Standard.al

Trafikimi/ 94 vajza të trafikuara vetëm në një vit, OKB: E papranueshme

94 vajza të trafikuaraKëmbana e alarmit për shifrat alarmante të trafikimit të femrave për prostitucion vjen nga kreu i Entitetit të Kombeve të Bashkuara. Kërkohet angazhim për t’i vënë fre dukurisë

 Trafikimi i femrave për prostitucion është kthyer tashmë në një fenomen. Vetëm gjatë vitit që lamë pas, pra 2014, sipas OKB-së, janë trafikuar 94 vajza nga Shqipëria. Kjo shifër, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është e papranueshme. Kreu i Entitetit të Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore kërkoi nga autoritetet e Tiranës të punojnë më fort për t’i vënë fre dukurisë. David Saunders, i cili është në krye të këtij institucioni gjatë një tryeze me të njëjtën temë, bëri një thirrje për mediat. Sipas tij, mediat duhet të kenë kujdes për të shmangur paragjykimet dhe për të rritur rastet e denoncimeve.

 

David Saunders

“Nga informacionet që kemi marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2014 janë trafikuar 94 persona, ku 100% e listës kanë qenë femra. Këtu nuk flasim vetëm për këtë shifër. Po flasim për 94 familje që janë shkatërruar, e që vijnë nga kriza të paimagjinueshme, një prej të cilave trafikimi i qenieve njerëzore që ne jemi duke trajtuar sot. Dhe çfarë do të thotë kjo shifër për ne? Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? Kjo shifër është e papranueshme! Duhet të bëjmë më tepër për të mbrojtur viktimat, t’i fuqizojmë ato dhe të ndjekim penalisht personat përgjegjës”.

 

Trafikimi

Lufta kundër trafikimit të femrave për prostitucion prej vitesh ka qenë në qendër të vëmendjes nga çdo qeveri. Ministria e Brendshme ka paraqitur shifra zyrtare të femrave që trafikohen. Por më e frikshme bëhet ky fenomen, kur një pejsë e vajzave që gjenden të detyruara në këtë rrjet, nuk mund të drejtohen në polici. Frika nga ndëshkimi është një nga arsyet pse ato në pjesën më të madhe heshtin. Shumë femra sipas studimeve dhe shifrave zyrtare kanë gjetur vdekjen. Një pjesë e tyre janë torturuar në mënyrë çnjerëzore.

 

 Prostitucion me të mitur, kapet i shpalluri në kërkim ndërkombëtar

Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 27-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nën akuzën e prostitucionit me të mitur. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se në pranga është ka përfunduar 27-vjeçari Rudolf Deda, me banim në Shkodër. Mësohet se arrestimi i tij është bërë i mundur gjatë pasdites së djeshme. Të njëjtat burime pohuan se 27-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Milano të Italisë, ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2012, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit ndaj të miturve”. Akuzat ndaj tij rëndojnë pasi gjatë qëndrimit në Itali ka shfrytëzuar si prostitutë një vajzë të mitur. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë pasditen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar ditën e djeshme në malin e Shpiragut. Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë Leçini, pasi gjykata ka vendosur për të burgim me 3 vite e 6 muaj nën akuzën e vjedhjes.

 

Lezhë, procedimi penal, reagon kryekomunari: Akuzat, të pabaza

Pas njoftimit të bërë nga Policia e Lezhës për fillimin e procedimit penal ndaj kryekomunarit Arben Doçi në Komunën Zejmen për shpërdorim detyre, ditën e djeshme vetë Doçi ka reaguar duke thënë se akuza e ngritur ndaj tij është e pabazuar. “Çështja për sipërfaqen e tokës për të cilën kanë nisur hetimet është pushuar nga Gjykata dhe Prokuroria e Lezhës dhe akuzat ndaj meje janë të pabaza”. Kështu është shprehur kreu i Komunës Zejmen, Arben Doçi, një ditë pas procedimit penal të nisur nga policia ndaj tij. Ai ka bërë të ditur se personi i cili ka bërë padinë e ka humbur gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë. Kryekomunari ndër të tjera shtoi se ky sulm i policisë dhe prokurorisë ka prapavijë politike. Burime zyrtare ditën e enjte kanë bërë me dije se procedimi penal ndaj tij nisi pas një kallëzimi të një shtetasi, pasi kryekomunari Zejmen sipas kallëzuesit kishte dhënë tokën në pronësi të tij me qera, ndaj një personi tjetër. Por kjo akuzë nuk është pranuar nga kreu i komunës, pasi sipas tij akuzat kanë prapavijë politike.

 

Kukës, familjarët e Begzim Isës kundër Prokurorisë: I pafajshëm

Familjarët e Begzim Isës kontestojnë pretencën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila tri ditë më parë kërkoi 10 vite burg për të riun, me akuzën e pengmarrjes dhe trafikimit të qenieve njerëzore të mbetur në tentativë. Sipas familjarëve, Begzim Isa është i pafajshëm dhe po e mbajnë në burg pa asnjë të drejtë. Begzim Isa, banor i fshatit Orgost, u arrestua dy vite më parë me akuzën se rrëmbeu dhe mbajti në banesë 24 orë një fëmijë të mitur me iniciale A. F., për qëllime trafikimi. Tri ditë më parë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, organi i akuzës kërkoi dënimin e tij me 10 vite burg nën akuzën e tentativës së trafikimit të të miturve me destinacion në Kosovë. I riu nga Kukësi u dyshua edhe për zhdukjen e vogëlushes Bleona Mata, dyshime të cilat nuk u provuan asnjëherë. Prokuroria nuk ngriti akuzë ndaj tij për zhdukjen e mistershme të Bleonës 5 vjet më parë në Zapod të Kukësit, i njëjti fshat nga ku u rrëmbye dhe i mituri 8-vjeçar.

 

Comments are closed.