Standard.al

Freedom of Speech Award i jepet blogerit të arrestuar

Freedom of Speech Award i jepet blogerit të arrestuarBlogeri i arrestuar në Arabinë Saudite, Raif Badawi, merr “Freedom of Speech Award”, që “Deutsche Welle” e jep për herë të parë këtë vit. Transmetuesi për botën e jashtme e jep çmimin në kuadër të Online-Awards “The Bobs”.

Intendanti Peter Limbourg: “Bordi i drejtorëve të “Deutsche Welle”-s vendosi njëzëri për Raif Badawin. Ai përfaqëson në mënyrë të shquar angazhimin e guximshëm, të patrembur për shprehjen e lirë të mendimit, e drejtë e njeriut. Vlerësimi me çmim nga ne synon të transmetojë një sinjal të fortë dhe ta zhvendosë fatin e tij edhe më fort në vëmendjen e publikut botëror. Shpresojmë që në këtë mënyrë do të shtohet presioni ndaj personave përgjegjës në Arabinë Saudite, për ta lënë më në fund të lirë Badawin”.

Blogeri 31-vjeçar Raid Badawi u dënua në maj 2014 nga drejtësia saudite me 1.000 rrahje me shkop, dhjetë vjet burg dhe me një gjobë të madhe. Në 9 janar atë e rrahën për herë të parë publikisht.

Ensaf Haider, gruaja e tij që jeton në Kanada, i tha “Deutsche Welle”-s: “Unë jam jashtëzakonisht e lumtur! “Freedom of Speech Award” i “Deutsche Welle”-s i dërgon një mesazh të qartë regjimit saudit. Është turp që Raifi ndodhet ende në burg. Veçanërisht në këto kohë, kur Arabia Saudite zhvillon luftë kundër grupit që përçmon të drejtat e njeriut, “Shteti Islamik”. Unë i jam “Deutsche Welle”-s thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e saj”.

 

 Dorëzimi i Çmimit në Global Media Forum

Në kuadër të “The Bobs – Best of Online Activism”, “Deutsche Welle” nderon për të njëmbëdhjetën herë aktivistë të shquar ndërkombëtarë në internet dhe projekte të rrjetit. Për edicionin 2015, transmetuesi gjerman për botën e jashtme e ka përpunuar konceptin e “the Bobs”. Risia më e rëndësishme është “Freedom of Speech Award”, me të cilin “Deutsche Welle” nderon një person ose një inisiativë, e cila angazhohet në mënyrë të veçantë për lirinë e mendimit në botën digjitale.

Fituesi i “Freedom of Speech Award” si dhe mbajtësit e çmimeve në tri kategoritë e jurisë të “The Bobs” do të nderohen më 23 qershor në Global Media Forum të “Deutsche Welle”-s në Bon.

 

 Me guxim për lirinë e mendimit

Raif Badawi lufton prej vitesh për lirinë e mendimit në vendin e tij. Në faqen e internetit “Liberalët e Lirë Sauditë” ai tematizon gjendjen politike dhe defektet në politikën dhe në shoqërinë e Arabisë Saudite. Ai ka publikuar për shembull artikuj sarkastikë për policinë fetare, e ka quajtur një universitet të madh të vendit strehë terroristësh dhe ka shkruar për ditën e Shën Valentinit – edhe kjo është e ndaluar në Arabinë Saudite. Në qershor 2012 e arrestuan për të disatën herë. Akuza: Badawi kishte fyer në faqen e tij në internet fenë islame, drejtues fetarë dhe politikanë. Gruaja e tij Ensaf Haidar u arratis në vitin 2013 së bashku me tri fëmijët e përbashkët nga Arabia Saudite. Familja mori azil politik në Kanada.

Comments are closed.