Përplasja me Ramën/ Negociatat pa zgjidhje, Doshi: S’ka tërheqje, ka kohë të mbajë premtimet deri më 21 qershor

0
144

Gëzim Saliu

rama, doshi, qytetaret Kokëdhima: Dreka me Doshin, shoqërore, ministrat po kryejnë detyrën, kanë mbështetjen time

Negociatat mes deputetëve socialistë së porositur nga Kryeministri për të zgjidhur debatin mes tij dhe ligjvënësit të qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, nuk dhanë rezultatin e duhur. Edhe pse vihet re një zbutje e toneve nga ana e deputetit ndaj kreut të qeverisë, kërkesa për mbajtjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës mbetet parësore. “Kreu i qeverisë duket të realizojë të gjitha premtimet që ka dhënë në qarkun e Shkodrës dhe për këtë ka kohë deri në 21 qershor”, – tha ai dje për “Ora News”. Ndërkaq, në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Doshi sqaroi opinionin publik se deklaratat e tij kundër Kryeministrit nuk kishin lidhje me interesa personale, porse ato përfaqësonin shqetësimet e qytetarëve. “Të nderuar bashkëqytetarë, e shikoj të arsyeshme që përballë jush të komentoj reagimin tem karshi Kryeministrit dhe qeverisë. Unë jam deputet i Kuvendit, por mbi të gjitha jam përfaqësues i bashkëqytetarëve të mi. Premtimet e dhëna janë detyra jonë për t’u mbajt dhe unë bëj pjesë në grupin e politikanëve që premtimet i japin sepse në qeverisje duan t’i shikojnë të realizuara. Nuk ndaj asnjë interes personal për reagimin sepse të gjithë e dinë që anën personale unë e kam pas të mirëmenaxhuar përpara se të bëhesha pjesë e politikës. Unë kam nevojë që t’ju shikoj drejt në sy ju që më besuat dhe ndaj jam i gatshëm gjithmonë që të reagoj”, – shkruante Doshi.

 

Reagimi i Kokëdhimës

Sa i përket drekës me deputetin Kokëdhima pas akuzave në Kuvend ndaj Kryeministrit Rama, Doshi sqaroi se ajo ka qenë një drekë mes miqsh. Sipas deputetit të qarkut Shkodër, takimi nuk ka prodhuar asnjë ndryshim qëndrimi, pasi siç theksoi Doshi, më parë Kryeministri duhet të përmbushë premtimet, të cilat i ka dhënë qytetarëve para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ndërkaq, vetë deputeti Kokëdhima, i cili u mundua të luante rolin e negociatorit mes Ramës dhe Doshit, theksoi se dreka mes tij dhe Doshit ka qenë tërësisht shoqërore, duke shtuar se ky është një veprim tërësisht normal mes dy kolegësh. “Më vjen keq që me një drekë shumë shoqërore kam mësuar se janë bërë spekulime. Është drekë shoqërore mes kolegësh, kam bërë edhe një shpjegim për këtë çështje, nuk do të doja të shtoja asgjë tjetër për këtë çështje, sepse nuk ka gjë tjetër për të shtuar. Është një veprim krejtësisht normal të takosh një koleg. Unë nuk e kam bërë drekën e djeshme me ndonjë simbolikë të caktuar, në lidhje me situatën e djeshme. E kam bërë se dëshiroja të rrija me këtë deputet”, – tha Kokëdhima. Ndërsa sa i përket komunikimit mes tij dhe Doshit në sallën e Parlamentit, deputeti i Vlorës pohoi se e ka pyetur vetëm nëse mund të drekojnë bashkë. “Në Parlament i thashë: “A mund të kalojmë drekën bashkë”. Ai kishte planifikuar një qëndrim me një deputet tjetër, i thashë: “Nuk ka problem, të tre”. I pyetur në lidhje me ndryshime në qeveri, që ka kërkuar Doshi, Kokëdhima theksoi se nuk pretendon që kabineti qeveritar të jetë i përsosur, por nënvizon se deri më tani puna e ministrave ka qenë e kënaqshme. “Unë si deputet jam i sinqertë me ju kur shikoj një punë që nuk shkon si duhet nuk e akumuloj, por e them vërejtjen, këshillën, mendimin me një frymë shumë shoqërore. Jam i kënaqur nga ky lloj komunikimi. Nuk them që nuk ka vend për rregullime se nuk jemi të përsosur. Unë konstatoj që ministrat janë në detyrë për të bërë më të mirën. Unë kam vlerësim për ministrin e Financave, për punën e tij përkushtimin në detyrë, në zbatimin e ligjeve dhe rregullave të shtetit në çdo rast. Jam mbështetës i punës së tij pa asnjë ekuivok”, – u shpreh ai.

 

Çfarë tha Tom Doshi për Kryeministrin Rama

“Do t’i bëj me dije Edi Ramës që qysh sot e tutje mes meje e tij s’ka paqe më dhe do ta shohim se kush është i humbur në këtë luftë. Kam 10 vjet që jam në politikë. Kam drejtuar të gjitha zgjedhjet dhe dihet që çfarë fitoreje ka patur PS në Shkodër. Por Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukëshkelun për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër. Dhe ky do ta shohi edhe në zgjedhjet lokale. Sa ka filluar lufta mes meje dhe tij”.

 

 Këshilli i Integrimit/ Votohet javën e ardhshme, Bregu: Forcohet kontrolli i Kuvendit ndaj qeverisë

Këshilli Kombëtar i Integrimit do të votohet javën e ardhshme në Kuvend. Përmes këtij Këshilli do të koordinohet puna e të gjitha institucioneve në përmbushjen e 5 detyrimeve për hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Ligji do të votohet në datën 5 në Parlament. Është një ligj i cili forcon rolin e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë për procesin e integrimit. Përcakton detyra të qarta duke filluar nga Kryeministri i vendit, për raportimin në Parlament për hallkat e procesit, ministri i Integrimit, ministri i Jashtëm, duke përcaktuar gjithashtu dhe detyrimin që ministrat e ministrive të tjera dhe drejtuesit e institucioneve dhe agjencive zbatuese të ligjit, kanë për të paraqitur në komisionin parlamentar të integrimit sa herë që jo vetëm të thërriten po dhe të kenë çështje që duhet të diskutohen”, – tha dje për “AS” drejtuesja e Këshillit, deputetja demokrate Majlinda Bregu. Ndërkaq, drafti i përgatitur nga ministria e Integrimit u rrëzuar nga deputetët dhe u përpilua një draft krejtësisht i ri, i cili do të votohet seancën e radhës në Kuvend. Me draftin e ri, opozita mori kryesimin e këtij këshilli, pas shumë debatesh, me përfshirjen edhe të ndërkombëtarëve. “Në fakt, Këshilli Kombëtar i Integrimit nuk ka lidhje me pjesën e arenës ndërkombëtare, është mekanizmi që duhet të konsultojë vendimmarrjen e qeverisë si përgjegjëse e reformave të integrimit me Parlamentin. Fatmirësisht nuk ka dy pozicione të ndara në Shqipëri në procesin e integrimit, asnjëri nuk ka rrëshqitur fatmirësisht. Kjo nuk shmang përgjegjësinë që kemi ne për ti thënë të vërtetat në moszbatimin e detyrimeve dhe në moszbatimin e atyre hallkave që janë pjesë e pesë prioriteteve që na afrojnë realisht më shumë me BE-në”, – tha Bregu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency