Vendimi/ Përcaktohet çmimi maksimal i barnave nga importi

0
226

Marzhi 11 për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 8 për qind dhe 3 për qind

barna nga importi Çmimi maksimal i prodhimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar 20 për qind mbi koston e fabrikimit. Çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar 11 për qind mbi çmimin CIF të importit të barit dhe të EXW të prodhimit vendas, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 11 për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 8 për qind dhe 3 për qind. Çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar 25 për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik. Për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit dhe marzhi i fitimit, që do të zbatohen mbi çmimin CIF ose EXW, do të jetë sipas tabelës së mëposhtme. Për barnat që nuk janë përfshirë në listë do të zbatohet një marzh fitimi 8 për qind.

 

Importi

Në raste nevojash të shërbimit shëndetësor (për mjekim ambulator dhe/ose spitalor) për barna, të cilat nuk kanë asnjë alternativë të ngjashme, i cili ka autorizim për tregtim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ministri i Shëndetësisë autorizon importimin e barnave, për të cilat nuk është lëshuar autorizim tregtimi nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Kërkesa për autorizim importi, për çdo bar të paregjistruar, paraqitet pranë Ministrisë së Shëndetësisë nga subjektet e licencuara për import barnash. Në kërkesën për autorizim importi për barna pa autorizim për tregtim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore duhet të përcaktohen: principi aktiv emri tregtar i barit, forma dhe doza farmaceutike, sasia, seria, data e kadencës, çmimi për njësi i barit, emri dhe adresa e mbajtësit të autorizimit për hedhjen në treg të barit dhe/ose firma prodhuese, indikacionet terapeutike të barit, lloji i përdorimit të barit (spitalor apo ambulator), si dhe arsyet e pajisjes me autorizim importi dhe dogana kufitare. Autorizimi për import jepet vetëm për barnat për të cilat nuk është lëshuar autorizim për tregtim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Autorizimi për import është i vlefshëm për një periudhë dymujore, nga data e lëshimit të tij. Pajisja me autorizim importi kryhet kundrejt një tarife të përcaktuar me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe të ministrit të Financave. Të ardhurat nga këto tarifa derdhen në buxhetin e shtetit. Njësia përgjegjëse për farmaceutikën, në Ministrinë e Shëndetësisë, përpara propozimit për lëshimin e autorizimit për import, ka të drejtën të verifikojë dokumentacionin e paraqitur nga subjekti importues, pranë autoriteteve apo subjekteve private ose publike, nga ku ato janë lëshuar. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, përpara fillimit të procedurës së zhdoganimit për barin përkatës, kërkon nga subjekti importues, përveç autorizimit të ministrit të Shëndetësisë për importimin e barnave pa autorizim tregtimi.

 

 Takimi/ Nishani takon grevistët, studentët: Shpresë nga Presidenti

Do t’i rikthehemi sërish grevës, Presidenti Bujar Nishani e ka quajtur një të drejtë legjitime marrjen e një akti të tillë, në përmbushje të kauzës sonë, për uljen e tarifave të shkollimit”. Kjo ka qenë deklarata e studentëve të transferuar tek universitetet publike, pas takimit me kreun e shtetit mëngjesin e së hënës. Ata kanë marrë garancinë për mbrojtje ligjore nga ana e Presidentit Bujar Nishani, i cili, sipas studentëve, është shprehur se do të njoftojë organet kompetente, përfshirë këtu edhe prokurorin e Përgjithshëm. Për sa i përket qëndrimit të Ministrisë së Arsimit dhe deklaratave të ministres Lindita Nikolla se të rinjtë kanë nënshkruar një kontratë përpara se të transferoheshin, studentët u shprehën se nuk kanë firmosur asnjë dokument. Studentët e universiteteve private që u mbyllën dhe u transferuan tek institucionet publike, nisën një grevë urie të premten e kaluar, por ata të dielën i dhanë fund asaj, pasi forca të shumta policie i larguan nga ambientet ku ata ishin ngujuar. Studentët u shprehën se nuk do të ngrejnë padi ndaj askujt për dhunë e ushtruar dhe se nuk po përdoren politikisht.

 

 Greva/ Refatllari: Nuk ulen tarifat e regjistrimit

Universiteti i Mjekësisë hedh poshtë mundësinë që studentëve të transferuar nga privati t’u ulen tarifat vjetore. Përmes një deklarate për shtyp, rektori i këtij Universiteti, Ali Refatllari, tha se mes studentëve dhe Universitetit tashmë është nënshkruar një kontratë, e cila s’mund të ndryshojë. “Të gjithë këta studentë kanë ardhur me vullnetin e tyre, iu dha një shans i madh nga qeveria dhe nga universiteti. Janë studentë që janë treguar, janë vënë rregullat e lojës dhe duhet të zbatojnë këto rregullat e lojës që janë vënë më përpara. Tarifa është shumë më e vogël se shpenzimet që kanë këta studentë”, – tha Ali Refatllari, rektor i Universitetit të Mjekësisë. Po ashtu, rektori hodhi poshtë mundësinë që shpërndarja e grevës së studentëve të jetë bërë me dhunë. “Unë nuk e kam shumë të qartë nëse ka qenë dhunë e mirëfilltë, kam parë një video në disa televizione që ishte errësire. Nuk kam parë shenja dhune, të paktën tek studentët”, – thotë Refatllari. Greva e studentëve u shpërnda në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi, sipas policisë, ishte bllokuar një ambient publik si godina e Fakultetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency