Standard.al

Dhuna/ I mbyllte bukën me çelës gruas dhe fëmijëve, dënohet babai dhunues

dhune ne familjeRrihte gruan në mënyrë çnjerëzore. Kishte pesë fëmijë, të cilët me ditë të tëra detyroheshin të rrinin pa bukë. 1 vit burg me kusht për 3 vjet të mos kryejë vepër tjetër

Një ngjarje e rëndë e jo e vetme në vend. Një grua e trajtuar në mënyrën më çnjerëzore nga bashkëshorti i saj. Pesë fëmijë të cilët përveçse janë detyruar të shohin nënën e dhunuar, me ditë të tëra kanë qëndruar edhe pa bukë. Kjo është pasqyra e errët e familjes Poka nga kryeqyteti. Gjykata, pasi dëgjoi të gjitha rrethanat në të cilat ishte gjendur bashkëshortja e personit që ushtroi dhunë dhe fëmijët e saj, vendosi të deklaronte fajtor të pandehurin Misim Poka për veprën penale të “Dhunës në familje” dhe e dënoi me 1 vit e 6 muaj burgim. Por i pandehuri e pranoi veprën penale, duke përfituar në këtë mënyrë, uljen e 1/3 së këtij dënimi, e duke vuajtur përfundimisht 1 vit burgim. Ky dënim është pezulluar nga Gjykata, me kusht që gjatë 3 vjetëve, i pandehuri Misim Poka të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

 

Historia

Shpresa Poka është paraqitur në 18.7.2014, në komisariatin e policisë nr. 6 Tiranë, dhe ka bërë kallëzim penal. Ajo i ka treguar policisë gjithë ngjarjen e trishtë. Një ditë më parë, rreth orës 18:00, në momentin që po gatuante, bashkëshorti i saj, i pandehuri Misim Poka, me të cilin është e martuar në vitin 1991 dhe ka pesë fëmijë, e ka goditur duke e rrëzuar përtokë dhe ka filluar ta godasë me grushte dhe shkelma dhe me pas i ka vënë këmbën në fyt. Pastaj, pohon e dëmtuara, e ka kapur nga këmbët dhe e ka tërhequr zvarrë nëpër shtëpi dhe ajo pasi është ngritur ka ikur me vrap nëpër parcela dhe ka ikur në shtëpinë e nënës së saj në Domje. Nëna e saj e ka marrë dhe e ka dërguar për mjekim në urgjencën e Spitalit Ushtarak Tiranë, ku ka qëndruar gjithë natën. Shtetasja Shpresa Poka pohon se bashkëshorti i saj është i dhunshëm dhe pothuajse çdo ditë ushtron dhune psikologjike dhe fizike ndaj saj, por ajo asnjëherë nuk ka bërë denoncim pasi ka pasur frikë nga ai dhe duke menduar që mos t’u sjellë probleme fëmijëve.

 

Buka me çelës

Përveç dhunës fizike, gruaja ka deklaruar së bashkëshorti i mbyll bukën me çelës me dry në një dollap prej hekurishteje dhe shpeshherë kalojnë ditë me fëmijët dhe nuk kanë me se të ushqehen. Kjo grua ka kërkuar edhe lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Policia nuk e ka gjetur fillimisht bashkëshortin dhunues, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes, por pas disa ditësh është vënë në pranga. I pyetur fillimisht me cilësinë e personit nën hetim, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, i pandehuri Misim Poka, ka pranuar vetëm faktin se në datën 17.7.2014, ka pasur një debat me gruan e tij Shpresa, pasi kishte shkuar pa lejen e tij tek prindërit e saj në Domje dhe në debat e sipër e ka pështyrë në fytyrë Shpresën, ndërsa ajo e ka qëlluar me rreth hekuri të sobës. Në debat e sipër, sqaron i pandehuri Misim, e ka qëlluar Shpresën me dy shuplaka dhe ajo ka ikur tek prindërit dhe më vonë ka marre vesh se ka bërë denoncim në polici.

 

Pretendimi

Misim Poka pretendon se gruaja e tij është e sëmurë mendore dhe i ka bërë disa herë vizita dhe bën veprime të pakontrolluara. Çifti është shprehur se i ka normalizuar marrëdhëniet. Kjo pasi gruaja është tërhequr nga kërkesa për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Gruaja është tërhequr duke pretenduar se bashkëshorti i saj ka kërkuar falje dhe ka premtuar se nuk do ta dhunojë më, duke menduar kështu që t’i japë edhe një shans tjetër.

 

 Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur, dyshohet të jetë përdorur në ngjarje kriminale

Uniformat blu te Shkodrës janë njoftuar në orën 7.25 minuta të mëngjesit të së premtes se në një kanal në rrugë të lagjes Alimetaj të Oblikës në Anë të Malit për një automjet të djegur. Sipas burimeve policore mjeti në fjalë i cili i është nënshtruar ekspertizës është me ngjyrë vishnje dhe pa targa dhe dyshohet se është model “Renalut” tip karavan model i vjetër. Banorët e zonës shprehen se deri në mesnatë nuk kanë vërejtur ndonjë lëvizje të dyshimtë në lagje, ndërsa nuk mund të saktësojnë se në cilën orë është sjell mjeti dhe është djegur. Autorët të cilët duket se kanë njohur zonën kanë shfrytëzuar edhe motin me shi dhe pasi i kanë vënë flaken makinës e kanë shtyrë në kanal dhe janë larguar pa i hetuar askush. Fshati ku ka ndodhur ngjarja është në zonë kufitare me Malin e Zi dhe djegia e këtij automjeti pikërisht këtu, lë të hapura disa pista. E para është se autorët pasi kanë konsumuar ndonjë vepër penale për të shmangur gjurmët kanë kaluar në Mal të Zi, ose kanë shfrytëzuar terrenin malor dhe janë larguar pa lënë gjurmë. Policia po heton për pronësinë e automjetit dhe më pas me gjetjen e autorëve. Ndërsa në zonën e Anës së Malit nuk është raportuar gjatë natës ndonjë vepër penale.

 

Tiranë/ Humb jetën një fëmijë në çerdhe, të paqarta shkaqet

 Një fëmijë i moshës 1 vjeç, i seksit mashkull, ka ndërruar jetë në një çerdhe në njësinë numër 17 në Tiranë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme në çerdhen numër 17, ku një djalë rreth 14 muajsh me iniciale S.P ka humbur jetën. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se fëmija ishte vendosur në gjumë nga edukatoret, por më pas nuk është zgjuar më. Po sipas këtyre burimeve nga stafi i edukatoreve nuk kishte evidentuar ndonjë shqetësim tek fëmija, si temperaturë etj. Menjëherë janë lajmëruar forcat e policisë dhe urgjenca e Tiranës. Kjo e fundit e ka transportuar fëmijën në pediatri. Burime nga spitali bëjnë me dije se 1-vjeçari ka mbërritur i pajetë. Trupi i tij është dërguar më pas në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku iu nënshtrua autopsisë për të përcaktuar dhe shkaqet e vdekjes.

Comments are closed.