Standard.al

Përjashtohet nga grupi i PS-së/ Tom Doshi: Rama nën tutelën e Metës, kreu i LSI-së dha urdhër të më vrasin mua dhe Fufin e PD-së

Gëzim Saliu

tom doshi perjashtohet“Rama më kërkoi prova, por provat duhet t’i gjejë shteti, jo unë. 5 muaj që kam informuar Llallën, Tahirin, Ramën e vetë Metën dhe përgjigjja ishte heshtje dhe mbulim”

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendos përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga forca më e madhe politike në vend. Me kërkesë të Kryeministrit Rama, i cili parashtroi disa arsye për këtë vendim në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit kuvendor, u vendos përjashtimi i deputetit të qarkut të Shkodrës. Ky i fundit, pasi debatoi me Ramën, nuk priti deri në fund vendimin e grupit përmes votës, por zbriti për herë të fundit shkallët e selisë rozë si ligjvënës i kësaj force dhe dha deklaratën “bombë” për media. “Nuk prita votimin, por dihet se kur vendos kryetari, ata të tjerët nuk kanë faj. Ia bëra të qartë se kush është pas tij dhe për çfarë e bën ai këtë punë. Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta, i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasin mua dhe Mhill Fufin. Ka 5 muaj që ia kam bërë të qartë edhe vetë Ilirit, kryeprokurorit, Edi Ramës, kryeprokurorit të Krimeve të Rënda. Kam informuar Senatin Amerikan për këtë punë. Ia bëra të qartë Edi Ramës edhe për 21 Janarin dhe për të gjitha gjërat”, – u shpreh Doshi. I pyetur në lidhje me provat që zotëron, deputeti shkodran tha se zotëron edhe video. “Prova është se personi që ka marrë përsipër të kryejë këtë akt është takuar edhe me ministrin Tahiri”. Lidhur me të ardhmen e tij në politikë, pas vendimit për përjashtim nga grupi parlamentar i PS-së, Doshi tha se do të krijojë një parti të re. “Nuk dal prej politikës. Ia bëra të qartë edhe Edi Ramës. Nuk shkoj tek asnjë parti tjetër. Po qe nevoja, jam në gjendje të krijoj një parti të re dhe do të dal me 60 kandidatë në të gjithë Shqipërinë”.

 

Reagimi në FB

Duke marrë shkas nga zhvillimet e mëvonshme, deputeti Doshi, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, theksoi se gjatë debateve në grupin parlamentar me Ramën, ky i fundit ka kërkuar që të paraqiten prova për akuzat që bën ndaj Kryetarit të Kuvendit Meta. “Sot, më kërkoi Edi Rama prova. Në fakt, me sa duket, Kryeministri nuk e njeh rendin e punëve, provat duhet t’i gjejë shteti, jo unë, edhe pse unë i kam ofruar çdo informacion që kisha dhe prova (i porosituri për të kry krimin) i ka shkuar në zyrë vetë ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Policisë të Shtetit dhe i ka treguar për porosinë dhe porositësin”, – shkruante Doshi. Më tej, deputeti shkodran tha se e gjithë kjo situatë nuk është e papritur për të dhe se ka qenë në pritje të zbardhjes së atentatit që prej 5 muajsh. Sipas tij, për këtë çështje ka biseduar me Metën, të cilin e akuzon si orkestrues të këtij atentati. “Për mua nuk ishte e papritur kjo që ndodhi. Ka kohë që unë jam në pritje të zbardhjes së organizimit të atentatit ndaj meje dhe askush nuk lëvizi për plot 5 muaj. Ku na çon ky fakt? Në mbrojtjen e krimit. Kjo është Rilindja? Unë bëj pjesë në grupin e njerëzve që e besuan Rilindjen, por si ta besoj më, kur unë kam 5 muaj që kam informuar prokurorin e Përgjithshëm, ministrin e Brendshëm, Kryeministrin dhe vetë Ilir Metën për faktin dhe përgjigjja ishte vetëm heshtje dhe mbulim. E thërrita vetë Ilir Metën dhe ia thashë në sy, sepse unë nuk kam asgjë që mund të më heqë guximin të përballem me këdo”, – deklaroi ai. Në fund të reagimit të tij, Doshi theksoi se këto deklarata përbëjnë të vërtetat e tij dhe se më gjithë problemin që kishte, pati durimin për të pritur në heshtje qëndrimin që duhej të mbanin instancat përkatëse. “Edhe reagimi im në media nuk u lidh me faktin e eliminimit tim fizik. Reagimi im erdhi si rezultat i problematikës në zonën time. Unë tashmë nuk bëj më pjesë në grupin parlamentar socialist, por ama jam kryelartë përballë të gjithë bashkëqytetarëve të mi që më besuan, kryelartë, sepse të paktën sot të gjithë jemi në një stad, të zhgënjyer. Unë nuk kam hyrë në politikë për t’i bërë lajka drejtuesit të radhës, por për të mbajt premtimet e bëra”, – përfundoi deklaratën e tij deputeti i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi.

 

Deklarata e Doshit, Mhill Fufi nuk komenton

Deputeti demokrat Mhill Fufi u distancua dje nga debatet mes socialistëve. Ai nuk dha asnjë koment për deklaratat e Tom Doshit, sipas të cilave, ky i fundit dhe Fufi do të vriteshin nga një person i paguar nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Deputeti Fufi u betua në Kuvend më 3 tetor pas dorëheqjes nga mandati të Vasil Bicajt. Fufi mbeti i plagosur ditën e zgjedhjeve më 23 qershor 2013, ndërkohë që një simpatizant i LSI-së mbeti viktimë e përplasjes me armë.

 

Rama: Nuk ka asnjë provë se Doshit i rrezikohet apo i kërcënohet jeta

Kryeministri Edi Rama komentoi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së edhe akuzat e Tom Doshit se ka një plan për vrasjen e tij. Mësohet se Rama ka thënë që janë bërë hetime pas denoncimit të Doshit, por nuk ka asnjë provë se rrezikohet apo kërcënohet jeta e tij. “Për këtë janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat e shtetit, që nga Policia e Shtetit e deri tek Krimet e Rënda dhe Prokuroria. Toma është marrë në mbrojtje, por nga të gjitha hetimet që janë bërë, nuk rezulton asnjë rrezik dhe asnjë kërcënim jete për deputetin Tom Doshi”, – mësohet se ka thënë Kryeministri në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së.

 

 BE: Zbatim ligjit kundër kriminalizimit/ SHBA: Mirëpresim përjashtimin e Doshit, pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale

Përjashtimi i Tom Doshit nga grupi parlamentar socialist dhe akuzat e tij sollën dje reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë si dhe të delegacionit të Bashkimit Evropian. Vendimi i PS-së ka marrë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, ku madje theksohet se Doshi pretendohet se është i përfshirë në veprimtari kriminale. “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e Kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet”, – thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së. Po ashtu, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë deklaroi dje se është në mbështetje të plotë të hapave që nevojiten për të zbatuar plotësisht marrëveshjen mes PD-PS, duke përfshirë këtu edhe çështjen e individëve me precedentë kriminalë që janë pjesë e politikës dhe e partive politike. “BE-ja mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshi çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë pozicione publike. BE-ja i jep rëndësinë më të lartë zbatimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit ligjor, përfshi luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, qe janë përparësi kyçe për Shqipërinë”, – thuhej në deklaratën e BE-së.

 

 Pas reagimit të SHBA-së dhe BE-së/ Doshi: Kam video 37-minutëshe ku flitet për vrasjen time. Rama bëri ofertë të heshtja

Pas deklaratës se Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Delegacionit të BE-së, deputeti socialist Tom Doshi reagoi dje sërish përmes një postimi në rrjetin social, ku deklaroi se disponon një video prej 37 minutash që vërteton deklaratat e tij. “Tom Doshi nuk është i përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Kam parë bashkëfajësi dhe mosveprim të Kryeministrit në krimin e planifikuar kundër meje dhe kolegut Fufi. Çfarë duhet të bëja? Kam mbi 5 muaj që pres të reagojë shteti ndaj fakteve që unë i kam paraqitur deri në detaje për vrasjen time. Po deklaroj edhe një herë me përgjegjësinë e ligjvënësit se kam paraqitur fakte të pamohueshme për krimin ndaj meje dhe kolegut tim. Le të pyesin ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për deklaratën që ka bërë personi i paguar në zyrën e tyre. Le të informohen ambasadat tek ministri për këtë fakt. Jam i gatshëm gjithashtu që t’i vë në dispozicion të ambasadave që nesër një video prej 37 minutash ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes sime prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty”, – u shpreh Doshi. Më tej, deputeti i qarkut të Shkodrës tha se ka interes të mos ketë kriminelë në Parlament, duke nënvizuar edhe një herë disa akuza ndaj Kryeparlamentarit. “Ilir Meta i shpëtoi drejtësisë me akuzën e korrupsionit. Shpresoj këtë herë drejtësia të bëjë detyrën dhe garancia që kjo punë do funksionojë është që hetues profesionistë amerikanë dhe evropianë të jenë pjesë e grupit të hetimit. Tom Doshi nuk mund të vazhdonte një miqësi me Edi Ramën, kur ai ka bërë marrëveshje me krimin, për të mbajtur të pacenuar karrigen e tij të pushtetit”, – theksoi Doshi. Në fund të reagimit të tij të dytë në rrjetin social, deputeti përjashtuar nga PS-ja theksoi se Kryeministri i kishte kërkuar të heshtte duke i premtuar, sipas Doshit, se nuk do të ketë asnjë masë ndaj deklaratave kundër qeverisë. “Shantazh i vërtetë është ai që bën Meta. Nëse nuk më mbroni, ju çoj ne opozitë, i thotë ai Ramës. Kjo aleancë duhet të denoncohet deri në fund. Me krimin duhet të ndahen të gjithë, mbi të gjitha politikanët. Ditët e fundit, Edi Rama më ka bërë ofertë që ta fsheh këtë krim, duke më dhënë garanci se qeveria dhe partia do vazhdojnë të më mbështesin dhe se nuk do ketë masa ndaj meje. Unë nuk bëj pazare me askënd për jetën time dhe të fëmijëve të mi”.

 

 Përjashtimi i Doshit/ Blushi: Përfundoi miqësia e dy shokëve të ngushtë

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit, ku u mor vendimi për përjashtimin e deputetit Doshi nga PS-ja, foli edhe deputeti Ben Blushi, i cili e quajti këtë një miqësi mes dy shokësh, që tashmë ka marrë fund. Duke pohuar se nuk i dinte arsyet e zënies mes Ramës dhe Doshit, Blushi theksoi se ato nuk janë për shkaqe politike. Deputeti socialist i faturoi edhe një pjesë të përgjegjësisë Kryeministrit Rama, që duhet të administronte prej kohësh këtë situatë. “E thashë dhe në mbledhje, është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që s’duan të na i thonë dhe as duam t’i marrim vesh. Fatkeqësisht një histori miqësie disavjeçare që u prish për motive që nuk dua t’i di, por që për fat të keq nuk janë politike, po i vë një damkë të madhe PS dhe sigurisht Edi Rama duket ta administronte këtë gjë prej shumë kohësh, të qeveriste më mirë, ka përgjegjësinë e vet, sado që jam dakord me faktin që kjo bashkëjetesë në këto kushte ishte e pamundur. Por prapë them se ishte miqësia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që nuk i di”.

 

Pas Doshit, përjashtohet kreu i PS-së në Shkodër. Reagimi: S’kam shkresë

Pas përjashtimit të deputetit Tom Doshi, PS ka marrë vendimin për të shkarkuar kreun e kësaj partie në Shkodër, Andi Halluni. Ky i fundit mbante edhe postin e drejtorit të OSHEE-së për Shkodrën, por prej ditës së djeshme pritet që ai të mos e ushtrojë më këtë detyrë. Vetë Halluni ka deklaruar se nuk ka asnjë shkresë zyrtare për shkarkimin e tij.

Comments are closed.