Operacioni/ “Në fillim të pranverës”, pranga katër personave të përfshirë në pesë vjedhje

0
118

“Në fillim të pranverës”, pranga katër personave të përfshirë në pesë vjedhjeZbulohen grabitjet e kryera në bashkëpunim. Gjatë kontrollit zbulohet në banesën e një të arrestuari një rrënjë kanabis sativa. Sekuestrohen sende të tjera

“Në fillim të pranverës” është operacioni i organizuar nga Policia e Shtetit, i cili është finalizuar me arrestimin e katër personave, të dyshuar për përfshirje në pesë vjedhje. Operacioni është zhvilluar gjatë orëve të vona të ditës së diel, ndërsa të dhënat e policisë u bënë të ditura vetëm gjatë paradites së djeshme. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Në fillim të pranverës”, është arrestuar në flagrancë Miklovan Beqja, 32 vjeç, banues në Manëz; Ramazan Brihmani, 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës; A. S., 16 vjeç, banues në Sukth, Durrës, si dhe A. B., 17 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Sipas policisë, në orën 1:50 të ditës në vendin e quajtur Kthesa e Ariut, Kullë, Sukth, shtetasit A. S., A. B. dhe Ramazan Brihmani nga kontrolli i ushtruar nga policia iu gjetën disa sende si thika doreza përforcuese mbrojtëse metalike, kapuça të zinj në formë maske, dalta leva, pinca të cilat shërbenin për vjedhje.

 

Kontrolli

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit me iniciale A. S., është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Gjithashtu, sipas burimeve të policisë mësohet se në banesën e shtetasit Miklovan Beqja u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një rrënjë bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Policia e Shtetit bën me dije se nga hetimet e kryera është mundur të zbardhen vjedhjet e këtij grupi. Mësohet se më datë 9 janar të këtij viti, katër personat e arrestuar kanë vjedhur një market në Manëz, në pronësi të shtetasit me iniciale H. S. Po gjatë këtij muaji, policia bën me dije se në lagjen numër 5, në Sukth, katër të dyshuarit si hajdutë kanë vjedhur dyqanin e shtetasit A. T. Më datë 17 shkurt 2015, në lagjen numër 4, uniformat blu pohojnë se është zbardhur një tjetër vjedhje e kryer nga të arrestuar, në Sukth, në marketin e shtetasit G. H., ndërsa më 18 shkurt po në Sukth këta persona kanë vjedhur dyqanin ushqimor në pronësi të F. L. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se vjedhja e pestë është kryer më datë 27 shkurt në Maminas, në supermarketin e shtetasit Sh. O. Ndërkohë, Policia e Shtetit bën me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan elektrikë dore; 9 kufje telefoni; 12 telefona celularë; 13 copë bateri telefoni dhe aksesorë të ndryshëm telefoni; 2 kaçavida; 12 fishekzjarrë; një dorezë grushti metalike; pinca; një fishek 9 m/m; një laptop i markës ACER; një pompë uji; një valixhe plastike; një video-kamerë; një thikë dhe një kapuç i zi në formë maske.

 

 Elbasan, arrest me burg për tre tregtarët e kokainës dhe të heroinës

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e arrestit me burg ditën e djeshme për tre personat e arrestuar pak ditë më parë në kuadër të operacionit “Vazhdimi”, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike. Burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit kanë bërë me dije se gjykata e këtij qyteti la në burg Storado Sadushin, Erind Miraken dhe Andi Braçen. Bazuar në hetimet e prokurorisë, shtetasit në fjalë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatisnin doza lënde narkotike heroinë dhe kokainë dhe i shisnin tek persona të ndryshëm. Shitja bëhej drejtpërdrejtë tek klientët ose duke shfrytëzuar edhe shërbimin “Taxi”. Sipas prokurorisë, ata dyshohen gjithashtu se shisnin doza lëndësh narkotike edhe për të dënuar në burgun e Peqinit. Po ashtu merrnin edhe porosi për shpërndarje në zona të ndryshme të Elbasanit dhe Gramshit, nëpërmjet shtetasit Ervin Basha, i cili aktualisht po vuan dënimin me 8 vjet heqje lirie për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

 

Pranga 25-vjeçarit, kërcënonte ish-të dashurën: Do të publikoj foto intime

Policia e Shkodrës ka arrestuar ditën e djeshme një 25-vjeçar nga Malësia e Madhe, pas kërcënimit të vazhdueshëm që i ka bërë ish-të dashurës së tij. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se i riu i bënte shantazh duke i thënë se nëse nuk pranonte të rilidhej me të, do t’i publikonte fotot intime në internet. Sipas Policisë së Shkodrës, në pranga është vënë shtetasi Ardit Gavoçeja, 25 vjeç, banues në fshatin Kamicë, Malësi e Madhe. “Ai i ka bërë presion psikologjik të vazhdueshëm (pasi ka qenë ish-i dashuri) shtetases 21-vjeçare banuese në Pukë (studente), se do të hedhë disa foto intime në internet”, – njofton policia në komunikatën për shtyp. Gjithashtu, mësohet se i riu e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme nëpër qytetin e Shkodrës, me automjetin tip “Mercedes-Benz” me Targë AA 372 HX, në formë presioni e kërcënimi. Uniformat blu të Shkodrës kanë bërë me dije se denoncimi është bërë nga vetë vajza, e cila ka rrëfyer në polici për situatën, duke fajësuar ish-të dashurin.

 

Grabiti makinën dhe tentoi të arratisej, kapet 28-vjeçari

 Grabiti një automjet dhe tentoi të arratisej, por nuk ia arriti qëllimit. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se arriti të vinte në pranga shtetasin Aldo Alla, 28 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për vjedhje. Sipas policisë, mësohet se gjatë ditës së diel rreth orës 13:40 të drekës, në vendin e quajtur rruga “Vangjel Noti”, në Laprakë, ka vjedhur automjetin tip “Mercedes-Benz ML-320” me targa DR6420E dhe në tentativë për t’u larguar është kapur në flagrancë nga forcat policore. Uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë me dije se nga hetimet e zhvilluara deri më tani ka rezultuar se i arrestuari Alla është dhe autor i vjedhjes së 3 automjeteve të tjera në Tiranë. Policia e Tiranës bën me dije se 28-vjeçari u kap në flagrancë teksa po tentonte të grabiste një automjet. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Vjedhjes”, ndërsa vijojnë hetimet ndaj tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency