Reagimi i kreut të PD-së/ Basha: Meta të japë dorëheqjen, së bashku me Ramën është i zhytur në krim e shantazhe

0
127

Gëzim Saliu

basha deklarate “Prokuroria të hetojë akuzat e Doshit. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh?”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj akuzave të deputetit Tom Doshi ndaj Kryeparlamentarit Meta, duke kërkuar dorëheqjen e këtij të fundit për t’u lënë rrugë të lirë hetimeve. Duke e cilësuar ngjarjen e djeshme si një prove të mëtejshme të inkriminimit të qeverisë dhe dyshes Rama-Meta, kryedemokrati nga selia blu i kërkoi Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen pa humbur kohë të akuzave të bëra publike. “Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje. Akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite. Parlamenti nuk mund të mbajë në krye të institucionit një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës, se ka paguar për të vrarë dy deputetë. I kërkoj Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen pa humbur kohë të akuzave të bëra publike”, – theksoi Basha.

 

Deklarata

Sipas kreut të opozitës, akuza e deputetit Doshi bëhet edhe më tronditëse, kur theksohet se prej 5 muajsh ky i fundit ka vënë në dijeni Kryeministrin për planin e Kryeparlamentarit për vrasjen e dy deputetëve. “Më e pakta, kemi sot një Kryeministër dëshmitar në krim. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh? Kjo kronikë e paralajmëruar, është pasojë e paktit kriminal të denoncuar nga ne që në ditët e para të krijimit të kësaj aleance mafioze. Për këtë arsye, kjo është një çështje që u përket të gjithë shqiptarëve. Është një çështje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me këtë rast falënderoj dhe përshëndes qëndrimet e partnerëve tanë, SHBA dhe BE, në mbështetje të procesit të dekriminalizimit”, – pohoi Basha. Në këtë kontekst, ai tha se asnjë shqiptar nuk mund të pranojë të ketë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve dhe një Kryeministër bashkëpunëtor në këtë skenar. “Partia Demokratike është e vendosur që të mos e lerë Shqipërinë të mbahet peng i serialeve mafioze dhe kriminale! Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiqe përpara popullit sovran që do ta çlirojë veten nga ky tumor malinj”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

 Braho: Doshi të shkojë në Prokurori, u synua fajësimi i Metës për një porosi të Berishës

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk preferoi t’i komentonte vetë akuzat ndaj tij, por paraqiti në publik, ashtu si në raste të tjera të ngjashme, deputetin Spartak Braho. Kreu i Komisionit të Sigurisë, duke iu referuar akuzave të Doshit, paraqiti para medias një tjetër variant të pohuar, sipas tij, nga vetë deputeti i Shkodrës disa kohë më parë. “Me cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi se ai kishte pasur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij, z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre, me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta”, – tha ai. Po ashtu, Braho theksoi se ka informuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe ka kërkuar mbrojtjen e dy deputetëve.

 

 Berisha: Organizimi për eliminimin e eksponentëve brenda partisë destabilizon vendin

Ish-kryeministri Berisha reagoi dje në lidhje me deklaratën e deputetit Tom Doshi se kreu i Kuvendit Ilir Meta ka urdhëruar vrasjen ndaj tij. Berisha shkruante dje në FB se kjo është akuza më e rëndë që është bërë ndonjëherë në 25 vitet e fundit të pluralizmit në vend. Sipas deputetit demokrat, organizimi i Ramës me Metën për të eliminuar eksponentë brenda partisë është një ogur I zi për stabilitetin e vendit. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe çdo përpjekje për të eliminuar fizikisht deputetët e Parlamentit pavarësisht nga spektri i tyre politik, theksoj me këtë rast se sipas këtyre akuzave klika në pushtet projekton destabilizimin e Shqipërisë! I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi, guxim dhe përgjegjësi të lartë akuzat e rënda për vrasje politike me pagesë nga kreu i parlamentit, me porosi ose miratim të kreut të qeverisë dhe të vendosë para ligjit çdo person të implikuar në skenarë kriminalë”, – shkruante Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency