka qenë edhe trajner i kuqezinjve.

 

3) Rud Gulit

Karriera e tij si trajner mund të mos ketë asgjë për t’u dalluar, por Guliti dhuroi shumë nga vetvetja, kur ishte vetë në fushë. I ardhur tek “djalli” nga PSV-ja, Guliti shënoi dy gola në triumfin e klubit në Kupën e Kampioneve më 1988. Sigurisht, pas kohës së nevojshme të përshtatjes së tij në Itali, ai u kthye në sukses të pakrahasueshëm, përkrah bashkështetasve të tij, Van Basten dhe Rajkard; pas një periudhe të shkurtër me fanellën e Sampdorias, ai u rikthye tek Milani për një hark kohor të shkurtër. Aseti i tij më i madh qe loja në disa role, sepse atë e aktivizuan si mbrojtës, mesfushor dhe sulmues në raste të ndryshme.

 

2) Frank Rajkard

Anëtari i dytë i treshes së famshme holandeze të Milanit, aq të shquar në fundvitet 1980 dhe fillimvitet 1990. Arrigo Saki e ktheu nga një mbrojtës në një mesfushor mbrojtës dhe Franku i ndihmoi kuqezinjtë të fitonin një sërë trofesh, përfshirë edhe Kupën e Kampioneve më 1990, kur ai shënoi golin fitues, kundër Benfikës së Lisbonës.

 

1) Marko van Basten

I vlerësuar nga të gjithë si një prej sulmuesve më të kompletuar, jo vetëm të brezit të tij, Van Basteni është një hero i mirëfilltë për tifozët kuqezinj. I blerë më shumë për arsye të mesatares shënuese të tij tek Ajaksi, ai i vazhdoi bëmat e veta edhe me Milanin. Duke shënuar dy gola kundër Steauas së Bukureshtit në finalen e Kupës së Kampioneve më 1989, ai fitoi lavdinë edhe duke shënuar një gol të pabesueshëm me kokë, po atë vit kundër Realit të Madridit, që nga kufiri i 16-metërshit. Në gjashtë sezone me Milanin arritjet e tij janë: tre tituj kampion të Italisë, tri Superkupa të Italisë, dy Kupa Ndërkontinentale, dy Kupa Kampionesh, dy Superkupa Evropiane dhe 125 gola të shënuar. Fatkeqësisht, dëmtimi e shtrëngoi të largohej nga futbolli para se të mbushte 30 vjeç. Po kështu, ai është Futbollisti i FIFA-s në vitin 1992, si dhe tri herë fitues i “Topit të Artë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency