Derbi/ Skënderbeu-Tirana, “pa drita”; “Qemal Stafa” nuk është gati as për Kukësin

0
145

Skënderbeu-TiranaKorçarëve mund t’u duhet të shtyjnë sfidën me Tiranën, për faktin se stadiumi i Korçës është debitor dhe kjo ka sjellë edhe fikjen e projektorëve, që shton presionin për orarin se kur do të luhet ndeshja

Ndeshja Skënderbeu-Tirana, e programuar për t’u luajtur të mërkurën në 17:00 nën dritat e projektorëve, rrezikon të mos zhvillohet në këtë orar, pasi stadiumi “Skënderbeu” është debitor, për shkak të mospagimit të faturave të energjisë elektrike në një shumë që kap vlerën 44 milionë lekë të vjetra. Ky detyrim për hir të së vërtetës është i mbartur prej 8 vitesh, pasi daton që në 2007, që stadiumi nuk i paguan faturat përkatëse. Në atë periudhë klubi dhe stadiumi administroheshin nga Bashkia e Korçës dhe fillesat e këtij borxhi me një shifër relativisht të madhe i përkojnë pikërisht institucionit të rëndësishëm të qytetit. Klubi Skënderbeu administrohet që nga vera e vitit 2012 nga Ardian Takaj dhe nën këtë administrim të duket absurde që klubi i sotëm të paguajë dhe detyrimet e së shkuarës. Alarmi për këtë borxh është dhënë që dy javë më parë dhe pavarësisht interesimit të Takajt, ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që Bashkia nuk është shqetësuar dhe nuk ka marrë përsipër për momentin asnjë tratativë me kompaninë përkatëse për të gjetur një mënyrë për shlyerjen e borxhit dhe për të mos cenuar aktivitetin. Skënderbeu ka opsionin të luajë pa projektorë, por një gjë e tillë do të cenonte realisht imazhin e ndeshjes dhe programin zyrtar të sfidës. Një zhvendosje e orarit të ndeshjes përpara kohe do të ndikonte direkt edhe në pjesëmarrjen e tifozëve në stadium, duke qenë se është ditë jave dhe njerëzit janë në marrëdhënie pune në orarin e drekës. Klubi Skënderbeu dhe personalisht presidenti Takaj janë duke negociuar që edhe kjo ndeshje të zhvillohet në orarin e premtuar dhe fill pas kësaj sfide, klubi dhe bashkia të ulen për të gjetur një mënyrë për të nisur shlyerjen e borxhit, i cili mbaret tanimë prej 7 vitesh. Nëse e gjitha kjo nuk mund të arrihet ka një ide për të instaluar gjenerator por një gjë e tillë duket realisht e vështirë, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe të sigurisë maksimale që ofron një zgjidhje e tillë. Një pakujdesi e vjetër e mbartur sidomos nga një institucion shtetëror mund të prodhojë sërish kaos me kalendarin e javës së ardhshme në superiore. Zhvillimi i ndeshjes në orën 17.00 ditën e mërkurë hë për hë është në rrezik.

 

“Qemal Stafa” akoma në pritje, në dyshim Tirana-Kukësi

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” nuk do të jetë gati as për takimin mjaft të rëndësishëm mes Tiranës dhe Kukësit, i programuar për t’u luajtur këtë fundjavë. Tapeti i saporivendosur i këtij impianti nuk ofron ende garancitë e duhura. Kështu që, përveç Partizanit, i cili për sfidën e mesjavës ndaj Flamurtarit do të shtegtojë sërish në Fushë-Krujë, edhe bardheblutë do të jenë të detyruar t’i presin kuksianët jashtë kryeqytetit. Kujtojmë që ishte pikërisht gjendja ende jooptimale e terrenit të “Qemal Stafës” që e zhvendosi derbin mes Tiranës dhe Partizanit për në datën 12 mars, ku fillimisht sipas skaletës duhet të zhvillohej të premten e shkuar, por frika më e madhe është, nëse stadiumi ynë kombëtar do të jetë apo jo gati edhe për atë datë. Ekspertët e firmës greke e cila shtroi tapetin e ri të “Qemal Stafës” do të jenë në Tiranë javën e ardhshme për të inspektuar gjendjen e fushës, dhe fakti që ngre më shumë hije dyshimi rreth disponibilitetit të këtij stadium për derbin, është se nëse terreni nuk ofron garanci 4 ditë përpara atëherë sa janë gjasat që ky impiant të përgatitet ashtu si duhet në një kohë kaq të shkurtër. Megjithëse për momentin gjithçka mbetet e konfirmuar për në 12 mars, kjo nuk e venit rrezikun e madh që edhe në datën e caktuar stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të mos hapë dyert për superderbin e kryeqytetit.

 

Hysaj dhe Kaçe, te të rinjtë më të mirë në Evropë

Kombëtarja shqiptare po tregon gjatë periudhës së fundit se ka ndryshuar jo pak për sa i përket lojës apo mentalitetit me të cilin përfaqësuesja kuqezi i përballon takimet dhe kjo sigurisht vjen për meritë të trajnerit De Biazi, por edhe për meritë të lojtarëve të talentuar që tashmë formojnë grupin e kombëtares sonë. Kjo nuk po kalon pa vënë re edhe në kontinentin e vjetër. Instituti, i cili merret me vëzhgimin e lojtarëve të rinj në të gjithë Evropën, në revistën e publikuar për muajin shkurt, mes futbollistëve më të talentuar ka përfshirë edhe dy kuqezinj: Elseid Hysajn dhe Ergys Kaçen. Ky institut i ndan futbollistët në kategori të ndryshme në bazë të koefiçentit të kampionateve ku luajnë. Në këtë mënyrë shkodrani i Empolit ndodhet aktualisht në kategorinë e më të mirëve. Së bashku me të janë të vendosur lojtarë të kalibrit të Sterlingut, Delofeu, Matias Ginter apo mbrojtësi i PSG-së Markinjos. Një vlerësim vërtet i madh për futbollistin e kombëtares sonë, i cili gjatë këtij sezoni me klubin toskan ka qenë një ndër protagonist kryesor falë paraqitjeve të tij mjaft pozitive. Ndërkohë që maksimalisht është vlerësuar edhe Ergys Kaçe. Mesfushori i PAOK-ut vijon të konsiderohet si një ndër talentet më të mëdha të klubit grek dhe përfshirja që “Football Observatory” i bën korçarit nuk ka se si mos të konsiderohet e rëndësishme. Ndërkohë që PAOK-u është i gatshëm t’i plotësojë të gjitha dëshirat 21-vjeçarit vetëm e vetëm për ta bindur këtë fundit të firmosë rinovimin e kontratës, e cila me shumë mundësi do të zgjasë deri në vitin 2020. Sigurisht që më së shumti i kënaqur nga përfshirja e Hysajt dhe Kaçes mes të rinjve më të talentuar në Evropë, duhet të jetë trajneri i përfaqësues sonë Xhani de Biazi.

 

 Reksah: Di Maria nuk qëndroi te Reali, se nuk ishte i bukur

Asistent-drejtori sportiv i Barcelonës, Karles Reaxh, thotë se Reali i Madridit vendosi ta shiste Angel di Marian, sepse ishte “i shëmtuar” për klubin madrilen. Argjentinasi kaloi te Mançester Junajtid në verën e shkuar për 81.8 milionë euro, mirëpo cilësitë e tij nuk po shfaqen nën drejtimin e Luis van Gal. Sipas Reksah, arsyeja kryesore e shitjes së 27-vjeçarit ishte për shkak të shqetësimeve të “Los Blancos” për brendin dhe imazhin e klubit. “Florentino Perez e shikon tregun botëror dhe kërkon një ekip ‘galaktikësh’ që t’i admirojnë të gjithë. E kuptoni çfarë dua të them? Ronaldo është produkti më i shitshim i klubit. Perez po shet një brend ndërkombëtar. Vicente del Boske dhe Di Maria janë të shëmtuar për Realin e Madridit. Ata dallojnë nga Toni Kros e Xhejms Rodrigez”, – ka deklaruar Reksah për “Regio 7”.

 

 Kovaçiç nën shënjestrën e klubeve angleze

Arsenali, Mançester Junajtid, Liverpuli dhe tashmë edhe Evertoni i janë bashkangjitur garës për yllin e Interit, Mateo Kovaçiç. Kroati 20-vjeçar, i cili ka shënuar tetë gola në këtë sezon, thuhet se në verë do t’i bashkëngjitet një klubi anglez. Pavarësisht nga nënshkrimi i zgjatjes së kontratës në shtator, e cila e mban mesfushorin në “Xhuzepe Meaca” deri në vitin 2019, thuhet se Evertoni ka bërë një ofertë prej 15 milionë paundësh për yllin kroat. Trajneri i Evertonit, Roberto Martinez, dëshiron të rrisë konkurrenten në mesfushën e tij dhe për këtë mendon se Kovaçiç është lojtari ideal. Mesfushori kërkohet edhe nga shumë klube të tjera angleze, kështu që do të jetë një luftë e ashpër për të siguruar shërbimet e tij në verë.

 

 Marselo: Të mësojmë nga Vilareali

 Mbrojtësi Realit të Madridit, Marselo, është shprehur se “mbretërorët” duhet të mësojnë nga barazimi i të dielës ndaj Vilarealit dhe të mos e përsërisin atë. “Fitorja do të kishte qenë një hap i rëndësishëm”, – ka thënë Marselo për faqen zyrtare të klubit. “Ne u përpoqëm të bënim gjithçka, luftuam dhe vrapuam, kishim disa shanse, por topi nuk shkonte brenda. Ne jemi të zhgënjyer nga rezultati. Çdo ndeshje është si një finale për ne dhe ne do të përpiqemi të fitojmë ndaj Atletik. Ne do ta shohim si dështuam kundër Vilarealit, për t’u siguruar të mos e përsërisim atë. Ne e dimë se kjo varet presh nesh dhe duhet të punojmë për të fituar”, – ka përfunduar braziliani.

 

 Siti, gati ofertë faraonike për Suarezin

Mançester Siti është duke përgatitur një ofertë në vlerën e 140 milionë eurove për të nënshkruar me Luis Suarezin nga Barcelona. Pavarësisht nga dy golat e shënuar në fitoren 2-1 të Barçës ndaj Sitit, uruguajani nuk po e tregon veten në “Kamp Nou”, ku u transferua gjatë verës dhe mund të kërkojë të largohet. Duke parë situatën e tij në Spanjë, Siti mund të përpiqet ta rikthejë atë në Angli. Dëshira kryesore e Sitit është Lionel Mesi, por për momentin ende duket e pamundshme transferimi i argjentinasit. Megjithatë, përveç përjashtimit të Barcelonës nga tregu i transferimeve, pengesë për transferimin e Suarezit mund të jetë edhe raporti jo i mirë që ai ka me shtypin anglez. Po ashtu, të qenit një ish-lojtar i Liverpulit dhe ende i dashur nga fansat e këtij klubi, mund të jetë një tjetër pengesë për Sitin.

 

 Buskets: Kampionati varet nga “El Clasico”

Serxho Buskets ka pranuar se derbi ndaj Realit të Madridit do të ketë rol vendimtar në garën për titullin e La Ligas. Barcelona është dy pikë prapa liderit, ndërsa më 22 mars zhvillohet “El Clasico” e dytë këtë sezon. “Janë edhe disa ndeshje para atij takimi, por të shpresojmë se do të jetë vendimtare për ne. Shumë gjëra varen se çfarë do të ndodhë në takimet para asaj sfide”, – ka deklaruar mesfushori. Blaugranët vazhdojnë të jenë në garë për tri trofe këtë edicion, përderisa “Los Blancos” janë eliminuar nga Kupa e Mbretit.

 

 Valencia hedh sytë nga Falkao

Valencia raportohet se është e interesuar të nënshkruajë me sulmuesin e Mançester Junajtidit, Radamel Falkao, gjatë verës. Sipas “The Sun”, agjenti i kolumbianit, Horge Mendes, pritet të zhvillojë biseda me Junajtidin gjatë kësaj jave, për të diskutuar nëse ata duan ta shfrytëzojnë opsionin për të nënshkruar kontratë të përhershme me të. Falkao arriti në “Old Trafford” në fillim të këtij sezoni si huazim nga Monakoja, por ka dështuar të adaptohet në Angli, ku ka shënuar vetëm katër herë në të gjitha garat. Valencia tashmë është duke menduar të bëjë ofertë për 29-vjeçarin nëse Junajtid vendos të mos e mbajë atë. Klubi spanjoll ka para në dispozicion pas blerjes nga biznesmeni nga Singapori, Peter Lim. Sidoqoftë Monako e vlerën Falkaon me 55 milionë euro, një shumë që është jetë goxha e lartë. Spanjollët gjithashtu janë shumë të interesuar që të mbajnë edhe për një kohë të gjatë futbollistin Hoze Luis Gaja. Kryetari Amadeo Salvo ka thënë se Valencia synon ta mbaj lojtarin spanjoll edhe për shumë kohë, pasi ai në këtë edicion ka pasur paraqitje të mira. “Ne e kemi takuar agjentin e tij dhe duam që Gaja të mbetet në Valencia edhe për shumë vjet të tjera. Edhe lojtari është dakord dhe synojmë të rinovojmë kontratën”, – tha Amadeo Salvo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency