Mendje të mprehta apo maskarenj të përsosur?

0
158

vincenzo peruggia-Tre emigrantë italianë prapa “goditjeve të shekullit”. Të kryera pa derdhur asnjë pikë gjak

 Goditje gjeniale

Çfarë kanë të përbashkët grabitja, mashtrimi dhe vjedhja e shekullit? Përveç shekullit, i njëzeti, edhe një bashkëtingëllore: P. Shpjegojmë më mirë: mbiemrat e njerëzve që kanë kryer këto tri bëma kriminale që kanë hyrë në histori të tria me germën P. Sipas radhës: Anthony Pino, Charles Ponzi, Vincenzo Peruggia. Por afritë nuk përfundojnë këtu. Në venat e të treve rridhte gjak italian dhe të tre i kishin ndjekur ëndrrat përkatëse të lavdisë jashtë nga vendi i origjinës.

 

Emigrantë

Anthony Pino, kapobanda në grabitjen legjendare të Brink’s Bank në Boston, kishte lindur në Sicili në vitin 1907, por kur ishte ende në djep ishte larguar bashkë me familjen për në SHBA, duke u vendosur në lagjet popullore në jug të Bostonit. Charles Ponzi, nga Roma kishte mbërritur edhe ai në Boston mëngjesin e 15 nëntorit 1903: pak më shumë se 20-vjeçar, gjatë rrugës kishte luajtur 2 dollarë e gjysmë me të cilët ishte nisur. Do t’i fitonte më vonë, kur hyri dhe u bë i pari në klasifikimin e mashtruesve në Amerikë. Vincenzo Peruggia kishte zgjedhur Francën për të kërkuar fatin: kishte lindur në Dumenza, në Varesotto, në vitin 1881, por i famshëm u bë në Paris si hajduti që vodhi Xhokondën. Pra, keqbërës, por me një marsh më shumë.

“Këta njerëz kishin të përbashkët kreativitetin, që është një prej atributeve që italianët mund të kenë shpesh. Dhe asgjë tjetër në botë më shumë se gjendja e emigrantit të fillimeve të nëntëqindtës nuk mund të shtynte drejt “shpikjeve”, shpjegon Carlo Lucarelli, shkrimtar romanesh të verdhë dhe ekspert i kronikës së zezë. “Këta elementë të bërë së bashku kanë qenë vendimtarë në formimin e ‘gjenive të krimit’. Një dozë simpatie, veprave të tyre keqbërëse ua shton edhe fakti që në bëmat e tyre nuk është derdhur asnjë pikë gjak”.

 

I përjetshëm

Nga “goditja pa gjakderdhje” e Anthony Pino u frymëzua në vitin 1978 regjisori William Friedkin, i cili xhiroi filmin “The Brink’s Job me Peter Falk”, i njohur më mirë si tenente Colombo, në rolin e të jashtëligjshmit, dhe saktësisht në rolin e Tony-t, truri i bandës. Në fakt, Anthony Pino, në dallim nga Peruggia dhe Ponzi, ishte një profesionist i krimit. “Por ishte dhe një aktor, në gjendje t’u shkëpuste një buzëqeshje të gjithëve, policë apo kriminelë qofshin”, – saktëson Lucarelli. “Kështu arrinte t’i bënte të tjerët të besonin se ishte pak më shumë se një karagjoz”. Në fakt, e kishte seriozisht kur në vitin 1944, rekrutoi nëntë vetë me një objektiv ambicioz: Brink’s Bank, institucioni më i sigurt i Amerikës, të paktën deri në mbrëmjen e 17 janarit 1950.

Operacionin e koordinoi pikërisht Pino: i veshi anëtarët e bandës me veshje të marinës ushtarake, kapele shoferësh dhe maska gome. Kur sulmuan zyrat duheshin dhe pak minuta të vinte ora e mbylljes: ishte një punë e pastër, pa asnjë të shtënë. Bastisja zgjati disa minuta, pasi u neutralizuan roja dhe punonjësit.

Policisë, e cila u njoftua pas faktit të kryer nga një prej pengjeve, nuk i mbetej veç të numëronte dëmet. “Për të zbuluar çfarë kishin vjedhur nuk mjaftoi e gjithë nata, dhe në fund rezultati ishte mbresëlënës. Nga kasafortat ishin zhdukur 1 milion e 218 mijë dollarë, në kartëmonedha, obligacione dhe certifikata të depozitave të ndryshme”, – thotë Lucarelli.

Përveç zerove të shumës, hetuesve nuk u mbeti në dorë asgjë veç një përshkrimi të përgjithshëm të grabitësve të maskuar dhe ndonjë gjurmë e lënë në skenën e krimit. Nuk kish asnjë dyshim që bëhej fjalë për një bandë të organizuar: një pistë që çoi drejt e tek Pino, i njohur si një prej organizatorëve më të zotë të grabitjeve në banka. Por me një alibi të hekurt.

Për një kthesë të vërtetë të hetimeve u desh të kalonin gjashtë vite, pas të cilëve FBI arriti rrëfimin vendimtar të një anëtari të bandës, i cili tregoi të gjithë emrat si dhe zbuloi planin e orkestruar nga Pino. Çështja u mbyll me arrestimin e të gjithë bandës. Por llogaritë nuk dolën asnjëherë: u gjetën në fakt vetëm 58 mijë dollarë.

 

Ponzi

Për Charles Ponzin, në SHBA flitet në mënyrë periodike. Herën e fundit në 11 shtator 2008, kur Bernard Madoff, ish-president i Nasdaq dhe njeriu më i njohur në bursën e SHBA, u arrestua me akuzën se kishte zbatuar “skemën Ponzi” për të realizuar një mashtrim me përmasa gjigante.

Cili ishte Ponzi? Sapo mbërriti përtej oqeanit nga Lugo di Romagna ai dukej si djaloshi i zakonshëm italian i prirë për të kryer punë modeste që të paguante edhe ndonjë ves. Meqë po flisnim për zanoret, në Amerikë thuhet se faktorët që shtyjnë drejt zgjedhjes kriminale mund të sintetizohen në tre B: babes, booze and bets ose “gra, alkool dhe baste”. Ponzi në fakt i kishte qejf të tria, sidomos të fundit, dhe shpesh herë iu desh të zhdukej për shkak të borxheve në bixhoz. Pikërisht për këtë arsye në moshën 25 vjeç u largua nga SHBA drejt Kanadasë, ku megjithatë nuk pati fat më të mirë. Përfundoi edhe në burg, fillimisht me akuzën se kishte falsifikuar një çek, më pas nën akuzën se ishte përpjekur të fuste klandestinë në SHBA. Burgu ishte një shkollë jete (kriminale, për më shumë), por kur doli u vendos sërish në Boston dhe vendosi të qëndronte me këmbë në tokë, duke u martuar madje në 1918 me një vajzë me të njëjtën origjinë si ai.

Por Ponzi nuk mundej të rrinte duarkryq dhe rifilloi trafiqet. Sajoi Guidën e tregtarit, një lloj Fletësh të Verdha të mbushura me reklama që duhej të shërbente për të nxitur marrëdhëniet tregtare. Ia propozoi biznesmenëve të gjysmës së botës, por askush nuk kuptoi. Duke parë mungesën e suksesit, Ponzi e la mënjanë këtë sipërmarrje dhe u harrua. Por do të ishte kyçi i gjithçkaje.

“Pak kohë më vonë, nga Spanja, i erdhi letra e përgjegjësit të një kompanie të vogël që kërkonte lajme nga Guida për Tregtarin”, shpjegon Lucarelli. “Në zarf, përveç letrës së kapur me makinë, kishte edhe kuadratë të ngjyrosur ku shkruhej “kupon ndërkombëtar për përgjigjen”: Ponzi nuk kish parë asnjëherë”. Ishin bonot postare të ideuar në vitet e bumit të emigrantëve: kush shkruante një letër për familjen mund të bashkëngjiste një bono që marrësi e shkëmbente në vendin e tij me një pullë poste për letrën e përgjigjes. Neuronet e Ponzit nisën të bluajnë ide.

Çfarë do të ndodhte nëse do të blinte kuponë postarë me çmim të ulët në Evropë, për t’i konvertuar më pas përtej oqeanit? E provoi, dhe me lojën e çmimeve që shkaktonte inflacioni zbuloi që një kupon i blerë në Itali mund të shkëmbehej në SHBA me një marzh fitimi prej 230%. Themeloi një kompani dhe bindi miq dhe të njohur që të investonin duke u garantuar fitime afatshkurtër.

Në skemën Ponzi, paratë që klientët i besonin kompanisë në një pikë të caktuar nuk riinvestoheshin. Kush kërkonte rimbursimin e parave të tij bashkë me interesat paguhej me paratë e të sapoardhurve. Ponzit i mjaftonte të ruante angazhimin me të parët për të fituar besimin e të dytëve. Njerëzit filluan t’i besojnë në masë paratë e tyre dhe për të mjaftonte të kishte paratë për të paguar ata që blinin kuponë, gjë që gjithsesi pak vetë e bënin duke parë perspektivën e “fitimeve të mëdhenj”.

Ai burrë vetëm një metër e 60 i gjatë, me një siguri që i rridhte nga të gjithë poret, mashtroi kështu 40 mijë vetë. “E çuditshme të thuhet, por ai besonte përherë tek “klientët e tij”, – saktëson Lucarelli. “Pavarësisht se kishte mundësinë të arratisej me miliona dollarë të kohës, mendonte përherë se mundej t’i bënte ballë çdo vështirësie. Deri në vdekjen e tij, nuk pushoi asnjëherë së ëndërruari, së projektuari, së krijuari skenarë jorealistë. Një vizionar, një optimist i pashërueshëm. Dhe i palëkundur në dëshirën për të mos u dorëzuar asnjëherë”.

Të parët që ndien “erë tymi” ishin gazetarët, që nisën të bëjnë llogaritë e xhepave të tij: në 26 korrik 1920 faqja e parë e Boston Post titullohej: “Dyshime mbi qëllimet e fshehur prapa planit Ponzi”. Në artikull thuhej se në bazë të rendimentit të premtuar duhej të ekzistonin 160 milionë kuponë, ndërkohë që në qarkullim nuk kishte më shumë se 27 mijë: Ponzi nuk kishte aftësi shlyrëse. Investigimi i dha Boston Post çmimin Pulitzer për shërbimin më të mirë gazetaresk të vitit dhe Ponzit një strehim me shpenzimet e shtetit në… burg.

Ai u dënua për mashtrim postar dhe doli nga burgu vetëm në 1934: jashtë e priste një dekret dëbimi nga SHBA. Do të vdiste pa asnjë lek në xhep në Rio de Zhanejro 15 vjet më vonë. Në Brazil kishte shkuar falë një kushëriri që në 1939 i kishte propozuar një punë. “I afërmi i tij ishte Attilio Biseo, komandant i skuadriljes ajrore të Sorci Verdi dhe pilot personal i Mussolinit, që kish detyrën të niste një shërbim linje mes Italisë dhe Brazilit. Ponzi u bë kështu drejtor komercial i Lati”, rrëfen Lucarelli. Gjatë luftës, avionët transportonin mes një pasagjeri e një tjetri – spiunë, dosje të fshehta, diamantë dhe materiale për industrinë luftarake. Kur SHBA hynë në luftë, Lati u shpërbë dhe Ponzi u largua. I mbeti dhe pak kohë për ndonjë sipërmarrje tjetër, deri kur në janar 1948 e ndali një ishemi cerebrale që i paralizoi gjysmën e trupit. Thuhet se vdekja e mori me një buzëqeshje në buzë.

 

Hajduti patriot

Edhe Vincenzo Peruggia u largua nga kjo botë, në moshën 44 vjeç, pa asnjë lloj pendimi për sipërmarrjen e denjë për Fantomasin. Ishte ai, në 22 gusht 1911, që vodhi Xhokondën e Leonardos nga muzeu i Luvrit. Peruggia jetonte në Paris që në moshën 4 vjeç, ku i ati kishte shkuar ashtu si shumë bashkëfshatarë të tij që kërkonin punë. Profesioni i piktorit e kish bërë që të punonte në muzeun më të rëndësishëm. Një ditë – do të deklaronte më vonë – i kish ndodhur të shfletonte një libër ku shihej “fasada e Louvre me një yll sipër, dhe poshtë një seri karrocash të tërhequra nga buaj dhe ku thuhej që ishin piktura e statuja që vinin nga Italia dhe që ishin të gjitha sende të marra nga Napoleoni”. Ishte një blic: donte të sillte në atdhe një nga ato piktura. Zgjodhi Xhokondën pothuajse rastësisht, pa e ditur që Leonardo, atë pikturë e kish marrë me vete kur ishte transferuar në Francë dhe ia kish dhënë spontanisht Mbretit Francesco I, si falënderim për mikpritjen në një prej kështjellave të tij.

Vjedhja e pikturës ishte si një lojë fëmijësh: duke përfituar nga mbikëqyrja e mangët të hënën në mëngjes hyri në Luvër dhe mbërriti në sallonin Carre, përballë Mona Lizës. E shkëputi pikturën nga muri dhe nisi ta shkëpusë nga korniza dhe xhami që e mbronte. Në fund e futi poshtë krahut, të mbështjellë me xhaketë, dhe shkoi në shtëpi. E lehtë si të pish një gotë ujë. Surete u mobilizua dhe mori në pyetje gjysmën e Parisit. Policët shkuan edhe në shtëpinë e Peruggias, që u mor në pyetje si ish punëtor i muzeut, por nuk gjetën asgjë. Mëkat që pikërisht aty ai mbante arkën e drunjtë ku ndodhej Xhokonda.

Hetimet nuk sollën asgjë, kaluan muajt dhe askush nuk e kish idenë se ku ndodhej Xhokonda. Vetëm në 1913 Peruggia vendosi ta heqë qafe duke e ofruar për një shifër modeste tek koleksionisti fiorentin Alfredo Geri, emrin e të cilit e kishte lexuar tek “Corriere della Sera”. Me të njëjtën lehtësi me të cilën e vodhi, Peruggia u kthye në Itali dhe ia dha Gerit, i cili e denoncoi në çast, me shpresën e një shpërblimi të majmë. Por Franca, bashkë me nderimet e mëdha, i dha vetëm 25 franga.

(/Focus/ bota.al)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency