Standard.al

Grabitja/ Lezhë, lë paratë duke luajtur në kazino, kthehet i maskuar ta grabisë

Lezhë, lë paratë duke luajtur në kazino, kthehet i maskuar ta grabisëIdentifikohet 23-vjeçari. Policia në kërkim të tij. Ngjarja, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pas identifikimit, policia bëri shpalljen në kërkim

Ka lënë paratë në kazino, por nuk është pajtuar me këtë gjë. Pikërisht pas kryerjes së veprimit me dëshirën e tij për të luajtur, personi ka vendosur të rikthehet sërish. Këtë herë i maskuar dhe me qëllimin të grabiste paratë që la gjatë lojës. Ngjarja është shënuar në Lezhë gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Këtë herë pre e grabitjes ka rënë një kazino në lagjen “Besëlidhja”, të Lezhës. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës kanë bërë me dije se në orët e para të mëngjesit të djeshëm një i ri i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka mundur të hyjë në ambientet e brendshme të kazinosë dhe të marrë që aty të gjithë xhiron ditore që mbahej nga punonjësit e kazinosë në arkë. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se është bërë i mundur identifikimi i 23-vjeçarit që grabiti të gjithë xhiron ditore të kazinosë “Apex”, në Lezhë. Mësohet se i riu që grabiti kazinonë është identifikuar si Jak Ndoi, dhe menjëherë pasi policia ka bërë të mundur identifikimin e tij, ka bërë shpalljen në kërkim me qëllim kapjen dhe më pas arrestimin e të riut nën akuzën e vjedhjes me dhunë. Mësohet se momentin kur i riu ka hyrë në ambientet e brendshme të kazinosë aty ka qenë i pranishëm punonjësi i lojërave të fatit, i cili nën kërcënimin e të riut është detyruar që ti japë të gjithë xhiron ditore që ndodhej në arkë. Fatmirësht nga kjo grabitje nuk ka pasur asnjë të lënduar.

 

I riu grabiti pasi kishte lënë para në kazino

Policia e Lezhës ka bën me dije se kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 00:15 minuta të së premtes, ku një djalë i ri 23-vjeçar i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në ambientet e kazinosë dhe ka marrë të gjitha paratë e mbledhura gjatë ditës. Por, sipas dëshmive të marra nga vendi ku ndodhi edhe ngjarje, mësohet se i riu ishte frekuentues i rregullt i kazinosë. Por, gjatë ditëve të fundit 23-vjeçari Jak Ndoi kishte humbur sasi të mëdha parash në këtë kazino. Po ashtu, sipas dëshmive në vendngjarje mësohet se edhe atë natë kur ai ka realizuar grabitjen e parave kishte shkuar për të luajtur në kazino, por edhe atë natë ai kishte humbur para. Por, pas gjithë këtyre humbjeve të shumave të mëdha të parave, i riu kishte planifikuar që përfitimin e parave që kishte humbur në kazino ta përfitonte duke organizuar një grabitje të saj. Pikërisht, pas mesnatës të së enjtes ai ka shkuar i maskuar dhe i armatosur në kazino, duke kërcënuar punonjësin që qëndronte në arkë që të jepte të gjithë shumën e parave që ai mbante aty. Pasi është ndjerë i kërcënuar nga grabitësi, punonjësi i kazinosë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka pranuar të japë gjithçka kishte në arkë duke mos rrezikuar jetën e tij. Menjëherë pasi i riu mori të gjitha paratë në kazino e u largua në drejtim të paditur, punonjësi i kazinosë njoftoi Policinë e Lezhës, duke i informuar për gjithçka kishte ndodhur në vendin ku ai punonte. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu të Lezhës, të cilët filluan menjëherë nga hetimet duke bërë dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë së kazinosë dhe të bizneseve të tjera që ndodheshin aty pranë. Pas gjithë hetimeve të kryera nga efektivët e Policisë së Lezhës, është bërë e mundur edhe identifikimi i personit që grabiti shumën e konsiderueshme të parave. Policia bëri me dije se personi që hyri në kazino duke marrë të gjithë xhiron ditore të saj është 23-vjeçari i identifikuar si Jak Ndoi, banues në fshatin Zois të Lezhës. Policia e Lezhës ka bërë shpalljen në kërkim të të riut, ndërsa ende nuk dihet saktësisht shuma e grabitur në kazino. Gjatë ditëve të fundit rastet e grabitjeve janë të shumta, ndërsa sa vijnë edhe po shtohen.

 

Fier, pas dy zyrtarëve arrestohet edhe IT i ZRPP për aferë korruptive

Policia e Fierit tre ditë pas arrestimit të ish-kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier, Aleksandër Myrtaj, ka vënë në pranga edhe një tjetër punonjës të këtij institucioni. Burime zyrtare nga Policia e Fierit kanë bërë me dije se i arrestuari është Altin Malaj, specialist IT pranë Zyrës Regjistrimit të Pasurive. Malaj sipas policisë akuzohet se së bashku me drejtuesit e tjerë të ZRPP dyshohet se përvetësonin shuma parash nga qytetarët të cilëve u siguronin certifikata pronësie. Në bazë të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka bërë me dije se dy zyrtarët Aleksandër Myrtaj kryeregjistrues, ZVRPP Fier dhe Kastriot Rakipa, topograf ZVRPP Fier, së bashku me Altin Malaj kanë marrë shuma parash në zarfe nga persona të ndryshëm me qëllim regjistrim të pasurive të paluajtshme, rifreskimit në kartelat e pasurive dhe pasqyrimet e ndryshimeve në lidhje me to. Sipas prokurorisë zyrtarët e ZVRPP këto veprime i kryenin në ambientet e zyrës ku ushtronin detyrën.

 

Elbasan, paditet kryekomunari Gostinë, shpërdoroi detyrën

Policia e Elbasanit ka nisur procedim penal ndaj kreut të Komunës Gostinë, shtetasit Q. B., 51 vjeç, banues në fshatit Shtërmen. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bënë me dije se ndaj këtij shtetasi është depozituar një kallëzim penal nga shtetasja me iniciale K. L., banuese në fshatin Shtëpanjë, Elbasan. Uniformat blu të policisë së qytetit të Elbasanit kanë bërë me dije se ky shtetas nuk ka ushtruar detyrën e tij edhe pse ka pasur një shkresë nga ZVRPP Elbasan për të ngritur një grup pune për të përcaktuar kufijtë e pronës mbi tokën në pronësi të saj duke i sjellë konflikte me shtetas të tjerë. Pas kallëzimit të saj të bërë në Policinë e Elbasanit, ka nisur menjëherë edhe procedimi penal ndaj tij nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndërkohë vijojnë hetimet ndaj tij.

Comments are closed.