Lexime filozofike/ Më je lutur të shkruaj diçka për miqësinë…

0
147

Ciceroni

 Pomponio Atikos

Pomponio AtikosAugurit Kuint Muçio Shevola, ia kishte ënda të rrëfente me përpikmëri dhe me kënaqësi shumë gjëra për vjehrrin e vet, K. Lelion, dhe në çdo bisedë, nuk ngurronte ta quante atë njeri të ditur. Pasi vesha togën burrërore, babai më shoqëroi te Shevola, në mënyrë që, brenda të gjitha mundësive, të mos largohesha kurrë prej atij plaku. Dhe kështu, skalita në mendje, shumë gjëra të shtjelluara prej tij me urtësi, shumë thënie të përmbledhura e të mprehta, dhe u rreka të bëhesha më i ditur falë përvojës së tij. Por për to do të flas një herë tjetër; tani të kthehemi te auguri.

 

  1. Shpesh, ai fliste për shumë gjëra: më kujtohet një herë në shtëpi, ndërsa ishte ulur në gjysmërrethi, siç e kishte zakon, (isha edhe unë me ca njerëz të afërt), ia nisi asaj bisede që asokohe ishte thuajse në gojën e të gjithëve. Sigurisht Atik ty të kujtohet, aq më tepër që ishe mik i ngushtë i Sulpicit, se sa e madhe ishte habia dhe mospëlqimi i njerëzve, ngase ai, si tribun i plebenjve, nuk pajtohej, me një urrejtje për vdekje, me Pompeun, që asokohe ishte konsull dhe me te cilin kishte jetuar një marrëdhënie shumë të ngushtë dhe shumë të ngrohtë.

 

  1. Dhe kështu, atëherë, pasi e përmendi atë fakt, Shevola na rrëfeu bisedën e Lelios për miqësinë, të zhvilluar me të dhe me dhëndrin tjetër të Lelios, Fanion, të birin e Markos, pak ditë pas vdekjes së Shipion Afrikanit. I kam ngulitur në mendje idetë e asaj bisede, të cilat i kam paraqitur te ky libër, sipas mënyrës sime: dhe vërtet, thuajse i kam bërë ata të flasin, për të mos ndërkallur shumë shpesh fjalët “them” dhe “thotë” dhe që biseda të duket sikur zhvillohet nga njerëz të pranishëm faqe nesh.

 

  1. Qysh nga çasti që ti shpesh më je lutur të shkruaj diçka për miqësinë, argumenti më është dukur i denjë qoftë në përgjithësi, qoftë për miqësinë tonë: dhe kështu, sipas kërkesës tënde, u nisa jo pa dëshirë, për t’u ardhur në ndihmë shumë njerëzve. Por, ashtu sikurse te vepra për pleqërinë “Katoni i Madh”, që të flasë, sepse askush nuk më dukej më i përshtatshëm për të folur rreth asaj moshe, se sa ai që kishte qenë plak prej shumë kohësh dhe në pleqëri kishte shkëlqyer mbi gjithë të tjerët, kështu, pasi mora vesh nga etërit tanë se miqësia mes Lelios dhe Shipionit kishte qenë tepër e përmendur, Lelio m’u duk i përshtatshëm për të shtjelluar rreth miqësisë ato argumente që Shevola kujtonte prej tij.

Pastaj, kjo lloj bisede, që mbështetet tek autoriteti i njerëzve të së shkuarës, e për më tepër të shquar, nuk e di se si, por duket se ka më tepër peshë. Dhe kështu, unë vetë, duke lexuar veprën time, ndonjëherë jam prekur shumë kur kam menduar se flet Katoni dhe jo unë.

 

  1. Por asokohe, unë, si plak i shkrova një plaku lidhur me pleqërinë, kështu, edhe te ky libër, si një mik i madh, i shkruaj një miku lidhur me miqësinë.

Do të dëshiroja që për pak kohë t’i ta largojë mendjen nga unë dhe të mendojë se flet vetë Lelio. Fanio dhe Muçio Shevola shkojnë tek vjehrri pas vdekjes së afrikanit; aty lind diskutimi, Lelio përgjigjet dhe biseda e tij vërtitet rreth miqësisë: duke e lexuar, do të kuptosh vetveten.

 

  1. Fani. Ashtu është, Lelio: Askush nuk ka qenë më i mirë dhe më i shquar se Afrikani. Por duhet të mendosh se të gjithë njerëzit i kanë drejtuar sytë tek ti: vetëm ty të quajnë dhe të mbajnë për të ditur. Deri pak kohë më parë, ky emër i vishej Katonit dhe e dimë se Akili quhej i ditur nga etërit tanë, por për shkaqe të tjera: Açilio, ngase ishte mjeshtër i së drejtës civile; Katoni, ngase kishte përvojë për shumë gjëra dhe për të rrëfehen shumë fakte në Senat dhe në forum (për shembull, masa paraprirëse të zgjuara, veprime të vendosura apo përgjigje të mprehta). Për këtë arsye, në pleqësi e kishte llagapin, “i dituri”.

 

  1. Zakonisht, të quajnë ty kështu, por për një arsye tjetër; jo siç bëjnë njerëzit e zakonshëm, por si njerëzit e ditur, jo vetëm për shkak të natyrës tënde dhe të zakoneve të tua, por edhe prej dashurisë për kulturën, dhe të quajnë të urtë si askush në Greqi, (ata që i marrin gjërat hollë-hollë, nuk përfshijnë në numrin e të urtëve, ata që quhen Shtatë të Urtët) dhe e dimë se në Athinë ka qenë një i vetëm dhe pikërisht ai u gjykua si më i dituri nga orakulli i Delfit. Njerëzit mendojnë se tek ti gjendet urtësia, ndaj, ti beson se gjithë gjërat e tua janë brenda teje dhe i quan ngjarjet njerëzore si më të ulëta kundrejt virtytit. Për këtë arsye më pyesin, gjë që e besoj edhe për Shevolën e pranishëm këtu, se si e duron vdekjen e Afrikanit, aq më tepër që pasdreke, kur u gjendëm si përherë te kopshtet e augurit Brut për të diskutuar, nuk ishte aty, ti që zakonisht e kryen ceremoninë me zell të madh.

 

  1. Shevola: Sigurisht, shumë njerëz më pyesin për këtë, Lelio, siç tha Fanio, por unë përgjigjem për ato çfarë kam parë, pra, që ti e duron me përkorje dhimbjen që provove për vdekjen e një njeriu shumë të madh dhe mikut tënd; nga ana tjetër, nuk mund të mos hidhëroheshe, kjo nuk do t’i shkonte për shtat njerëzillëkut tënd. Për sa i përket faktit që pasdreke nuk ishe i pranishëm në mbledhjen tonë, gjegja se arsyeja ka qenë shëndeti dhe jo dhimbja.

 

Lelio. Mirë e the, Shevola: vërtet, nuk duhej të largohesha nga ajo detyrë për shkak të një fatkeqësie, që e kam kryer gjithmonë kur kam qenë mirë, dhe nuk besoj se në ndonjë rast, njeriut me karakter mund t’i bjerë për hise të ndërpresë detyrimet e veta.

  1. Por ti, Fanio, duke thënë se më veshin kaq shumë merita, që unë as i njoh e as i kërkoj, sillesh si një mik, por më duket, se nuk e gjykon drejt Katonin: ose nuk ka ekzistuar asnjë njeri i urtë (gjë që jam më i prirur ta besoj), ose, nëse ka qenë ndokush, ky ishe ai. Si e duroi vdekjen e të birit, për të mos thënë gjë tjetër! Më kujtohet Paolo, kam parë Galon; por ata kishin humbur fëmijët e tyre, kurse Katoni kishte humbur një burrë të vërtetë e të vyer.

 

  1. Ndaj, mos vër përballë Katonit as atë njeri, që siç thua, Apoloni e gjykoi si më të urtin: vërtet, këtij i lëvdohen veprat, atij fjalët. Për sa më përket mua, për t’iu përgjigjur të dyve, mendoni për gjërat e mëposhtme
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency