Standard.al

Fjala në grupin e PS-së/ Rama: Pse Doshi duhet përjashtuar nga grupi i PS-së, si e cenoi dinjitetin e PS-së dhe qeverisë

Gëzim Saliu

 edi rama del nga selia e partise socialiste ps“Askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cenojë të drejtën dhe dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetërore”

Kryeministri Rama kishte përgatitur një fjalim të posaçëm në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor socialist, ku argumentonte arsyet që, sipas tij, bënin të domosdoshme përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga PS-ja. Në nisje të diskutimit të tij, kur Doshi ende nuk kishte mbërritur në sallën e mbledhjes në katin e dytë të selisë së PS-së, kreu i qeverisë theksoi se me deklaratat dhe akuzat e tij, deputeti i qarkut të Shkodrës cenoi dinjitetin e forcës më të madhe në pozitë dhe atë të qeverisë. “Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht personin dhe dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cenuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie. Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”, – u shpreh Rama në grup.

 

Argumentet e Kryeministrit

Në nisje të fjalimit të tij para deputetëve socialistë, Rama parashtroi ato që ai i cilësoi si suksese të qeverisë, për t’u dhënë më pas udhë argumenteve se pse Doshi nuk duhej të ishte më pjesë e PS-së. “Jam i keqardhur kur qëndrimi i një deputeti bie ndesh me normat më elementare të kontratës së bashkëjetesës sonë dhe kështu bëhet një qëndrim i dënueshëm. Në këtë grup, gjithkush mund të thotë atë që mendon për qeverinë. Por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë. Në këtë grup gjithkush mund të shprehet lirisht për çdo ministër apo drejtues të lartë institucioni. Por askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cenojë të drejtën e dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetëror”, – pohoi Rama. Duke vazhduar argumentet e tij, Kryeministri theksoi se çdokush nga grupi mund të flasë për korrupsionin dhe ta denoncojë atë, por se sipas tij askush nuk mund të flasë mbarë e mbrapsht për qeverinë, ministrat ose drejtuesit e institucioneve të shtetit. “Në këtë grup gjithkush mund të flasë për çdo pakënaqësi që ka, lidhur me sa po i mbajmë apo nuk po i mbajmë premtimet ndaj elektoratit. Por askush nuk mund të shpërdorojë besimin e elektoratit për të cenuar qeverinë ose cilindo ministër apo zyrtar të shtetit, me shprehje ekstreme pakënaqësirash krejt personale. Në këtë grup gjithkush mund të jetë vetvetja, por askush nuk mund t’i imponojë këtij grupi daljen nga vetja”, – nënvizoi ai. Në mbyllje të deklaratës së tij, duke iu referuar të gjitha argumenteve të mësipërme, Rama i parashtroi grupit parlamentar kërkesën për përjashtimin e Tom Doshit nga PS-ja. “Unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si Kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar”.

 

Pas akuzave të Doshit, Rama takon Tahirin në Kryeministri

Pas akuzave të deputetit Doshi, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u pa dje të dilte nga Kryeministria rreth orës 15:40 minuta. Nuk ka pasur asnjë njoftim për median në lidhje me një takim të tillë, i cili erdhi jo më shumë se 2 orë nga momenti kur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së u vendos përjashtimi i deputetit shkodran.

Comments are closed.