Kontradikta e ministrit të Brendshëm/ PD i kërkon Tahirit dorëheqjen: Është implikuar direkt, ministri bën pazare me vrasjet e komplotet

0
112

Erneta Shevroja

 Arben-Ristani4mars“Ndërkohë që ministri i Brendshëm fshihte krimin, padrinot Rama dhe Meta tentonin të vendosnin paqe mes tyre”

Partia Demokratike i kërkoi dje Saimir Tahirit të japë dorëheqjen nga Ministria e Brendshme si i implikuar drejtpërdrejt në ngjarjen e fundit, ku i akuzuar si porositës për vrasje është kreu i Kuvendit Ilir Meta. Në një reagim pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, u shpreh se Tahiri gënjeu në fjalimin e tij për mediat. “Ministri i Brendshëm keqpërdori sot zyrën publike, duke lëshuar një lumë thashethemesh rreth çështjes më të mprehtë publike, për akuzën ndaj Kryetarit të Kuvendit si porositës i vrasjes së dy deputetëve. Qytetarët u tronditën edhe më shumë sot kur panë se ministri Tahiri është i përfshirë në këtë skenar mafioz dhe gjendet në atë detyrë për t’u shërbyer deri në fund interesave kriminale të dyshes Rama-Meta. Megjithëse përgojoi për 30 minuta se kush ulej në tavolinë me kë, dhe cilin restorant frekuentojnë njerëzit, sërish Tahiri ra në kontradikta të mëdha”, – tha Ristani. Kontradikta është në faktin se drejtori i Përgjithshëm, Artan Didi, deklaroi se nuk kishte asnjë informacion lidhur me deklaratën e deputetit socialist, ndërsa ministri është shprehur se ai vetë ka shkuar në zyrën e tij dhe ka rrëfyer ngjarjen. “Fillimisht ai përgënjeshtroi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Artan Didi ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur informacion rreth kësaj ngjarjeje dhe se nuk ka takuar askënd, asnjë personazh të kësaj historie kriminale. Por shefi i tij, Saimir Tahiri, tha sot se drejtori i Përgjithshëm i Policisë është gënjeshtar, pasi ai e ka takuar personin e dyshuar si atentator, e që ka marrë porosinë për të vrarë dy deputetët”, – deklaroi sekretari i përgjithshëm i PD-së. Në deklaratën e tij ministri Tahiri tha se ai është marrë privatisht me çështjen “Doshi”, ndërkohë në 6 muaj nuk u ndërmor asnjë veprim ligjor ndaj porositësit për vrasjen e dy deputetëve. “Ministri i Brendshëm pranoi sot se është marrë privatisht me këtë ngjarje, pasi ka bërë takime informale me personin që dyshohet si atentatori i paguar, madje edhe në shtëpi plazhi. Po sa herë e ka takuar ministri të dyshuarin për vrasje të mbetur në tentativë? A e ka takuar ndonjëherë Saimir Tahiri atentatorin, në prani të Emiliano Shullazit? Ministri i Brendshëm nuk thotë asgjë, se përse prej 6 muajsh nuk u mor asnjë masë, asnjë veprim konkret për këtë ngjarje të rëndë, por papritur të gjitha zhvillimet ndodhën në dy ditët e fundit, pasi deputeti doli e akuzoi publikisht Kryetarin e Kuvendit si vrasës e Kryeministrin si dëshmitar në vrasje”, – u shpreh Ristani.

 

Çfarë fshihet pas mosveprimit

Sipas arsyetimeve të Partisë Demokratike, pas mosndalimit të personit të porositur, Durim Bami, qëndrojnë negociata dhe pakte për mosnxjerren e ngjarjes së rëndë. “Pse u prit 6 muaj për të ardhur deri tek ndalimi i personit të dyshuar, iu dha kohë paktit politik rregullimit të hesapeve mes grupeve rivale në qeveri dhe kur të gjitha negociatat dështuan, u kthyen tek ligji. 6 muaj më parë, ishin të njëjtat rrethana si sot, asgjë nuk ka ndryshuar. Por vetëm sot është arrestuar i dyshuari si atentator i paguar për vrasje të mbetur në tentativë. Si ka mundësi, që ai nuk u arrestua 6 muaj më parë. Pse ministri i Brendshëm takohet disa herë privatisht me një person që akuzohet si vrasës. Çfarë negociatash ka bërë me të? Si mund ta luajë këtë lojë të pështirë politike një ministër i Brendshëm?”, – deklaroi Ristani. Në këtë kontekst, Partia Demokratike i kërkoi ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri të japë dorëheqjen me argumentin se Tahiri është një drejtues Ministrie Rendi që bën pazare me vrasjet dhe komplotet kriminale. Sipas Ristanit, Tahiri është i përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjen që ka tronditur opinionin publik. “Mbarë publiku, mbarë qytetarët kanë parë me zë e me figurë sot se Saimir Tahiri është një ministër rendi që bën pazare me vrasjet e komplotet, e kur paktet dështojnë, e kur bomba u shpërthen në duar, atëherë del e lëshon mjegull sërish duke penguar zbardhjen e ngjarjes”, – tha numri dy i Partisë Demokratike, ndërsa vijoi se “ky është një implikim i drejtpërdrejtë i ministrit të Brendshëm në këtë histori kriminale”. Kjo ishte një ngjarje e planifikuar, – tha Ristani, – pasi pas mosverpimit të ministrit Tahiri, Rama dhe Meta po tentonin të zgjidhnin ngjarjen në mënyra të tjera. “Ndërkohë që ministri i Brendshëm fshihte krimin, padrinot Rama dhe Meta tentonin të vendosnin paqe mes tyre”, – reagoi sekretari i përgjithshëm i PD-së.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency