Letra e priftit françeskan / Ndër 104 ipeshkvij, cilët janë jabanxhinjtë që i sollën të keqen Shqipërisë?!

0
235

urlKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” vijon publikimin çdo fundjavë të letrave

 

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letra të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

 

***

 

Graz, me 6 dhetuer 1957

 

I Perndritshmi e i Dashtuni Mik,

Sadopak nji herë në vjetë! Po kam dý letrat e mbrame t’Uejat para vetes: atê të marrun me 19 dhetuer të vjetës së kalueme e atê të dergueme prej Jush me 14 príll të kësaj vjete. Por edhe vetë Ju kam shkrue ket vjetë. E besoj se këjo âsht e dyta leter qi po Ju shkruej.

Më kënaqi sa s’ka artikulli i Koliqit mbi Jú nder SHÊJZAT E QIELLIT. Më erdh keq veç qi nuk ka dhânë shumë data mbí Jú. Por ata i kam un të gjitha. Un do t’u lâ fjalë atyne qi vîn mbas meje, qi kta të porosisin ata qi vîn mbas tyne, se te vetë janë në nji leter të gjatë t’Uejen datat e biografisë s’Uej, në mënyrë qi ata, kur të vîj koha qi Ju pernjimend me ndrrue jetë, të vêhen e t’i publikojn edhe datat e gjata të jetës s’Uej. Prá ket gjâ po u a lâm pasardhësave të pasardhësave të mij, pse un jam teper i vjeter e edhe pasardhësat e mij janë të vjeter per ket gjâ. .

Tashti po kalojmë te masllahatet. Si po jeni me shëndet e me të gjitha? Prej letres së prillit e pásh se Amerika Ju bâni mejherë per vedi. Mue m’a merr mendja se as “Azija barbare” as “Amerika e qytetnueme” (sic!)” – ket kontrapozicjon e bâni Ju në letren e mbrame -, nuk do të t’i a marrin vendin Europës. Edhe po mbaroi Europa, vlerët shpirtnore, qi paraqet, do ta kenë perherë fitimin. Ju po e shifni se tekniken po e zhvillojn edhe ata qi s’kanë kurrnji kulturë shpirtnore. Me luejtë nji makinë, mund të nxâjë edhe nji zezak, nji indian ase nji papuan, por me kta nuk don me thânë se ata kanë nji qytetní. Njashtu sikurse nuk mund të thohet qi Rusët ase Amerikant të kenë nji qytetní. Nji qytetní materjale mekanike po, por jo nji qytetní shpirtnore.

Po nejse, nuk po hîm në nji pyllë teper të dendun. Tasht po ju bâj ndonji pyetje:

Si âsht per t’u spjegue fakti, qi në luftë ballkanike Shqiptarët nuk luejten aspak per së gjallit? Serbët e Malazezt paten shkelë Shqipnín e kurrkushi nder malet tona nuk luejti per së gjallit per të trazue mbrapa-vijat e anmikut. Po t’ishin çue peshë Malësorët në nord e të Mirditast e tjerët burra të Lumës e Mat e Diber e tjerë, sugurisht nuk do të kishin mujtë Serbët e Malazezt me luejtë jesír me né në vende shqiptare. Kah ka rrjedhë kjo punë?

A âsht e vertetë qi si Shehu si Hoxha rrjedhin, i pari prej familjesh sheh – a thirrej kështû nji rybe fetare e bektashijve? – e i dyti, prej nji familje hoxhallarësh? Do të spjegohej kështu psikologjikisht se si ata qi rrjedhin nga familje fetare, të çohen tash kundër fesë. Sikurse Hitleri, qi të parët jo fort të largët i kishte çfuten, çohet e bân namin kundra Çfutenvet.

Shka doni me thânë në leter, kúr shkrueni: “Por më rá lota në pleqní”? Fjalën lota un s’e kuptoj.

Selman Riza thotë në nji liber me titull “Fillimet e gjuhësís shqipe”, botue në Prishtinë, 1952, këto fjalë: “Mirëpo te i njâjti Bardh në të njâjten veper – krahas me thânjen “gjûha e Arbneshe” gjindet edhe thânja gjûha shqipe”. Ju thoni n’artikullin e mbram nder SHÊJZA, se êmni Shqiptar ishte i panjoftun gjatë jetës së Frangut të Bardhë e sugurisht edhe shumë mâ vonë. Tashti a e njifte a jo Bardhi fjalen shqip? Due me e dijtë me sugurí.

Mandej pse thoni Ju: “shumë mâ vonë u njoft kjo fjalë. Bogdani e ka sugurisht fjalen shqip.

Në të njâjtin artikull thoni n’oroen 92: “Kush të mundet me i dhânë dum etj.”. Mue më duket se ashtu krejt e vshtirë nuk âsht. Ju vetë e spjegoni dikund tjeter fjalën zinima baras m’a nxêni. Fjalën fëdigëze e spjegon lehtë seicilli nga fëdiga (fatica). Ndoj gabim shtypit duhet me e suponue perherë nder këta libra të shtypun nder shtypshkroja të hueja. Gabime shtypit po bâjn sa uji këto fletushkat t’ona të përdame si kpurdhat mbas shiut të vjeshtës gjithkund neper kontinente. Tashti un kishe me e spjegue me ata shka diej vetë në gjuhësí ase mâ fort mbas buon senso: “m’a nxêni (m’a njehni) ket fëdigëzë (questa piccola fatica, lavoro) sa âsht e sikur âsht, po sikur t’ishte nji kafshë (gjâ) e madhe, e vlefshme e tjera. Prá ai âsht i pervûjtë e modesto.

N’oroe 22 nuk e dij pse e thirrni Ju prashtû adverb e jo lidhës (konjunkcjon).

Në letren e dhetorit po gjêj edhe njekto fjalë qi lypin tfillim. Ju shkrueni kështu: “P. Gjergji ka shkruem se e keqja i erdh Shqipnís qyshse erdh pasha turçelí e ipeshkvi jabanxhí”. Un e kam kerkue boll nder tana veprat e P. Gjergjit, por ende nuk e kam gjetë ket fjalë. A thue njimend e ka shkrue Pater Gjergji ket fjalë? Ndoshta nder satirikat e veta të botueme në ALBANIA të Bruxelle (London), të cillat vetë nuk i njof? Ashtu kollaj nuk mund e nxâ besë qi P. Gjergji ka vû baras Ipeshkvîj si Gjon de Piano Carpini, Guljelm Adam ase Anton de Banstro me pashallarë tyrqelí, qi Shqipnís i kanë prû ata shka i kanë prû, por jo kurrnji qytetní qi ka ardhë nga Okqidenti. Gjendjen e mjerë të popullit shqiptar sugurisht nuk e ka shkaktue ipeshkvi jabanxhí, edhe po t’a ket thânë ket fjalë P. Gjergj Fishta, qi historín s’e ka njoftë. Pse ai s’i ka kndue kurr veprat e Šufflay-t e të Jireček-ut e t’Ippen-it e tjera, mbasi ai nuk e ka dijtë gjermanishten, edhe me pasë dashtë me i lexue.

Mbasi na rá rasa me permendë këta auktorë austriakë, kúr do të keni me i botue ata shka keni perkthye ju nga Illyrisch-Albanische Forschungen? Jam i sugurtë se këto perkthime t’Ueja kanë me kenë egzakte e jo sikurse perkthimi i vepres së Šufflay-t “Serbët e Shqiptarët”, plot me gabime të marra, qi as qeni nuk i han. Nder dý perkthyesat e kësaj vepre, njâni ka njoftë shumë-shumë kroatishten, por nuk ka zotnue lânden e librit qi perkthehet; tjetri e ka zotnue deri dikund, por jo shumë, lânden, por nuk ka dijtë kroatishten. E kështû ka dalë nji mish-mash, qi me t’ardhë marre se jemi Shqiptarë, qi nuk diejn as me perkthye nji liber krejt të fjeshtë. Por nejse, këto janë hallet e Shqipnís, qi i a paska prû mbas fjalëvet të P. Gjergjit, kush? – Urdhni françeskan nder mâ se 700 vjet jete i ka falë Shqipnisë 104 ipeshkvîj. Nder ta nuk e xâ besë se janë kenë 10% shqiptarë, por të tanë jabanxhí. Këta, thue, i a paskan prû Shqipnisë të keqen? E këta po e thânka P. Gjergji, si shkrueni Ju në leter? M’a diftoni njiherë se ku e thotë këtê P. Gjergji. E atëherë të shohim.

Letrës i erdh fundi, prandej edhe vetë po e perfundoj per sot me kaq.

Ju uroj shumë shëndet e të mira sá ujët e Oqeanit per Vjetin e Rí 1958.

Jueji me shumë nderime

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

 

 

 

Niagara Falls, 18 maj 1958

 

Fort i dashuni mik,

Çdo gjâje i vjen dita e vet dikur: kështu si po i vjen sod, mbas pesë muejsh, letres s’ate me 6/12/57 me pasun pergjegjen t’eme. Me pasun për të shtruem hesapë ndërmjet nesh, prap se prap un po dalkam për të marrë. Se ti paske pasë pritun tetë muej për me m’u përgjegjun, pra tre mâ shumë se un. Po t’i shtojmë mbasandej këtij hesapi edhe ndryshimin e dý moshave t’ona e atê, mendoj un, të punëve tjera qi ka secilli prej nesh, un jam edhe mâ shumë fitues. Po të kallxoj punët e mija qi nuk besoj se i ke ti: me kontrolluem se ç’i mungon shtëpisë e me dalë e me i blemë; me gatuem; me lamë enët (kapërceva rendin, por s’ka gjâ); me shtruem tryezën e mbasandej me e dëlirë. Qe, pra, ti këto punë nuk i ke, besoj. Vajza e mjerë, qi ka mbetun femën shqiptare 400- derhemsh ( e prandej edhe pa burrë!) nuk don me më lânë qi të merrem me asnji kso punësh qi i përkasin grues; por kush lanë e shpërlanë ndërresat e kush dëlirë shtëpinë bashkë me 10 orë punë e rrugë përjashta? Këto i ka mbi shpinë trup’i saj, e veç me e mbytun, se nuk banë mâ tepër.

Me kaqë, desha vetëm me zgjatun kuvêndin me tý, se më paska pasë marrë malli. E tash po dal te argumentet e letrës s’ate. Faleminderës qi të paska kënaqun panegjyriku i Ernestit për mue. Edhe tjerë miq si ti janë kënaqun. Âsht nji reakcjon shpirtnuer shumë të shameve qi kam pasun prej anmiqsh e kundrështarësh të paburrní. Âsht e vërtetë, si po thue vetë, se ti ke mjaft lândë të shkrueme mbi jetën t’eme.

Un paskam folë në letrën e mbrapme qi të kam dërguem për “qytetninë” amerikane si antithesë me “barbarinë” asjatike, natyrisht përsa i përket epokës s’onë e jo historisë. E po e mbaj kët’antithesë. Ti duket se po dashke me i a mohuem kryekëput Amerikës çdo farë qytetnije shpirtnore, tue i konceduem vetëm përparimin teknik, e me i a njohun “ kurvës së motit” si monopol gjithë ç’âsht pasuní shpirtnore. Por ke kaluem rrëshqitas e thue se “nuk po hîmë në nji pyllë tepër të dendun. Okay, pra; edhe un kisha me thânë si ti, se njimênd nuk do të dijshim kurrsesi me dalë prej nji pylle t’atillë, e pa kurrfarë dobije.

Ti po më pyet: “Si âsht për t’u spjegue fakti qi në luftë balkanike Shqiptarët nuk luejtën për së gjallit” kundra okupatës sërbo-malazeze? Un për vete, historikisht do t’a zhvillojsha këtë themë kështu:

  1. Në 1908, Shqiptarët u gjindën përpara nji avenimenti politik e historik të papritun: përpara revolucjonit të Tyrqe të Rij qi i dha fund absolutizmës së sulltanit, edhe me ndihmën e tyne, dhe çeli nji herë të re, herën konstitucjonale, në sundimin othoman. Gjithë Evropa u çudit e u hutue, se nuk e kishte parapamë e pritun nji gjâ të këtillë. Tash ajo besoi se “njeriu i sëmûtë”, jo vetëm qi s’e kishte t’afër dekën, por qi po kishte mjaft gjasë me u shëndoshun krejt e me u mbëkâmbun edhe nji herë. Prandej, tre muej mâ vonë, në tetuer, Austro-Hungarija nxitoi me aneksuem Bosne-Hercegovinën ndërsa ishte në kohë, dmth. para se t’u forconte regjim’i ri, e Bullgarija me u shpallë e pavarme e me aneksuem vilajetin “Rumelija Lindore”.
  2. Gjithë popujt jo-tyrq të mbretnisë othomane e brohoritën n’e parë regjimin e ri tue besuem se do të pështetej mbi parime liberale e nji systemë decentralizimi administrativ e kulturuer. Por u zhgënjyen shpejt. Tyrqit e Rij kishin ardhun në fuqí me idena krejt të kundërta; me forcuem mbizotnimin e elementit tyrk e centralizimin e filluem me reformat antifeudaliste të Mahmudit II e të vazhuem prej të birit, Abd-ul-Mexhidit. Në 1909 pakënaqsija vot tue u shtue e dhe në Shqipní nisën me u shtue turbullinat lokale. Represjone barbare në Kosovë e Mbishkodër (Durgut, qëndresë heroike e malsoret, Ismail Kemal e Luigj Gurakuq në Cetinë e Podgoricë, Libri i Kuq).
  3. 1912-ta e gjet gati gjithë parinë shqiptare kundra regjimit të vendosun në Stamboll prej elementit tyrqist fanatik. Por ç’donte kjo parí ? Duhet të flasim për parinë e stërvitun, mbasi i pastërvituni s’ka mundun kurrë e askund me konceptuem nji program politik. E pra parija e stërvitun, e ashtuquejtuna parí intelektuale, s’ishte kurrkund e marrun vesht rreth nji programe politike-kombëtare e, natyrisht, as rreth nji plani veprimit. Mâ zí, parija e tre elementavet fetarë qi përbâjshin popullin t’onë rrojshin, mendojshin e veprojshin secilli në botën e vet mbë vete. Mblidhen e shmbëlidhen beglerët, deputetën e senatorë në parlamentin othoman, lidhin e zgjidhin, vendosin e zhvendosin ndër vete e ignorohet elementi katholik, në të vërtetë mâ i cillsuemi për me thânë fjalën e vet, mbasi ishte ai qi pak parandej kishte lamë me gjak të vet shkrepat e Mbishkodrës dhe kishte lëshuem para sŷve të botës nji program kombëtar, 12 pikat e Librit të Kuq. Vendoset në kryeqytet kryengritja në tânë Shqipninë, por pa nji përgatitje të mirë e pa program. Parlamenti mbyllet për pushime e beglerët shpërdahen nëpër vêndet e tyne. Përgatisin popullin për kryengritje .( Nuk jam i sigurtë nga kujtesa e ime për këtë pikë: në se njimênd qe mbyllë parlamenti e beglerët t’anë deputetën qenë kthye, apo i dhanë me mjete tjera udhzimet për kryengritje.)

 

***

Me kaqë, besoj se t’a kam tfilluem mjaft mirë mendimin t’em për sa i përket pyetjes s’ate mbi shkaqet e çdo natyre për të cillat Shqiptarët nuk mundën e, edhe sikur të mundshin, nuk duhej me u vûmë pushken shkelse sllavo-grekë të tokës së vet në 1912-            13. Tash mund të shtŷhemi mâ tutje. Porse deshta edhe me justifikuem (ligjuem) deri diku pse u zgjata me revolucjonin e regjimin e Tyrqe të rij në lidhje me pyetjen e parë. Kisha ndër mênd me tënduem të provoj a të spjegoj tërthoras qi do t’ishte gabim me krahasuem epopenë shqiptare – kështu mâ po e quejmë edhe në prosë – të fillueme me Lidhjen e Prizrenit e njizânit me pushtetet othomane, do t’ ishte gabim, pra, mbas mendimit t’em e këtë kam dashun të qaroj, me krahasuem ato gjeste me rrethanat krejt të ndryshme, nga çdo pikpamje, t’okupatës balkanike të Shqipnisë. Kam dashun të kallxoj se aso kohe të largë kishim para nesh nji Mal të Zi të vocërr e në 1912 – 13 ishin kundra nesh Malazez, Sërb e Grekë gjatë kufîje të Shqipnisë mbarë, pa përmendun Bullgarë e Tyrq. Në 1909-1912 Shqiptarët qênë kaçafytun me Tyrqit vetëm e krejt në mënyrë khaotike, pa pasë qênë kurrë të zotnit me u organizuem rreth nji programe kombëtare. E shi nj’ashtu shkonte puna e jonë edhe nën okupatën 1912 -’13 e jo ndryshe. Sido qoftë, kujtoj se s’kam bâmë nji mundë të kotë tue t’a përshkruem shkurt atë perjodë. Këndoji, n’i paç kund, ata dy rreshta të shpalljes së pavarsisë s’onë në Vlonë, këndoji e analizoje kuptimin e tyne tepër rivelatuer e instruktiv.

Fjala sheh (arab. shejkh) s’ka në shqipet nji kuptim as aqë të gjanë as aqë fisnik sa n’origjinën e vet. Te na âsht përgjithsisht nji ignorant qi fshihet nën këtë titull e nën nji veshë të posaçme, qi don me qênë nji farë frati i nji sekti mysliman; por jo i sektit bektashijan, në të cillin bajnë titullin dervish e kur marrin nji gradë, bâhen baba (atë), nji gradë edhe mâ nalt dedë (gjysh), i par’ i gjithë bektashijet kryegjysh. Dervishët mund të martohen, por dervish’ i martuem nuk bâhet dot babà. Dedei mundet me qênë e mâ të shumtën âsht abat i nji kuvêndi. Në Shqipní sikur kemi ndër orthodoksa Prifti ose greqisht-opull (os) (sl. Popoviq, Popof), ashtu kemi ndër myslimanët : Shehi ase Shehu e Hoxha. Shehu e hoxha martohen.

Âsht e para herë qi po e dij, prej teje, qi Hitleri i paska pasun të parët e vet çifutën. Kush e ka zbuluem e provuem këtë fakt të çuditshëm? Fakt i çuditshëm jo aqë për të mbytunit e qinda, ndoshta mija çifutnish të Gjermanisë e për dëbimin e tyne mbarë prej Gjermanije me urdhnin e njí stërnipi të vet, sa për të marrunit e këtij stërnipi çifutnish qëndrimin e apostullit të racës arjane e për durimin e popullit gjerman të nji komedije kaqë banale. E si âsht lânë kaqë mbas dore theksim’i këtij fakti nëpër botë?

Fjala lotë don me thânë short, më ra lota = më ra shortja. S’guxoj me të siguruem nëse vjen prej it. lotto, se edhe kjo pa ardhëka nga nji gjerm. e vjetër laut ose lauta, gjëní me anglo-saks. hlot.

Për ça ka thânë Selman Riza, et., do t’a keshë kënduem përgjegjen t’eme ke Shêjzat kaherë. Për fjalën prashtu kam thânë adv. pa e vramë fort mênden, i tërhjekun ndoshta prej pjesës – ashtu; edhe Mann-i e Krist. ashtu adverb e kanë; por un, tash qi më nxite ti me e stërholluem mâ imtë, t’ap fort arsye tý për lidhzë (lidhës).

Sa për vargun e heshtun të Lahutës së Malcisë “Edhe ipeshkvi jabanxhí”, un jam i bindun se ata qi më kanë pasë thânë se ishte kështu, nuk më kanë gënjyem. Sod as nuk mbaj mênd mâ aspak se kush kanë qênë – kam pasë pyetun mâ se nji-, por besoj se kanë qênë burra të mirë e në gjêndje me e dijtun. Mbas letrës s’ate i shkrova, se kisha për t’i shkruem, Karl Gurakuqit e e pyeta. M’a vertetoi edhe ky se ishte ashtu. Por për veten t’eme un nuk e zâ nji problemë këtê, prandej as nuk e kam stërholluem kurrë. Madje më thotë mêndja qi ai varg nuk âsht botuem kurrë askund, por ka mbetun në dorshkrim. Athue janë ruejtun dorshkrimet e vepravet fishtjane? Nuk e besoj. Ti i paske marrë ato fjalë të të ndjyemit P. Gjergj si nji pohim historik. Kurse un kisha me i marrë thjesht si nji trill poetiko-patrijotik dalë ashtu pa dashun e pa menduem gjatë e hollë. Me pasë për t’a nxjerrë historinë t’onë për epokën e përshkrueme, prej Lahutës, mund të dalë nji legjendë, por jo sakt historí.

Un nuk dij se kur kishin me u botuem e a kishin me u botuem ndonji herë shkrimet e mija, përkthime e origjinale qofshin. Këtë veç Zoti e din. Gabime ndër to do të gjinden sa të duesh ; mund të them vetëm se kujdesi s’ka munguem. Them kujdesi i parë, tue i shtrimë mendimet në letër. Edhe nji shikim të parë va kam hjedhun. Por mâ fort se kështu nuk jam lodhun me to. Mendojsha me i bâmë qërtimet e fundit, me ndryshime eventuale, kur të kishin fatin me u botuem.

Tash me argumentet e letrës s’ate kam mbaruem punë krejt. Vetë edhe s’po kam ç’me shtuem tjetër. Por hê, qeshë tue harruem me të lëvduem për studimet historike qi ke nisë me botuem ndër Shêjzat. Un deri tash s’e kam marrë pjesën e dytë.

Këto katër fletë dý faqesh âsht e drejtë me m’i quejtun për katër letra. Festat t’i kam uruem gjithmonë me kartolina. Këtu po t’uroj me gjithë zêmër e bashkë me gjithë dy të mijt shumë shëndet e të mira tjera.

Mustafa

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency