Standard.al

Shtyhet një muaj afati i përfitimit nga ulja e kamatave

Ervin Kaduku

matesa elektrike –  Prezantohet skema e re për lehtësimin e detyrimeve të energjisë elektrike për bizneset

Shtyhet për në 31 mars afati për shlyerjen e pagesave të prapambetura të energjisë elektrike. Vendimi është bërë publik dje, në një konferencë të përbashkët për media, nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe administratori i OSHEE-së, Ardian Çela.

Ministri Gjiknuri u shpreh se është konstatuar që qytetarët u janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme për pagesën e faturave debitore dhe se në situatën e krijuar ku njerëzit po mbajnë radhë të gjata për të paguar dritat, atëherë është parë e udhës shtyrja e afatit edhe për një muaj. “Në 3 muajt e fundit ka pasur një nivel arkëtimesh me 100 milionë dollarë më shumë”, – tha Gjiknuri.

Nga ana e tij, administratori Çela u shpreh se shtesa e afatit me 31 ditë është mundësia e fundit për të paguar faturat.

Në cilësinë e administratorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela tha se nga nisja e zbatimit të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës, në 4 dhjetor 2014, deri më 26 shkurt 2015 janë nënshkruar 233.486 aktmarrëveshje me abonentët debitorë familjarë. 139.302 prej tyre kanë likuiduar plotësisht borxhin duke përfituar nga ulja me 80% e kamatëvonesave. Janë 15.804 familje të klasifikuara në ndihmë ekonomike që kanë firmosur aktmarrëveshje për shlyerjen e borxhit me 1 mijë lekë/muaj. Vlera totale nën aktmarrëveshje për tre muaj është 42.6 miliardë lekë, ndërsa totali i arkëtuar vetëm nga aktmarrëveshjet shkon mbi 5.2 miliardë lekë.

“Në zyrat e kompanisë, puna vazhdon me dy turne dhe veprimet kryhen deri në orën 22:00 të mbrëmjes, përfshirë fundjavën, pra të shtunë dhe të diel”, – tha ai.

Sipas Çelës, kompania mori masa duke lidhur kontrata shërbimi me operatorë të tjerë privat, si Western Union dhe Money Gram, që kanë pika në të gjithë vendin. Bashkë me Postën dhe bankat e nivelit të dytë, abonentëve u janë krijuar mundësitë maksimale për të shmangur flukset dhe radhët në zyrat e OSHEE-së.

Madje, janë lidhur kontrata me të tjera shoqëri shërbimesh, të cilat shumë shpejt do të nisin punën për t’u dhënë mundësi të gjithëve, kudo që ndodhen të paguajnë faturën e energjisë.

Shtyrja e afatit u bë, pasi u pa se me afrimin e datës 28 shkurt, flukset janë shtuar. Nëse deri më 15 shkurt, mesatarisht në javë lidheshin 2.00 aktmarrëveshje në ditë, pas kësaj date numri arriti në mbi 7.500 në ditë, duke u trefishuar. Në 4 ditët e fundit është shënuar një numër rekord, mbi 35 mijë aktmarrëveshje. Pavarësisht se sportelet janë hapur deri në 22:00 të mbrëmjes, të dhënat në sistemin e brendshëm tregojnë se 80% e aktmarrëveshjeve janë lidhur në orët e paradites, duke mos u shfrytëzuar kështu oraret e vendosura.

Sipas tij, tashmë është marrë një vendim nga qeveria dhe Këshilli Mbikëqyrës për shtyrjen me 31 ditë të afatit të vlefshmërisë së skemës lehtësuese. Zyrat e OSHEE-së do të vazhdojnë të jenë të hapura çdo ditë të javës dhe klientët duhet të shfrytëzojnë zgjatjen e orareve për të shmangur radhët.

 

Biznesi

Ndërkaq, nga data 1 mars, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të vërë në funksion një skemë që i jep frymëmarrje biznesit dhe lehtëson shlyerjen e detyrimeve të akumuluara me këste. Kategoritë e përfshira në skemë janë si vijon:

  • Konsumatorët privatë të linjës 35 kv, që janë industritë e rënda, ta shlyejnë detyrimin me 6 këste të barabarta brenda datës 31 dhjetor 2015.
  • Konsumatorë privatë të linjës 20-6 kv, që janë biznese të mëdha (siç janë p.sh ato të autostradës Tiranë-Durrës), duhet ta shlyejnë detyrimin me 12 këste, e ndarë në dy periudha, brenda datës 31 dhjetor 2016 për furnizimin 20/10 kv, dhe brenda 2017-s për linjat 6 kv

Dhe kështu me radhë:

  • Konsumatorët e tensionit të ulët, me 12 këste
  • Objektet e kultit, me 12 këste
  • Serat dhe pompa uji vaditëse, këste të ndara në 24 muaj

 

Bien eksportet dhe importet, performancë në rënie e tregtisë së jashtme

Në muajin janar 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 0,6% në krahasim me janarin 2014 dhe 8,0% në krahasim me dhjetorin 2014, raportoi INSTAT. Rritje më të madhe vjetore, sipas peshës që zë çdo grup në eksportet gjithsej, kanë pasur eksportet e grupeve “Tekstile dhe këpucë” me 14,2%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 38,9% dhe “Ushqime, pije, duhan” me 7,6%.

Rënie vjetore, sipas peshës që zë çdo grup në eksportet gjithsej, kanë pasur eksportet e grupeve “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 40,7%, “Prodhime druri dhe letre” me 11,9% dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 7,1%.

Në muajin janar 2015 importet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me 0,2% në krahasim me janar 2014 dhe 35,6% në krahasim me dhjetor 2014. Rritje më të madhe vjetore, sipas peshës që zë çdo grup në importet gjithsej, kanë pasur importet e grupeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 7,4%,”Ushqime, pije, duhan” 11,0% dhe “Produkte kimike dhe plastike” 20,5%. Rënie vjetore sipas peshës që zë çdo grup në importet gjithsej, kanë pasur importet e grupeve “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 34,1%, “Prodhime druri dhe letre” me 25,6% dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 7,6%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 17 mld lekë, duke u rritur me 0,3% krahasuar me janar 2014 dhe duke u ulur me 50,9% në krahasim me dhjetor 2014.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 61,8% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,2%), Turqia (7,9%), Kina (7,8%) dhe Greqia (6,2%).

 

 Tatimet shkaktojnë rrëmujë me kodin ekonomik dhe NIPT-in

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve se deri më 10 mars duhen përditësuar kodet ekonomike të biznesit ka shkaktuar konfuzion në një pjesë të sipërmarrjeve që kanë ngatërruar kodin me NIPT-in, por nuk ky i fundit është unik dhe nuk ka pse ndryshon. Burimet zyrtare në Tatime sqaruan dje se kodi ekonomik është veprimtaria e bizneseve. Tatimet kanë dashur të njoftojnë bizneset se duhet të përditësojnë veprimtarinë e saktë në QKR dhe në tatime, çka do të thotë nëse kë hapur një licence për bare kafe dhe e ke shndërruar në fast food, ky ndryshim i aktivitetit duhet rifreskuar edhe në QKR edhe në Tatime.

Por Tatimet, në vend që të kërkonin përditësimin e veprimtarisë së biznesit, e kanë cilësuar këtë të fundit kod ekonomik, duke i përfshirë bizneset në një paqartësi të re.

Pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se për arsye të fluksit të madh të aplikimeve, afati përfundimtar për përditësimin e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve si dhe përditësimin e kodeve ekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) shtyhet deri në datën 10 mars 2015.

Këtë vit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë angazhimin për sistemuar regjistrin tatimor. Regjistri do të pastrohet nga bizneset jo aktive duke i përfshirë ato në një regjistër të veçantë.

 

Rriten çmimet e karburantit dy herë brenda javës

Çmimi i karburantit është rritur me 2 lekë të tjera gjatë ditëve të fundit. Në pikat e karburantit në kryeqytet nafta tregtohet me 171 deri në 173 lekë për litër.

Nafta filloi të shtrenjtohej në javën e parë të këtij muaji, kur çmimi i naftës bruto në botë filloi të rritej. Por, rritja në vendin tonë ka ardhur graduale dhe e qëndrueshme, duke u shtrenjtuar 10 lekë për litër në 3 javët e fundit. Sjellja e tregtarëve të karburantit në vendin tonë, këtë muaj, nuk ka pasqyruar aspak uljet e shënuara në bursë, ndërsa duke i qëndruar besnik vetëm pasqyrimit të rritjes.

Lënda djegëse në vend është ndër më të shtrenjtat në rajon dhe mungesa e uljes së çmimit u ka rënë në sy edhe ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Çmimet e karburanteve do të jenë pjesë e axhendës së misionit të ardhshëm të Fondit në vendin tonë, siç bëri të ditur në një intervistë për “Zërin e Amerikës” shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë. Sipas tij, mund të ketë disa faktorë, një ndër të cilët mund të jetë shtrembërimi i tregut. Por shqiptarët paguajnë një faturë të kripur për karburantin, pasi blejnë shtrenjtë karburant me cilësi të dobët. Inspektorati qendror teknik ka gjobitur 42 subjekte tregtare në periudhën janar-shkurt të këtij viti. Më shumë se gjysma e tyre kanë probleme me parametrat e cilësisë.

Një muaj më parë, inspektorati bëri të ditur se kishte gjobitur 63 kompani pas kontrolleve të ushtruara në dy muajt e fundit të vitit të kaluar.

 

Financat e “Shtetit islamik”

–  “Shteti islamik” ka burime të mëdha financiare, që ushqehen nga burime të ndryshme. Për t’i luftuar ato, komuniteti ndërkombëtar, krahas dhunës, mund të përdorë edhe fuqinë e tregut

 

Shtetit Islamik (IS) nuk i duhet të shqetësohet për anëtarë të rinj. Thuajse nga të gjitha anët e botës djem të rinj (gjithnjë e më shumë edhe gra) shkojnë për t’iu bashkuar xhihadistëve. Disa e bëjnë këtë për bindje fetare, të tjerë sepse besojnë se kështu u ndihmojnë vëllezërve të besimit. Disa të tjerë i josh aventura ose thjesht dëshira për krime dhe dhunë. Por një gjë i bashkon të gjithë milicët e IS, ata marrin rrogë. 500 deri 600 dollarë merr një luftëtar i zakonshëm në muaj. Por t’i llogaritësh të gjithë kjo është një shumë e madhe. IS ndërmerr edhe disa programe bamirësie, me të cilat ai mbështet jetimët, gratë e veja dhe të plagosurit. Gjithsej, njofton gazeta “Al-Araby al-Jadeed”, IS ka një buxhet prej rreth dy miliardë dollarë për vitin 2015. Megjithatë, gazeta nuk përjashton mundësinë, që shuma të jetë edhe më e lartë.

Si i ofron IS këto shuma? Deri në vjeshtën e kaluar ai ka fituar kryesisht nga tregtia me naftën. Si në Irak ashtu edhe në Siri ai ka vendosur nën kontrollin e tij rajone të tëra, ku prodhohet naftë. Impiantet e naftës kanë mbetur të paprekura me gjithë luftimet, kështu që terroristët kanë mundur të shesin vazhdimisht naftë. Në vjeshtën e kaluar IS sipas të dhënave të revistës “Foreign Affairs” prodhonte 44.000 fuçi naftë në ditë në Siri dhe 4.000 fuçi në Irak. Por pastaj u shtuan sulmet e aleancës ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA kundër organizatës terroriste. Avionët e saj bombarduan edhe zonat e nxjerrjes së naftës. Si rezultat është zvogëluar dukshëm biznesi i naftës.

e naftës Baixhi në Irak bombardohet nga koalicioni kundër IS

 

Një sërë burimesh

Por IS ka zbuluar ndërkohë burime të tjera. Kështu përmenden gjithnjë e më shumë të ardhurat nga shtetet e Gjirit. Por kjo nuk është vërtetuar ende sa duhet. Me sa duket ka individë që u dërgojnë shuma të konsiderueshme xhihadistëve nga simpatitë për idetë e tyre ekstremiste. Të tjerët paguajnë për motive të kundërta. Ata kanë frikë se IS mund të bëhet aktiv edhe në Gadishullin Arabik. Në fakt luftime të para ka pasur edhe në kufirin saudito-irakian. Për të parandaluar përhapjen e dhunës ekstremiste brenda gadishullit, këto shtete i dërgojnë para organizatës terroriste. Këtë e pohojnë së paku përfaqësues të qeverisë kurde në Irakun verior. Se cilat organe i paguajnë në të vërtetë këto shuma, nuk është e njohur.

Në mënyrë të konsiderueshme IS financohet edhe nga veprimtari kriminale. IS bën tregti si me cigare, drogë dhe telefona celularë, ashtu edhe si dhe me objekte antike siriane dhe irakiane. Ai ofron edhe pasaporta. Ato vijnë nga luftëtarët e huaj të organizatës, të cilët pasi hyjnë në Siri dhe Irak, i shesin ato për disa mijë dollarë secilën. Vendimi thellësisht simbolik politik, për të lënë pas identitetin e vjetër, bëhet në këtë mënyrë një tjetër burim i të ardhurave për IS.

Fonde shtesë i vijnë IS edhe nga rrëmbimet dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Nëse nuk është fjala për pengje të shquara perëndimore, IS përpiqet që t’i këmbejë pengjet me para. Ai financohet gjithashtu edhe nga shitja e pengjeve femra, si për shembull e jezideve të rrëmbyera. Kohët e fundit është njoftuar, se IS ka hyrë edhe në tregtinë me kufoma, më saktë me pjesë të kufomave. Organet e njeriut kërkohen shumë në spitale dhe klinika. Përveç kësaj IS i kërkon taksa popullsisë së territoreve të pushtuara.

 

Të mundet tregu me treg

Një pjesë e madhe të suksesit të tij IS-it i vjen edhe nga përvoja e anëtarëve të tij. Në mesin e tyre nuk ka vetëm të rinj pa orientim, të cilët mendojnë se gjejnë mbështetje tek organizata terroriste. Disa drejtues të rangjeve të larta dhe të mesme janë ish-anëtarë të ushtrisë irakiane nga koha e Sadam Huseinit. Të arrestuar nga amerikanët dhe të futur në burgje të ndryshme të vendit, ata kanë lidhur atje kontakte me botën e krimit të Irakut. Tek ata mbështeten tani.

Sipas kriminologes Louise Shelley, që merret me terrorizmin dhe krimin ndërkombëtar, bizneset e IS nuk mund të parandalohen vetëm me masa policore apo ushtarake. Shelley shkruan në një artikull për revistën “Foreign Affairs”. “Për të mundur një konkurrent ekonomik, duhet të bësh më shumë se të presësh burimet e tij të të ardhurave. Me fjalë të tjera duhet një biznes legal për të goditur një biznes ilegal.”

Prandaj shkruan ajo, SHBA duhet të ndihmojnë qeverinë irakiane në mbështetjen e ekonomisë kombëtare për ta bërë atë tërheqëse dhe konkurruese. Nëse në këtë treg mungojnë oferta tërheqëse, klientët mundohen t’i tërheqin në rrugë të tjera. Gjithashtu duhet të shfrytëzohet më mirë know-how i bizneseve vendore, në mënyrë që të identifikohen më mirë rrugët tregtare të IS, me qëllim që atyre t’u vihen përballë oferta të tilla. Tregu ndjek rregullat e veta. Kush i injoron, dështon. Kjo është e vërtetë edhe për terroristët në dukje të plotfuqishëm.

 (Marrë nga Deutsche Welle)

Comments are closed.