Mysliman alla austriak

0
163

mysliman austriakParisi, Kopenhaga. Evropa diskuton për fenë islame dhe rrezikun islamist. Austria ndërmerr tani një rrugë të re: Një ligj i posaçëm duhet të rregullojë jetën e myslimanëve në Austri.

Me një ligj të ri për fenë islame Austria do t’u kundërvihet tendencave fetare ekstremiste. Parlamenti austriak në Vjenë miratoi të ndryshuar një ligj të vitit 1912, me të cilin krijohen rregulla bazë për një fe islame evropiane. Edhe vende të tjera kanë treguar interes për ligjin austriak, si Gjermania, Franca e Zvicra.

Në Austrinë me 8,5 milionë banorë jetojnë 560.000 myslimanë. Shumica e myslimanëve në këtë vend kanë rrënjë boshnjake apo turke. Prej më shumë se 100 vitesh një ligj i posaçëm për islamin rregullon bashkëjetesën me pakicën myslimane. Por prej tre vitesh në Republikën e Alpeve është punuar për një ligj të ri, sepse ligji i dikurshëm nuk i përgjigjej më kohës. Promotori i tij ministri i Jashtëm dhe i Integrimit të Austrisë, Sebastian Kurz: “Qëllimi ynë është i qartë. Ne duam sigurinë ligjore për myslimanët që jetojnë këtu, por nga ana tjetër edhe të krijojmë mundësinë që të zhvillohet një fe islame me profil austriak, i çliruar nga ndikimi dhe tutela nga jashtë”.

 

Ndalim i financimit të imamëve nga jashtë

Për të përmirësuar integrimin sipas ligjit të ri ndalohet financimi i klerikëve myslimanë nga jashtë, dhe kërkon shkollimin e imamëve në Austri, të cilët duhet të njohin gjermanishten. Që në vitin e ardhshëm në Vjenë do të hapet një katedër për teologjinë islame. Përveç kësaj për herë të parë myslimanëve u jepet e drejta për trajtim të fesë së tyre, e trajtim të posaçëm në ushtri, spitale apo burgje.

Ramazan Demir një klerik mysliman në burgun e të rinjve në Vjenë, tregon kujdes për 300 të rinj të burgosur vetëm dy orë në javë: “Ka kaq shumë të rinj që kanë nevojë për ndihmë, që kërkojnë këshillë dhe nuk gjejnë një klerik mysliman… dhe mund të ndodhë që ata të radikalizohen sepse thonë; ky shtet nuk na jep ne ndihmën që kemi nevojë, dhe ai nuk do që ne të ndjehemi mirë. Në këtë moment punët bëhen të rrezikshme”.

 

Kritika ndaj ligjit të ri

Pas debateve të gjata komuniteti mysliman ka rënë dakord për ligjin e ri, por ky është vetëm një kompromis me qeverinë dhe përfaqësinë myslimane, thotë presidenti i këtij komuniteti, Fiat Sanac. “Ka ende cepa që mund që lëmohen aty, apo pjesë që duhen riparuar”. Rinia myslimane është më radikale në këtë drejtim dhe e refuzon në mënyrë të plotë ligjin e ri. Shoqata e xhamive, Unioni myslimano-turk ka bërë të ditur se do ta çojë këtë ligj para Gjykatës Kushtetuese.

Për shoqatën turke problem përbën ndalimi i financimit të shkollimit të imamëve nga jashtë. Me këtë risi ligjore nuk do të jetë më e mundur në të ardhmen që zyra turke për fenë të dërgojë imamët e saj në Austri. Unioni vëren një trajtim jo të barabartë me fetë e tjera. Kritikët e ligjit kujtojnë se kishës ortodokse ruse i lejohet financimi nga jashtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency