Hygo, republikani dhe dashnori i madh

0
205

Luan Rama

hygo 1Në përvjetorin e lindjes së shkrimtarit – 26 shkurt, 1802, pjesë nga libri i studiuesit e shkrimtarit Luan Rama, “Parisi letrar”

Në fillim ishte Të mjerët, (Les Misérables), pastaj Shën Mëria e Parisit, (Notre Dame de Paris), më vonë ne lexuam Viti 93dhe Njeriu që qesh, e kështu me rradhë. Në botën tonë të adoleshencës, personazhet e shkrimtarit Viktor Hygo, (Victor Hugo), shtoheshin parreshtur dhe ngjizeshin në imagjinatën tonë për të mbetur të pashlyera. Mbaj mend gjithnjë kur në kinemanë verore «17 nëntori», shikonim filmin Të mjerët dhe zbulonim portretet e Zhan Valzhanit, Kozetës, Fantinës, Mariusit, imazhet e Revolucionit francez dhe të kopshteve të Luksemburgut, katakombet e Parisit dhe më pas, Kuazimodon dhe Esmeraldën në sheshin e «Notre Dame de Paris». Nga dritarja e shtëpisë ngjitur kinemasë, për ditë me rradhë, në orët e vona të mbrëmjes, vazhdoja të dëgjoja të njëjtat dialogje të atij filmi dhe unë imagjinoja të njëjtat skena që kisha parë disa ditë më parë, edhe pse dialogjet nuk i kuptoja. Këmbanat e katedrales mitike vazhdonin të ushtonin…

Kur erdha në Paris, pas godinës së ambasadës, zgjatej avenyja «Victor Hugo» dhe në hyrjen e një ndërtese, një pllakë e vendosur tregonte se pikërisht atje kishte jetuar Viktor Hygo. Aty dhe kishte vdekur. Madje ambasadori i mëparshëm shqiptar, Misto Treska, kishte punuar dy hapa larg asaj banese dhe kishte shqipëruar atë shkrimtar, duke filluar me kryeveprën e tij, Të mjerët. Ai ecte kështu në gjurmët e Sami Frashërit, përkthyesit të parë të Hygosë. Kështu niste për mua ky itinerar i jetës së Hygoit, i cili do të më çonte në disa nga vendet mitike të këtij shkrimtari të madh, në shtëpitë ku ai kishte jetuar, në Place Royale apo Place de Vosges, (ku sot është dhe Shtëpia Muze), apo në rrugët kuai kishte përjetuar revolucionet dhe dashuritë e tij të panumurta: Rue Vaugirard, Rue de Clichy, Rue de Paradis, Rue de Dragon e gjer nën kupolën e Panteonit. Gjurmët e tij ishin ngado në Paris, pasi jeta e tij, që nga lindja në Rue Feuillantines e gjer në vdekje, kishte kapur pothuaj ngjarjet më të mëdha të atij shekulli. Një shekull tronditës brenda një njeriu.

Të shumtë janë ata që njohin veprën e tij, të paktë janë ata që njohin itinerarin e jetës së tij. Cili ishte ky njeri dhe ç’shpirt kishte ai? Çfarë i dha ai Francës dhe botës? Cili është mesazhi i tij për kohën tonë dhe shekujt që vijnë?

I ati i Viktor Hygosë kishte qenë një gjeneral i Bonapartit dhe deri në rininë e tij, Hygo ishte një monarkist. Ai kishte një adhurim për Napoleonin, i cili padyshim hodhi bazat e shtetit modern francez. Një ditë para se të vinte hiri i Napoleonit nga ishulli i Shën Helenës në Francë, ai shkroi poezinë Kthimi i Perandorit. Të nesërmen, në 15 dhjetor 1840, Parisi pothuaj ishte boshatisur. Perandori e kishte lënë me testament që trupin e tij ta varrosnin buzë Senës. Dhe në atë ditë të ftohtë, atë e sollën drejt kishës në Hotelin e Invalidëve. “Topi qëllon njëherësh në tre drejtime të ndryshme të horizontit, – shkruante Hygo për atë ditë historike çka i kishte lënë mbresa të pashlyera. – Karroja që tërheq arkivolin e tij, më së fundi shfaqet. Dielli, i cili deri atëherë ishte fshehur, tashmë u shfaq edhe ai. Nga larg, në sfondin gri dhe të kuq të pemëve të Champs Elysées, përmes statujave të mëdha e të bardha që u ngjajnë fantomave, pikaset lëvizja e ngadaltë e një mali të florinjtë. Janë shkëlqime të shndritshme që duken mbi gjithë sipërfaqen e karros, herë si yje e herë si vetëtima. Një zhaurimë e mbështjell gjithë këtë spektakël. Dukej sikur ajo karro tërhiqte pas vetes brohoritjen e një qyteti…”

Gjashtëmbëdhjetë kuaj tërhiqnin atë arkivol, të kryesuar nga një kalë i vetmuar e i bardhë, që ishte si vetë kali i betejës së Napoleonit. Strategun e madh e të lavdishëm të Francës, po e çonin drejt banesës së tij të fundit.

Poema e tij Kthimi i Perandorit, pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe njerëzit e kërkonin ngado nëpër librari. Jo shumë vonë pas kësaj ngjarje, pena e Hygosë do të bëhej e njohur. Ai botoi fillimisht poezi, novela e romane, pjesë teatrale, si Hernani, shfaqja e të cilës u kthye në një ngjarje tronditëse për teatrin francez, e po kështu Këngët e muzgut, Dita e fundit e një të dënuari, Marion Delorme, etj. A nuk kishte thënë ai që adoleshent se një ditë do të bëhej një shkrimtar i madh? «Ose do të bëhem si Shatobriani, ose hiç? – shkruante ai në ditarin e tij. Më vonë Hygo do të shpallej anëtar i «Chambre de Pairs», ku ishin fisnikët e mëdhenj dhe autoriteti moral i monarkisë, edhe pse ai vetë atë kohë po bëhej tashmë republikan. Por ngjarja më e madhe për të ishte kur do të pranohej në Akademinë Franceze, në Quai Conti, edhe pse katër herë me rradhë ai kishte tentuar, por nuk kishte mundur dot të hynte në të. Historianë të vegjël dhe shkrimtarë që s’do tu dëgjohej më emri, zinin vendin e tij. Por kur ai u pranua, Shatobriani (Chateaubriand), i shkroi: “Ju nuk i detyroheni askujt për këtë nder. Eshtë vetë talenti juaj dhe jeni ju vetë, ai që e keni vendosur kurorën mbi kokën tuaj”. Në fjalën e tij në Akademi, ku kishin ardhur ta dëgjonin princët e Orleanëve, zonja Thiers dhe ajka e Parisit, Adelës dhe diku më tutje të dashurës së tij Zhylietë, (Juliette Drouet), Hygo do të pikaste dhe kolegun e tij të madh, Honoré de Balzac.

Pikërisht në këto vite Hygo do të përjetonte dhe ngjarjet e Revolucionit grek. Bëmat e suljotëve trima si Marko Boçari, Xhavella, Kanaris etj., e frymëzuan për poemat e tij të botuara në vëllimin poetik Orientales:

 

“Në thellësinë e varrit po flija

Kur një klithmë më zgjoi: Misolongji ra!

Në natën mortore përgjysëm ngrihem,

Gjëmimet e shurdhëta të topave që qëllonin breshëri dëgjoj.

Britma dhe zhurma përzier, shpata dhe hapa që nxitojnë…

Beteja vendin kish pushtuar dhe zërat thërrisnin:

Mbrohu nga kjo hordhi e poshtër!

O hije e Boçarit! Grekët e tu janë të pafat!

Kështu për të dalë nga dheu, me errësirën luftova

Mermerët funebër duke thyer.

Gjithë kockat e mia qenë cfilitur…

Papritmas si një vullkan toka digjet e gumëzhin.

E pastaj heshtje: sytë e mi botën e përtejme vëzhgojnë,

Atë që asnjë i gjallë nuk mund ta shihte.

Nga dheu, nga valët, nga thellësia e flakëve,

Vorbuj shpirtrash ngriheshin lart,

Binin në humnerë apo ngriheshin të kapnin qiellin…”

 

 Zhylieta

Në jetën e Hygosë, letërsia, politika dhe dashuria ngërthejnë thelbin e ekzistencës dhe të vlerës së tij. Dhe dashuria nuk zë vend të pakët, se në rrugët e Parisit Hygoja ka bredhur si një nga dashnorët më të mëdhenj të atij shekulli. Dashuria e Hygosë për Zhyliet Drue, ishte një nga himnet më të bukura të dashurisë, e kthyer tashmë në një legjendë. Një lidhje pesëdhjetë vjeçare, plot ekstazë, ngjarje, drama, dëshpërime e mërgime dhe më së fundi një jetë të përbashkët, atëherë kur gruaja e shkrimtarit, Adele Faucher, (Hygo), nuk ishte më. Madje vitet e fundit, Adela e kishte pranuar atë si pjesëtare të familjes dhe e kishte marrë pranë tyre. Ajo ishte e pranishme ngado. Dashuria kishte fituar mbi xhelozinë dhe mërinë e hershme.

Shumë kohë më parë, kur ajo ishte njohur me Hygonë, Zhylieta ishte aktore dhe luante në teatrot parisiene, në Odeon apo në teatrin e «Porte de Saint-Martin». Kjo kishte ndodhur gjatë leximit të një pjese teatrale, Lucrecia Borgia, e cila do të vihej në skenë. Me 16 shkurt të vitit 1833, ai ngjiti shkallët e dhomës së saj dhe e mbuloi me të puthtura. “Të dashurosh është më shumë sesa të jetosh”, – shkruante ai.

Si të gjitha gratë e dashuruara, edhe ajo mendonte se ai do ta linte Adelën dhe do të martohej me të, por kjo s’do të ndodhte. Jeta tragjike e fëmijëve të tij do ta mbante Hygonë të lidhur gjithnjë pranë familjes, edhe pse si natyrë ai ishte një i dashnor i madh. Kur shkroi dramën mjaft të njohur Hernani, Hygo kërkoi që roli kryesor t’i jepej Zhyljetës dhe se në të kundërtën ai do e tërhiqte pjesën. Por gazetat do ta kritikonin rolin e saj në skenë. Ajo që e largoi atë nga ai rol ishte në fakt vetë Adela, e cila nga xhelozia, i shkroi drejtorit të teatrit që mos ta pranonte më interpretimin e Zhyljetës. Dhe ashtu ndodhi. E fyer dhe e thyer si aktore, Zhylieta do të tërhiqej nga bota e teatrit për t’iu kushtuar më pas njeriut pas të cilit ishte dashuruar: “Kam zinë e një roli të bukur që tashmë më ka vdekur përgjithmonë…” – i shkruante ajo Viktorit. Por dhe Viktori do të vuante nga dashuria e gruas së tij, Adelë, me shokun e tij më të ngushtë, kritikun e njohur Saint-Beuve. Një miqësi u prish, ndërkohë që Adela do të vazhdonte bredhjet e saj të fshehta dhe dashuritë me Saint Beuve, herë në karroca, hotele apo në kthina të fshehta të Parisit. Sidoqoftë, në një mënyrë të heshtur ata e lanë të lirë njëri-tjetrin.

Letërkëmbimi i Hygosë me Zhylietën është një nga letërkëmbimet më poetike që ekzistojnë në historitë e dashurive njerëzore. Vetëm ajo i ka dërguar rreth njëzet mijë letra, deri në ditën kur do të vdiste. Shpesh e quante “I gjalli më sublim i kësaj toke që kurrë nuk kam parë ndonjëherë”, ndërsa ai e thërriste: “Engjëlli im i mjerë e i panjohur”. Dymijë letra të tyre të botuara kohët e fundit, ku përgjërohet pasioni dhe mendimi, ku flitet për ëndrrat dhe ëmbëlsinë e jetës, për vdekjen dhe ringjalljen, për tradhtinë dhe besnikërinë e përjetshme dhe ku ajo i shkruante për “ballin e tij qiellor”, (“le front celeste”)… “Të dua si një grua e devotshme, e gatshme të jap jetën me shenjën më të vogël”… Hygo e thërriste shkurtimisht “Zhuzhu”, ndërsa ajo “Toto”. Ajo ëndërronte të kishte një fëmijë me të. Atje, në “Rrugën e Parajsës”, krevati i Zhylietës ishte në një sfond të kuq dhe ngjyrë ari. Gjithçka ishte romancë, poezi, erotikë. “Qielli për ne është këtu, në këtë dhomë, në këtë shtrat”… Në netët e vona, nën hijen e një qiriu, atje në Place Royale, ku Viktori shkruante romanet dhe poemat e tij, ai nuk harronte të shkruante dhe letrat e dashurisë:

“Zhylietë… do të punoj për të dy! Pasioni për ty më djeg të gjithin. Dua të më duash! Dua të jesh e bukur! Dua që të jesh e lumtur… Po, ti do të jesh!”

[1]…

Kështu, Zhylieta përjetonte çdo hap të Hygosë, çdo shkrim të tij, çdo roman që ai botonte. Madje jo rrallë ajo e ndihmonte në mbledhjen e të dhënave historike që atij i duheshin për një roman të caktuar. Ajo ishte e dashura e tij dhe njëkohësisht bashkëpuntore.

 

 Në mbrojtje të Republikës

Shtëpitë e Hygosë në «Place des Vosges» dhe «Place Royale» janë dy nga vendet ku jeta e Hygosë përjetoi ngjarje të mëdha historike që kalonte jo vetëm Franca por e gjithë Evropa. Së pari, revolucionin e vitit 1830 e më pas disa revolucione e revolta të mëdha. Gjatë gjithë jetës së tij, Viktor Hygo përjetoi ngjarje të stuhishme historike. Kur në qershor të vitit 1848, revolucioni shpërtheu përsëri, tashmë Franca ishte Republikë dhe ai ishte i zgjedhur deputet. Ndërkohë që ishte në parlament, miqtë e tij erdhën dhe i thanë:

– Sheshi Royale është djegur!

– Po familja ime?

– Ajo është në siguri.

Hygo i drejtohej Lamartinit:

– Ç’po ndodh kështu?

– E ka marrë lumi! – ia ktheu ai.

– Ç’do të thotë kjo?

– Për njëçerek ore Asambleja do të pushtohet.

– Po trupat tona?

– Gjithçka ka mbaruar!

Një gjeneral iu afrua dhe shtoi:

– Sapo më njoftuan. Familja juaj është në siguri, por shtëpia është djegur.

Ndërkohë, në shtëpinë e Hygosë, njerëzit që nuk e dinin se kush ishte Viktor Hygo dhe që bërtisnin se ai ishte një reaksionar, kërkonin ta digjnin, por dikush i kishte ndaluar sapo kishin hyrë drejt sallonit të shtëpisë, duke u kërkuar të mos preknin asgjë.

Ishte “një revoltë e popullit kundër vetvetes”, do të shkruante më pas Hygoi, i cili ishte për mbrojtjen e Republikës së vendosur tashmë dhe jo për një tjetër aventurë republikane. Në fakt, Hygo kishte qenë pro revolucionit të vitit 1830, po kështu dhe pro revolucionit të shkurtit të vitit 1848, por tashmë, ai ishte kundër një gjakderdhjeje të re, përderisa populli kishte fituar të drejtën e votës. Për të vendosur qetësinë, Qeveria “Constituante” kishte caktuar 60 komisarë. Njëri nga ata ishte dhe Hygo. Më 24 qershor, i pa armatosur, ai shkoi drejt barrikadave, duke iu drejtuar kryengritësve:

«Mjaft fëmijët e mi. Kjo luftë është vrasëse!»

Por njëri nga ata qëlloi drejt këmbëve të tij. Donte ta ndalonte.

– Do të vritesh! – i tha dikush që e njohu.

– Unë pikërisht për këtë kam ardhur!- ishte përgjigjur Hygo.

Trimëria e tij kishte bërë efekt dhe njerëzit e armatosur ishin larguar.

Një ditë më vonë, ai i dërgonte një letër urgjente të dashurës së tij, Zhylietë Drue: “Tre ditë e netë i kam kaluar rrugëve, pa fjetur, duke dremitur nga njëherë në kalldrëm. Është lufta e tmerrshme e vëllait kundër vëllait që më së fundi mbaroi. Dhe unë jam gjallë, por shkatërrimi është i madh…” Në një letër tjetër ai i shkruante me nxitim: “Ku je? Po bredh që prej dy ditësh dhe po të kërkoj pa mundur të vij gjer te ty. Jam këtu me një mandat për të vendosur rendin, paqen, pajtimin. Franca do të shpëtojë!». [2]

Barrikadat ishin ngado dhe njerëzit ishin ende të armatosur. Ngado qëllohej, por këto me sa dukej ishin shkrepjet e fundit. Po atë ditë, ai arriti të çajë drejt rrugës Saint-Anastasse ku banonte Zhyljeta. Ishte ngjitur lart por nuk e kishte gjetur atje. Atëherë i la një letër, ku ishkruante: “Ji e qetë. Gjithçka mbaroi. Nuk ka më rrezik dhe mos ki frikë. Të dua!”

Kur rendi u vendos, Hygo u trondit nga reaksioni i pushtetit ndaj atyre që kishin ngritur krye. Ekzekutime pa masë, burgime dhe arrestime të mijëra e mijëra njerëzve që e zhgënjyen shpresën e tij. Francën e kishin pushtuar ethet e terrorit. Madje dhe gazetat ishin mbyllur. Kjo gjë e bëri Hygoin të revoltohej dhe të kërkonte që t’i jepej fund kësaj gjakderdhje. Madje ai u kërkoi gjeneralëve që t’i linin të lira gazetat. Si mund të kuptohej një Republikë pa shtypin e lirë? Që nga kjo kohë, ai do të bëhej një aleat vetëm i të majtëve.

 

 Një mërgim i gjatë

Në Place des Vosges, pranë Bastijës, në një grup ndërtesash të stilit fiorentinas, shtëpia muze e Hygosë ka gjithnjë njerëz, veçanërisht të huaj, të cilët janë kureshtarë të njohin jetën e shkrimtarit dhe bëmat e tij. Shumë herë kisha shoqëruar miq të mi që vinin nga Tirana, shkrimtarë, piktorë e madje dhe kineastë, kolegë të mi, këta të fundit kur do të xhironin një film për Marko Boçarin, të cilit Hygo i kishte kushtuar poemën e tij të mrekullueshme. Por cili ishte në thelb ky njeri që kishte jetuar në një nga vendet më historike të Parisit? Cilat ishin ëndrrat dhe lufta e tij?Vallë a kishte mundur Hygo ta shikonte vdekjen drejt në sy, apo i ishte trembur asaj?

Pikërisht nga kjo shtëpi ai ishte larguar me nxitim në fund të dhjetorit të vitit 1851, drejt një mërgimi të gjatë që do të vazhdonte 19 vjet. Një jetë larg Francës. Atë vit, populli përsëri kishte dalë në rrugë. Louis Bonaparte, nipi i Napoleonit, kishte shpërndarë Asamblenë Parlamentare dhe ngado kishin filluar ndjekjet mbi njerëzit e opozitës dhe socialistët. Ndërkohë shkrimtarin dhe deputetin Hygo e kërkonin kudo. Më 2 dhjetor, një përfaqësues i popullit nxitonte në shtëpinë e tij. Një djalosh 32 vjeçar e njoftoi për një grusht shteti. Lajmet ishin të rënda. Tetëmbëdhjetë deputetë ishin arrestuar në shtëpitë e tyre dhe i kishin flakur në burg. Një grup deputetësh republikanë kishin lënë të takoheshin të nesërmen në mëngjes në4, Cité Gaillard. Parisi ishte pushtuar nga ushtria. Asambleja gjithashtu. I tronditur, Viktori kishte dalë në qytet për të matur pulsin e asaj çka po ndodhte. Disa njerëz e njohën dhe iu afruan.

«- Ç’duhet bërë? – e pyetën ata.

– Grisni afishet e grushtit të shtetit dhe thërrisni “Rroftë Kushtetuta”.

– Po nëse ata qëllojnë?

– Rrëmbeni armët![3]»

Turma ishte gati ta ndjekë, por ajo ishte e pa armatosur. Ai e dinte se gjakderdhja nuk ishte e largët. Në një mbledhje deputetësh, Hygo përgatiti tekstin drejtuar popullit: «Louis Bonaparte është një tradhëtar. Ai është i jashtëligjshëm dhe duhet të largohet brenda pesë orëve! Poshtë Louis Bonaparte!». . . Dhe turma brohoriste pas thirrjes së tij. Por ndërkohë ai kërkoi të largohej, pasi duhej të takonte gruan, Adelën dhe fëmijët e tij. Po kështu dhe Zhyljetën… ndoshta dhe Leoninë. Në rrugë, ai pikasi një omnibus të Bastijës që punonte akoma dhe i hipi për të shkuar në shtëpinë e tij. Kur iu afrua shtëpisë, një nga të njohurit e lajmëroi: «Policia është në shtëpinë tuaj. Po ju kërkojnë!» E vetmja mundësi ishte të takonte Zhyljetën, e cila do ta fshihte në apartamentin e saj e më pas në një apartament tjetër, te zonja Montferrat. Jeta e tij ishte në rrezik. Një ditë më vonë, ai kishte kohë vetëm për të përqafuar gruan. Pak më vonë, Zhyljeta e shoqëronte me karrocë, e cila u detyrua të ndalonte para turmës që kishte mbushur Sheshin e Republikës. Ngado kishte ushtarë dhe njerëz të trembur. Ushtarët nuk donin ta lejonin të kalonte, por Hygo zbriti nga karroca dhe duke u treguar shallin e deputetit, u tha: «Ushtarë, shikoheni këtë shall. Ky është simboli i ligjit, është përfaqësimi i Asamblesë. Atje ku është ky shall, është e drejta. Pra ky shall u tregon të drejtën. Lui Bonaparti po ju çon drejt krimit. Ai po vret Republikën. Atëherë mbrojeni atë!”

Zhyljeta që kishte zbritur pas tij, kërkonte ta qetësonte dhe ta tërhiqte që të largoheshin, por ushtarët, të hutuar nga guximi i deputetit qëndronin të heshtur. Karroca kaloi. . .

Në kujtimet e saj, të botuar kohët e fundit nën titullin Souvenirs, Zhyljeta përshkruante këtë çast historik: “Viktori përkulet nga dritarja dhe u thërret atyre se janë të varfër, të poshtër dhe vrasës. “Pushkatomëni dhe mua që të mos kem më turp të shoh këtë popull të padenjë që e le veten ta turpërojnë e që nuk është i zoti të protestojë”. Unë përpiqem ta ndaloj, t’i vë dorën në gojë, por nuk mundem. Por ndodhi mrekullia, sepse fjalët e tij nuk u dëgjuan të gjitha. Zoti i kishte goditur ata njerëz të verbuar, të etur për dhunë e gjak. ”[4]

Atë ditë, në një kafene ku ishin mbledhur republikanët, drejtuesit e tyre po hartonin një proklamatë. Shpejt, Hygo e nënshkroi atë bashkë me të tjerët. Ngado ushtonte Marsejeza. Por Hygosë i duhej të fshihej. Ai mund të arrestohej nga çasti në çast. Aleksandër Dyma dhe aktori Bocage kishin shkuar me nxitim te Adela për ta njoftuar se disa njerëz ishin rekrutuar për të vrarë Hygonë. Në mbrëmje ai u fsheh në Rue Richelieu. Ndërkohë, ministri i Brendshëm kishte nxjerrë një urdhëresë të posaçme kundër tij: ”Nëse kapet Viktor Hygo, bëni ç’të doni me të…”! Mesazhi ishte i qartë. Ai duhej ekzekutuar.

Të nesërmen në mëngjes, Zhyljeta shkoi ta takonte, por nuk e gjeti atje. Shumë të njohur i thanë Hygosë se duhejtë ikte sa më parë nga Franca. Pasi brodhi në barrikadat e Les Halles, në Saint-Eustache, në Rue Cadran apo në Rue Saint-Denis, ku pikasi mjaft të vrarë, Hygo e kuptoi se kauza e tyre kishte humbur. “Pashë vrasjen, krimin, vdekjen… Pashë atë shi të vdekjes së verbët”, do të shkruante me dhimbje ai. Në mëngjesin e 4 dhjetorit, Zhyljeta e kishte gjetur me një fytyrë të bardhë meiti. “Është i zbehtë, por jo i pashpresë”, shkruante ajo në ditarin e saj.

Përmes disa miqve, ajo i siguroi një pasaportë të mikut të saj, tipografit Lanvin. I maskuar dhe përmes trenit, më 11 dhjetor 1851, më së fundi Hygo mori udhët e ekzilit drejt Brukselit e më pas drejt brigjeve të ftohta të Anglisë. Zhyljeta ishte atje në stacionin e trenit.

 

Dashnori i madh

Hygo ishte një qenie e dashuruar përjetësisht. Dashuria ishte droga e tij, ku ai përhumbej dhe e ndjente veten plotësisht. Një nga dashnoret e njohura të Hygosë ishte dhe Leonie Briand, e cila atë kohë banonte në 12, Rue Laferrière. Në fakt Hygo e dashuronte edhe atë, në mënyrën e tij, por ja që fjalët nganjëherë ishin të njëjta me ato që i shkruante Zhyljetës. Të gjitha gratë për të ishin poetike dhe zgjonin veçse vargje te ai. Por gratë janë dhe xheloze. Madje kur fliste për Zhyljetën, Leonia e quante atë “plaka”, meqë ajo ishte gati 10 vjeç më e madhe se ajo. Kështu, që ta largonte Zhyljetën nga krahët e Hygosë, një ditë Leonia i mblodhi gjithë letrat që i kishte dërguar poeti i dashur dhe të lidhura në një pako ia dërgoi Zhyljetës, shoqëruar me një shënim të saj. Leonie i shkruante se ajo kishte qenë dhe ishte gjithnjë dashnorja e Hygosë që prej 17 vjetësh.

Këto letra ishin për Zhyljetën një bombë e vërtetë. E plagosur dhe e zhgënjyer nga i dashuri i saj i përgjëruar, ajo i la një letër lamtumire dhe e braktisi Parisin menjëherë. Si mund të jetonte më? Por Viktori nuk donte që ta humbiste dhe i lutej që mos ta braktiste. Madje u vu në kërkim të saj, duke pyetur ndër miqtë dhe të afërmit e saj. Ngado kërkonte një gjurmë të ekzistencës së saj. Ku vallë është fshehur, ku? Kur morri vesh se ajo ishte në Brest të Bretanjës, ai i shkroi menjëherë: “Po të flas para Zotit. Të thërras ashtu siç i thirret Jetës. Shpëtomë nga dëshpërimi! Ktheu! Të dashuroj!”… Dhe si shumë e shumë gra të tjera, edhe ajo do të kthehej.

Atë ditë Viktori e priste në stacionin e trenit dhe ajo iu hodh në gjoks e përgjëruar. Ai e vendosi atë në një apartament në Rue Sycomores. Përsëri në ekstazë, si të çmendur. Dhe ajo që i shkruante: «Çfarë furie që sapo kaluam së bashku në shtrat. Do ishte e ëmbël dhe sikur të vdisnim!»

Në mëngjes, kur u zgjua, ajo gjeti një letër që ai i kishte lënë para se të largohej: «Isha i vdekur. Tashmë jam gjallë. Ti je gjaku i zemrës time, drita e syve, jeta e jetës time… engjëlli im!»

Megjithatë ajo kërkoi ta vërë atë në provë. Por pavarësisht nga provat, Leonia do të mbetej përsëri në zemrën e tij. Në korrik të vitit 1845, i fshehur në një apartament në «Passage Saint-Roch» të Parisit, Viktor Hygo flinte me të dashurën e tij Leonie Briand. Kur ndërkohë dera kishte rënë me forcë. “Në emër të mbretit hapeni portën!» – ishte dëgjuar një zë nga jashtë. Viktori hodhi me të shpejtë një këmishë dhe doli të hapë portën. Policët i thanë që t’i ndjekin nga pas. Pranë komisarit të policisë ishte dhe burri i të dashurës së tij.

– «Unë jam «Pair» de France!» – kishte thënë Viktori, duke u bërë të qartë se ai kishte një imunitet të paprekshëm dhe titullin më të lartë.

Leonia e mjerë ndoqi policët nga pas dhe burrin e xhindosur. Të nesërmen, gazetat folën për skandalin e një shkrimtari të njohur, të kapur në flagrancë, por askush nuk e botoi emrin e Viktorit, i cili me kohë kishte kontaktuar gjithë gazetat, duke iu kërkuar kryeredaktorëve që ta shmangnin emrin e tij. Por e shkreta Leoni, e dënuar nga gjyqi, pas burgut u detyrua të mbyllej në manastirin e Saint Augustines. Ndëshkimi binte vetëm mbi gratë!

Historia e Zhyljetës ishte një histori përkushtimi si rrallë në historitë e dashurive të mëdha. Një përkushtim gjer në vdekje. Zhyljeta tashmë jetonte vetëm për të. Madje ajo e ndoqi dhe në mërgim, në Gurnesey, ku ajo u vendos në një apartament pranë shtëpisë së Hygosë, të quajtur «Hauteville House». Që ta njoftonte se ishte zgjuar, Hygoja lidhte një shami të bardhë në ballkon që ajo ta shikonte nga larg dhe pastaj të shkonte pranë tij. E megjithatë dashuritë kalimtare nuk do të mungonin dhe më vonë në jetën e tij.

Në janar të vitit 1872, në shtëpinë e Zhyljetës, Hygo u lexonte aktorëve të teatrit pjesën e tij Ruy Blas, që do të rivihej në skenë në teatrin Odeon. Sarah Bernard, ylli i ri i teatrove parisiene, i vinte rrotull, edhe pse syri i mprehtë i Zhyljetës vigjëlonte. Jo, Hygo nuk mund të rrinte pa bërë dashuri. Kjo do të ndodhte dhe me aktoren Bernard, ashtu si dhe me zonjëza të tjera. Kësaj radhe, e dashura e tij ishte kopistja e dorëshkrimeve të tij dhe shërbyesja e shtëpisë, bukuroshja Blanche Lanven.

Ajo ishte e re dhe Viktori i moshuar. Por zjarret e tij nuk ishin shuar. Ai ishte i tmerrshëm në dashuri. Blansh ishte e re ndërsa Zhylieta ishte plakur. Një natë, siç shkruan Hygo në shënimet e tij, ai e kishte parë Blanshën lakuriq: “30 janar, 1874. E pashë atë pothuajse nudo, si rrallë ndonjëherë, çka nuk më ka ndodhur prej kohësh. Ajo ka ende një trup të mrekullueshëm…” Por kur Zhyljeta i ra në gjurmë dhe Blansh e pranoi gabimin e saj, Viktori i kërkoi ndjesë. Përsëri përbetime, pëshpërima, përhumbje në puthje dhe seks për të shuar flakët e zemërimit. “Për të bërë dashuri, – i shkruante me dhimbje Zhyljeta, – ti ke nevojë për shumë trupa, ndërsa dashuria ime për ty, që të të dua më mirë, ka nevojë vetëm për dy shpirtra… Ti nuk je më një burrë për mua. Ti je shpirti i shpirtit tim”.

Ndërkohë, i plagosur nga dhimbja, Hygo do t’i përgjigjej: ”Shpirti im, dashuria ime e madhe. Ki mëshirë për mua dhe bëhu e butë me sjelljet e mia!”…

Blansh u detyrua të largohej, por fshehurazi, Hygo do t’i merrte një apartament me qera për ta strehuar diku pranë dhe bujar siç ishte, ai do ta ndihmonte atë gjer në fund të jetës.

Në ditarët e Hygosë, biografët kanë gjetur mjaft shënime të çuditshme, të koduara, iniciale apo emra femrash, me të cilat ai ka kaluar aventura të një jave apo disa ditëve: Alice Ozy ishte një aktore dhe kurtizane; Louise Colet ishte po një kurtizane që koleksiononte dashnorë në radhët e poetëve e letrarëve; Esther Guimard ishte dashnorja e një pronari gazetash; Laure Desprès ishte gjithashtu e dashura e dukës De Praslin. Por në ditarët e tij janë dhe emra të panjohura si Poléma (në Rue Clichy), Theodorine, (në Passage Saulnier), Janette, (në Rue Delebelle) etj., shpirtra që janë tretur në botën anonime. Cilat ishin këto? Vetëm Hygoi e dinte. . . Ishin “vajza të gëzimit”.

 

 Jeta, një stuhi e pambarimtë

Jeta e Hygosë ka qenë padyshim një stuhi e pambarimtë, një jetë me trauma e tragjedi të mëdha, me vuajtje, vdekje të shumta dhe dëshpërime. Njëra nga vajzat e tij që quhej Leopoldinë, bashkë me të fejuarin e saj u mbyt në prag të një udhëtimi me anije. Djali i tij, François-Viktor, vdiq tepër i ri. Eugène, djali i vogël që i vdiq në Belgjikë, ai e solli me karrocë dhe e vendosi në varrezat e “Père Lachaise”. Po atje vendosi më vonë dhe Adelën, gruan e tij. Sa shumë vdekje mbi një zemër! Një tjetër vajzë iu çmend dhe e përfundoi jetën në një spital të çmendurisht. Dhe mbi të gjitha, mërgimi i tij në tokën angleze, në Guernesey apo në Belgjikë. Shkrimtari i madh e kishte të ndaluar kthimin e tij në Francë. Por mbytja e vajzës së tij Leopoldine kishte qenë padyshim dhimbja më e madhe.

Ishte viti 1843. Ai po ikte fshehurazi me Zhyljetën në jug të Francës, në La Rochelle, në kulmin e lumturisë, puthjeve dhe ëndrrave, kur në Roshefort, diku në një bujtinë, ulur në tavolinë, rastësisht ai lexoi një lajm të gazetës: «Vajza e Viktor Hygosë, Leopoldine, është mbytur në Villequier. Thuhet se Hygo është në La Rochelle…”

Në kujtimet e saj për këtë ditë të kobshme, Zhyljeta ka shkruar: “Shiko sa e tmerrshme! – më foli ai. – Ngrita sytë drejt tij. Kurrë s’do ta harroj shprehjen e fytyrës së tij fisnike. Sapo e kisha parë të qeshur e të lumtur dhe ja tani, për një sekondë, e gjeta sikur ta kishte goditur rrufeja. Buzët e tij ishin zbardhur. Sytë e tij të bukur vështronin si të humbur, fytyra dhe flokët i ishin lagur nga djersa dhe dora e tij ishte ngjitur fort pas zemrës, sikur të donte ta pengonte atë që të mos dilte nga gjoksi i tij. Mora gazetën dhe e lexova. I dashuri im i mjerë, më lutet të mos shpërthej në lot. Me një kurajo mbinjerëzore më ndihmoi të dalim nga kafeneja. Kapërcyem pragun dhe ecëm në fushat që digjeshin nga dielli…”[5]

Po, pa folur, me fytyrë meiti, Hygo kishte dalë nga bujtina dhe ishte nisur drejt një livadhi, drejt humnerave të tij të dhimbjes. Zhyljeta kërkoi t’i shkonte nga pas, por ai i kishte bërë shenjë ta linte vetëm. Papritur, nga dhimbja e madhe Viktori kishte rënë pa ndjenja dhe ajo vrapoi drejt tij. Qielli ishte përmbysur mbi sytë e tij. Pastaj ata u kthyen, u ulën në tavolinë dhe ai i shkroi një letër Adelës: «Gruaja ime e mjerë! Mos qaj! Bëhu e fortë. Ajo ishte një engjëll. Le t’ia japim Zotit!»…

Menjëherë u kthyen me karrocë buzë kenetave dhe detit të La Rochele-s. “Qielli është mbarsur me re të zeza, – shkruante më pas Zhyljetë, – dhe hera-herës, rrufetë çajnë mes tyre. . . Mbaj dorën e të dashurit tim të shtrenjtë pa patur forcën t’i them dhe një fjalë. Dhe qielli bëhet gjithnjë e më ogurzi, më i llahtarshëm. . . ”

Kur u kthyen në Paris, ai i premtoi Zhyljetës se do ta shkruante atë udhëtim të tyre treditor që përfundoi me ngjyrën e zisë. Hygo ishte mbyllur dhe vërtitej brenda katër mureve të shtëpisë. Një muaj më vonë, më 24 tetor, ai do t’i shkruante të dashurës së tij: “Duhet të shkruaj, por gjithnjë kujtimi i asaj dite më bën të stepem. Do të jepja gjithçka në këtë botë që ta përfundoja këtë përshkrim. Do ta jepja jetën time me dhjetra herë e madje me gëzim, por meqë ti ma kërkon që ta shkruaj këtë udhëtim, unë po të bindem… ”

Midis tragjedive, jetës pasionante dhe mërgimit të detyruar, Hygo përpiqej të mbijetonte në sajë të artit të vet. Dhe ai ishte i bindur për misionin e tij si republikan dhe artist: «Po shkruaj një bibël. – shënonte ai në ditarin e vet. – Jo një bibël hyjnore, por një bibël humane. Një libër të shumëfishtë që përmbledh një shekull. Ja çfarë do lë pas vetes…»

Një ditë, duke përshkuar rrugën e përditësime, Hygo pikasi një karrocë që po çonte dy të dënuar drejt gijotinës, e cila që pas Revolucionit ishte ngritur në qendër të qytetit. Kjo pamje e tronditi aq shumë sa ai filloi të shkruajë librin e tij të mëvonshëm Dita e fundit e një të dënuari me vdekje.

Tregojnë se më vonë, një ditë tjetër, duke shkuar për në Akademinë Franceze, Viktor Hygo pa dy xhandarë që kishin vënë përpara një burrë të lidhur dhe të zbehtë në fytyrë. Njerëzit thonin se kishte vjedhur bukë. Po atë natë ai shkruante: «Për mua ai njeri nuk ishte thjesht një njeri, por vetë spektri i mjerimit; ajo fantazmë e mjerimit e shfaqur në mënyrë të shpërfytyruar e të errët, ishte imazhi i një revolucioni të rënë në errësirë»…

Ky do të ishte protagonisti i romanit Të mjerët, vetë Zhan Valzhani.

 

“Avenue Victor Hugo”

Kjo aveny në atë kohë quhej aveny Eylau dhe ata banonin në numrin 130. Pas vdekjes së Adelës, Viktori dhe Zhyljeta jetonin tashmë bashkë. Më së fundi mund të jetonin si burrë e grua: ai një kat mbi apartamentin e Zhyljetës. Megjithatë darkat për miqtë, letrarët, artistët dhe politikanët shtroheshin gjithnjë në sallonin e saj. Ajo vigjëlonte mbi të, dashurinë e saj të përjetshme, mbi miqtë dhe botën që i rrethonte. . .

Më 1879, Viktori i ishte lutur Zhyljetës që ta hipte në një ballon dhe të ngjiteshin së bashku në qiell. Ai kërkonte të dehej me retë. Dhe ata u nisën. Në qiell, në një tjetër botë. Ndoshta ishte frymëzuar nga Zhyl Verni. Ndoshta… Sidoqoftë ajo skenë duhet të ketë qenë diçka e magjishme, ku shpirti puqet me qiellin dhe ngjizja është sublime.

Më 8 maj të vitit 1881, bashkia e Parisit vendosi që avenyja e tyre të quhej “Avenue Victor Hugo”. Në letrat që i drejtoheshin shkrimtarit, shkruhej «Merr Victor Hugo, Avenue Victor Hugo»… Madje dhe letrat e Zhyljetës vinin në po këtë adresë. Më së fundi zonja Drue banonte në avenynë me emrin e të dashurit të saj.

Më 27 shkurt, një kortezh i pafund kalonte para dritareve të shkrimtarit duke thirrur: “Vive Victor Hugo!”, “Rroftë Republika!. . . Dritarja ishte e hapur dhe Viktori i përshëndeste! Jashtë kishte filluar të binte dëborë… Por tashmë Zhyljeta ishte tepër e sëmurë. Ajo ishte dobësuar dhe ishte bërë si kufomë. Megjithatë pena e shkrimtarit i këndonte gjithnjë shpirtit të saj, gjer në prag të vdekjes:

 

”Kur të them qofsh e bekuar – është qielli!

Kur të them fli e qetë – është toka!

Kur të them të dua – jam unë!”. . .

 

Më 1 janar të vitit 1883, ata përkujtuan së bashku ditën e parë kur kishin vështruar njëri-tjetrin dhe ishin dashuruar. Viktori i zgjati një fotografi të përbashkët, ku pas saj kishte shkruar: “50 vjet dashuri – kjo është martesa më e bukur!” Më 11 janar, e shkatërruar nga kanceri, ajo vdiq pa e kërkuar Viktorin, pa dashur ta shqetësojë Viktorin që t’i shkonte pranë shtratit për t’i thënë një lamtumirë. Të nesërmen, ai nuk kishte më fuqi ta ndiqte karvanin funebër të saj, por e ndoqi vetëm nga dritarja. Që nga vdekja e saj ai nuk do të shkruante më. Vetëm kur ishte në pragun e vdekjes, ai do të shkruante vargjet e fundit: “Këtu është lufta e ditës dhe e natës!”… Pastaj ai thirri nipin dhe mbesën dhe u tha: “Të jeni të lumtur dhe të mendoni për mua!”. . .

Fill pas kësaj, të afërmve ai u lexoi testamentin e tij: ”Dua që nga paratë e mia tu jepni dhe të varfërve!. . . Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua përshpirtjen e kishave. Kërkoj veçse një lutje nga të gjitha shpirtrat… Besoj te Zoti!”…[6]

I dërmuar nga sëmundja e rëndë, tashmë ai nuk arrinte as të fliste. Komunikimi fundit me botën e të gjallëve bëhej përmes gjesteve. Në 22 maj të vitit 1885, kur Hygoi vdiq, gjithë Parisi ra në zi. Arkivolin e vunë nën Harkun e Triumfit, dhe pastaj, duke përshkuar Champs-Elysées, një milion banorë e përcollën gjer në portën e Panteonit. Në dyert e mbyllura të dyqaneve shkruhej: ”Mbyllur për zi kombëtare!” Kambanat e katedrales Notre-Dame si dhe ato të Madeleine, Saint-George apo Saint-Sulpice, binin me vaj.

Që nga ajo ditë, eshtrat e Hygosë janë atje, në Panteonin e lavdisë. Por lavdia më e madhe e tij janë padyshim veprat, shkrimet e tij, apeli i tij i lirisë dhe i qytetërimit. “Thirrja” e tij për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, kjo thirrje profetike, që do të realizohej një shekull e gjysmë më vonë.

Hygo kishte një ëndërr të madhe. Po, ai krijoi një vepër titanësh!… Një vepër, gjurmët e së cilës gjenden ngado.

Jo shumë kohë më parë, një prift shqiptar që mbajti meshë në katedralen “Notre-Dame” dhe që më fliste me entuziazëm për veprat e Hygoit dhe mrekullinë e këtij qyteti, nuk e dinte se pikërisht ajo katedrale ku ai mbajti meshë, në vitet e Komunës së Parisit ishte bastisur, ishte plaçkitur e shkatërruar dhe vite më pas, e lënë pas dore, ishte kthyer në një gërmadhë vajtuese. Ishte pikërisht Viktor Hygo ai që ngriti zërin e tij të fuqishëm për ta shpëtuar këtë kryevepër të artit mesjetar. Kësaj katedraleje ai i kushtoi një përkushtim të veçantë dhe në ethet e betejës së tij për ta shpëtuar monumentin e kulturës franceze, ai shkroi romanin e famshëm të tij, të njohur nga të gjithë ne, Shën Mëria e Parisit…Notre-Dame de Paris!

 

 5 veprat më të mira

 

– Les misérables

– Notre-Dame de Paris

– L’homme qui rit

– Quatre-ving-treize

– Les Orientales

 

Shënime

[1] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[2] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[3] Victor Hugo, Max Gallo, Ed. XO, Paris, 2001.

[4] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[5] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[6] Victor Hugo, Ed. La Pleiade, Gallimard, Paris.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency