Vendimi/ Vrasja e Lamajt, eksperimenti “fundos” alibinë e Frrokut

0
145

Arben FrrokuGjyqi ndaj Arben Frrokut, pranohet si provë eksperimenti, Frroku: Vërtetoni tabulatet telefonike dhe kamerat e sigurisë. Avokati, kundër vendimit

Eksperimenti për të përshkruar rrugën nga Tirana në Kapshticë, për të cilën dyshohet se ka kryer i pandehuri Arben Frroku pasditen e 24 shkurtit 2013, u kërkua nga vetë ai. Prokuroria nuk ishte dakord me këtë eksperiment, por mbrojtja këmbënguli se kishte të drejtën për të provuar se ishte i pafajshëm dhe se në momentin e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, klienti i tij ka qenë në Elbasan, duke udhëtuar drejt Selanikut. Gjykata vendosi në favor të mbrojtjes, duke pranuar të bëhej eksperimenti në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë dhe me të njëjtat kushte. Pas përfundimit doli se Arben Frroku kishte gënjyer dhe se deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia se e kishte parë Frrokun në vendin e krimit atë mbrëmje qëndrojnë. Këto deklarata u forcuan edhe nga bashkëshortja e tij.

 

Vendimi

Dje rreth orës 15:00 u mbajt një seancë e posaçme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku palët paraprakisht u dëgjuan lidhur me pretendimet pro dhe kundër për eksperimentin, e drejtuar nga gjyqtari Dritan Hallunaj dhe ndjekur nga pas nga avokatët dhe dy prokurorë. Në fund Gjykata e Krimeve të Rënda pranon të merrte si provë, duke e bërë pjesë të fashikullit të gjykimit ndaj Arben Frrokut, eksperimentin kohor, udhëtimin nga ku u vra Dritan Lamaj muajin shkurt të vitit 2013 deri në pikën kufitare të Kapshticës. Ky eksperiment u realizua më 24 shkurt, kur në orën 18:28 minuta automjeti i përcaktuar nga Gjykata u nis drejt Kapshticës dhe mbërriti atje pas 2 orësh e 46 minutash. Në seancën e djeshme, të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dyer të mbyllura, ka qenë e pranishme pala mbrojtëse e të akuzuarit Arben Frrokut, vetë i pandehuri dhe organi i akuzës. Mësohet se me rezultatet e dala nga ky eksperiment kohor nuk ka qenë dakord pala mbrojtëse e Frrokut e përfaqësuar nga avokati Genc Gjokutaj. Ky i fundit mësohet se i ka bërë kërkesë Gjykatës që eksperimenti i kryer më 24 shkurt të mos pranohej si provë. Avokati Genci Gjokutaj kërkoi nga Gjykata të rrëzohej eksperimenti, pasi, sipas tij, gjithçka është kryer në kundërshtime ligjore dhe më 24 shkurt nuk është bërë eksperiment, por një operacion policor. Gjokutaj u shpreh se gjatë përshkrimit të aksit drejt Kapshticës, mjeti i përzgjedhur nga Gjykata ka ecur me 160-170 km në orë dhe se shoferët e vendosur nga Gjykata mbanin veshur fanella policie, me qëllim që të mos hasnin pengesa rrugës nga ana e strukturave të Policisë Rrugore, teksa ishin duke ecur me një shpejtësi marramendëse. Por këto pretendime u rrëzuan nga prokurori Anton Martini, i cili deklaroi se shpejtësia mesatare e mjetit s’i ka kaluar 70 km në orë dhe se eksperimenti kohor duhej të merrej si provë në fashikullin e gjykimit të të pandehurit, pasi, sipas akuzës, tregon se Frroku ka pasur kohë të mjaftueshme për të vrarë kryekomisarin Dritan Lamaj e më pas të largohej në Kapshticë. Ndërkohë, pasi dëgjoi të dyja palët, Gjykata u tërhoq për të marrë një vendim në lidhje me kërkesën e mbrojtjes. Eksperimenti kohor është pranuar ndërkohë nga Gjykata si provë në fashikullin e dosjes së gjykimit, duke mos pranuar kërkesën e avokatit të Frrokut.

 

Frroku: Vërtetoni tabulatet telefonike

I bindur se nuk është ai autor i vrasjes së ish-kryekomisarit të Kombinatit, i pandehuri Arben Frroku që prej më shumë se dy vjet qëndron pas hekurave, deklaroi në seancë se duhet të vërtetohen tabulatet telefonike dhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat, sipas tij, tregojnë vendndodhjen e tij të saktë se ku ai ka qenë natën e vrasjes së Lamajt. Vetë Frroku, me plot bindjen, pretendon se momentin kur është vrarë kryekomisari ka qenë në Elbasan, duke udhëtuar për në pikën kufitare të Kapshticës, pasi do të shkonte në Greqi për të takuar disa miq të tij. Sipas tij, nëse Prokuroria dhe Gjykata do të provojnë shkencërisht me pamje filmike apo me qelizat e telefonit se në momentin e vrasjes së Dritan Lamajt më 24 shkurt 2013 ai ka qenë në Tiranë, atëherë ai pranon vrasjen dhe se Gjykata e Prokuroria të mos lodhen duke kërkuar prova të tjera. “E vërteta, – u shpreh Frroku, – qëndron se unë kam qenë në Elbasan dhe kjo është e provuar”. Arben Frroku akuzohet se më 24 shkurt ekzekutoi Dritan Lamajn dhe në harkun kohor të tri orëve u largua drejt Greqisë duke kaluar nga Kapshtica, por këtë akuzë ai e mohon duke deklaruar se në Selanik ka udhëtuar për të takuar një të afërm. Burime nga Gjykata kanë bërë me dije se gjykimi ndaj të akuzuar po vjen drejt fundit dhe se Gjykata shumë shpejt do të dalë në një përfundim ndaj kësaj çështjeje.

 

 Analiza/ Krimet e Rënda: Janë pesëfishuar dosjet e trafikut të drogës

Dy javë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda pati zhvilluar analizën e punës për vitin 2014. Analiza qe zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërkohë gjatë ditës së djeshme ne arritëm të zbardhim një pjesë të shifrave të krimeve që janë duke u hetuar nga kjo Prokurori. Trafiku i drogës, krimet në familje, rrëmbimet e personave, janë krimet të cilat sipas akuzës kanë pësuar rritje të ndjeshme. Trafiku i drogës është pesëfishuar, krimi në familje është dyfishuar edhe pse një vit më parë u kryen ndryshime në Kodin Penal për forcimin e dënimeve për këtë krim. Sipas prokurorisë të shoqëruar me grafikët përkatës, në raport me mesataren e viteve të kaluara, gjatë vitit 2014 rastet e trafikut të lëndës narkotike janë pesëfishuar dhe vazhdon të ketë një trend në rritje. Referuar këtyre të dhënave, thuhet se nga 598 procedime në total, 266 prej tyre ose 45% të dosjeve që janë hetuar dhe vazhdojnë të hetohen pranë prokurorisë për krime të rënda për trafik droge. Shumica prej tyre, thuhet në raportin vjetor, janë regjistruar pas kapjes rastësore në pikat e kalimit kufitar, ku është tentuar trafikimi i tyre jashtë Shqipërisë. Një problem tjetër, për prokurorinë, që vazhdon të mbetet edhe gjatë 2013, janë informacionet e policisë për hetimet e ngjarjeve të ndryshme. Ku pas verifikimit të kryer nga prokuroria, informacionet që vijnë rezultojnë të pasakta çka i kanë detyruar prokurorin të pushojnë disa çështje. Ndërsa sa i përket hetimeve për grupe të strukturuara apo organizata kriminale të përfshira në trafikimin e lëndëve narkotike, rezultate në këtë drejtim sipas prokurorisë lënë për të dëshiruar.

Ndërsa bazuar në ligjin antimafia, prokuroria për krime të rënda në raportin vjetor ka renditur miliona euro të sekuestruara e asete të ndryshme kriminale, shumica prej të cilëve vazhdon kalvarin gjyqësor për konfiskimin e tyre. Gjatë vitit 2014 u vunë nën hetim 617 persona, 204 më shumë se gjatë vitit 2013dhe 268 më shumë se vitit 2012. Nga këta 250 u dërguan për gjykim 272 janë mbartur për vitin në vazhdim. U pushuan hetimet ose akuzat për 47 subjekte, ndërsa procedimet për 47 të tjerë u transferuan për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. Nga 250 subjekte të dërguar për gjykim pjesa më e madhe e tyre rreth 233 kanë qenë me masën e sigurisë arrest me burg dhe 3 në mungesë, 3 arrest në shtëpi, 7 me masën detyrim për paraqitje, 7 pa masë sigurie. Numri i procedimeve të regjistruara për trafikim të qenieve njerëzore gati u dyfishua në raport me vitin 2013. Nga 41 në 78 raste. Rastet e krimit të shtrëngimit me anë të dhunës ose kanosjes për dhënien e pasurisë, vazhdojnë ët kenë rritje të dukshme. Tendenca e kriminalitetit të hetuar për krime të kryera nga organizata ose grupe kriminale ka një rritje sasiore në krahasim me vitin 2013, 22 procedime nga 12 procedime të vitit 2013. Ndër grupveprat penale të hetuara, pjesën dërrmuese e përbëjnë atë të trafikut të lëndëve narkotike, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vrasjet e ndryshme sidomos ato brenda familjes, trafikim i qenieve njerëzore, trafikim i lëndëve narkotike. Përmasat e fenomenit të trafikut të drogës vazhdojnë të mbeten shqetësuese, edhe pse në pikat e kalimit kufitar janë kapur në flagrancë sasira të mëdha të drogës. Cilësia e referimeve për hetimet proaktive, vazhdon të jetë problem, sidomos në drejtim të nivelit të aktivitetit kriminal të referuar apo të subjekteve të përfshira në të. Shpeshherë të dhënat kanë rezultuar të pasakta dhe hetimet janë pushuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency