Alarmi për “skenar grek”, shqiptarët tërhoqën 78 milionë euro nga bankat vetëm në dhjetor!

0
141

Ervin Kaduku

tërhoqën 78 milionë euro nga bankat –  Në bazë vjetore, paraja jashtë bankave në 2014-ën është rritur 9.4%, duke u shtuar me 134 milionë euro, rrjedhja më e madhe që nga 2008-ta…

–  INSTAT: Investohet në prodhim, por mbetemi ekonomi shërbimesh

Shqiptarët po përjetojnë një alarm në jetën e tyre të përditshme, që lidhet me mungesën e realizimit të premtimeve për punësim masiv, rritje të mirëqenies, rritje pagash e pensionesh, ulje të TVSH-së për shërbimet bazë, ulje të tarifave për shërbimet shtetërore shëndetësore e arsimore, etj. Realiteti dëshmon për të kundërtën. Por një situatë e tillë po shkakton një “bombë” financiare me pasoja të pallogaritshme, që duhet përballur menjëherë. Kjo situatë të kujton Greqinë e viteve të fundit.

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka shënuar një rritje të lartë në dhjetor 2014, duke u zgjeruar me 5.3% në raport me nëntorin 2014, për të arritur në 217.7 miliardë lekë, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Ndonëse kjo është një tendencë sezonale, e konstatuar gjithnjë në dhjetor, të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është rritja më e madhe që nga viti 2008, kohë kur sistemi bankar vuajti një hemorragji të depozitave për shkak të panikut nga kriza financiare ndërkombëtare.

Në dhjetor 2014, paraja jashtë bankave u rrit në vlerë absolute me rreth 11 miliardë lekë (rreth 78 milionë euro). Në të njëjtin muaj të një viti më parë, dalja mujore ishte vetëm 3.1 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë e ka pranuar që gjatë 2014-ës ka pasur një rritje të fortë të parasë jashtë bankave, jashtë tendencave sezonale.

Me bazë vjetore, paraja jashtë bankave në 2014-ën është rritur me 9.4%, duke u shtuar në vlerë absolute me 18.7 miliardë lekë, apo 134 milionë euro, rrjedhja më e madhe që nga 2008-ta. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.2%, apo rreth 6 miliardë lekë, pra tre herë më i ulët.

Ulja e ndjeshme e normave të interesit të depozitave vlerësohet si një nga arsyet kryesore që ka shkaktuar këtë tendencë.

Norma mesatare e interesit të depozitave 12-mujore është aktualisht rreth 1.5%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar politikën lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë 13 herë që nga shtatori 2011, për ta zbritur aktualisht në 2%.

Kjo dalje e fortë e parasë jashtë bankave ka nxitur dhe rritjen e kreditimit informal.

Ekonomia shqiptare e gjeneron shumicën e vlerës së shtuar në shërbime, por, investimet shkojnë në shumicë për sektorët prodhues. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, 57% e investimeve vjetore të sektorit privat shkojnë në degët e prodhimit të të mirave materiale, ndërsa 43% shkojnë në sektorët e shërbimeve. Të dhënat e Instat mbështeten në informacionin e mbledhur nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve për vitin 2013, ku bizneset deklaruan gjithsej investime në vlerën e afro 163 miliardë lekëve.

Brenda grupit të industrive, vërehet një shpërndarje pothuajse e barabartë e investimeve në degët kryesore, që janë industria nxjerrëse, ajo përpunuese dhe energjetika. Ndonëse në vlerë prodhimi dhe punësim industria përpunuese ka një peshë më të lartë, industria nxjerrëse dhe energjia, degë që mbështeten në shfrytëzimin e burimeve natyrore, kërkojnë investime më të mëdha dhe më të vazhdueshme në kohë.

Mes degëve të shërbimeve, investimet janë të përqendruara te transport­telekomunikacionet dhe tregtia. Në degën e transport­komunikacioneve, investimet prekën vlerën e mbi 27 miliardë lekëve dhe janë mjaft të larta në raport me peshën e sektorit në ekonomi.

Qëllimi i investimeve është i ndryshëm për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Për shembull, në energjetikë investimet shkojnë në pjesën dërrmuese për ndërtime inxhinierike. Në industrinë nxjerrëse apo në telekomunikacione investimet destonohen sidomos për makineri dhe pajisje teknologjike.

 

Çmimet

Në tremujorin e katërt të vitit 2014, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 102% kundrejt vitit 2010. (Viti 2010 = 100). Në tremujorin e katërt 2014 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është -1.3%. Uljen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionet: “Industri nxjerrëse” me 5.6% dhe “Industri përpunuese” me 0.7%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 0.3%. Çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan ulje me 2.1%. Në tremujorin e katërt 2014 ndryshimi tremujor i indeksit është -1.1%. Çmimet e Prodhimit në seksionin ”Industri Nxjerrëse” shënuan ulje me 5.6% krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 7.9%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve të industrisë përpunuese shënoi ulje me 0.1%. Brenda kësaj industrie mund të përmendet ulja e çmimeve të produkteve në aktivitetet: “Prodhimi i lëkurës” me 1.9%,”Prodhimi i produkteve të duhanit” me 1.7% dhe “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 1%. Ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetet: “Metalurgjia” dhe “Përpunimi i produkteve ushqimore” shënuan rritje respektivisht 0.8% dhe 1.4%.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 100.7% duke shënuar një ulje me 1.7% krahasuar me tremujorin e tretë 2014 (Viti 2010 = 100).Vlen të përmendet ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin ”Industri Nxjerrëse” me 6.1% dhe “Industri përpunuese” me 0.8%. Indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 104.5% duke shënuar një rritje me 0.3% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje në seksionin “Industri përpunuese” me 0.5%. Brenda saj mund të përmendet rritja e çmimeve të produkteve në aktivitetin “Prodhimi i produkteve ushqimore” me 0.8%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency