Publikohet projektligji/ Hyrja në universitet, me mesatare, kushtet për studimet master

0
187

Hyrja në universitet, me mesatare,“Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave”

Ministria e Arsimit ka prezantuar ditën e djeshme projektligjin për arsimin e lartë. Sipas ndryshimeve në ligj institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të akredituara të studimeve, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite, në përputhje me Sistemin Evropian të Transferimit të Krediteve (ECTS). Sasia normale e krediteve të grumbulluara gjatë një viti akademik nga një student është 60 kredite. Programet e studimeve hartohen nga njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë dhe miratohen në senatet e tyre akademike. Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë. Institucionet e arsimit të lartë shpallin publikisht programet e hapura dhe ato të akredituara të studimeve, para fillimit të aplikimeve për pranimin e studentëve.

 

Programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë

Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe studimi në cikle të ndryshme në varësi të llojit të institucionit, si dhe programe me karakter profesional dhe programe të formimit të vazhduar në fushat ku ato plotësojnë kriteret dhe përmbushin standardet shtetërore. Programet e studimit të ciklit të parë dhe të dytë, si dhe ato të formimit të vazhduar duhet të përmbajnë elementët e mëposhtëm: a) të dhëna të përgjithshme mbi programin, formën dhe objektivat kryesorë, planin mësimor të tij, të shoqëruar me kreditet korresponduese të detyrimeve të planifikuara për atë program; b) kushtet e pranimit dhe kriteret e përzgjedhjes; c) metodat e vlerësimit të studentëve; ç) kushtet për njohjen dhe transferimin e krediteve të formimit ndërmjet programeve të ndryshme të studimit që ofrohen nga i njëjti institucion i arsimit të lartë apo institucione të ndryshme të arsimit të lartë.

 

Programet e studimit me karakter profesional

Institucionet e arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi me karakter profesional, pas arsimit të mesëm, me 60 ose 120 kredite formimi. Kohëzgjatja e tyre normale është një ose dy vite akademike dhe në përfundim lëshohet respektivisht “Certifikatë Profesionale” ose “Diplomë Profesionale” në fushën e arsimimit të kryer. Kreditet e grumbulluara gjatë studimeve profesionale mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, sipas kritereve të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.

 

Programet e ciklit të parë të studimeve

Programet e ciklit të parë të studimit organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

 

Pranimi në ciklin e parë të studimeve

Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.

 

 Programet e ciklit të dytë të studimeve

Cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional”.Programet e studimit “Master i Shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, teorike si edhe me trajnim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në dy forma: a) programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike; b) programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Këshilli i Ministrave përcakton fusha të tjera në të cilat mund të ofrohen programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë. Studimet e ciklit të dytë “Master i Shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i Shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Programet e studimeve “Master Profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit akademik. Studimet e ciklit të dytë “Master Profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

 

Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve

Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të institucionit të arsimit të lartë ku ata aplikojnë. Kriteret e pranimit të kandidatëve në programet e ciklit të dytë të studimeve përcaktohen nga njësia bazë ofruese e programit. Bëjnë përjashtim nga ky rregull programet e integruara të studimit. Kriteret bëhen publike nga njësia kryesore dhe QShA. Institucionet e arsimit të lartë mund të njohin kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i Shkencave”. Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në QShA listën e studentëve të regjistruar.

 

Programet e ciklit të tretë të studimeve

Cikli i tretë i studimeve përfshin programet e studimeve “Master Ekzekutiv”, programet e studimeve specializuese afatgjata si dhe studimet e doktoratës. Programet e studimeve “Master Ekzekutiv” ofrojnë arsimim të një niveli të lartë shkencor dhe profesional. Ato kanë kohëzgjatje normale një ose dy vite akademike dhe organizohen përkatësisht me 60 ose 120 kredite. Ato përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diploma “Master Ekzekutiv” në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta. Ato zgjasin jo më pak se dy vite akademike dhe organizohen me jo më pak se 120 kredite. Ato përmbyllen me provim formimi ose me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet “Diplomë specializimi” me titullin e fushës përkatëse të studimeve. Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tre vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoraturës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin kritere për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.

 

 Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve

Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën “Master i Shkencave” dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Kriteret e pranimit në programet e ciklit të tretë përcaktohen nga njësitë bazë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë. Këto kritere bëhen publike nga IAL dhe i përcillen QShA-së, si dhe Ministrisë përgjegjëse për arsimin. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht), e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Lista e studentëve fitues dërgohet në QSHA-së, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji. Lista e të diplomuarve në programet e ciklit të tretë përcillet nga institucioni i arsimit të lartë në ministrinë përgjegjëse për t’u pasqyruar në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë.

 

Studimet e doktoratës

Institucionet e arsimit të lartë që përmbushin kriteret për të ofruar studime të doktoratës, hartojnë projekte kërkimore-shkencore dhe zhvillimi. Ato aplikojnë për financim pranë AKKSh apo institucioneve të tjera financuese. Studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë, ose me kohë të pjesshme në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet. Drejtuesit shkencorë të doktorantëve duhet të kenë titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar” dhe mund të udhëheqin, respektivisht, jo më shumë se gjashtë dhe jo më shumë se katër doktorantë në të njëjtën kohë. Ky numër përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik i kategorisë “Profesor” ndjek në institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar.

 

 Programet e studimit në fushën e mësuesisë

Programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor organizohen në dy cikle: a. program i ciklit të parë Bachelor, në varësi të drejtimit të zgjedhur si mësues të arsimit parashkollor ose fillor, i cili formon ndihmës- mësues. b. program i ciklit të dytë Master Profesional me 60 kredite, i cili formon mësues të arsimit parashkollor. c. program i ciklit të dytë Master Shkencor me 120 kredite, i cili formon mësues të arsimit fillor. programet e studimit në fushën e mësuesisë të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë organizohen si programe të ciklit të dytë të studimeve Master i Shkencave në Mësuesi në fushën e formimit të shkencës përkatëse me 120 kredite, i cili formon mësues të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë. Programet e ciklit të dytë të studimit në fushën e mësuesisë duhet të përmbajnë 25% të krediteve në shërbim të formimit të përgjithshëm psiko-pedagogjik. Programet e ciklit të dytë të studimit, që formojnë mësues të së njëjtës fushë të mësuesisë duhet të kenë së paku 80 % të kurrikulës me përmbajtje të njëjtë.

 

Programet e studimit në fushën e arteve dhe sporteve

Forma e organizimit të studimeve, pranimi i studentëve dhe financimi në institucionet e arsimit të lartë me status të veçantë që ofrojnë programe studimi në fushën e arteve dhe të sporteve realizohet në përputhje me këtë ligj dhe specifikat përkatëse të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë përgjegjëse për arsimin.

 

Lëshimi i diplomave, certifikatave dhe suplementi i diplomës

Në përfundim të programit të studimit, studenti pajiset me diplomën ose certifikatën përkatëse. Elementët përbërës dhe forma e diplomës përcaktohen nga ministria përgjegjëse për arsimin. Diplomat, që lëshohen në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, të ciklit të dytë si edhe ato të Master Ekzekutiv të ciklit të tretë shoqërohen me suplementin e diplomës. Çdo formë diplome dhe certifikate, përpara se të lëshohet nga institucioni i arsimit të lartë, regjistrohet në regjistrin shtetëror të diplomave dhe certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, që mbahet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit. Institucionet e arsimit të lartë nuk mund të lëshojnë dublikatë diplome, por mund të lëshojnë dokument të barasvlershëm me diplomën në formën e vërtetimit, i cili duhet të përmbajë emrin e institucionit që ka lëshuar diplomën, datën e lëshimit të saj, ciklin dhe programin e studimit. Suplementi i Diplomës hartohet në përputhje me kërkesat e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Ai përshkruan në veçanti, natyrën, nivelin, përmbajtjen dhe rezultatet e studimeve, që janë kryer nga mbajtësi i diplomës. Përmbajtja dhe forma e Suplementit të Diplomës përcaktohen në statutin e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me udhëzimet e ministrisë përgjegjëse.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency