Kryetari i Kuvendit firmos mocionin ndaj tij/ Çfarë do të ndodhë sot në Parlament, do të shkarkohet Meta?

0
106

Kryetari i Kuvendit firmos mocionin ndaj tijKryeparlamentari firmos mocionin e Partisë Demokratike për shkarkimin e tij. Debate dhe votim i fshehtë nga deputetët

Partia Demokratike para dy ditësh dorëzoi një mocion me firmat e deputetëve me kërkesën për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta nga kryesimi i Parlamentit, pas përfshirjes së emrit të tij në tentativën për vrasjen e dy deputetëve, socialist Tom Doshi dhe demokrati Mhill Fufi. Edhe pse pritej, që këtë mocion ndaj tij Meta të mos e firmoste për debat dhe votim në Parlament, dje në orët e mbrëmjes kreu i Kuvendit ka firmosur kërkesën për shkarkimin e tij. Se çfarë do të ndodhë, është e paparashikueshme; deputetët do të vendosin ose që Meta të largohet nga kryesimi i Kuvendit dhe të jetë vetëm kryetar i partisë së tij, Lëvizja Socialiste për Integrim ose të qëndrojë në postin e kreut të Parlamentit. Janë opsione të tjera që mund të qëndrojë: është largimi i Ilir Metës nga kryesimi i Kuvendit për në kohë të caktuar deri sa ngjarja të sqarohet, pasi nisur edhe nga dëshmia që ka dhënë dëshmitari kyç i kësaj ngjarjeje, ka kontradikta. Dëshmitari, porositësi që do të eliminonte dy deputetët, fillimisht ka deklaruar se ai ka marrë porosi për të kryer vrasjen e Doshit të Fufit dhe një ditë më vonë, ka deklaruar se e gjithë ngjarja është e fabrikuar, planifikuar, inskenuar nga vetë deputeti socialist, që denoncoi ngjarjen. Ky mund të jetë pika që mund të mbrojë sot kreun e Kuvendit, ILir Meta. Një tjetër pikë është deklarata e kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, që ia “hodhi topin” ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai ka paralajmëruar për një video që do të shfaqet sot në seancën parlamentare ku do të dëshmohet se Meta nuk është i implikuar aspak në këtë ngjarje, por i implikuari i vërtetë është ish-kryeministri Sali Berisha. Braho shprehimisht tha: “Prit Doktor, kam surpriza për ty të enjten”. Ndërsa vetë Berisha ka mohuar të ketë lidhje me këtë ngjarje dhe është shprehur se mazhoranca, të përfshirët në këtë ngjarje janë duke manipuluar për të ndryshuar të vërtetën. Se çfarë mund të ndodhë, nuk është e sigurt. Dihet që deputetët në mënyrë të fshehtë do të votojnë për shkarkimin e Metës, kërkesë kjo e dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit para dy ditësh. Kreu i grupit parlament i PD-së, u shpreh skeptik, por shtoi se asnjë herë nuk i dihet se çfarë do të ndodh kur bëhet fjalë për votim të fshehtë. Ajo që është e sigurt është se seanca e sotme parlamentare do të jetë e tensionuar dhe do të karakterizohet nga debate të ashpra. Ajo do të nis me interpelancën me Kryeministrin Rama që i është kërkuar nga PD-ja informacione lidhur me dhunën e policisë së shtetit ndaj studentëve të mjekësisë.

 

Presidenti dhe ambasadori amerikan, 30 minuta takim në Presidencë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, zhvilloi një takim në ambientet e Presidencës me kreun e shtetit Bujar Nishani. Takimi mes tyre zgjati rreth 30 minuta, ndërsa biseda mes tyre nuk u bë e ditur për opinionin. Dyshimet janë se ata kanë biseduar për ngjarjen e fundit ku zyrtarë të lartë të shteti janë përfshirë në veprime krimi. Vetëm një ditë më parë, ambasadori Lu zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe shefen e delegacionit të BE-së Romana Vlahutin.  

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency