Hetimi/ Imamët e vetëshpallur, në Gjykatë për nxitje të akteve terroriste

0
131

genci ballaÇdo pjesëtar i grupit kishte funksion të caktuar. Dy imamët bindnin persona të cilët shkonin në xhami për t’u falur dhe më pas i dërgonin në Siri për të luftuar

 Mbyllen hetimet për 9 të pandehur, dyshuar se me veprimet e tyre kanë nxitur akte terroriste dhe kanë dërguar në Siri persona të besimit fetar. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka kryer hetime në funksion të procedimit penal me nr 275 të vitit 2013 dhe në përfundim të këtyre hetimeve ka marrë me cilësinë e të pandehurve shtetasit Genci Balla, Gert Pashaj, Bujar Hysa, Orion Reçi, Verdi Morava, Zeqir Imeri, Astrit Tola, Edmond Balla, Fadil Muslimani Këta persona akuzohen për veprat penale “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”, parashikuar nga neni 231 i Kodit Penal dhe veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 232/a i Kodit Penal. Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e informacionit për referimin e kryerjes së veprës penale, ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Tiranë.

 

Roli i secilit

Të pandehurit Genci Balla, Bujar Hysa, Gert Pashja, Fadil Muslimani, Orion Reçi, Edmond Balla, Astrit Tola, Verdi Morava dhe Zeqir Imeri në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me persona të tjerë, duke shfrytëzuar bindjet fetare ekstreme të personave të ndryshëm, kanë arritur të krijojnë tek disa prej tyre bindjen për ti dërguar në shtete të tjera dhe konkretisht në Siri, me qëllim që këta të fundit të marrin pjesë në grupime të cilat janë shpallur nga lista e OKB-së si grupime terroriste. Këta të pandehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rekrutuar një sërë personash duke realizuar për ta dhe pasojën përfundimtare dërgimin e tyre në drejtim të Sirisë. Për ta realizuar një gjë të tillë të pandehurit, kanë shfrytëzuar bindjet fetare të personave, dhe konkretisht kanë shfrytëzuar besimin fetar mysliman. Secili nga të pandehurit në këtë veprimtari ka pasur një rol të caktuar.

 

Veprimtaria e imamëve

Veprimtaria e të pandehurve ishte e organizuar në mënyrë të tillë disa nga të pandehurit dhe konkretisht i pandehuri Genci Balla dhe Bujar Hysa janë vetëshpallur si imamë dhe në drejtim të ndjekjes së riteve fetare kanë arritur të bindin masën e gjerë me predikimet e tyre. I pandehuri Genci Balla ushtronte veprimtarinë si imam në xhaminë e ndodhur tek Unaza e Re në Tiranë. Ndërsa i pandehuri Bujar Hysa e ushtronte veprimtarinë e tij në xhaminë e ndodhur në Mëzez, Tiranë. As të pandehurit Genci Balla dhe Bujar Hysa dhe as xhamitë ku ata ushtronin veprimtarinë e tyre si imamë nuk ishin të miratuar në mënyrë të rregullt si të tillë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Gjatë predikimeve të mbajtura i pandehuri Genci Balla tejçonte tek personat e pranishëm, sidomos në faljet e ditës së premte, bindje dhe ide të cilat iu mbushnin mendjen personave që lufta që bëhej në Siri ishte një kauzë e drejtë, bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë në këtë luftë. Po të njëjtën mënyrë ka përdorur dhe i pandehuri Bujar Hysa me predikimet e bëra prej tij, në xhaminë e Mëzezit apo dhe në xhami të tjera. Në bashkëpunim me të pandehurit Fadil Muslimani, Orion Reci, Verdi Morava, të pandehurit Genci Balla dhe Bujar Hysa kanë arritur të gjejnë vendin e përshtatshëm për të krijuar xhaminë dhe për të organizuar çdo gjë aty.

 

Organizimi nga Turqia

I pandehuri Gerti Pashja ndodhej në Turqi dhe realizonte në të shumtën e rasteve pritjen e personave që ishin nisur nga Shqipëria për në drejtim të Sirisë duke bërë shoqërimin e tyre deri në Siri. Në këtë veprimtari kanë ndikuar duke bashkëpunuar dhe të pandehurit Astrit Tola dhe Zeqir Imeri. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të pandehurit Zeqir Imeri është arritur të gjendet dhe të sekuestrohet një armë luftarake. Ndërsa në ambientet e kontrolluara për të pandehurin Bujar Hysa janë një sasi municioni.

 

Rreth 70 persona janë dërguar drejt Sirisë

Si rezultat i rekrutimit, dhe nxitjes së shtetasve shqiptarë, është arritur që mbi 70 persona të dërgohen në drejtim të Sirisë, ku sipas informacioneve jozyrtare, por të konfirmuara nga familjarët e tyre, disa prej këtyre personave kanë gjetur vdekjen gjatë këtyre luftimeve. Mundet të përmendim këtu rastin e shtetasit Diamant Rasha.

Veprimtaria e të pandehurve shtrihet dhe më tutje në drejtim të realizimit të qëllimit të tyre, në rastin që ata njoftohen se një nga personat e dërguar në Siri ka vdekur, ata mundohen ta pasqyrojnë një veprim të tillë si një element shumë i mirë për personin që ka vdekur, i cili sipas tyre ka shkuar i lumtur. Prirja kryesore e hetuar dhe që përbën vepër penale, gjatë këtij procedimi penal lidhet me veprimtarinë e organizuar, për dërgimin e shtetasve shqiptarë në drejtim të Sirisë, me qëllim përfshirjen e tyre në luftimet që po realizohen atje. Ndikimi i besimit fetar në këtë veprimtari ka qenë determinant, duke qenë se shumica e shtetasve shqiptarë të nisur drejt Sirisë janë larguar të bindur për kryerjen e veprimeve në të mirë të njerëzimit, veprime këto të ardhura nga thirrja e bërë. Subjektet e marrë si të pandehur kanë arritur të organizohen në vendin tonë duke u vetëshpallur imamë, dhe kanë ushtruar ritet e besimit fetar musliman në xhamitë e krijuara prej vetë atyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency