Standard.al

Debati në grup/ Blushi, Ramës: S’ka punë PS me përjashtimin, ke marrë peng partinë. Kryeministri: Të të vijë turp

 Gëzim Saliu

Blushi ne grupin e PSDoshi, Ramës: Je peng i Ilir Metës, mos mendo se do hysh në Shkodër me deputetët që ke atje

Mbledhja e grupit parlamentar socialist është zhvilluar dje mes tensionit dhe debateve me tone të larta mes Kryeministrit Rama dhe deputetëve Tom Doshi dhe Ben Blushi. Pasi vetë deputeti i qarkut të Shkodrës mbërriti me thuajse 20 minuta vonesë në mbledhje, mësohet se deklaroi në takimin me dyer të mbyllura për media se Kryeministri është peng i Kryeparlamentarit Meta. “Je peng i Ilir Metës. Është kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. T’i kam thënë rastet kur kanë dashur të më vrasin mua dhe Fufin, por ti s’ke reaguar. Ti je mosmirënjohës, je bukëshkelur, je qenia më e keqe që unë kam njohur. Mos mendo që me deputetët që ke atje (Paulin Sterkaj, Mimoza Hafizi, Namik Kopliku) mund të hysh në Shkodër se në 2005 dhe 2009 këta bënin peticione për të të rrëzuar ty”, – ka pohuar Doshi në grup, duke u larguar nga mbledhja në shenjë demonstrative. Ndonëse kreu i qeverisë nuk replikoi direkt me Doshin, preferoi që qëndrimin e tij ta bënte publik pas ikjes së tij. Në pështjellimin e argumenteve se pse deputeti shkodran duhej përjashtuar nga grupi i PS-së, Rama ka hasur në kundërshtinë e deputetit Blushi, i cili ka theksuar se PS nuk duhej përfshirë në debatin mes Ramës e Doshit.

 

Përballja Blushi-Rama

Fill pas pështjellimit të argumenteve, kreu i qeverisë ka theksuar në fjalën e tij: “Ka mes nesh nga ata që e shohin gotën gjysmë bosh”. Kjo deklaratë së bashku me arsyet e përjashtimit të Doshit është komentuar më pas në mbledhje nga deputeti Blushi, i cili ka pohuar: “Nuk mund ta mbajmë ne përgjegjësinë për qeverisjen. Përgjegjësia është jotja si Kryeministër. Ti e ke marrë përsipër. Ne e shohim gjysmë bosh, sepse të gjithë gotën po e pi ti”. Më tej, duke iu referuar vendimit për Doshin, Blushi ka theksuar: “Sa për debatin me Tomën s’mund të na bësh pjesë në këtë punë. Asnjë në grup nuk ka marrëdhënie me Tomën siç i ke ti. Është një marrëdhënie mes shokësh që kishit marrë peng partinë. Sot s’do ta llogarisësh për këtë pjesë dhe kjo është për fajin tënd”. Në kundërpërgjigje, Kryeministri theksoi se nuk e ka marrë peng partinë: “Ti të kesh turp për këto që thua”.

 

Debati në grupin e PS-së

 Rama mban fjalën e përgatitur në grup, jep argumentet pse Doshi duhet përjashtuar

Pas 20 minutash në mbledhje mbërrin Doshi: Ti je peng i Ilir Metës. Është kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. T’i kam thënë rastet kur kanë dashur të më vrasin mua dhe Fufin, por ti s’ke reaguar. Ti je mosmirënjohës, je bukëshkelur, je qenia më e keqe që unë kam njohur. Më ka thënë Blushi para ca vitesh si ka mundësi që ti e beson atë, por unë të besova. Mos mendo që me deputetët që ke atje mund të hysh në Shkodër, se në 2005 dhe 2009 këta bënin peticione për të të rrëzuar ty.

 

Tom Doshi braktis mbledhjen

Rama: E patë, është një problem personal dhe jo një problem partie. Të gjithë duhet të reflektojmë. Toma është marrë në mbrojtje, por nga të gjitha hetimet që janë bërë, nuk rezulton asnjë rrezik dhe asnjë kërcënim jete për deputetin. Unë jam krenar për faktin se kemi çelur, me vendosmëri shtetndërtuese, një kantier reformash rrënjësore që shtrihet në çdo sektor

Ben Blushi: S’do flisja, por më ngacmoi Rama që foli për reformat. Sa për debatin me Tomën s’mund të na bësh pjesë në këtë punë. Unë s’mund të mbaj përgjegjësi si ti. Jeni shokë dhe kishit marrë peng partinë.

Edi Rama: Jo, nuk është kështu…

Ben Blushi: Jo, kështu është, se s’mund të mbaj unë përgjegjësi njëlloj si ti. Asnjë në grup nuk ka marrëdhënie me Tomën siç i ke ti. Sot s’do ta llogarisësh për këtë pjesë dhe kjo është për fajin tënd.

Edi Rama: S’e kam marrë peng partinë.

Ben Blushi: E ke marrë peng partinë, se ke një vit e gjysmë që nuk bën zgjedhje.

Edi Rama: Zgjedhjet i bëra në 23 qershor.

Ben Blushi: Jo, jo, s’po bën zgjedhje, se ke frikë të votohesh nga baza dhe të marrësh vota.

Edi Rama: Ti të kesh turp!

Ben Blushi: As mos më thuaj kështu, se s’kam pse të kem turp. Nëse do të vazhdojë kjo mbledhje, duhet ta tërheqësh këtë që sapo the. Kjo është marrëdhënia jote me Tomën. Para disa vitesh i the atij të më kërcënonte mua.

Kërkon fjalën deputeti Koço Kokëdhima

Ben Blushi: Jepja fjalën këtij priftit.

Gramoz Ruçi: S’ke pse ofendon deputetët kështu.

Ben Blushi: Nuk thashë ndonjë gjë të keqe. Nuk e ofendova.

Gramoz Ruçi: Mirë është ta mbyllim këtë mbledhje dhe të reflektojmë për ato që u thanë këtu.

Fatmir Xhafaj: Tani kjo është mbledhja më e rëndë që kam kaluar ndonjëherë, por duhet të na shërbejë si një moment reflektimi për problematikat. Duhet të jetë moment reflektimi që të flasim. Të mblidhemi në qarqe me ministrat e deputetët, se janë këta të fundit që mbledhin votat. Dhe nuk përkthehet marrja e votave në mbështetje.

Comments are closed.